Kosova ta ndjekë shembullin kroat, të dënojë kokat e pushtetit

  • 21 April 2017 - 08:17
Kosova ta ndjekë shembullin kroat, të dënojë kokat e pushtetit

ATK-ja dhe Prokuroria të veprojnë sipas ligjit,shkruan gazeta Kosova Sot.

Pas luftës, shumë biznese vendore të Kosovës u pasuruan në mënyrë të shpejtë dhe marramendëse sa hap e mbyll sytë si askund tjetër në rajon e gjetiu. Shih për këtë, ekspertët dhe opozita duan një hetim urgjent të bizneseve të dyshimta oligarkike. Analistët e ekonomisë , ekspertë të kësaj fushe, sikurse edhe deputetë të opozitës, janë të një mendimi se shumë biznese të dyshimta janë pasuruar në mënyrë marramendëse, në saje të lidhjeve tejet të fuqishme me krerët e politikës e shtetit, dhe se janë po të njëjtët që kanë blerë gjithçka, duke filluar nga drejtësia e deri te politika. Ata e shtrojnë pyetjen se përse ATK-ja dhe Prokuroria e Shtetit nuk po i hetojnë këto biznese për të zbardhur rastet se si ato kanë bërë shpëlarjen e parave, përkatësisht për të zbardhur të vërtetën se çfarë tenderësh kanë marrë dhe sa taksa kanë shmangur. Me gjithë pyetjet e dërguara në adresë të ATK-së dhe Prokurorisë së Shtetit, se çfarë hapash kanë marrë këto dy institucione me rëndësi për të zbardhur të vërtetat e këtyre rasteve, zyrtarët e tyre për informim nuk kanë dhënë ndonjë përgjigje për gazetën, ndonëse e kanë gojën plot transparencë me publikun. Ndërkaq duke dhënë idenë e tyre se si janë pasuruar këto biznese, disa nga analistët thonë se ata njerëz që i kanë udhëhequr ato biznese jo se kanë qenë menaxherë të dijshëm, por pasurinë e tyre ata e kanë krijuar në bazë të evazionit fiskal, ekonomisë informale dhe krimit të organizuar, si edhe në saje të privatizimit kontrovers. Ndërkohë që një pjesë tjetër e analistëve janë të mendimit se zbardhja dhe ndriçimi i rasteve të pasurimit të këtyre individëve nuk do të ndodhë asnjëherë.

Bosët e vërtetë, politikanët

Analisti Shefqet Dibrani është pajtuar me vlerësimin se duhet të hetohen shumë biznese të dyshimta e oligarkike, që janë pasuruar në mënyrë të shpejtë dhe marramendëse, dhe në disproporcion me gjendjen shumë të rëndë ekonomike në Kosovë. Ai thotë se të gjitha bizneset e dyshimta, të cilat janë zgjeruar në mënyrë të shpejtë, dhe janë pasuruar në mënyrë marramendëse, kurse pronarët e tyre kanë krijuar luks të tepruar, duhet t'iu nënshtrohen sistemit të kontrollit, i cili nëse sheh parregullsi ligjore, duhet rastet t'i procedojë në prokurori. "Po ashtu, të gjitha bizneset që janë të lidhura me oligarkët politikë, përkatësisht që i kanë pronar të vërtetë bosët politikë, duhet të ndëshkohen dhe t'u ndalet hovi i shkatërrimit të mëtutjeshëm të ekonomisë së vendit, sepse në kushte normale Kosova nuk jep mundësi për t'u pasuruar në mënyrë marramendëse, prandaj vetëm infrastruktura e bartësve të bizneseve të caktuar, e rrit dhe shton dyshimin për t'i hetuar, dhe nëse një gjë e tillë nuk bëhet, drejtësia në Kosovë, me pikë të qëllimit po i ngulfat bizneset e rregullta dhe me këtë po e shtyn vendin drejt humnerës, duke penguar zhvillimin e gjithëmbarshëm në Kosovë", u shpreh ai. Dibrani tha se askush nuk e ka të qartë pse ATK dhe Prokuroria Speciale nuk po i heton bizneset e dyshimta, sidomos skandalet publike, për të cilat shkruhet dhe debatohet gjatë. "Po mjerimi edhe më i madh i Kosovës është kur zyrtarët përgjegjës, siç është kryeministri i Kosovës, nga foltorja e Parlamentit të Kosovës, thotë se dikush duhet të japë llogari për skandalet disa dhjetëra milionëshe, për të cilat është shkruar e thënë mjaftë. Por, në vend se zyrtari i lartë dhe kryeministri i vendit të autorizojë komisionet përkatëse për të hulumtuar, në vend se të urdhërojë ATK-në dhe Prokurorinë Speciale, për të nisur hetimet nëse ka bazë për procedurë penale, ai nga foltorja u tregoi përralla qytetarëve, se dikush duhet të japë llogari, pa marrë asnjë hap konkret në cilësinë e drejtuesit të Qeverisë së Kosovës. Por, si duket as ATK dhe as prokurorët, sikurse edhe kryeministri i Kosovës nuk e udhëheqin Kosovën me duar të pastra, prandaj çjerrjet se dikush duhet të japë përgjegjësi duken thirrje nga paniku se vendi mund të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme, prandaj si duket e ka këndellur ndërgjegjen e fjetur të kryeministrit", theksoi ai. Sipas Dibranit, këto biznese janë pasuruar në saje të lidhjeve tejet të fuqishme, që kanë pasur me politikën dhe që kanë blerë gjithçka nga drejtësia te politika.

Bizneset e ndershme po shkelen

Analisti Faton Mehmeti tha se duhet të jesh shumë optimist dhe të besosh se bizneset, që janë të lidhura me politikën, do të hetohen ndonjëherë, edhe pse kjo është parësore, nëse dëshirojmë të çrrënjosim ekonominë nga politika dhe për ta bërë atë sa më të hapur. "Është një zinxhir hermetik në mes të politikës, prokurorisë dhe ATK-së, që nuk lejon që të hetohen ata që përfitojnë në mënyrë të pandershme, nga mungesa e tregut dhe monopoleve. Shpëlarja e parave po zhvillohet kryesisht përmes qendrave të mëdha tregtare, të lidhura me politikën, përmes këtyre qendrave edhe po qarkullojnë paratë false, si dhe mallin me cilësi të dobët edhe shpesh me afat të skaduar. Këto qendra duhet të hetohen, pasi investimet milionëshe po bëhen sa për të shpërlarë para, duke abuzuar me punëtorët dhe qytetarët", ka theksuar ai. Analisti Mehmeti tha se ato biznese të pakta që mundohen të zhvillohen pa lidhje me politikën, ngarkohen me taksa të larta, si dhe u pamundësohet të zhvillohen, prandaj edhe falimentojnë. "ATK-ja është organ i koalicionit qeverisës. gjegjësisht i PDK-së, njerëzit e saj janë pjesë e saj dhe përmes tyre kalohet pragu i suksesit ose dënimit, varësisht lidhjeve dhe servilizmit që ushtron ndaj tyre", u shpreh më tutje ai. "Sa më servil aq më i ngritur, sa më i ndershëm, aq më i shkelur, ky është slogani i të bërit biznes në Kosovë", tha Mehmeti. 

Lidhjet profitabile dhe tenderomania

Edhe analisti Ardian Nokaj është i mendimit se bizneset e dyshimta oligarkike duhet që të hetohen, gjithashtu duhet të hetohen edhe personat që janë të përfshirë në këto biznese, duke mos paguar taksa. Ai ndërkaq vlerëson se ATK-ja dhe Prokuroria ose nuk janë të informuar mirë për bizneset dhe personat, të cilët kanë fituar tenderët në mënyre ilegale ose me të vërtetë ATK-ja dhe Prokuroria janë duke e mbrojtur dikë që mos të hetohet apo arrestohet. "Shumë biznese, sidomos bizneset e mëdha kuptohet që kanë lidhje me politikën e pasur dhe pa ndonjë bashkëpunëtorë nuk besoj që do ishin hapur apo sukses, por duke e pasur krahun e fortë dhe strategjinë e shitjeve, këto biznese po ia arrijnë qëllimit të mbijetojnë dhe të kenë sukses në tregun kosovar", ka potencuar Nokaj. Ndërsa ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Xhevdet Neziraj, pajtohet se shumica e bizneseve në vendin tonë janë pasuruar pas luftës jo se ata njerëz që i kanë udhëhequr ato biznese kanë qenë menaxherë të dijshëm, por pasurinë e tyre e kanë krijuar në bazë të evazionit fiskal, ekonomisë informale dhe krimit të organizuar dhe privatizimit kontrovers dhe lidhjeve me politikanët e pushtetarët. Ai sugjeron se Qeveria e ardhshme për të qenë një Qeveri e popullit dhe të punojë për popullin, duhet që urgjentisht të rishqyrtojë tërë procesin e privatizimit në Kosovë dhe të hetohet pasuria e të gjithë pasanikëve të pasluftës, sepse kështu ka ndodhur edhe në Kroaci, vendin ku është dënuar edhe kryeministri Ivo Sanader që është akuzuar dhe dënuar për afera në privatizim dhe pasurim të paligjshëm. "Kështu duhet që të veprohet, sepse fundja këtë po e kërkon popullata dhe bashkësia ndërkombëtare e jo të dënohen njerëzit që po shesin cigare në treg dhe në rrugë që të mbajnë familjet e tyre", tha Neziraj. 

Qeveria toleron pasurimin e paligjshëm

Deputeti i opozitës, Bali Muharremaj (AAK), tha se kjo Qeveri nuk është e interesuar që të ndërpresë një formë të tillë të pasurimit të paligjshëm të shpejtë e të padrejtë dhe në kurriz të popullatës. "Qeveria po deshi edhe po pati vullnet që ta bëjë, ajo mundet shumë lehtë që t'i zbardhë të gjitha rastet e dyshimta të pasurimit të padrejtë e të pabazë, që për burim kryesor të këtij pasurimi i patën tenderët e të dyja niveleve që gjatë një viti janë afro 700-800 milionë euro", tha ai. "Ne nuk duhet që të çuditemi fare se nga i morën ato para për 17 vite këto biznese vendore dhe ata njerëz, që e bënë këtë pasuri milionëshe sepse po të njëjtët persona janë të lidhur me krerët më të lartë të shtetit e të politikës", u shpreh ai. Sipas tij, Qeveria jonë duhet që të mobilizojnë institucionet ekzistuese, sikurse që janë, ATK-ja, Doganat, Policia e Kosovës por edhe agjensionet e tjera të pavarura që të mbrojnë bizneset dhe investitorët e rinj të vendit dhe të jashtëm nga konkurrenca jolojale, kushtëzimet dhe pengesat e tjera. "Kemi të bëjmë me një kapje të shtetit në të gjitha fushat e veçanërisht në dy ministritë kyçe, ajo e Financave dhe Drejtësisë. Ndaj edhe e kemi një heshtje të tillë të ATK-së dhe Prokurorisë së Shtetit", tha Muharremaj. "Shpëtimi i vetëm i vendit është rënia e menjëhershme e koalicionit sundues dhe zgjedhjet e reja nacionale për largimin e kësaj garniture sundimtarësh të korruptuar", potencoi ai. 

(Kosova Sot)