Efekti i jahtit: Rreth 300 mijë euro Komuna e Prishtinës i ndan për qumështin "Vita" (Dokument)

  • 21 April 2017 - 14:34
Efekti i jahtit: Rreth 300 mijë euro Komuna e Prishtinës i ndan për qumështin

Kjo është shitorja që e ka fituar një tender në vlerë prej rreth 300 mijë eurosh nga Komuna e Prishtinës. Ajo është në emër të Musaj Lekut, nga Drenasi. Por rastësisht në dokumentacionin e fituesit është gjetur edhe emri i një zyrtari të lartë të "Devolli Group". Pastaj të mos flasim për dekorimet e shitores së z. Leku - të gjitha me produktet e "Devollit". 

I zënë ngushtë nga një foto e publikuar në jahtin e Blerim Devollit, kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, në një konfuzion total, deklaroi që e kishte pirë vetëm një "Coca Cola Zero". Kjo mund të jetë teknikisht e saktë, edhe pse ka dyshime edhe për llojin e pijes, mirëpo nuk kanë kaluar as disa javë për t'u kuptuar arsyeja e vërtetë e qëndrimit në jaht. 

Ditë më parë, Komuna e Prishtinës ia ka ndarë një dyqani në Drenas një tender prej rreth 300 mijë eurove, mirëpo në dokumentacionin e plotësuar, atë në të cilën është shpallur fituesi, ka mbetur një gjurmë e krimit, sipas të gjitha gjasave në mënyrë të pavullnetshme. Fitues është shpallur dyqani "Hajdini Comerce", por person kontaktues është caktuar Valon Basha, zyrtar i lartë në "Devolli Group".  

E gjitha kjo ka ndodhur vetëm një ditë përpara se Albin Kurti të ngjitej në platformën më të lartë në Republikën e Kosovës, foltoren e Kuvendit, ku, me të drejtë do t'i numëronte të gjitha krimet e "Devollit". E në mesin e shumë krimeve, e numëronte edhe qumështin pluhur të "Devollit", atë "Vita". Saktësisht këtë qumësht Komuna e Prishtinës e ka përzgjedhur për t'i ushqyer kopshtet e fëmijëve në Prishtinë. 

Nuk është ky krimi i vetëm në këtë kontratë. E gjitha kjo po provohej të kontrabandohej përmes një dyqani të vogël në Drenas, i cili e kishte fituar tenderin, në mënyrë që të mos figuronte "Devolli". Por, me gjasë, asnjë krim nuk është perfekt. Dikund mbesin gjurmët.

Komuna e Prishtinës, të martën, ka njoftuar për fituesin e kontratës për tender për “Furnizimin me artikuj ushqimorë për nevojat e Kuzhinës së Institucioneve Parashkollore në Prishtinë”.

Sipas njoftimit të publikuar edhe në KRPP, kontratën që arrin vlerën 262 mijë e 386 euro, për një vit, si oferta më e lirë nga të gjithë konkurruesit, e ka fituar "Hajdini Comerce". 

Ky market nga Drenasi, me pronar Musaj Leku, nga po kjo komunë, sipas kontratës të shpallur më 18 prill 2017 do të furnizojë institucionet parashkollore të kryeqytetit me artikuj ushqimorë për nevojat e kuzhinave. 

Deri këtu çdo gjë do të ishte në rregull. Por, te të dhënat e operatorit ekonomik, të cilit i është dhënë kontrata, ka diçka që nuk shkon. 

Te kontaktet e kësaj pjese të të dhënave, figuron një email zyrtar, i "Devolli Group", me personin përgjegjës Valon Basha. 

Valon Basha është njeri prej zyrtarëve ligjorë të telefonisë së Devollëve, "Z-Mobile".

Basha, i kontaktuar përmes telefonit nga gazeta Express, nuk ka komentuar rastin, duke ndërprerë thirrjen pasi i janë kërkuar sqarime për rastin. 

Jo shumë i qartë në përgjigjet e tij ka qenë Musaj Leku. Ndonëse fillimisht ka mohuar çfarëdo lidhje me Devollët, më pas ai ka pohuar se nga ta merr një pjesë të mallrave me të cilat do të furnizojë nga Drenasi institucionet parashkollore në Prishtinë. Madje, ai specifikon qumështin "Vita" të prodhuar nga kjo korporatë, që të nesërmen pasi u dha tenderi, shefi i partisë së kryetarit të Prishtinës, Albin Kurti, në Kuvend, tha se janë më të egrit ndaj blegtorëve kosovarë.

“Na s’kemi me Devollët. Na jemi kompani në vete. Na jemi prej Drenasi, ata prej Peje. Qumështin ‘Vita’, e marrim prej tyne”, tha Leku të mërkurën, përmes telefoni. 

Tutje, ai mundohet të shpjegojë se një kontratë e tillë është vlerë e vogël për kompaninë e "Devolli". 

“E jona [kontrata] është 17 mijë euro në muaj, për Devollët kjo s’është kurgjo”, thotë ai.

I pyetur se pse figuron email-i zyrtar i "Devolli Corporation" te të dhënat e personit kontaktues, Musaj Leku ka një sqarim interesant. 

“Bo vakija këta e kanë prej formularëve standardë, ju ka metë naj shënim, se jo”, thotë ai. 

Nëse ky është gabim teknik, apo "allashverish" me kontratë të tenderit, nuk kemi arritur të marrim përgjigje as nga Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik të Kosovës. Atyre u janë dërguar pyetjet të mërkurën. Në vend që të përgjigjën për këtë çështje, KRRPP pas tri ditësh është futur në databazën e publikimit të fituesve, duke e fshirë email-in e Valon Bashës. 

Marketi "Hajdini Comerce" funksionon në Drenas, me dy degë, në kuadër të të njëjtit biznes figuron edhe një sallë dasmash. 

Të dy objektet e marketeve në Drenas, pjesët e jashtme, janë të mbushura me reklama të produkteve të Devollëve, si qumështi "Vita", "Princ" kafe turke, lëngje "Tango" e "Dolce Vita" etj. 

(Kosova Sot)