Analisti politik Reshat Sahitaj thotë se në bazë të fjalimeve të Albin Kurtit dhe liderëve të tjerë të këtij subjekti, dyshohet se Albin Kurti nuk ka asgjë kundër PDK-së, por vetëm kundër rrethit më të afërt të Hashim Thaçit, të cilët e udhëheqin dhe e dirigjojnë mafinë ekonomike të Kosovës."Duke i kritikuar vazhdimisht Hashimin dhe bosët rreth tij me vite të tëra, Albini ia ka arritur qëllimit që nën tutelën e partisë VV t'i fusë shumë biznesmenë e në këtë grup mafiozësh, jo rastësisht edhe vëllezërit e inkriminuar Devolli, që fillimisht u pasuruan me ndihmën e Serbisë e më vonë edhe të Hashim Thaçit. Hyrja në hise dhe ndarja e parasë së vëllezërve Devolli është shenjë që ka hapësirë për të dyshuar se VV-ja është një subjekt politik i krijuar "de facto"nga PDKja, e cila përdoret në bazë të nevojave dhe kërkesave imediate të Hashimit dhe oligarkëve të tjerë, të cilët nuk zgjedhin mjete dhe metoda për t'u pasuruar me gjakun dhe djersën e popullit kosovar", thotë analisti Sahitaj . "Kritikat e djeshme në Kuvendin e Kosovës kundër Devollit ishin të detyrueshme t'i bënte Albin Kurti, sepse takimi sekret i Shpend Ahmetit në jahtin e Devollit bëri që VV-ja të humbasë krejt kredibilitetin dhe besimin e fituar rrejshëm në popull. Fjala e tij e djeshme ishte domosdoshmëri për shpëtimin e partisë, por kjo nuk do ta shfajësojë aspak VV-në dhe Shpend Ahmetin, që mendoj se ai duhet të sanksionohet së pari nga partia e pastaj nga Sektori për krime të rënda ekonomike dhe Prokuroria e Shtetit. Duke u distancuar nga Shpend Ahmeti dhe Devollët e inkriminuar, Albin Kurtit dhe VV-së mund t'i zgjatet vendi në Kuvend, në të kundërtën dëshmojnë se korporata mafioze e Kosovës përbëhet nga partitë pozitë-opozitë dhe biznesmenë të financuar nga Serbia", përfundon analisti Reshat Sahitaj.
(Kosova Sot)