Gashi: Keqqeverisja në Prishtinë mund të ketë pasoja serioze

  • 29 April 2017 - 16:50
Gashi: Keqqeverisja në Prishtinë mund të ketë pasoja serioze

Që kur po sundojnë me Prishtinën, krerët e kryeqendrës ,Shpend Ahmeti dhe Dardan Sejdiu, i kanë shkaktuar një dëm shumë të madh ekonomik jo vetëm qytetit më të madh të vendit, por ekonomisë kosovare në përgjithësi, duke bllokuar zhvillimin e saj me shkelje të ligjit sipërmarrjen e lirë në Prishtinë.

Lidhur me çështjen këshilltari Agim Gashi, udhëheqësi i grupit të këshilltarëve të LDK-së në Komunën e Prishtinës, sqaroi se Qeveria komunale e Prishtinës e ka obligim ligjor të krijojë kushte për investime për të gjithë ata që kanë shprehur gatishmëri dhe vullnet për të investuar, sepse fundja ky është roli i komunave. "Roli i qeverisë dhe kryetarit të Prishtinës është dyfish më i madh sepse kemi të bëjmë me kryeqytetin e Kosovës, dhe se kjo qeveri e kryeqytetit është e obliguar të përmbushë detyrimet ligjore karshi qytetarëve të saj. Krijimi i kushteve për investime rrit numrin e vendeve të punës dhe krijon kushte për mirëqenie sociale në kohën kur mijëra të rinj dhe të reja po vuajnë nga papunësia", ka thënë ai. Ndaj sipas këshilltarit opozitar Agim Gashi, çdo sjellje tjetër, sidomos në raport me bizneset, konsiderohet e dëmshme dhe shkatërruese për ekonominë e Prishtinës, konsiderohet si abuzim me votën e qytetarit, si mospërmbushje e premtimeve të dhëna në kohën e fushatës, konsiderohet si nxitje për abuzim dhe keqpërdorim të rolit qeverisës dhe keqqeverisje gjatë tërë këtij mandati.

(Kosova Sot)