Shpendi & Devollët do ta fundosin VV-në më 11 qershor

  • 19 May 2017 - 08:12
Shpendi & Devollët do ta fundosin VV-në më 11 qershor

Votuesit do ta ndëshkojnë këtë parti në zgjedhjet parlamentare, shkruan gazeta Kosova Sot
Duke bërë bilancin dhe duke vlerësuar performancën më të cilën ka qeverisur Lëvizja "VETËVENDOSJE!" dhe Shpend Ahmeti me kryeqytetin për këtë mandat "testues" në institucionet e shtetit të Kosovës, analistët politikë vlerësojnë se dështimi i madh me Prishtinën nga ky subjekt politik dhe kandidati i saj për kryetar, ka rrezik se do ta fundosin rëndë edhe këtë parti në zgjedhjet e parakohshme qendrore të 11 qershorit. Oponentët politikë në Asamblenë komunale të Prishtinës, por edhe analistët, theksojnë se qeverisja e dështuar dhe e shëmtuar, me shkelje të ligjeve në Prishtinë do t'i faturohet rëndë këtij subjekti politik, i cili edhe pritet me të drejtë që të pësojë fiasko në zgjedhje, kur dihet se pati vetëm një komunë në qeverisje dhe atë e qeverisi tepër keq. Kjo parti erdhi me premtime të mëdha, por të rrejshme e mashtruese, se do ta ndryshojë Prishtinën për të mirë në mënyrë radikale, por për afro katër vjet të mandatit e stërkeqi zi e më zi edhe më shumë se sa paraardhësit e tij, me rrugë të pashtruara, me infrastrukturë të parregulluar, me premtime gënjeshtra që s'u mbajtën as përafërsisht dhe nuk u realizuar kurrë , me ngufatjen e zhvillimit të biznesit vendor dhe me jotransparencën karshi qytetarëve të saj, por edhe shëtitjet e tij me jaht.
Sondazhet, me rezultate negative
Shefi i Grupit të asamblistëve të PDKsë, Lirak Çelaj thotë madje se të gjitha sondazhet që bëhen në kryeqytet dhe më tej japin rezultate negative për VV-në, për dallim nga ato të hershmet, pas momentit të zgjedhjes së Shpend Ahmetit për kryetar të Prishtinës, nga i cili ishin pritjet e mëdha bazuar në premtimet e dhëna. "Unë besoj që qeverisja e dështuar në Komunën e Prishtinës nga Lëvizja 'Vetëvendosje' do të ketë refleksion të madh negativ, ngase qytetarët e Prishtinës e kanë parë modelin e qeverisjes së Lëvizjes 'Vetëvendosje' dhe kjo natyrisht që do të reflektojë me votat në Prishtinë, por edhe në nivelin nacional", ka thënë ai. "Unë besoj që trendi dhe numri i votuesve, sidomos në Prishtinë, është në rënie e sipër sa i takon "Vetëvendosjes", kështu që besoj se këtë më së miri do ta shohim në zgjedhjet që kemi përpara. Ne duhet ta kemi parasysh që pas zgjedhjes së Shpendit pati një lloj rritjeje për këtë parti, sipas disa sondazheve të saj, por tani trendi i besimit, sipas sondazheve, është në rënie e sipër sa i takon mbështetjes për Lëvizjen 'Vetëvendosje'", tha Lirak Çelaj. Të njëjtin vlerësim e ndajnë edhe analistët politikë. "Qeverisja e dështuar në nivelet lokale nuk do të ndikojë edhe aq sa pritet në imazhin e partive politike në zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Më tepër se kaq, do të ndikojë qëndrueshmëria dhe konsistimi i partive në vijat e tyre programore. Fiasko në zgjedhjet parlamentare do të pësojnë ato parti, liderët e të cilëve i kanë shkelur "vijat e kuqe", si dhe ato parti që kanë devijuar nga programet e tyre politike duke u bashkuar me parti të tjera (qofshin të vogla apo të mëdha), të cilat kanë orientime dhe programe politike diametralisht të kundërta", potencoi ai. 

Pritet një fiasko e madhe

Pritje dhe vlerësim negativ ka edhe prof. Riza Smaka. "Jo që ka gjasa të ndëshkohet, por pashmangshëm që do të reflektohet negativisht për 'Vetëvendosjen' edhe në zgjedhjet e përgjithshme çdo dështim që ka ndodhur në nivelin lokal të qeverisjes me Komunë e Prishtinës. Është pra i pashmangshëm faturimi i këtij dështimi nga ana e qytetarëve, sepse ata e vlerësojnë atë. Nuk mund të hidhet faji nga niveli lokal në atë qendror, sepse ata e dinë kush ka qeverisur me Prishtinën, çfarë premtimesh janë dhënë, e që nuk doli as përafërsisht realizimi i atyre premtimeve, të cilat në fillim të mandatit i bëri kryetari aktual, për të cilat u zotua vetë Shpend Ahmeti", theksoi ai. Edhe analisti politik, Ali Hertica tha se lufta politike e dy taborëve në Komunën e Prishtinës, që nuk ka pasur për qëllim interesin qytetar, dhe është zhvilluar pa kompromis për ta bërë të dështuar tërësisht Lëvizjen "Vetëvendosje", ka qenë shumë e koordinuar dhe ka kulmuar me dështimin e plotë të subjektit politik për qeverisje të mirë në interesin e qytetarëve. "Veprimet e tyre të mbrapshta kanë qenë shumë të koordinuara mirë, duke i harruar ato skenat, të cilat i luanin edhe në Parlamentin e Kosovës së bashku me ithtarët e tjerë, e të cilët në fund dolën tërësisht të kamufluar në qëllimet e tyre. Tani, duke i parë edhe skandalet e kryetarit Shpend Ahmeti me jahtin e Devollëve, ku vetë Devollët e inskenuan rastin dhe ia kurdisën një kamerë, të gjitha këto do të përdoren edhe nga politika, por edhe nga qytetarët si pretekst i fortë për ta goditur Lëvizjen "VETËVENDOSJE", prandaj në këto zgjedhje qendrore është e pritshme edhe një fiasko e madhe e këtij subjekti politik. Tani, duke analizuar krejt të kaluarën, të gjitha premtimet e krahasuara me veprimet praktike, po del vetëm si një mashtrim i i madh gjithçka që është premtuar për qytetarin nga ky subjekt politik", theksoi Hertica. 

Fatura e rëndë e kryeqytetit

Fatura e rëndë e kryeqytetit Analisti politik Ridvan Emini konsideron se është e pritshme që pikërisht lakmia për pushtet dhe lidhja e ndonjë koalicioni eventual me subjektet e tjera të mëdha politike, si me LDK-në, PDK-në, AAK-në dhe NISMA-n, gjithsesi mund të jenë fundi i Lëvizjes "Vetëvendosje", derisa ekzistenca mund të ruhet vetëm nëse vazhdon të mbrojë parimet e veta dhe programin, nëse atë do të mundë ta bëjë të afërt dhe real për qytetarin. Sidoqoftë, dështimi me Prishtinën, sipas Ridvan Eminit, është faturë që gjithsesi do t'i hakmerret seriozisht edhe në këto zgjedhje. "Por, sa i përket nivelit lokal të qeverisjes, pra në Komunën e Prishtinës, nga tërë ato premtime, të cilat i kishte dhënë ky subjekt, në terren janë realizuar pjesërisht për të mos thënë hiç më shumë se 30% e tyre", u shpreh ai. "Kjo Komunë e qeverisur nga LVV-ja mund të humbet në zgjedhjet lokale, pasi tani LDK-ja do të bëjë përpjekje maksimale që të rikthejë qeverisjen e saj', tha Ridvan Emini

(Kosova Sot)