Misioni i (pa)mundur i Lumezit

  • 19 May 2017 - 08:18
Misioni i (pa)mundur i Lumezit

Oligarkët mbajnë peng luftimin e krimit dhe korrupsionit, shkruan gazeta Kosova Sot
"Kryeprokurori i Shtetit, z. Aleksandër Lumezi, sigurisht nuk do ta fitojë betejën në luftën kundër korrupsionit, por ne duhet të jemi të lumtur nëse ai arrin ta bjerë gjendjen brenda kornizave të së pranueshmes. Nuk jemi skeptikë, por ne jemi dëshmitarë të skandaleve të mëdha, të cilat as nuk janë penguar, por as nuk janë gjykuar", thotë analisti Shefqet Dibrani
Beteja e Kryeprokurorit të Shtetit, Aleksandër Lumezi, në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, por edhe dukurive të tjera rrënuese për shoqërinë, sipas analistëve, mund të jetë e vështirë, por jo edhe e pamundur, ngase ai i ka të gjitha kompetencat dhe mekanizmat e shtetit që duhet për t'u përdorur që dukuritë e tilla të dënohen, përndryshe, sipas tyre, nuk ka kurrfarë kuptimi që drejtësia të blihet sikur të ishte produkt apo mall. Por, analistët thonë se beteja e tij mund të jetë e vështirë, ngase politikanët e lartë që janë të lidhur me oligarkët dhe nëntokën kanë instaluar një kastë të prokurorëve që u japin përgjegjësi vetëm oligarkëve të politikës e pushtetit, por jo edhe Kryeprokurorit të Shtetit. Ndaj, është shtruar edhe çështja se cilat janë pengesat që po has Prokuroria e Shtetit për ta luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar, i cili është bërë pengesë e madhe e Kosovës, veç të tjerash, edhe në proceset integruese.
Kryeprokurori Lumezi kërkon hetime financiare për të identifikuar të ardhurat nga krimi
"Çelësi i suksesit në luftën kundër korrupsionit qëndron në konfiskimin e pasurisë të përfituar me vepër penale dhe marrja e fuqisë ekonomike krimit. Nuk ka dyshim se për të luftuar korrupsionin nevojitet edhe bashkëpunimi juridik ndërkombëtar, sepse shpeshherë paratë e fituara nga korrupsioni transferohen apo investohen në botën e jashtme në emër të personave të tjerë dhe tentohet që të bëhet kthimi i tyre prapa në Kosovës si para të ligjshme". Kështu është shprehur Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, i cili mori pjesë në tryezën e punës kundër korrupsionit të organizuar nga Ambasada Amerikane në Kosovë. Në ketë tryezë Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi , tha se lufta kundër korrupsionit dhe trajtimi i lëndëve të korrupsionit është ndër prioritetet kryesore të Prokurorit së Shtetit. Lidhur me ketë, Lumezi tha se kemi filluar të zbatojmë planin strategjik (2016-2018) dhe planin e veprimit për ngritjen e efikasitetit në luftimin e korrupsionit dhe krimeve ekonomike. Lumezi theksoi se nëpërmjet punës profesionale, transparencës dhe rezultateve të mira në hetimin dhe ndëshkimin e korrupsionit ne duhet të krijojmë siguri te qytetarët se ata nuk kanë nevojë të japin ryshfet me qëllim që t'i realizojnë të drejtat e tyre. Gjithashtu, Lumezi kërkoi nga prokurorët e shtetit që gjatë hetimeve penale duhet të bëjnë edhe hetime financiare për të identifikuar të ardhurat nga krimi, nga ryshfeti, keqpërdorimi i detyrës zyrtare dhe shkeljet e tjera lidhur me korrupsionin , me qëllim që t'i konfiskojmë pasuritë e fituara në mënyrë të kundërligjshme dhe ato t'i kthejmë në buxhetin e Kosovës. Kryeprokurori kërkoi bashkëpunim të mirë edhe me mediet dhe shoqërinë civile të cilët duhet jenë aleatë kryesorë në luftën kundër korrupsionit pa ndihmën e të cilëve nuk mund të kemi sukses. Mediet dhe të gjitha ata që denoncojnë korrupsionin dhe individët e korruptuar nuk mjafton vetëm të akuzojnë, por duhet që japin edhe dëshmi apo informatat e mjaftueshme që do të mundësojnë prokurorëve që të iniciojnë hetimet penale. Analisti Naim Kelmendi, në një prononcim për gazetën "Kosova Sot", ka thënë se korrupsioni dhe krimi i organizuar tashmë janë bërë pengesë e integrimeve të Kosovës në BE dhe mbase për këtë e ka tërhequr vërejtjen pushtetit në ikje qe sa kohë se krimi i organizuar dhe korrupsioni i lartë duhet të luftohen seriozisht, por kjo vërejtje, sipas tij, ka hasur në veshë të shurdhër krejt këtë kohë, ngase të korruptuarit nuk mund ta luftojnë vetveten. 
 

Të arrestohen "peshqit e mëdhenj"

Sipas Kelmendit, qeveritarët e korruptuar e të inkriminuar në krim s'do të mund ta luftonin veten e tyre, kështu që, siç tha, edhe krimi i organizuar dhe korrupsioni janë kushte për liberalizimin e vizave. "Por, kjo Qeveri në ikje nuk ka pasur vullnetin as kurajën ta luftonte krimin e organizuar dhe korrupsionin, sepse dyshohet se ishte e involvuar vetë në krim e korrupsion, derisa politikanët dhe oligarkia mafioze kanë instaluar në prokurori e gjykata, pra në sistemin e drejtësisë, prokurorë që u japin përgjegjësi vetëm oligarkëve të pushtetit", ka potencuar ai. "Sigurisht se do të ishin sinjale të mira arrestimi i të ashtuquajturve "peshqit e mëdhenj"për t'i nxjerrë kështu para drejtësisë, për të treguar fuqinë e vet shteti i së drejtës dhe drejtësia, se nuk frikësohet nga pushteti politik dhe nga njerëzit e krimit, por duket se kjo nuk po ndodh deri më tash, e për çka tregon se shteti i së drejtës është sfiduar nga krimi. Kjo do të tregonte fuqinë e ligjit dhe të shtetit edhe për njerëzit e tjerë të pushtetshëm që kanë rënë dhe bien ndesh me ligjin si shkelës të tij përmes veprave kriminale e të korrupsionit", u shpreh analisti Naim Kelmendi. Drejtësia e politizuar tej mase Analisti tjetër Shefqet Dibrani thotë se mesitët, shkuesit ose në gjuhën publicistike sekserët e krimit në Kosovë zakonisht janë shoferët e shefave ose zyrtarë teknikë të institucioneve përkatëse, derisa si duket më të zhdërvjellëtit janë në sistemin e drejtësisë. "Andaj, në gjendjen e tanishme, ku sekserët janë personalitete më me ndikim, aty ku oligarkët politikë kanë kapur drejtësinë e një vendi, aty ku mafio- bizneset po lulëzojnë, nuk ka mundësi të fitohen betejat që ne i ëndërrojmë dhe as ato të cilat edhe Kryeprokurori i Shtetit, z. Aleksandër Lumezi, i sheh si të realizueshme. Prandaj, Kryeprokurori i Shtetit, z. Aleksandër Lumezi, sigurisht nuk do ta fitojë betejën në luftën kundër korrupsionit, por ne duhet të jemi të lumtur nëse ai arrin ta bjerë gjendjen brenda kornizave të së pranueshmes. Nuk jemi skeptikë, por ne jemi dëshmitar të skandaleve të mëdha të cilat as nuk janë penguar, por as nuk janë gjykuar", ka vijuar më tej ai. Ndërkaq, Dibrani mendon se pengesat kryesore që po has Prokuroria e Shtetit për ta luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar, por edhe pengesat në përgjithësi për sektorin e drejtësisë vijnë nga ndërhyrjet e politikës në të kundërtën, sipas tij, është dashur të gjykoheshin, madje disa nga aferat e bëra publike. "Por, në një vend ku politika është e involvuar kaq thellë në sistemin e drejtësisë, qytetarët të mos presin një drejtësi për të cilën kanë dëshiruar. Po ashtu, politika e keqe dhe ndërhyrjet në drejtësi, të cilat shihen kudo i kanë stopuar edhe investitorët e mëdhenj, të cilët nuk duan ta humbasin paranë e tyre në një vend që nuk ka dhe nëse ka sistem drejtësie që nuk zbatohet dhe nuk implementohet", potencoi ai. 

Nevojiten kuadro të reja

Profesori universitar Mazllum Baraliu ka veçuar se pengesa apo problemi kryesor mbase është se thjesht ne ende si shoqëri nuk kemi arritur as si sisteme dhe nënsisteme përkatëse që ta kuptojmë se shteti mund të ndërtohet dhe mund të forcohet ekskluzivisht vetëm me sundimin e së drejtës, sundimin dhe respektimin e ligjit derisa, sipas tij, kjo nënkupton që duhet të krijosh edhe kuadro kredibile dhe të afta të të gjitha profileve, që nga policia, prokuroria, gjyqësia dhe gjithandej deri te administrata publike. " Kuadro këto të cilat do të punojnë me përgjegjësi profesionale, maksimale dhe nuk do të shiten e as të blihen, po ashtu nuk do të ndikohen dhe as shantazhohen për asnjë gjë dhe nga askush, sepse kanë dhënë betim si profesional, ashtu edhe institucional para institucioneve e që ai betim është i shenjtë, dhe do të duhej që ajo të respektohej, por kemi shoqëri e institucione dhe shtet të pakonsoliduar, prandaj vakumet e ndryshme që po ndodhin dhe problemet që po na paraqiten janë pasojë pikërisht e moskonsolidimit institucional ende, as të institucioneve të drejtësisë e as atyre të gjyqësisë", ka vijuar ai. Andaj, Baraliu në këtë drejtim thotë se nuk është vetëm beteja e Lumezit e vështirë, pasi nuk mundet asnjë institucion vetëm dhe i izoluar nga hallkat e ndryshme ndërinstitucionale që janë të domosdoshme për të funksionuar në aspektin e koordinimit dhe bashkëpunimit, pastaj monitorimit dhe ekuilibrimit, pra balancimit të asaj që quhet pushtet treshtyllësh.

Betejë e vështirë

Avokati Tomë Gashi ka nënvizuar se beteja e Aleksandër Lumezit është absolutisht e vështirë, mirëpo, siç tha, jo e pamundur për shkak se i ka të gjitha kompetencat dhe mekanizmat e shtetit që duhet për t'u përdorur që dukuritë e tilla të dënohen, përndryshe, sipas tij, nuk ka kurrfarë kuptimi që drejtësia të blihet sikur të ishte produkt apo mall. "Vlerësoj se s'ka kurrfarë arsye për ta arrestuar ndonjë figurë të lartë, por mund të arrestohet vetëm kur të vërtetohet që ka ndikime të tilla dhe ka tentim për transaksione të tilla që po quhet shitje e drejtësisë, pra nuk ka nevojë që të arrestohet dikush për t'i dhënë sinjal dikujt tjetër, edhe duhet të hetohet vepra penale dhe jo personat, pasi vepra penale duhet të dërgojë tek personi dhe jo personi tek vepra penale", potencoi ai. "Ndërsa, sa i përket sekserëve, kjo është vepër penale e mashtrimit dhe njerëzit që thirren në emër të gjyqtarëve dhe prokurorëve, nëse ka raste të tilla, ata faktikisht duhet të përgjigjen penalisht për mashtrim", deklaroi për gazetën "Kosova Sot" avokati Tomë Gashi.

(Kosova Sot)