As Qeveria e re nuk pritet ta ndërpresë kontratën antikushtetuese me Shkëlqim Devollin!

  • 19 May 2017 - 08:23
As Qeveria e re nuk pritet ta ndërpresë kontratën antikushtetuese me Shkëlqim Devollin!

Muharremaj: Cilado qeveri që të vijë në pushtet duhet të zbardhë skandalet e "AXOS"-it, "Z-Mobile"..., shkruan gazeta Kosova Sot
Askush nuk e bërë ndonjë analizë të saktë se me çfarë rezultatesh ekonomike po shkojnë në fushatë partitë që deri dje ishin në pushtet. Por, një gjë dihet se koalicioni i "elefantëve" PDK-LDK, tri vite më parë, të dyja bashkë premtuan afro 320 mijë vende pune, duke gënjyer popullatën, mirëpo ndodhi e kundërta, ngase nga Kosova ikën afro 150 mijë veta, kryesisht të rinj nga mungesa e perspektivës dhe vendeve të punës. Skandalet dhe monopolet e shoqëruan edhe qeverinë në shkuarje. Analistët e shtrojnë çështjen se a do të "guxojnë" partitë "pacifiste" me LDK-në dhe AKRnë dhe partitë e krahut të luftës, PDKAAK-NISMA, që të luftojnë monopolet dhe dëmet që i kanë shkaktuara me aferat e "AXOS"-it, "Z-Mobile", aferës së pasaportave dhe një mori skandalesh të tjera, që i shkaktuan buxhetit të Kosovës humbje milionëshe. Veç saj, analistët e shtrojnë edhe pyetjen se a do ta ndërpresin kontratën antikushtetuese me Shkëlqim Devollin për homologim të automjeteve që deri më sot llogaritet se u ka zhvatur qytetarëve të vendit mbi 20 milionë euro. Me gjithë pyetjet e dërguara askush nga dy taborët dhe koalicionet nuk kanë premtuar saktësisht se çfarë do të bëjnë për monopolet dhe hajnitë përmes arbitrazhit.
Politika zotohet t'i luftojë monopolet
Profesori Muhamet Mustafa (LDK) tha se ata do të kenë një qëndrim jashtëzakonisht të ashpër ndaj të gjithë atyre që duan ta shkelin ligjin, por edhe atyre që duan ta trajtojnë keq pronën dhe fondet publike. "Rastet e kaluara janë duke u hulumtuar dhe ne si koalicion nuk do të ndërhyjmë në procesin gjyqësor, kurse te rastet e aferave të tjera organet gjyqësore dhe ato shtetërore e kanë për detyrë që t'i trajtojnë dhe t'i hulumtojnë në mënyrën më të mirë", u shpreh ai. Ndërkaq, lidhur me qëndrimet e këtij koalicioni për luftimin e monopoleve në ekonominë e brishtë kosovare, Mustafa tha se janë deklaruar se jemi kundër të gjitha formave të tilla të monopoleve në ekonomi dhe janë përcaktuar për një treg të lirë e të hapur që fundja është i garantuar edhe me Kushtetutën e Kosovës.
 
Të zbardhen skandalet

Enver Hoti (Nisma për Kosovën) që është pjesë e koalicionit me PDK-në dhe AAK-në, tha se parimet programore të Nismës për sektorin e ekonomisë do të fokusohen në përkushtimin tonë për një ekonomi të lirë e të hapur dhe pa monopole në asnjë fushë të sajë sikurse që ka qenë deri më tani. Ish-deputeti Enver Hoti, shpreson se programi i tyre ekonomik do të jetë një pjesë e rëndësishme e programit ekonomik të qeverisë së këtij koalicioni. Bali Muharremaj (AAK) thotë se qëndrimi i tij për heqjen e monopoleve të Devollëve në homologim të automjeteve tashmë dihet botërisht dhe e ka thënë më herët se këtë monopol duhet hequr menjëherë porsa të vijmë në pushtet, ngase është konstatuar se kjo kontratë është antikushtetuese. Kurse lidhur me aferat e tjera, deputeti në largim Muharremaj thotë se akëcila qeveri që të vijë në pushtet duhet të zbardhë në detaje këto skandale, duke nisur me aferën e "AXOS"-it, "Z-Mobile", aferës së pasaportave dhe një mori skandalesh të tjera që i shkaktuan buxhetit të Kosovës humbje milionëshe.

Ku janë vendet e punës?!

Analisti Reshat Badallaj-Zhuriani tha se partitë politike në Kosovë, tani në zgjedhje të parakohshme nuk kanë kurrfarë rezultatesh të shpalosin para popullit. "Këta nuk kanë arritur kurrfarë rezultatesh, ngase në fund të fundit, këta e pranuan edhe vetë me gojën e tyre, ditë më parë. Nuk kanë kurrfarë programi ekonomik se si do të qeveriset në të ardhmen", tha ai. "Kjo u vërtetua përpos ngecjes ekonomike në vend, që po shihet këtë e ka thënë disa herë edhe faktori ndërkombëtar dhe ata nga frika e këtyre bandave për hajni nuk investuan asnjë euro. Le ta thonë ata se ku dhe sa vende pune u hapën që premtuan para dy viteve e ca, të dyja bashkë ofro 320.000 vende pune, duke gënjyer popullatën, përkundrazi mijëra ikën nga Kosova për vende pune", u shpreh analisti Badallaj. "Tashti janë bërë dy blloqe,"pacifistësh" dhe 'krahu i luftës'. Këta do të thirren jo në programe ekonomike dhe për një jetë më të mirë të qytetarëve, por do të thirren në filozofinë e Ibrahim Rugovës dhe tjetra në filozofinë e 'krahut të luftës', Adem Jasharit. Por, e veçanta do të jetë se asnjëra nga të dy taborë, secila nga ato nuk do të guxojnë që t'i zënë në gojë skandalet e krimit ekonomik më të madh në Evropë, si janë afera e "AXOS"-it, "Z-Mobile", aferës së pasaportave që dëmtuan dhe sakatuan buxhetin e Kosovës me qindra miliona euro", potencoi ai. Sipas tij, "banda serbiane 'Devolli', tashmë kanë nuhatur mirë dhe i kanë lëshuar zagarët e tyre në gjah, në këtë fushatë për t´i blerë e financuar". "Edhe në Qeverinë e re, do të vijnë po të njëjtit njerëz, të njëjtat banda, që janë të lidhura ngushta me këtë bandë që quhet 'Devolli', sepse të gjithë janë të zhytur në krim të thellë me këtë murtajën e zezë kombëtare", potencoi ai. 

Pak shpresa për luftimin e monopoleve

Eksperti i fushës së financave, Xhevat Meha, tha se ndonëse është caktuar data e zgjedhjeve nacionale, asnjëra nga subjektet politike pjesëmarrëse në të dyja koalicionet nuk kanë publikuar asgjë nga programet e tyre ekonomike. Ndërkaq, sipas tij, epilogu i qeverisjes së koalicionit të dorëheqje në fushën e ekonomisë po duket sheshazi sepse jemi më të varfrit në rajon dhe me numrin më të madh të të larguarve nga vendi i tyre prej mijëra të rinjve e me numër simbolik të të punësuarve. "Asnjëra nga dy taborët e koalicioneve parazgjedhore nuk pres se do t'i luftojnë monopolet e Devollëve në fushën e ekonomisë që e kanë ngulfatur biznesin e ndershëm", ka theksuar analisti Meha. Ai është skeptik se cilido nga këto dy taborë të jenë fituese e këtyre zgjedhjeve nuk pret se do të fillojnë me ndriçimin e këtyre aferave si ishin ajo e "AXOS"-it, "Z-Mobile", aferës së pasaportave dhe një mori skandalesh të tjera që i shkaktuan buxhetit të Kosovës humbje milionëshe. 

Partitë të nxjerrin mësim

Eksperti i ekonomisë, Dardan Grapci, tha se epilogu i kësaj qeverie tashmë po dihet, sepse janë me mijëra veta që e braktisën vendin, kurse numri i të papunëve vetëm sa po rritet. "Në këto zgjedhje nacionale spektri politik i të dy taborëve duhet të marrin mësim. Kjo, ngase partitë politike të të dyja koalicioneve atij të paqes dhe atyre të luftës që janë në pozitë si koalicion dhe partitë në opozitë së pari duhet që premtimet gjatë fushatës që do t'i japin, duhet edhe që t'i mbajnë", është shprehur ai. Grapci është i mendimit se koalicioni PDK-AAK-NISMA do të jenë favoritë, duke e ditur që ky koalicion e ka kandidatin për kryeministër Ramush Haradinaj. "Ndërkaq sa i përket koalicionit LDK-AKR, populli nuk do të lejojë që ky koalicion të fitojë në këto zgjedhje aq më tepër duke e ditur që Isa Mustafa e ka shkatërruar ekonominë në vend, saqë nuk ka sjelle asgjë pozitive në Kosovë", u shpreh ai. Ndërsa sa i përket luftës ndaj monopoleve të Devollëve në ekonomi dhe ndriçimit të aferave korruptive, analisti Grapci është skeptik se këtë do ta bëjnë drejtësia vendore, kurse shpresa mbetet që këtë ta bëjnë vetëm ndërkombëtarët.  

Qytetarët e nëpërkëmbur

Selatin Kaçaniku ('Konsumatori'), thotë se kemi të bëjmë me individë partiakë e politikë, interesxhinj të ulur rreth një sofre, të cilët ushqehen nga konsumatori taksapagues - për t'i ndarë interesat vetjake, grupore, partiake, të "koalicioneve biznesore", ndërsa qytetari konsumator nuk është fare në agjendë. "Çka mund të pritet nga individët e tillë politikë, të cilët me ngulm e në kundërshtim me Kushtetutën, i ngritën partitë politike mbi Kushtetutë e mbi shtet". Ai pyet se çka mund të presim nga ata të cilët kontribuuan, që ligjet të mos zbatohen as 40 për qind se çka të presim nga ata që Buxhetin e Shtetit e varfëruan për dy të tretat e tij buxhetit të Kosovës i mungojnë sivjet 4, ndërsa do të mund ti kishte 6 miliardë euro në vit. "Çka të presim nga ata, të cilët e mbipopulluan administratën dhe ndërmarrjet publike me bashkëpartiakë, klientë e familjarë për afro dy të tretat e rreth 90.000 të punësuarve. Ata buxhetit dhe gjeneruesve qytetarë konsumatorë taksapagues të tij i kushtojnë rreth 500 milionë euro në vit", ka potencuar ai.

(Kosova Sot)