BARALIU:Shteti mund të ndërtohet ekskluzivisht vetëm me sundimin e së drejtës

  • 19 May 2017 - 21:46
BARALIU:Shteti mund të ndërtohet ekskluzivisht vetëm me sundimin e së drejtës

Profesori universitar Mazllum Baraliu ka veçuar se pengesa apo problemi kryesor mbase është se thjesht ne ende si shoqëri nuk kemi arritur as si sisteme dhe nënsisteme përkatëse që ta kuptojmë se shteti mund të ndërtohet dhe mund të forcohet ekskluzivisht vetëm me sundimin e së drejtës, sundimin dhe respektimin e ligjit derisa, sipas tij, kjo nënkupton që duhet të krijosh edhe kuadro kredibile dhe të afta të të gjitha profileve, që nga policia, prokuroria, gjyqësia dhe gjithandej deri te administrata publike.

" Kuadro këto të cilat do të punojnë me përgjegjësi profesionale, maksimale dhe nuk do të shiten e as të blihen, po ashtu nuk do të ndikohen dhe as shantazhohen për asnjë gjë dhe nga askush, sepse kanë dhënë betim si profesional, ashtu edhe institucional para institucioneve e që ai betim është i shenjtë, dhe do të duhej që ajo të respektohej, por kemi shoqëri e institucione dhe shtet të pakonsoliduar, prandaj vakumet e ndryshme që po ndodhin dhe problemet që po na paraqiten janë pasojë pikërisht e moskonsolidimit institucional ende, as të institucioneve të drejtësisë e as atyre të gjyqësisë", ka vijuar ai. Andaj, Baraliu në këtë drejtim thotë se nuk është vetëm beteja e Lumezit e vështirë, pasi nuk mundet asnjë institucion vetëm dhe i izoluar nga hallkat e ndryshme ndërinstitucionale që janë të domosdoshme për të funksionuar në aspektin e koordinimit dhe bashkëpunimit, pastaj monitorimit dhe ekuilibrimit, pra balancimit të asaj që quhet pushtet treshtyllësh.

(Kosova Sot)