Përlyerja inkriminuese me Devollët penalizoi Shpendin tek qytetarët

  • 20 May 2017 - 07:58
Përlyerja inkriminuese me Devollët penalizoi Shpendin tek qytetarët

VV-ja KANDIDOI KURTIN PAS DËSHTIMIT TË KRYETARIT TË PRISHTINËS

"Krerët e lartë të 'Vetëvendosjes' e kanë nuhatur mirë se Shpend Ahmeti, me skandalin që përfshiu vendin, që u kap me pelë për dore në jahtin milionësh të bandës serbe 'Devolli', dyshohet për ryshfet dhe korrupsion, sepse vetëm një Zot e di se sa ishte pazari, dhe kush mund të bindet tani se nuk është ashtu, sepse iku atje në detin e thellë, pa dijeninë e lëvizjes 'Vetëvendosje'. Tash këtë parti e ka dëmtuar shumë dhe nuk mund të rrezikojnë që Shpendi të kandidohet nga kjo parti për kryeministër të vendit, si flitej para se të ndodhte ky takim tinëzar dhe natën", thotë analisti Reshat Badallaj

Mehmeti: Çdo nominim i Shpend Ahmetit për VV-në nuk do të ishte potez i duhur, duke ditur aferën e tij me Devollët, e cila e ka ulur mjaft popullaritetin e Shpendit

Pavarësisht faktit që para shpalljes së zgjedhjeve të jashtëzakonshme për nivelin qendror në vend, figura e kryetarit të Prishtinës është parë si kandidati potencial për kryeministër të vendit nga lëvizja "VETËVENDOSJE", ky subjekt politik ka vendosur që ta kandidojë Albin Kurtin e jo Shpend Ahmetin, siç flitej më përpara. Analistët politikë, të cilët kishin pritje se vërtet do të ndodhte opsioni i parë, konsiderojnë se Shpend Ahmeti ka rënë viktimë e veprimeve të veta skandaloze në qeverisjen e Prishtinës, prandaj edhe janë ndërruar qëndrimet ndaj tij edhe brenda strukturave partiake. Ata vlerësojnë se Shpend Ahmeti e dogji kartën e kandidatit për kryetar të Prishtinës me keqqeverisjen në Prishtinë dhe me skandalin e dyshuar për korrupsion në jahtin e Devollëve, i cili më nuk është tërheqës dhe as i besueshëm as për vetë Lëvizjen "Vetëvendosje". Për analistin Reshat Badallaj, arsye e vetme e refuzimit të Shpendit për kandidaturë kryeministri është lidhja e tij me krimin. "Krerët e lartë të 'Vetëvendosjes' e kanë nuhatur mirë se Shpend Ahmeti, me skandalin që përfshiu vendin, që u kap me pelë për dore në jahtin milionësh të bandës serbe 'Devolli', dyshohet për ryshfet dhe korrupsion, sepse vetëm një Zot e di se sa ishte pazari, dhe kush mund të bindet tani se nuk është ashtu, sepse iku atje në detin e thellë, pa dijeninë e Lëvizjes 'Vetëvendosje'. Tash këtë parti e ka dëmtuar shumë dhe nuk mund të rrezikojnë që Shpendi të kandidohet nga kjo parti për kryeministër të vendit, si flitej para se të ndodhte ky takim tinëzar dhe natën", tha Badallaj.

Skandali i jahtit i kushtoi rëndë kryetarit

Analisti politik, Faton Mehmeti, tha se beson fuqishëm që moskandidimi i Shpndit për kryeministër nga ana e "Vetëvendosjes" ka ardhur si pasojë e dy faktorëve: "Së pari ka të bëjë me faktin se në Kosovë partia identifikohet me një figurë, dhe VV-ja ende identifikohet me Albinin, dhe për këtë qëllim edhe është kandiduar Albin Kurti që të marrë sa më shumë vota si mundësi për të pasur më shumë sukses. Dhe, faktori i dytë ka të bëjë me aferën "jahti", e cila e ka ulur mjaft popullaritetin e Shpendit. Prandaj, edhe VV-ja nuk ka guxuar të bëjë aventura me nominimin e tij të mundshëm. Afeksioni që krijon një ngjarje për një personazh të caktuar nga masa e njerëzve, është jashtëzakonisht i rëndë- sishëm në përcaktimin e votës, prandaj çdo nominim në këtë kohë i Shpendit për VV-në nuk do ishte potez i duhur, duke ditur afeksionin që ka krijuar afera e tij me Devollët", tha Faton Mehmeti. Po këtë gjykim e ka edhe analisti Ali Hertica. "Shpendi dihet botërisht se kishte disa dështime në fushën e menaxhimit, dhe kur pati edhe një rast që në mënyrë flagrante u zu duke u çlodhur në jahtin e atyre që sot sjellin mbeturinat nga Rusia për përfitime personale, siç janë Devollët, kjo tregon se në këtë rast Kurti ka qenë shumë konstruktiv dhe e ka marrë vetë shtytjen e procesit të nominuarit për kryeministër të shtetit", tha Ali Hertica.

Dështimet në Prishtinë, të shumta

Prof. Muhamet Kelmendi konsideron se në fushën e udhëheqjes qendrore të vendit është e pritshme që të futen figurat kryesore politike të subjektit konkurrues, prandaj kjo ka ndodhur edhe në "Vetëvendosje". Mirëpo, ai thotë se nuk përjashtohet në këtë rast që opsioni i Shpendit të ketë rënë për shkak të skandaleve dhe mospajtimeve me punën e tij. "Nuk është fare risi kjo. Por, natyrisht se fërkimet dhe dështimet e ndryshme brenda VV-së kanë ndikuar që ndryshimet në kuadrin konkurrues të jenë më të lehta. Dua që me këtë rast të mos analizoj në detale të mirat dhe dobësitë e qeverisjes lokale në Prishtinën, por dua të deklarohem qartë kundër privatizimit të aseteve të qytetarëve të Prishtinës dhe jam kundër ndërtimit aktual që po bëhet, duke ia humbur pamjen qytetit", tha prof. Kelmendi. Sidoqoftë, ai potencon se dështimet e Shpendit janë të shumta. "Të vjen shumë rëndë kur shikon gjelbërimin e devalvuar në qytet. Pemët janë tharë. Askush nuk i largon dhe nuk i zëvendëson. Rrugët janë dëmtuar dhe pasojat janë të mëdha për komunikacion dhe ai dëmtim po e ul edhe fuqinë financiare. Kemi një gjendje shumë të rëndë dhe po duket se shumë pak vullnet ka për të rregulluar diçka.", tha Kelmendi për "Kosova Sot". Sipas Gurakuq Kuqit, kandidimi i Albin Kurtit erdhi për dy arsye: e para, krijimi i dy blloqeve të tjera e rrezikonte seriozisht "Vetëvendosjen" që të marrë pak vota dhe shkuarja në zgjedhje me çdo kandidat tjetër do të ishte e rrezikshme, dhe e dyta, "Vetëvendosje" parasheh që dy blloqet e tjera, asnjëra nuk do të marrë mbi 50% të votave dhe në pazar politik ata mund ta bëjnë Kurtin kryeministër, që mund të jetë më i pranueshëm sesa Shpend Ahmeti. "Ndërsa Devollët, sipas të dhënave publike, kanë sponsorizuar disa parti, e edhe VV-në , dhe ndoshta lidhja e fundit ishte Shpend Ahmeti, por këtij të fundit VV- ja ia la pataten e nxehtë në dorë dhe e dogjën Ahmetin për ta shpëtuar gjithë VV-në. Dhe, kur doli ky skandal, VV-ja lejoi makinat e baltës mbi Ahmetin dhe nuk i doli në mbrojtje. Ahmeti kishte pretendime edhe për kryeministër dhe këtu VV-ja sikur e bëri apo e lejoi që ai të stigmatizohet që t'ia ulë ambiciet deri në masën më të madhe edhe të mos e kandidojë as për Prishtinën. Ndërsa trafikimi i lejeve të ndërtimit kam frikë që nuk ka ndodhur vetëm me Devollët, por edhe me një partner të koalicionit në Prishtinë", tha Gurakuq Kuqi. Sipas analistit Blerim Burjani, sado që është shmangur Shpendi nga gara për kryeministër, ky subjekt politik "Vetëvendosje" akoma është i pareformuar sa duhet, prandaj edhe me Albinin nuk jep ndonjë alternativë joshëse për qytetarin. "Ky subjekt me askënd nuk kooperon, janë kundërshtues për të gjithë, janë refuzues skajshmërisht ndaj krejt iniciativave që vijnë nga të gjithë të tjerët, prandaj nuk ka ndonjë interes për t'u marrë kush me ta se kënd e propozojnë, qoftë për postin e kryeministrit apo për cilindo post tjetër", tha Burjani.
 

(Kosova Sot)