Haradinaj: Adem Grabovci, arkëtar i SHIK-ut! Grabovci: Ramush, ti personalisht kontrollon lojërat e fatit dhe bizneset e Casino-s!

  • 21 May 2017 - 19:27
Haradinaj: Adem Grabovci, arkëtar i SHIK-ut!  Grabovci: Ramush, ti personalisht kontrollon lojërat e fatit dhe bizneset e Casino-s!

Shumëkujt i kujtohet përplasja midis shefit të klanit Pronto , Adem Grabovcit asokohe zëvendësministrit të Ministrisë së Transportit dhe liderit të AAK’së, Ramush Haradinaj.

Në qershor të vitit 2009 përmes një letre të hapur asokohe Grabovci, I njohur për skandalin PRONTO, i drejtohej publikisht Haradinajt me fjalët: 

Ditëve të fundit Ramush Haradinaj zgjodhe rrugën e sulmit, shantazhit ndaj personalitetit tim duke tentuar të më njëllosësh, të më kërcënosh, të më shantazhosh dhe të më linçosh. Sulmet pa fakte aq më tepër kur vijnë nga njerëzit si ti që janë sinonim i anës së errët politike, frikës, kërcënimit, zhvatjes dhe reketimit të qytetarëve dhe bizneseve kanë një qëllim: fshehjen e së vërtetës dhe nxitjen e dhunës dhe urrejtjes. Për 3 dekada jam munduar dhe kam punuar me tërë qenien time. Jam i sinqertë dhe i përkushtuar të punoj për të mirën e vendit dhe popullit tim. 

Për 10 vjet kam qenë i detyruar të migroj në Zvicër. Gjatë kësaj kohe kam punuar dhe vazhdoj të punoj çdo ditë. Pasuria ime është 1 banesë në Prishtinë 76 m2 dhe pasuria e vjetër e trashëguar nga babai im ku jetojnë fëmijët e vëllait tim të rënë në luftë në maj të vitit 1999. Ndërsa, Ramushi tenton të më njëllos edhe në këtë fushë, unë, Adem Grabovci, për hir të së vërtetës dhe interesit publik i bëj thirrje Ramushit të bëhet burrë dhe të ballafaqohet në debat publik drejtpërsëdrejti për të qartësuar të gjitha çështjet e ngritura dhe ato që do t’i ngris:

1.Kush e ka dëmtuar imazhin e UÇK-së pas luftës duke bërë kërkesa, kërcënime dhe nxjerrë fitime për interesa personale?

2. Ramush, prej nga e arrite pasurinë marramendëse personale? 

- shtëpinë disamilionëshe në Prishtinë, 

- banesën dykatëshe në Prishtinë, 

- banesën në Prizren, 

- banesën në Tiranë, 

- banesën në Durrës, 

- villat në Durrës, në Brezovicë, 

- pronat disamilionëshe në Dukagjin, 

- tokat në Miradi, 

- kullat disamilionëshe në Glloxhan, 

- dy villa jashtë shtetit, në Monte Karlo dhe në Dubai. 

Duhet t’i dëshmosh pronësitë e tyre në detale. 

3. Ramush, ke uzurpuar dhe ke përvetësuar në emër të luftës:

- shtëpinë në Pejë 

- banesën në Prizren 

- truallin e çerdhes së fëmijëve në Dragodan 

- pompat e benzinës dhe shumë të tjera. 

4. Ramush, ti personalisht kontrollon lojërat e fatit dhe bizneset e Casino-s! 

5. Reketi dhe zhvatja e bizneseve lidhet me emrin tuaj. Keni përmendur ndihmën e bizneseve vendore. Dokumento qoftë edhe një donacion të evidencuar në këto firma pranë Administratës Tatimore të Kosovës për 10 vitet e pasluftës në Kosovë (hiq fondin tuaj për Hagë). 

6. Me fondin tuaj për mbrojtje keni blerë toka e troje për qëllime personale. A është e drejtë kjo? 

7. Jeni involvuar në kontrabandim mallrash që vijnë nga Serbia në veri të Kosovës dhe në shumë shtete të tjera. 

Ka edhe shumë çështje të tjera që dëshiroj t’i diskutojmë në debat drejpërsëdrejti me ju dhe që janë me interes publik. Keni ngritur akuza ndaj meje. Unë ju ftoj në debat qytetar. Nëse ju nuk përgjigjeni unë i rikonsideroj akuzat tuaja qyqarllëk, kurse opinioni publik le të gjykojë vetë për fenomenin Ramush. 

Asokohe kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, kishte adresuar akuza të rënda në adresë të qeverisë së drejtuar nga Hashim Thaçi. Haradinaj kishte kritikuar sidomos Ministrinë e Transportit për keqmenaxhim të parave publike, manipulime me tenderë deri te financim të strukturave ilegale të SHIK-ut. 

“Është një skandal i madh kontraktimi i rrugës që shkon nga Fushë-Kosova deri në Sllatinë. Me dhjetëra manipulime janë bërë, çmimi, korrupsioni, vendosja e paqes me kompanitë kontraktuese që mos të ankohen etj”, kishte thënë Haradinaj duke shtuar se 34 milionë euro investime për këtë rrugë është shumë çmim i lartë, i cili ka një zinxhir manipulimi. 

Asokohe i pari i AAK’së pretendonte se nga Ministria e Transportit financohet SHIK-u, njerëzit e PDK-së që shkojnë për të krijuar shantazhe ose të ndërmarrin veprime nga këto para. Ndërsa, ish zëvendësministrin e  Transportit, Adem Grabovci, e kishte quajtur arkëtar të SHIK-ut. 

“Adem Grabovci është i ngarkuar nga qeveria për t’i paguar këto grupe për t’i krijuar epërsi PDK-së dhe për t’i shkaktuar dëme partive tjera politike në vend”, ishte deklaruar Haradinaj në kohën kur AAK ishte partia më e ashpër kundër qeverisë Thaci. 
Këto janë vetëm disa akuza dhe kundërakuzat e partnerëve të koalicionti PDK-AAK. 

(Kosova Sot)