Partitë tallen sërish me votuesit

  • 25 May 2017 - 07:45
Partitë tallen sërish me votuesit

Interesi i qytetarit, tërësisht i anashkaluar

Duke komentuar trendet e para të zhvillimit të fushatës zgjedhore, analistët politikë nxjerrin konstatimin se edhe këtë herë, politika vetëm po tallet me qytetarët. Kjo politikë e tejkonsumuar e ndarë në të tri blloqet, me të ashtuquajtura "ofertat" e tyre parazgjedhore, me këtë qasje që partitë politike kanë karshi votuesit, sipas analistëve politikë është dekurajuese. Ata thonë se shihet qartë se këta liderë dhe politikanë po dalin në fushatë për t`u thënë qytetarëve votoni për ne se jemi të uritur për pushtet, sepse nuk ka asnjëri prej tyre ofertë të kapshme dhe bindëse për ta joshur qytetarin, i cili ka kohë që ka rënë në depresion, pasi që nuk kanë asnjë ofertë serioze nga kjo klasë politike për një jetë më të mirë, por sërish rrezikon të kemi vetëm zhvatje dhe shkelje të të drejtave të tyre nga pushteti. Injorimi i interesit të qytetarit dhe zgjidhjes së problemeve të tij me projekte të reja konkrete po ndodh nga të gjitha partitë pa dallim, derisa shumica e popullatës jetojnë me vetëm 1 euro e 40 centë në ditë! Të dhënat e Bankës Botërore flasin se 35 % e qytetarëve të moshës 15-24 vjeç nuk shkojnë në shkollë...universitet, dhe nuk janë të punësuar. Sipas analistëve, kushdo që merr pushtetin do të punojë dhe zhvatë qytetarët, e këtë e kanë treguar të gjitha partitë politike, si në nivelin qendror, ashtu edhe në atë komunal, ndërsa shembulli më i freskët është rasti skandaloz i Shpend Ahmetit, që u kap duke u kënaqur në jahtin e Devollëve.

Partive nuk u ka interesuar zhvillimi

Analisti politik, Gurakuq Kuqi, drejtor në Institutin për Studime Politike dhe Mediale, pohon se një problem që na ndjek në çdo zgjedhje, qofshin ato qendrore apo lokale, është se partitë politike nuk kanë program qeverisës, edhe kur pretendojnë se kanë një të tillë, ata në të vërtetë kanë disa pika paushall, të cilat nuk janë të bazuara mbi gjendjen reale dhe mundësitë e realizimit të tyre dhe kështu japin shifra dhe oferta galoponte. "Edhe tani kur jemi para tri blloqeve apo dy koalicioneve dhe një partie të vetme, vazhdon i njëjti avaz. Koalicionet janë vetëm për numra dhe pushtet, dhe janë koalicione të momenteve të fundit, aspak bazuar mbi ndonjë planprogram zhvillimor qeverisës. Dhe, më e keqja është se nuk ka një palë, e cila është e kundërta e tyre, por në fund të fundit të gjitha janë njësoj", u shpreh ai. "Partitë politike janë një katalizator edhe i zhvillimit të demokracisë dhe kulturës politike edhe tek qytetarët, por në Kosovë këto parti asnjëherë nuk kanë qenë të interesuar ta bëjnë këtë, pasi udhëheqësit e tyre nuk kanë aftësi zhvillimore dhe për ta bërë këtë duhet që të heqin dorë nga pushteti, andaj duke mos e zhvilluar as demokracinë e as kulturën politike arrijnë, që me premtime fiktive ta ruajnë pushtetin e tyre partiak dhe shtetëror', tha Kuqi. "Ne jemi dëshmitarë çdo ditë të zhgënjimit, papunë- sisë, varfërisë, mjerimit, keqpërdorimit, korrupsionit e shumë dukurive të tjera, jemi dëshmitarë që çdo ditë ka kërkesa për ikje masive nga Kosova, ku shumë qytetarë jetojnë me më pak se një euro në ditë, dhe këto janë një vetëdije në rritje e qytetarëve, por që këta të fundit janë të pafuqishëm për të ndryshuar gjendjen. Pasi ekziston një pjesë klienteliste partiake, që e kanë kapur shtetin, e njëjta gjë nuk pritet që të ndryshojë as edhe për një kohë e as me zgjedhjet e reja", ka potencuar Guakuq Kuqi. Ai pohon se arsimi është shkatërruar me qëllim, që të mos ketë njerëz të ditur, pasi të diturit nuk mund të sundohen, por vetëm të qeverisin, e po ashtu edhe shëndetësia, ku nuk gjen shërim, sepse mjekët e mirë po ikin nga Kosova. 

Image

 

Mungon programi serioz nacional

Edhe analisti Nexhmedin Mustafa thotë se është një fatkeqësi e madhe, që Kosova nuk ka një program nacional -shtetëror, i cili qartë do të tregonte rrugëtimin e Kosovës, kur në pyetje janë gjërat madhore dhe me interes vital për shtetin, dhe që do të nënkuptonte mbrojtjen e interesave për qytetarët e saj. "Ky plan dhe program, do të mund të bëhej me një konsensus nacional, ku përveç subjekteve politike të vendit, do të mund të përfshiheshin edhe ekspertë nga lëmi dhe fusha të caktuara, do të shërbente si udhëzues, në bazë të të cilit Republika e Kosovës do të mund të vazhdonte rrugëtimin e saj si shtet i konsoliduar. Ky planprogram konsensual do të eliminonte mosmarrëveshjet dhe keqkuptimet ndërmjet subjekteve politike në vend, por edhe të shoqërisë civile, njëherësh do të pamundësonte të pavërtetat premtuese në fushata elektorale nga mashtruesit ordinerë, që sot po synojnë pushtetin, duke tentuar të manipulojnë qytetarin", tha Mustafa. Ai thotë se është e natyrshme që dikush do të mund të thoshte se Kosova ka Kushtetutën e vet, dhe se kushdo që vjen në pozitë për të qeverisur vendin, do të duhej t'i referohej asaj, por ajo nuk është e tëra. "Kosova nuk ka përmbushur ende aspektet kryesore të formulimit dhe rrumbullakësimit të shtetësisë, siç janë, bie fjala, përkufizimi i demaskimit të kufirit me Malin e Zi, Serbinë, pastaj çështja e Asociacionit, formimi i ushtrisë, rrugëtimi i Kosovës drejt strukturave euroatlantike dhe anëtarësimi i saj në OKB, procesi i njohjeve të shtetësisë së Kosovës, zhvillimi ekonomik etj. Janë pra këto vetëm disa çështje, por që konsiderohen jetike për shtetin e Kosovës e që nevojitet një konsensus nacional mbi një plan dhe program të punuar e studiuar mirë, i cili do specifikonte qartë rrugëtimin e Kosovës dhe në këtë mënyrë, do të eliminonte mundësitë për mashtrime dhe manipulime nga ata që synojnë të udhëheqin me vendin", tha Nexhmedin Mustafa. "E përtej kësaj, kjo elitë politike e kohës, si pasojë e mospajtimeve të shumta, pozitë-opozitë, vendi, sot gjendet në një kolaps politik dhe stagnim të proceseve, e krejt kjo po ndodh, ngase interesat grupore, klanore po vihen në rend të parë, para atyre nacionale", potencoi ai.

Politikanët po na mashtrojnë

Analisti Faton Mehmeti konsideron se nuk është fare risi që politikanet gënjejnë, por e çuditshme është se ka ende njerëz që u besojnë, dhe pikërisht kjo e fundit nuk do të duhej të ndodhte tutje. "Këta janë që 18 vjet, duke na treguar përrallën e njëjtë, mashtrimet e njëjta dhe dëshpërimet e pandërprera. Populli ynë duhet të dëshmojë veten se nuk i meriton këta harbuta, këta oligarkë dhe matrapazë, që të kenë në duart e tyre fatin tonë", ka theksuar ai. "Derisa qeveria e kaluar flet për rritje ekonomike, qytetarët në anën tjetër po varfërohen, prandaj edhe janë duke ikur me të madhe nga vendi ynë. Derisa politikanët akuzojnë njëri-tjetrin dhe e ndajnë bashkë kulaçin, qytetarët jetojnë me vetëm 1 euro e 40 centë në ditë. Kjo është shqetësuese, trishtuese dhe ulëritëse", tha Faton Mehmeti. Sipas tij, edhe tani, meqë fushata është në prag të fillimit zyrtar, do të dëgjojmë vetëm premtime që as vetë nuk i besojnë hartuesit e tyre. "Do të premtojnë 2 javë për të na mashtruar katër vjet të tjera. Kjo klasë politike e tëra është e përfshirë në korrupsion, krim ekonomik dhe vrasje të shpresës për qytetarët. Këta nuk duhet të votohen, duhet të bojkotohen, të izolohen dhe mos të përkrahen. T'i kthehet dinjiteti gjithsecilit që e meriton, populli duhet të zgjohet", tha Faton Mehmeti.

Shndërrimi i shtetit në xhungël

Analisti Ali Hertica thotë se askush nuk e ka menduar që më shumë se 18 vite Kosova në vend të zhvillimit do të kthehet në një xhungël zhurmuese nga subjektet politike dhe liderët e pashpresë për qytetarin, që e bëjnë premtimin dhe e perfeksionojnë mashtrimin. "Kosova është shndërruar në një vend, ku ligjin e bëjnë të fortët, pushtetin të pasurit dhe klanet e tij me klanet e klandestinëve partiakë, ku e drejta blihet me pasurinë e qytetarit, ku të inkriminuarit bëhen deputetë dhe "ligjvënës" , ku pas 18 viteve demokraci parlamentare nuk munden, sepse nuk duan ta bëjnë Ligjin për dekriminalizim. Pra, kjo është politika e zhurmshme e të korruptuarve, kurse zhurmuesit politikë kërkojnë votën të ndarë në tri blloqet e tyre, vetëm sa për të dalë në zgjedhje për të kafshuar një skaj të kulaçit të pushtetit, kush më shumë e kush më pak, sepse që të gjithë janë të uritur vetëm për pushtet, por nuk janë të gatshëm të ofrojnë perspektivë konkrete zhvillimore për qytetarin", tha Hertica. Sipas politologut Arsim Haziri, me veprimin e zgjuar dhe të kujdesshëm qytetar, me ndëshkim vote, subjektet politike kësaj radhe duhet të filtrohen, në mënyrë që çfarëdo qeverisje që marrin institucionet relevante të marrin si prioritet nevojën imediate të interesit të gjerë popullor, të shkëputen nga klientelizmi dhe grupet e ngushta të interesit. "Sepse në kontekstin e qeverisjes dhe proceseve të ndryshme, theksoj se pjesa dërrmuese e aktorëve politikë janë të dështuar dhe si të tillë s'e meritojnë votën qytetare. Qytetarëve në këto zgjedhje fatkeqësisht u mbetet pak ofertë serioze, në të cilën do të mund të shpresohej, por çka konsideroj se përbën rendësi vitale është riaktualizimi ì mendësisë qeverisëse, e cila ka reduktuar shtetin për interesa materiale", u shpreh më tej ai.

(Kosova Sot)