ZEQA: Tërheqja e Blerim Devollit, kompromis për mosndjekje penale për afera të tjera korruptive shumëfish më të mëdha

  • 25 May 2017 - 19:38
ZEQA: Tërheqja e Blerim Devollit, kompromis për mosndjekje penale për afera të tjera korruptive shumëfish më të mëdha

Analisti Florim Zeqa tha se kësaj radhe "zemërgjerësia" e Blerim Devollit i ka tejkaluar të gjithë kufijtë e imagjinatës njerëzore."T'i kthehen mbrapa 32 milionë eurot e fituara të Arbitrazhit, kompanisë ("VALA") në kontekst gjyqësor, janë pak më tepër se zemërgjerësi, janë akt i frikës nga konsekuencat e tjera gjyqësore apo pretekst për shpërblimin e dhjetëfishit të tyre në raste të tjera. Sido që të jetë, tërheqja e Blerim Devollit nga 32 milionët e fituar në Arbitrazh i ka vënë në lajthitje edhe skeptikët më të mëdhenj, që e kishin të vështirë të besonin në përfshirjen e "Devolli Group" në afera korruptive", tha ai. "Një tërheqje e tillë taktike mund të jetë bërë jo për çështje humanitare, por për çështje kompromisi për mosndjekje penale të Devollëve për afera të tjera korruptive shumëfish më të mëdha, me qëllim të ikjes nga pasojat e ndëshkimit nga drejtësia dhe konfiskimi i pasurive të paligjshme. Ka shumë të ngjarë, se në marrëveshjen "Vala"- " Z- Mobile" mund të jenë të përfshirë figura të larta partiake dhe shtetërore", ka thënë ai. Analisti Zeqa është i mendimit se zbardhja në detaje e kësaj marrëveshjeje është detyrë e Prokurorisë së Shtetit dhe instancave ndërkombëtare, pasi me këtë marrëveshje skandaloze u sfidua në radhë të parë vendimi i Arbitrazhit ndërkombëtar dhe drejtësia vendore."Me të ashtuquajturën marrëveshje "Vala" - "Z-Mobile", që kjo e fundit gjoja mos t'i marrë 32 milionë euro të zhvatura nga procesi i Arbitrazhit me Telekomin e Kosovës, ka mbetur mister i pazbuluar, se çka në të vërtetë përmban ajo marrëveshje dhe çfarë vlere do t'u kompensohet Devollëve nga "Vala" në emër të gjoja "shpenzimeve" shumë të larta", theksoi ai.
 

(Kosova Sot)