Prokuroria të hetojë marrëveshjen mashtruese të Blerim Devollit me PTK-në

  • 26 May 2017 - 08:07
Prokuroria të hetojë marrëveshjen mashtruese të Blerim Devollit me PTK-në

REPUBLIKA E KOSOVËS QË NGA PASLUFTA ËSHTË BËRË PENG I POLITIKËS KRIMINALE

Salihaj: "Prokuroria e Kosovës duhet t'i çojë hetimet deri në fund, sepse aty mund të dalin vjedhje dhe dallavere të shumta"

"Marrëveshja e fundit në mes kryeshefit të PTK-së, Agron Mustafa, me drejtuesin e kompanisë "Devolli", përveç lirimit të këtij të fundit nga përgjegjësia juridike, për qëllim ka amnistimin e të gjithë protagonistëve të këtij krimi monstruoz prej vitit 2009 e deri më sot, që nuk e ndërprenë këtë kontratë të kundërligjshme sa korruptive dhe kriminale, po aq edhe mafioze",thekson analisti Florim Zeqa

Nënshkrimi i marrëveshjes se re në mes të Kompanisë "Vala" dhe "Z-Mobile" është realisht një përpjekje e re mashtruese që ta shpëtojnë oligarkun Blerim Devollin nga burgimi dhe konfiskimi i pasurisë, si dhe që ta shmangë përgjegjësinë për dëmin që i është shkaktuar Telekomit të Kosovës. Kështu të paktën vlerësojnë analistët dhe ekspertët e kësaj fushe sipas të cilëve tërheqja që e bëri ditë më parë, Blerim Devolli nga kërkesa për shlyerjen e borxhit, është edhe një dëshmi shtesë se marrëveshja në mes Telekomit me "Z-Mobile" ka qenë e kundërligjshme, kriminale dhe shumë e dëmshme për Telekomin e Kosovës dhe për pasurinë nacionale të Kosovës. Analistët vlerësojnë se kjo tërheqje taktike e tyre , është edhe një dëshmi tjetër për prokurorinë e shtetit dhe asaj të Eulex-it, se edhe prapa kontestit gjyqësor në Gjykatën e Arbitrazhit ka qëndruar një skemë e organizuar për zhvatjen e pasurisë nacionale të Kosovës, gjë të cilën e ka theksuar të mërkurën edhe kryeministri Mustafa. Shih për këtë nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje ka ngjallur debatet në mesin e analistëve se a do të amnistohen sërish të gjithë protagonistët e këtij krimi që prej vitit 2009 e deri më sot, të cilët kanë dëmtuar pasurinë e qytetarëve tanë me këtë marrëveshje skandaloze dhe kriminale. Po këta analistë e specialistë edhe e shtrojnë për diskutim çështjen dhe pyesin se a do të vazhdojë që ta dëmtojë PTK-në edhe më tej, "Z Mobile", ku sipas marrëveshjes, PTKja detyrohet që t'i japë 100 mijë numra e po kështu edhe 3 G e 4 G. Ndaj, po këta specialistë pyesin se përse 'Arkep'- i, PTK-ja dhe Kuvendi i Kosovës, bashkë me Qeverinë e Kosovës nga viti 2009 e deri më sot nuk e ndërprenë këtë kontratë kriminale dhe mafioze?

ARKEP-i nuk merret me kontratën

Në përgjigjen e dhënë nga 'Arkep'-i, në mes tjerash thuhej se në përmbushje të objektivave dhe detyrave të specifikuara në Ligjin Nr.04/L-109 për Komunikimet Elektronike, 'Arkep'-i, si organi rregullator kombëtar në fushën e shërbimeve të komunikimeve elektronike dhe atyre postare, bazon veprimtarinë e vet mbi parimet bazë për rregullimin e aktiviteteve të komunikimeve elektronike. Në vazhdim të përgjigjes së 'Arkep'-it, thuhej se, sa i përket bashkëpunimit në mes Telekomit të Kosovës SH.A. (MNO) dhe 'Dardafon.Net LLC' (MVNO) bazuar në Kornizën për MVNO ato janë të lira të negociojnë modelin, i cili më së miri ua plotëson interesat dhe strategjitë biznesore. "Prandaj, në këtë drejtim edhe marrëveshja në mes të këtyre ndërmarrjeve është komerciale dhe çështje e bashkëpunimit në mes tyre. Ndërkaq sa u përket çështjeve tjera, të cilat nuk janë në kompetencë të 'Arkepi'-t, ju duhet që t'u drejtoheni organeve të tjera", është thënë në këtë përgjigje. Ndërkaq, edhe përkundër pyetjeve të dërguara, Blerim Devolli nuk ka kthyer përgjigje në këto akuza.

Askush nuk amnistohet nga skandali

Analisti i fushës së inxhinierisë dhe telekomunikacionit, Aziz Sefedini, që më herët ka qenë anëtar i bordit të ART-së (Autoritetit Rregullativ të Telekominacionit), thotë se marrëveshja e nënshkruar në mes PTK-së dhe "Z-Mobile" nuk amniston askënd që është përfshirë në skandalin aq shumë të përfolur dhe të debatuar në media dhe në disa institucione të Kosovës. "Nuk e di se çka përmban në tërësi marrëveshja e nënshkruar në këtë kontest, por nëse PTK-ja ka hequr dorë nga kompensimi i dëmit i shkaktuar më parë nga "Z-Mobile", varianti "SIM to SIM", dëmi i përafërt me vlerën në kontest, atëherë e tëra kjo është një reklamë për përmirësim imazhi të të dyja palëve nënshkruese, por dhe tentim për moszbardhjen e këtij skandali nga organet kompetente, mbyllja e një veprimi të dyshuar si korruptiv, por dhe si krim i organizuar", theksoi ai. Veç saj, analisti Sefedini është i mendimit se 'Arkep'-i, e ka obligim ligjor dhe kompetencë që në formë transparente, në prezencë të medieve, të deklarohet për tërë procedurat e deritanishme, pasi e njëjta ka përgjegjësi ligjore për frekuencat me ligjin në implementim. Ndërsa, duke folur për atë se a do të hetohet i tërë rasti nga Prokuroria ,apo jo, analisti Sefedini tha se duhet që të ndodhë ngase diçka e tillë është e domosdoshme, ngase Kosova ka nevojë për 'Vetting'-un. "Kjo duhet të ishte kërkesë e shoqërive civile, elitës intelektuale, por dhe anëtarësisë jo të korruptuar të partive politike", theksoi ai.

Salihaj bën SHIK-un përgjegjës

Deputeti në largim i Kuvendit të Kosovës, Adem Salihaj (LDK), tha se këtë e bënë vetëm nga frika nga përgjegjësia penale që i ka shtyrë të heqin dorë nga shuma prej 30 milionë euro. "Jam shumë i bindur se këto hetime nuk do të ndalen dhe nuk duhet të ndalen pavarësisht kësaj", tha ai. "PTK-ja, veçanërisht 'Vala', që nga viti 1999 e deri tash ka qenë burim financimi, jo vetëm për kompani dhe oligarkë, por edhe për krimin dhe nëntokën e Kosovës, veçanërisht për organizatën kriminale SHIK. Në fund të fundit, SHIK-u, nëntoka dhe oligarkët kanë qenë dhe janë të lidhur ngushtë në punën e tyre të përbashkët për plaçkitjen e parave të qytetarëve të Kosovës. Ndaj, Prokuroria e Kosovës duhet t'i çojë hetimet deri në fund, sepse aty mund të dalin vjedhje dhe dallavere të shumta", tha ai. 
Marrëveshja kriminale
Analisti Florim Zeqa tha se tërheqja e djeshme e Blerim Devollit nga kërkesa për shlyerjen e borxhit, është edhe një dëshmi shtesë se marrëveshja mes Telekomit, ish-PTK-së, me "Z-Mobile" ka qenë e kundërligjshme, kriminale dhe shumë e dëmshme për Telekomin e Kosovës dhe për pasurinë nacionale të Kosovës. "Përgjegjës për këtë skandal financiar nuk janë vetëm palët në kontekstin gjyqësor në Arbitrazhin ndërkombëtar, por janë dy legjislaturat e kaluara të Kuvendit të Republikës së Kosovës, një pjesë e konsiderueshme deputetëve që e heshtën kontratën e kundërligjshme janë përsëri kandidat në listat zgjedhore për legjislaturën e gjashtë ", theksoi ai. Analisti Zeqa tha se thënë ndryshe prapa këtij "konteksti" të orkestruar ka qëndruar një skemë e organizuar për zhvatjen e pasurive nacionale të Kosovës, përfshirë dy qeveritë e kaluara, gjegjësisht 'Thaçi 2' e 'Thaçi 3'- 'Mustafa 1', të cilat janë treguar tepër të papërgjegjshme ndaj mbrojtjes së pasurive nacionale. Ai është i mendimit se marrëveshja e fundit në mes kryeshefit të PTK-së, Agron Mustafa, me drejtuesin e kompanisë "Devolli", përveç lirimit të këtij të fundit nga përgjegjësia juridike, për qëllim ka amnistimin e të gjithë protagonistëve të këtij krimi monstruoz prej vitit 2009 e deri më sot, gjegjësisht Qeverinë dhe Kuvendin e Kosovës që nuk e ndërprenë këtë kontratë të kundërligjshme, sa korruptive dhe kriminale po aq edhe mafioze.

Askush nuk i beson nëntokës kriminale

Analisti Reshat Badallaj-Zhuriani tha se kjo që bëri dje 'Vala' dhe Blerim Devolli nuk është marrëveshje. "Kjo thjeshtë është dallavere që është bërë ditë më parë kinse para popullit. Kjo është e vërteta se banda 'Devolli' i ka shkaktuar 'Valës' dëme të konsiderueshme për ta gjunjëzuar dhe të dalin punëtorët në rrugë", tha ai. "Tani e kanë kuptuar se banda 'Devolli' është në prag të vdekjes dhe se është duke parë se kërcënimi i popullit është nisur drejtë tyre për të trokitur në derë se mjaft më e keni vjedhur dhe dëmtuar buxhetin e Kosovës dhe popullin në përgjithësi, bëri heqjen dorë nga 30 milionë eurosh", u shpreh Badallaj. "Të dy palët e kanë parë se dallaveret e tyre ishin tipike kriminale, dhe se e kanë dëmtuar për vdekje pasurinë e vendit, e bënë këtë dallavere ditë më parë, se cila njëra-tjetrës ia kanë zënë bishtin me derë. Kjo tërheqje "publike", por gjithsesi tinëzare nuk është bërë për asgjë tjetër, të mos mashtrohen populli. Si ka mundësi banda serbiane t'i falë jo më pak se 30 milionë euro, ose përse e ndoqi në Gjykatën e arbitrazhit", u shpreh ai më tej. Badallaj vlerëson se kjo doli në sipërfaqe të tokës dhe u kuptua se kjo e bë dhe kanë gisht edhe banditët e majave më të larta të shtetit, përndryshe kjo kurrë nuk është bërë si gënjejnë oligarkët dhe matrapazët me vetëdëshirë. "Ndaj kush e beson një gënjeshtër të pakripë të tyre, ku tashmë populli i di dhe i njeh se janë të lidhura ngushtë për interesat e tyre personale për t'u pasuruar jashtëligjshëm". Ai tha se vërtet kanë gisht banditët e majave me të larta të shtetit dhe banditët e bandave politike,atëherë shtrohet një pyetje e thjeshtë por shumë logjike: "Përse që nga viti 2009, nuk e ndërprenë këtë marrëveshje kriminale. Dhe, kjo del ashiqare se protagonistët e nëntokës kriminale që kanë gisht në këtë krim të organizuar, ta humbin këtë skandal dhe t'u shpëtojnë ndjekjeve penale. Por, assesi ata nuk e kanë mundësinë, sepse do të vijë dita ku do të nxirren të palarat e kësaj bande mafioze dhe banditëve një nga një". Badallaj tha se banditët që janë të përfshirë në këtë krim kundër ekonomisë së vendit e kanë kuptuar se PTK-ja, Telekomi do të falimentojnë dhe se do të dalin punëtorët në rrugë, Kosova do të trazohet dhe do të bëhet hallakamë. "M'i falë 30 milionë euro dhe unë t´i jap 100 mijë numra"? Nuk e beson njeri këtë dallaver të nëntokës kriminale". Prandaj, Badallaj sugjeron se "nuk duhet harruar se 'Arkep'-i, PTK, Kuvendi i Kosovës dhe Qeveria kanë dështuar dhe ishin të pafuqishëm kundrejt kësaj bande të rrezikshme kriminale të organizuar mirë për ta dëmtuar ekonominë e Kosovës.

Shteti i korruptuar

Analisti Ragip Guraziu tha se Republika është bërë peng i politikës kriminale që nga viti 2000 e deri më sot, që po reflekton edhe tani në 2017-n, sipas një marrëveshjeje të re në mes të 'Vala' - Blerim Devolli, që do të thotë, sipas një hallkë zinxhirore të shpëtojë Blerim Devollin nga burgimi dhe konfiskimi i pasurisë, dhe ky është edhe një mashtrim i radhës në mes të kësaj marrëveshjeje. "Pasi korrupsionin e shtetit nuk po e lufton askush, sepse vetë shteti i korruptuar me mafiozët është i korruptuar dhe të korruptuarit nuk munden të luftojnë të korruptuarit, kjo do ishte arsyeja, pse Blerim Devolli po i shmanget përgjegjësisë për dëmin që i është shkaktuar Telekomit", tha ai. Guraziu, ka sqaruar se, ata të cilët po e përkrahin Blerim Devollin, janë bashkëpunëtorët e tij, dhe kjo shtesë e kësaj marrëveshjeje mes Telekomit, ish-PTK-së, me 'Z-Mobile', gjithnjë kriminale dhe protagonistët vite me radhë, këtë krim nuk do mund t'i shpëtojë askush, dhe kështu do vazhdojë edhe në të ardhmen, pasi 'Arkep'- i, PTK-ja dhe Kuvendi i Kosovës, bashkë me Qeverinë e Kosovës, nuk i kanë ndërprerë këtë kontratë që nga 2009-ta. "Sepse kriminelët në Kuvend, Qeveri, 'Arkep' dhe Blerim Devolli po hedh ''valle'' me këtë kompani dhe këto që i cekëm më lart ju kanë bashkuar kësaj valle të Blerim Devollit", u shpreh ai. "Pasi politika e kapur për korrupsionin, Gjykata Kushtetuese ishte mjet pushteti, Gjykata Kushtetuese e ka bërë Kushtetutën mjet. Po ky pushtet që ra krejt dhe na dërguan në zgjedhje të parakohshme parlamentare, dhe rënia e qeverisë, tregon më së miri se është munduar që të fshihen lëndët hetimore ndaj Blerim Devolli", theksoi analisti Guraziu.

Drejtësia të zbardhë të vërtetën

Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Xhevdet Neziraj, për marrëveshjen e PTK-së me "Z - Mobile", thotë se "në Republikën e Kosovës duhet që të krijohet infrastruktura ligjore edhe në raste kur krijohet e fitohet pasuria në mënyrë joligjore, edhe pse në vendin tonë kemi ligje të mira, por problemi më i madh është implementimi i tyre në praktikë. Ai tha se në të gjitha shtetet e BE-së ekziston Ligji antimafi që flet qartë për mënyrën e konfiskimit të pasurisë për të gjithë ata persona që e kanë krijuar në mënyrë joligjore, prandaj po ky ligj duhet që menjëherë të miratohet dhe të funksionojë edhe te ne. "Vendi ynë duhet që të krijojë mekanizma ligjorë të fuqishëm në këtë drejtim edhe pse në Kosovë kemi pasur shumë shërbime të inteligjencës financiare si në kuadër të UNMIK-ut si të EULEX-i, por asnjëherë nga ana e tyre nuk është zbuluar diçka që vlen të theksohet në këtë drejtim pra të konfiskimit të pasurisë së kompanive që e kanë krijuar në mënyre jo ligjore", potencoi ai. "Tek ne të gjitha këto dyshime që janë dhe që po shkruhet në disa mediume të shkruara për kompaninë 'Devolli' duhet jo vetëm të mbesin të shkruara, por me ndriçimin e të gjitha këtyre rasteve duhet që të merren organet kompetente të drejtësisë, prokurorisë, si edhe Kuvendi dhe Qeveria e Kosovës që do të dalin pas këtyre zgjedhjeve nacionale", ka theksuar Neziraj .

(Kosova Sot)