Shkëlqim Devolli ua "mbyll gojën" partive me para të pista

  • 30 May 2017 - 08:01
Shkëlqim Devolli ua

GURAZIU: Askund në botë nuk ka, përveç në Kosovë, çmime 16 centë një kg krunde, kurse 13 centë një kg grurë!

Në fushatën parazgjedhore që tashmë ka nisur edhe para afatit zyrtar asnjëra prej partive politike deri më tash nuk po flasin se si do t'i mbrojnë qytetarët nga krundet për kafshë, që po u shitet si miell i rregullt. Kështu deklarohen analistët dhe ekspertët kosovarë. Analistët dhe njohësit e kësaj fushe e shtrojnë në diskutim çështjen se si po i shkatërron qytetarët dhe bizneset konkurrente gruri për kafshë i ardhur nga Serbia, si import në qindra-mijëra tonë, të cilin e sjell kompania e Shkëlqim Devollit "M-Sillosi" në Kosovë e Shqipëri. Mësohet se Devollët kanë "kapur" gati gjysmën e tregut shqiptar, ndërkaq në Kosovë mbi 80 për qind të tregut. Veç saj analistët ankohen se janë industrialistët nga Shqipëria që kanë nxjerrë alarmin për rrezikun që paraqet ky miell i importuar për konsumatorët dhe shëndetin e tyre. Sipas tyre, ky miell nuk e plotëson standardin minimal për proteinat (12-13 për qind), të cilit i mungojnë jodi dhe hekuri i detyruar, ngase ky grurë futet edhe kontrabandë dhe që e keqja të jetë më e madhe i njëjti edhe nuk kontrollohet nga doganat dhe ka manovra shmangie taksash që nisin që nga importi prej Serbisë. Veç saj, janë prodhuesit e miellit nga Kosova që po e japin alarmin se mielli serb (me grurë të importuar nga Serbia) po bën kërdinë në treg dhe i njëjti po e cenon rëndë shëndetin dhe sigurinë e konsumatorëve të 5 milionë shqiptarëve. Akuzat gjithashtu vijnë edhe për faktin se po mashtrohen qytetarët me grurin rus që po maskohet si grurë serb, i cili nuk është dashur të futet për shkak të embargos me Rusinë. Sipas industrialistëve shqiptarë, kapja e tregut është arritur përmes çmimeve dumping, që është çmim më i lirë.

Devolli&Kelmendi fuqizojnë Serbinë në Kosovë

Analisti Faton Mehmeti tha se skandali i importit të miellit jocilësor, ndonëse u përhap si shqetësim, shumë shpejt edhe u shua."Kjo është situata e kapjes së shtetit nga klani i Devollëve në bashkëpunim me klanin 'Pronto', të cilët diktojnë çdo gjë", tha ai."Devollët qytetarët i trajtojnë si kafshë, u shërbejnë ushqimin e kafshëve pa asnjë merak se dikush do të ketë guxim t'ua ndalojnë importimin e grurit me cilësi shumë të dobët, për më tepër i destinuar për kafshë. Askush dhe asnjë politikan nëpër fushata zgjedhore nuk ka guximin që të kritikojnë Devollët, të përmendin aferat dhe skandalet e shkaktuara nga ata, pasi janë të financuara nga paratë e pista të tyre", u shpreh ai. Sipas Mehmetit, kjo po ndodh ngase Devollët janë shndërruar në pronarë të Kosovës, ngase mbi 80 për qind e tregut janë të Devollëve, duke vendosur monopol në artikujt që i prodhojnë ata. Devollët lidhjet e tyre me Serbinë vazhdojnë t"i thellojnë, pa u shqetësuar se ato edhe janë kancerogjene."Është skandaloze që edhe rusët po e fusin mallin në Kosovë, duke e ambalazhuar si mall serb në Doganat e Kosovës, janë vendosur njerëz të lidhur me shefat e partive, rrjedhimisht njerëz të dërguar nga klani i Devollëve", tha ai. Mehmeti thotë se Devollët së bashku me Ramiz Kelmendin janë njerëzit kryesorë të fuqizimit të Serbisë ekonomikisht në Kosovë, duke mbytur kultivimin e prodhimeve vendore."Shteti i ka futur veshët në lesh derisa Devollët po bëjnë kërdinë për interesa të ngushta të pak njerëzve. Andaj duhet urgjentisht të ndalohet ky lloj i miellit nga Serbia dhe të hetohet Shkëlqim Devolli, pronari i 'M- Sillosi', i cili është shkaktar për shumë sëmundje të krijuara nga produktet serbe, të cilat nuk përmbajnë as minimumin e cilësisë për t'u konsumuar", potencoi Mehmeti.

Oligarkët i kishin shmangur detyrimet doganore

Analisti i pavarur, Ragip Guraziu, tha se bizneset e pista ia mbushin gushën mafio-politikanëve dhe kjo është arsyeja e Shkëlqim dhe Blerim Devollit, që financojnë subjektet politike në fushatat e tyre."Gruri për kafshë i ardhur nga Serbia, qindra-mijëra tonë, ku kemi parasysh, se 80 për qind të tregut Devollët e kanë kapur në Kosovë", tha ai. "Dyshimet janë evidente, për mënyrën se si ushqehet politika kriminale nga bizneset e inkriminuara oligarkike, ku përfitohet paligjshëm dhe pandershëm nga favoret e pushtetit të korruptuar dhe përmes krimit të organizuar, ku vlerat arrijnë në qindra miliona euro", u shpreh ai."Shkëlqim Devolli kishte shmangur detyrimet doganore, duke e bluar grurin në fabrikën e vetë "MSillosi" për ta shitur në treg. Sipas gjetjeve të Doganave, 'Devolli Corporation' e ka dëmtuar shtetin në vlerë prej 489.762. 41 euro! Ky skandal, edhe pas gjetjeve nga ana e Komisionit Parlamentar për Bujqësi, Pylltari dhe Zhvillim Rural të Kuvendit të Kosovës, ka mbetur pa u ndëshkuar...", ka thënë Guraziu. "Këta njerëz të Qeverisë duan që ta shkatërrojnë vendin tonë përmes kompanive që i kanë gjetur si mbulojë dhe që po i qesin përpara. Edhe sot nga 6 maune me grurë të rezervave shtetërore të Serbisë hyjnë për çdo ditë në Kosovë dhe çmimi i tyre është vetëm 13 centë", vlerëson analisti Guraziu. Ai mendon se askund në botë nuk ka, përveç në Kosovë, çmime 16 centë një kg krunde, kurse 13 centë një kg grurë.

Partitë u frikësohen financuesve

Eksperti i ekonomisë, Dardan Grapci, tha se partitë politike kanë frikë të flasin kundër importit të miellit për kafshë që po e sjellë kompania 'Devolli', sepse nëse dalin kundër këtij mielli, i cili në fakt është për kafshë, mundet që kompania 'Devolli' t'i dënojë ata duke i kthyer votuesit e atij subjekti politik kundër dhe si kundërpërgjigje t'i japin votën ndonjë partie që ndoshta nuk e meriton. "Qytetarët dita-ditës janë duke u rrezikuar nga mielli për kafshë dhe ajo që është më kryesorja është se ky miell nuk i plotëson as kushtet për përdorim, duke e ditur që 80 për qind e këtij mielli është mykur", ka thënë ai. Grapci e shtron pyetjen se deri kur vëllezërit Devolli do të vazhdojnë që ta helmojnë popullin me prodhimet serbe dhe deri kur do vazhdojnë ta pasurojnë Serbinë me paratë e qytetarëve të Kosovës. Sipas tij, prodhuesit vendorë duhet që të bashkohen kundër miellit "M -Sillosi" dhe kundër kompanisë "Devolli", duke prodhuar miellin me cilësi të lartë dhe duke e ulur çmimin në treg, si dhe duke bërë fushata sensibilizuese edhe tek ata që nuk kanë të ardhura t'u jepet produkti i tyre falas.

Të vlerësohet puna e Agjencisë së Ushqimit

Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Xhevdet Neziraj, tha se sa u përket mallrave të dyshimta që hyjnë në tregun e Kosovës, me këto çështje duhet të merren të gjitha subjektet politike, se kanë të bëjnë me shëndetin e qytetarëve të Kosovës."Për këtë çështje janë edhe institucionet e pavarura, por edhe në kuadër të kabinetit të kryeministrit ka agjenci si AUVK, që kanë obligim ligjor dhe kushtetues që të merren me këtë çështje, prandaj ata edhe janë të obliguar që çdo produkt që shkakton rrezikshmëri të qytetarit të veprojnë në kuadër të ligjit pa favorizuar biznese të caktuara", ka vlerësuar ai. Eksperti i bujqësisë dhe agronomisë dhe ligjëruesi universitar i lëndëve të kulturës së grurit, Ymer Rusinovci, tha se në përbërjen e re të Kuvendit doemos duhet që të futen në rend të ditës çështjet e cilësisë së ushqimit që po importohet nga Serbia. Ai tha se në veçanti duhet që në Kuvend të diskutohet dhe të formohet një komision "ad-hock", që do ta hetonte deri në detaje rastin e importit të grurit për kafshë, që u shit për miell në tregun e dy shteteve shqiptare, por edhe në Maqedoni. Eksperti Rusinovci tha se po ashtu në Kuvendin e ri duhet që të diskutojnë edhe për punën e deritashme të drejtuesit të Agjencisë për Ushqim dhe Veterinari (AUVK), të cilët sipas vlerësimeve, qoftë të pozitës dhe opozitës, nga kjo përbërje e Kuvendit në largim nuk kanë qenë në nivel të detyrës së tyre.

(Kosova Sot)