Komuna e Prishtinës udhëhiqet nga bandat e krimit ekonomik

  • 30 May 2017 - 08:04
Komuna e Prishtinës udhëhiqet nga bandat e krimit ekonomik

ANALISTËT KRITIKOJNË UDHËHEQJEN E KOMUNËS SË PRISHTINËS SE PO ABUZOJNË ME PUSHTETIN

Zeqa: "Komuna e Prishtinës vetëm brenda 3 muajve të fundit ka shpenzuar rreth 445 mijë euro për 'kontrata për shërbime të veçanta'"

" Këto vitet e fundit, Komuna e Prishtinës udhëhiqet nga bandat e krimit ekonomik, të veshur me kravata e këmisha të bardha. Këta zyrtarë, përveçqë keqpërdorin pozitat e tyre në punësim, në tenderë të ndryshëm, në mosdhënie të lejeve për ndërtim, keqpërdorin edhe fondet e kulturës, ku subvencionojnë ngjarje kulturore pa vlera e nuk i përkrahin ato me vlera", u shpreh analisti Reshat Sahitaj

Pritjet e qytetarëve të Prishtinës, por edhe të një shtrese intelektuale dhe analistëve politikë, se me ardhjen e Lëvizjes "Vetëvendosje" në drejtimin e Komunës së Prishtinës do të ketë ndryshime rrënjësore pozitive, për dallim nga mandatet e kaluara, tani kur po i vjen fundi këtij mandati qeverisës, do të mbeten vetëm një zhgënjim dhe mashtrim tepër i madh, që do t'i kthehet bumerang "Vetëvendosje"-s dhe Shpend Ahmetit në zgjedhjet pasuese. Kështu deklarojnë analistët. Sipas tyre, për gjithë këtë mandat qeverisës me Komunën e Prishtinës, "Vetëvendosje" nuk ka bërë gjë tjetër, veçse ka punësuar në Komunën e Prishtinës militantët partiakë në kundërshtim me ligjin dhe kjo është bërë nga kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, bashkë me zëvendësin e tij, Dardan Sejdiu, të cilët, para se ta shijonin pushtetin, kanë qenë shumë kritikë lidhur me punësimet partiake dhe nepotizmin nëpër institucione, por një gjë të tillë e kanë bërë tani edhe vetë, menjëherë pas marrjes së qeverisjes në Prishtinë, duke e përdorur Komunën si ent punësimi për aktivistët e Lëvizjes "Vetëvendosje". Sipas të dhënave të përafërta nga raportet zyrtare, del se në Komunën e Prishtinës janë punësuar rreth 276 militantë, kryesisht në formën të kontratave për shërbime të veçanta, që ka pasur edhe impakt në koston e shpenzimeve të buxhetit. Vetëm brenda tre muajve të vitit 2017, Komuna e Prishtinës ka shpenzuar 445,000 euro për kontrata për shërbime të veçanta, ndërkohë që buxheti vjetor i ndarë ishte 333 000 euro. Në këta muaj parazgjedhorë janë shpenzuar pothuajse 150 për qind e buxhetit të parashikuar vetëm për të kontraktuar militantë partiakë për shërbime të veçanta. Kjo praktikë e dhënies së kontratave për shërbime të veçanta nga Komuna e Prishtinës është kritikuar edhe nga Zyra e Auditorit të Përgjithshëm.

Kapja kriminale e Komunës

Analistët politikë vlerësojnë se kjo situatë e krijuar në Komunë tregon më së miri se edhe zyrtarët e "Vetëvendosje"-s, që po qeverisin me Prishtinën, Shpend Ahmeti & Dardan Sejdiu, realisht nuk dallojnë asgjë nga partitë e tjera dhe se keqpërdorimi i detyrës zyrtare e deri te pjesëmarrja në krim të organizuar janë mënyrë e "QEVERISJES" apo më mirë të themi keqqeverisjes së tyre. Sipas analistit politik Reshat Sahitaj, kjo formë punësimi e ka qëllimin e vet të skajshëm kriminal, si te shumica e partive politike edhe në "Vetëvendosje"."Punësimi i militantëve nga 'Vetëvendosje', por edhe të partive të tjera është pika e dobët e tyre, sepse militantët vrapojnë katër vjet për t'u siguruar shefave marrjen e pushtetit, të cilët pastaj i punësojnë disa nga militantët më aktivë aty ku ka e ku nuk ka vend pune, këta i gjejnë mënyrat për t'i punësuar. 'Vetëvendosje' me punësimin e militantëve aktivë, me kanalizimin e lejendërtimeve, licencave të ndryshme për hapje të klinikave e të lokaleve të ndryshme, ka arritur që t'i fusin nën kontroll shumë lokale, ordinanca, klinika, ndërtime të ndërtesave shumëkatëshe… që nuk mund të quhet kontroll ligjor, por kontroll për të paguar haraç në forma ligjore. Në fakt, kudo haraçi paguhet nga banda të ndryshme individësh, duke filluar nga bizneset e vogla deri tek ato gjigante, mirëpo në Prishtinë grupet e banditëve privatë janë eliminuar nga konkurrenca, ngase tanimë bandat janë futur në zyrtarë komunalë për ta rrjepur për së gjalli çdo tentativë të qytetarëve për të jetuar dhe për të rregulluar sadopak gjendjen materiale", tha analisti politik Reshat Sahitaj. Ai thotë se me "Vetëvendosje"-n kapja kriminale e institucionit të Komunës ka arritur kulmin dhe ka tejkaluar praktikat e së kaluarës, madje ka tejkaluar çdo parashikim të mundshëm, dhe është një mëkat i madh që nuk vepron Prokuroria e Shtetit. "Pra, këto vite të fundit, Komuna e Prishtinës udhëhiqet nga bandat e krimit ekonomik, të veshur me kravata e këmisha të bardha. Këta zyrtarë, përveçqë keqpërdorin pozitat e tyre në punësim, në tenderë të ndryshëm, në mosdhënie të lejeve për ndërtim, keqpërdorin edhe fondet e kulturës, ku subvencionojnë ngjarje kulturore pa vlera e nuk i përkrahin ato me vlera", u shpreh Sahitaj. 

VV-ja vazhdoi keqpërdorimin në Prishtinë

Politologu Gurakuq Kuqi thotë se me një shikim del se çdo parti, që ka qeverisur në nivel shtetëror qendror apo lokal, është treguar keqpërdoruese, e më e mirë nuk u tregua as "Vetëvendosje". "Edhe në Prishtinë 'Vetëvendosje' nuk u tregua më e mirë se të tjerët, dhe tregoi që "uzurpokracia" sundon edhe tek ata. Subjektet politike në Kosovë, edhe nëse kanë pasur ndonjë kryetar komune, ministër apo të punësuar apo të zgjedhur tjetër publik, nuk kanë lejuar asnjëherë që ai ta kryejë punën e vet. Por, edhe vetë të zgjedhurit asnjëherë nuk kanë menduar të vënë rregull, por vetëm të rehatojnë militantë që do të punonin për ta për zgjedhje të ardhshme. Qeverisja e 'Vetëvendosje'-s vetëm sa e vazhdoi keqmenaxhimin me të punësuar, me shpërndarjen e fondeve, lejeve selektive për ndërtim, etj., një stil i njëjtë i qeverisjes së LDK-së. Të punësuarit e tillë janë bërë tashmë një traditë e gjitha institucioneve të Kosovës, dhe ku janë ata, ai institucion dëmtohet rëndë si në buxhet, ashtu edhe në administrim. Kjo tregon se edhe 'Vetëvendosje' ka keqqeverisur, ka keqpërdorur paranë e qytetarëve, ka thyer edhe shpresën e fundit që ka ekzistuar për një qeverisje të re", tha politologu Kuqi. Sipas tij, tek rasti i Prishtinës, strumbullari i krejt kësaj të keqeje të instaluar nuk është vetëm kryetari Shpend Ahmeti dhe vartësit e tij të ngushtë, por përtej kësaj është një rrjet i organizuar. "Në gjithë këtë nuk është fajtor vetëm Shpend Ahmeti apo Dardan Sejdiu, por e gjithë VV-ja, e cila dëshiron të mbajë militantë të saj me paratë e taksapaguesve prishtinas dhe kosovarë. Gjithë këto para, që kanë shkuar kot dhe janë keqpërdorur, kanë mundur të përdoren për ndonjë vendparking që e ka përfshirë kaosi i veturave Prishtinën dhe dëmtimi i veturave është në rritje, ose ndonjë kënd lojërash ku ne i shohim fëmijët që luajnë nëpër rrugë ku rrezikohen me jetën e tyre nga ndonjë aksident, etj. Kjo është 'Vetëvendosje', e cila nuk tregoi shpresë as për Prishtinën e nuk po tregohet as për Kosovën, sepse u tregua e gatshme për çdo lloj kompromisi e koalicioni me çdokënd vetëm për pushtet, dhe nuk hyri në koalicion vetëm atëherë kur nuk iu plotësuan kërkesat dhe jo parimet", ka pohuar Gurakuq Kuqi.

Pushteti i tjetërson partitë

Edhe në gjykimin e analistit Florim Zeqa, fenomeni i punësimit të militantëve partiakë nëpër komuna është i vjetër sa vetë "lashtësia" e shtetit tonë të ri, i përcjellë nga njëra qeveri në tjetrën, i trashëguar nga njëri brez në tjetrin dhe nga njëra parti në tjetrën, deri në qeverisjen e VV-së në Komunën e Prishtinës. "Punësimet pa kritere dhe në kundërshtim me ligjin vazhduan edhe në qeverisjen e VV-së në kryeqytet, ani pse këta të fundit deri para ardhjes në pushtet ishin shumë të zëshëm dhe kritikë lidhur me punësimet partiake dhe formave të nepotizmit nëpër institucione! Fatkeqësisht, me marrjen e pushtetit në Prishtinë, krerët e VV-së i zbutën qëndrimet, i harruan fjalët dhe premtimet e dhëna, duke e përdorur Komunën e Prishtinës sikurse të ishte "ent i punësimit" për rehatimin e militantëve partiakë. Bazuar në të dhënat e Auditorit të Përgjithshëm, brenda tre vjetëve në Komunën e Prishtinës janë punësuar hiç më pak se 276 militantë partiakë dhe familjarë të pushtetarëve komunalë, përmes të ashtuquajturave 'kontrata për shërbime të veçanta'", u shpreh Zeqa. "Gjithnjë sipas të dhënave të Auditorit të Përgjithshëm, Komuna e Prishtinës vetëm brenda tre muajve të fundit ka shpenzuar rreth 445 mijë euro për 'kontrata për shërbime të veçanta', kundrejt buxhetit vjetor prej 333 mijë eurove, që i bie, të jenë shpenzuar rreth 150 % të buxhetit të parashikuar për 'shërbime të veçanta'! Kështu, testimi i VV-së në qeverisjen komunale nuk doli të jetë në përputhje me premtimet e këtij subjekti politik dhe pritjet e qytetarëve", tha Zeqa për "Kosova Sot". Sipas tij, kjo tregon që edhe "Vetëvendosje" u barazua me partitë e tjera sa i përket fenomenit të punësimeve partiake, abuzimit me paranë dhe pronat publike.

Militantët vërshuan

Analisti Reshat Badallaj thotë se pakkush e ka besuar se "Vetëvendosje"-s do t´i dalë shuma shpejt "kallaji" dhe do të zbulohet lakuriq. "Jemi dëshmitarë të kohës se këta kanë kundërshtuar bandat e tjera kinse për punësime të paligjshme, militantët partiakë, dhe të afërmit e tyre... Dhe, shih për këtë, 'Vetëvendosje', e sidomos Shpend Jahti, Dardan Sejdiu dhe disa funksionarë të lartë të Komunës, militantë të 'Vetëvendosje'-s, larg qoftë se vepruan më mirë,përkundrazi, ata nuk dalluan fare prej tyre, por vepruan shumë më keq e më zi. Sa e morën qeverisjen e kryeqytetit, ata filluan me të madhe për t´i nxjerrë dhëmbët jashtë, duke shkelur fjalët dhe premtimet e tyre që kishin rrahur gjoks derisa e morën qeverisjen e Prishtinës. Ata i hëngrën fjalët dhe punësuan militantët e 'Vetëvendosje'-s diku afro 300 që po dihen publikisht dhe jo vetëm kaq, por, ata sakatosën edhe buxhetin e vendit, si të ishte buxheti i baballarëve të tyre. Me një fjalë, ata buxhetin e bënë rrush e kumbulla", tha Badallaj për "Kosova Sot|. "Shpend Jahti, Dardan Sejdiu, me keqqeverisjen aq poshtë e ulën 'Vetëvendosje'-n, saqë u doli "kallaji" sheshit dhe dolën cullak para qytetarëve të Kosovës, duke tradhtuar elektoratin dhe e shndërruan Komunën në ent për punësim, si në kohën e Josip Broz Tito-s, që quhej Byro e Punësimit", ka potencuar Badallaj. 

(Kosova Sot)