KGJK-ja t'i 'sitë' gjyqtarët e korruptuar

  • 30 May 2017 - 08:11
KGJK-ja t'i 'sitë' gjyqtarët e korruptuar

SISTEMI I DREJTËSISË T'U NËNSHTROHET REFORMAVE

"Prokurorët dhe gjyqtarët vetëm nga pasuria që kanë, mjafton për të qenë objekt i hetimit gjyqësor për krim dhe korrupsion, pasi çdo njëri nga ta ka pasuri mbi kapacitetet ligjore të të hyrave. Pra, e tërë kjo gjendje nuk përmirësohet pa një 'VETTING' në Kosovë", potencoi Muhamet Kelmendi

Të inkriminuarit nuk kanë vend në organet gjyqësore

Kreu i Gjyqësorit në Kosovë është politika, derisa postet më të mëdha në KGJK janë të ndikuara nga politika, sepse politikanët apo politika ndikojnë në emërimin e tyre. Kështu të paktën kanë vlerësuar analistët dhe njohësit e fushës së drejtësisë, derisa, sipas tyre, Kosovës i duhet patjetër një sistem drejtësie kredibil e i besueshëm që do të jetë në funksion të ligjit dhe të drejtës dhe njëherësh substancialisht i pavarur nga çfarëdo ndikimi politik dhe grupe të tjera interesi. Por, veç politikës ata thonë se edhe vetë KGJK-ja është bërë beden (mbrojtje) i së keqes në Kosovë, ngase nuk është në gjendje të vlerë- sojë performancën dhe nivelin profesional të gjyqtarëve dhe prokurorëve, po ashtu as të frenojë dhe të pengojë korrupsionin edhe brenda sistemit gjyqësor. Për këtë dhe atë se a duhet të nisë reformimi nga kreu i Gjyqësorit dhe për të vazhduar tutje me pastrimin e drejtësisë nga elementët e tjerë negativë dhe të dëmshëm për demokratizimin e saj flet shkrimi në vijim. Analisti Naim Kelmendi në një prononcim për gazetën "Kosova Sot" ka thënë se pastrimi apo 'Vettingu' në sistemin e drejtësisë mbase është imperativ për t'u 'shpëtuar' pavarësia e sistemit gjyqësor e atij prokurorial dhe ky pastrim, siç tha, do të duhej të fillonte nga Gjyqësori, duke u shtrirë tutje për t'u pastruar kështu Gjyqësori nga gjyqtarët joprofesionistë, të paetikë, të paaftë e të korruptuar në detyrën dhe përgjegjësitë e tyre para ligjit.

Spastrimi nis nga Këshilli

Sipas Kelmendit, në një mënyrë vetë KGJK-ja do të duhej ta zhvillonte luftën e spastrimit nga gjyqtarët e tillë. " Kjo ngase me këtë kategori gjyqtarësh asnjëherë nuk mund të mendohet se mund të shkojë zhvillimi i sistemit të drejtësisë drejt reformimit, pasi pikërisht këta janë pengesë për vetë sistemin e drejtësisë dhe Gjyqësorin përgjithësisht, si dhe për vetë zhvillimet e tij dhe të demokratizimit e të shëndoshjes së këtij sistemi", ka vijuar ai. Tutje Kelmendi ka nënvizuar se kjo është edhe një e padrejtë që i bëhet qytetarit dhe interesit të tij në fushën e drejtësisë, për të pasur gjyqësi të përgjegjshme dhe të pakorruptuar, me gjyqtarë të ndershëm që punojnë me etikë dhe profesionalizëm, ngase, siç tha, mbajnë përgjegjësi dhe detyrim për të qenë të përgjegjshëm para ligjit dhe detyrës së besuar, në mënyrë që të kemi kështu drejtësi dhe gjyqësi të ndershme dhe të besuar nga publiku. "Pra, Kosovës i duhet patjetër një sistem drejtësie kredibil e i besueshëm, që do të jetë në funksion të ligjit dhe të drejtës dhe njëherësh substancialisht i pavarur nga çfarëdo ndikimi politik dhe grupe të tjera interesi", u shpreh analisti Naim Kelmendi.

Reforma të mos zvarritet

Analisti tjetër Shefqet Dibrani thotë se KGJK-ja është bërë beden (mbrojtje) i së keqes në Kosovë, deri sa siç tha nuk është në gjendje të vlerësojë performancën dhe nivelin profesional të gjyqtarëve dhe prokurorëve, po ashtu derisa nuk është në gjendje as të frenojë dhe të pengojë korrupsionin edhe brenda sistemit gjyqësor. Por, sipas tij, KGJKja duket si një institucion i panevojshëm dhe pa vlerë, sepse KGJK-ja do të duhej të reagonte dhe t'i vlerë- sonte profesionalisht gjyqtarët dhe t'i kontrollonte edhe moralisht, në mënyrë që të mos korruptohen. "Ndërsa kështu si është lihet përshtypje se këto janë vetëm hallka të krimit dhe korrupsionit të lartë që ka përfshirë vendin tonë", ka thënë ai. "Prandaj, reforma në drejtësi është dashur që të niste prej kohësh, por le të shpresojmë se me ndryshimin e sistemit udhëheqës do të ndryshojnë edhe raportet në drejtësi, në të kundërtën vendi ynë do të futet në një krizë edhe më të thellë. Por le të shpresojmë pra se udhëheqja e re do të veprojë në këtë drejtim për të dhënë shembull se e mira po nis me këtë legjislacion, i cili do të dalë së shpejti", theksoi për gazetën "Kosova Sot" analisti Shefqet Dibrani.

Mekanizëm i paaftë

Profesori i së drejtës, Muhamet Kelmendi, ka veçuar se është krijuar një mekanizëm i paaftë dhe tipik nën ndikimin e politikës, derisa në Kosovë, siç tha, kemi një Këshill Gjyqësor dhe prokurorial që në fakt nuk veprojnë në bazë të ligjit dhe janë të paaftë në kryerjen e detyrave në sistemin e drejtësisë. "Kur e them këtë, kam parasysh e para Këshillin Prokurorial të Kosovës që përbëhet nga njerëzit e dyshimtë dhe të varur nga kolegët e nga politika. Ky këshill në vend që të bëjë spastrimin e Prokurorisë në Kosovë nga prokurorët e paaftë dhe të korruptuar apo të varur nga politika, e ka vazhduar rrugën e vartësisë totale dhe tash Prokuroria e Kosovës është më e paafta në rajon dhe tipike që kërkon spastrim të gjerë. E dyta kemi po ashtu Këshillin Gjyqësor të Kosovës, i cili është i varur dhe nën ndikimin e të kaluarës dhe të tashmes politike, derisa këta e kanë mbushur Gjyqësorin me elementë të paaftë, të korruptuar dhe papunëtorë. Prandaj, me këtë Gjyqësor kemi shkuar në fund të shteteve me lëndë të pazgjidhura dhe me korrupsion të theksuar", theksoi ai. "Ndërkaq, dua të them se vetë pjesëmarrësit, prokurorët dhe gjyqtarët vetëm nga pasuria që kanë, mjafton për të qenë objekt i hetimit gjyqësor për krim dhe korrupsion, pasi çdo njëri nga ta ka pasuri mbi kapacitetet ligjore të të hyrave. Pra, e tërë kjo gjendje nuk përmirësohet pa një 'VETTING' në Kosovë", potencoi Kelmendi. 

(Kosova Sot)