Fushata mashtruese huton sovranin

  • 30 May 2017 - 08:09
Fushata mashtruese huton sovranin

GARA ELEKTORALE, PËRSËRITJE E SË KALUARËS

"Sjellja demode e liderëve politikë të subjekteve dhe premtimet e ripërsëritura në fushatën parazgjedhore është kulmi i talljes së tyre me qytetarët, është piramida e sjelljes mashtruese, madje me vetëdijen e tyre të plotë, është një shpërfillje ekstreme e qytetarëve dhe inteligjencës së tyre nga këta liderë politikë", u shpreh Ali Hertica

Pak shpresa për ndryshimet e pritura pas 11 qershorit

Edhe pse akoma zyrtarisht nuk ka filluar kalendari i lejuar i fushatës zgjedhore, subjektet politike garuese në këto zgjedhje, të gjitha pa dallim, kanë thyer të gjitha barrierat ligjore dhe janë turrur gjithandej vendit për të dërguar edhe një herë premtimet e tyre mashtruese ndaj qytetarëve në kërkim të votës. Analistët politikë konstatojnë se edhe kjo fushatë e pakonceptuar mirë dhe e pabazuar fare në vlera të kapshme programore, po dëshmon deri tani mjaftueshëm që është fushatë me premtimet demode dhe të gjitha të përsëritura e ricikluara nga zgjedhjet e kaluara. Ata konsiderojnë se edhe qytetari duhet që përfundimisht të vetëdijesohet dhe t'i ndëshkon të gjithë këta politikanë mashtrues, të korruptuar e të tejshpenzuar me votën e tij në zgjedhjet që kemi përpara. Sipas njohësve të skenës politike në Kosovë, që nuk ka ndryshuar tash e 17 vjet, edhe kjo fushatë është vetëm tallje me inteligjencën e popullit, kur të gjithë ata që kanë keqqeverisur nga paslufta e deri më sot, po tentojnë t'ua shpëlajnë trurin qytetarëve, duke u sjellë në stilin se ja, ne jemi më të mirët dhe do t`ua ofrojmë të gjitha, e që realisht gjatë tërë kohës që kanë qeverisur, e vetmja gjë që kanë bërë është keqqeverisja.

Mungon alternativa serioze

Analisti Jeton Kelmendi thotë se krejt kjo që po e shohim e dëgjojmë nëpër mediet vendore, është fushatë elektorale, e cila ka filluar para kohe, ndërsa liderët partiakë dhe të koalicioneve po bëjnë premtime krejtësisht të parealizueshme. Sipas Kelmendit, ky është një mjerim i madh dhe zhgënjim për qytetarët, ngase nuk kanë alternativë serioze për të votuar. "Këtu kemi një mungesë të ideve se çka i duhet këtij populli, prandaj liderët premtojnë gjera që as në ëndrra nuk i shohin. Vetë koalicionet tregojnë për një panik në kampet e tyre, prandaj kam bindjen se as gjumi nuk i zë këta politikanë frikacakë. Vetë ideja e fillimit të ri është një utopi dhe banalitet, sepse fillimi nuk mund të jetë i vjetër, por i ri, prandaj këtu ka padije dhe nuk e di si mund të jetë fillim i ri me njerëz të vjetër. Kjo i bie se trinomi VeseliHaradinaj-Limaj, të cilët e sunduan Kosovën prej përfundimit të luftës dhe tani tek janë rinuar dhe nuk do jetë më siç kanë qenë!?..", tha Kelmendi. Asgjë të re, sipas tij, nuk ka edhe në bllokun tjetër politik. "Edhe koalicioni LDK- AKR- Alternativa kanë probleme për të qeverisur, sepse ujku plak është gjithnjë në krye të koalicionit", tha Kelmendi për "Kosova Sot". Analisti Ali Hertica, nga ana e tij, thotë se këta mashtrues dhe këto fytyra politike, që po sorollaten gjithandej Kosovës në kërkim të votës duhet të shpërblehen me ndëshkim, sepse mjaft kanë mashtruar e keqqeverisur me vendin tash e 17 vjet. "Sjellja demode e liderëve politikë të subjekteve dhe premtimet e ripërsëritura në fushatën parazgjedhore është kulmi i talljes së tyre me qytetarët, është piramida e sjelljes mashtruese, madje me vetëdijen e tyre të plotë, është një shpërfillje ekstreme e qytetarëve dhe inteligjencës së tyre nga këta liderë politikë. Së paku, deri më tani asnjë qeverisje nuk ka qenë e pastër, brilante dhe kooperuese me sovranin. Të gjithë qeveritarët e deritanishëm, politikanët e sotëm që po kërkojnë votën të sprovuar në qeverisje të vendit, kanë dëshmuar se janë gju më gju me popullin, vetëm derisa ta marrin votën, pastaj harrojnë dhe sillen si njerëzit më të paedukatë", u shpreh ai.

E keqja të ndëshkohet

Edhe analisti politik, Hidajet Ahmeti, thotë se me të vërtetë është absurd i llojit të vet, kur dëgjojmë rrenat e njëjta që janë ricikluar nga zgjedhjet e kaluara, por mbi të gjitha, kur këto rrena thuhen nga partitë që deri dje qeverisën dhe e sollën vendin në një "vdekje klinike". "Është koha ideale, që të ndëshkohen keqbërësit, të korruptuarit, ata të cilët tjetërsuan çdo aset publik në favore të farefisit, bashkëpartiakëve, dhe në këtë kontekst barra bie mbi ata që kanë qeverisur që nga paslufta. Qytetarët më shumë se kurrë kanë një pasqyrë të qartë për të vendosur për votën e tyre, e cila do të jetë determinuese e së ardhmes së shtetit të Kosovës", u shpreh ai. "Ndëshkimi i së keqes korrespondon me disiplinimin e partive politike e politikanëve dhe përkthehet në favor të trupit publik, kurse vota për ata të cilët që deri dje bashkëjetuan nën ombrellën e krimit, korrupsionit, degradimit institucional, zhvatjes, tjetërsimit të aseteve publike në favore të ngushta politike e farefisnore korrespondon me të keqën dhe amnistimin e kriminelëve, dhe përkthehet në vazhdimësinë e degradimit institucional dhe regresit social e ekonomik e mbi të gjitha në dëm të trupit publik", tha Hidajet Ahmeti. Sipas tij, fushata demode e partive politike e në theks të veçantë partive që deri dje bashkëqeverisën e dështuan, sot dalin e fyejnë inteligjencën e qytetarëve me "misione"e "fillime" të reja, që këto janë të dështuara që në fillim për të filluar apo rifilluar.

Shpëlarje truri

Politologu Arsim Haziri, nga këndvështrimi i tij, thotë se qytetarët kësaj radhe kanë mundësinë me vigjilencë të plotë të ndëshkojnë mentalitetin korruptiv, mentalitetin i cili për afro dy dekada dhunoi sferën publike. "Subjektet politike me disa përjashtime, janë po ato të cilat me gjuhën e tyre të shpërfillur premtojnë investime të mëdha, ndërsa në realitet bëjnë të njëjtën. Pra, është mentalitet i njëjtë dhe hajni e vjetër, e cila pretendohet të vihen në funksion edhe në qeverisjen e ardhshme. Pa shfuqizimin e kësaj klase politike nuk mund të kemi qeverisje për të gjithë dhe prej të gjithëve. Qytetarët nuk duhet të bien prek e manipulimeve dhe premtimeve pa mbulesë, premtimeve të cilat në kuptimin e implementimit janë në masë minore. Realiteti politik dhe ekonomik, ndryshon kur ndryshon qytetari", potencoi Haziri. Kjo mënyrë e të bërit fushatë, pa program dhe pa projekte kreative e premtuese për të mirën e qytetarit, është sinjal i vazhdimit të qeverisjes së keqe dhe korruptive edhe sipas analistit Skënder Mulliqi. "Se nuk do të ketë ndryshime përmbajtjesore, edhe pas këtyre zgjedhjeve, fillimisht flet e dhëna se partitë politike nuk i kanë spastruar listat e kandidateve për deputetë , kurse ana tjetër e kësaj pritjeje jopremtuese është se edhe koalicionet e lidhura janë bërë më shumë në bazë të interesave personale sesa për interesin e përgjithshëm. Fushatat e filluara nuk janë gjë tjetër veç shpëlarje truri , janë fushata për të mashtruar së pari elektoratin e vet, e pastaj edhe popullin në përgjithësi", është shprehur Mulliqi. 
 

(Kosova Sot)