Zeqa:Komuna e Prishtinës vetëm brenda 3 muajve të fundit ka shpenzuar rreth 445 mijë euro për 'kontrata për shërbime të veçanta'!

  • 30 May 2017 - 14:31
 Zeqa:Komuna e Prishtinës vetëm brenda 3 muajve të fundit ka shpenzuar rreth 445 mijë euro për 'kontrata për shërbime të veçanta'!

Në gjykimin e analistit Florim Zeqa, fenomeni i punësimit të militantëve partiakë nëpër komuna është i vjetër sa vetë "lashtësia" e shtetit tonë të ri, i përcjellë nga njëra qeveri në tjetrën, i trashëguar nga njëri brez në tjetrin dhe nga njëra parti në tjetrën, deri në qeverisjen e VV-së në Komunën e Prishtinës. "Punësimet pa kritere dhe në kundërshtim me ligjin vazhduan edhe në qeverisjen e VV-së në kryeqytet, ani pse këta të fundit deri para ardhjes në pushtet ishin shumë të zëshëm dhe kritikë lidhur me punësimet partiake dhe formave të nepotizmit nëpër institucione! Fatkeqësisht, me marrjen e pushtetit në Prishtinë, krerët e VV-së i zbutën qëndrimet, i harruan fjalët dhe premtimet e dhëna, duke e përdorur Komunën e Prishtinës sikurse të ishte "ent i punësimit" për rehatimin e militantëve partiakë. Bazuar në të dhënat e Auditorit të Përgjithshëm, brenda tre vjetëve në Komunën e Prishtinës janë punësuar hiç më pak se 276 militantë partiakë dhe familjarë të pushtetarëve komunalë, përmes të ashtuquajturave 'kontrata për shërbime të veçanta'", u shpreh Zeqa. "Gjithnjë sipas të dhënave të Auditorit të Përgjithshëm, Komuna e Prishtinës vetëm brenda tre muajve të fundit ka shpenzuar rreth 445 mijë euro për 'kontrata për shërbime të veçanta', kundrejt buxhetit vjetor prej 333 mijë eurove, që i bie, të jenë shpenzuar rreth 150 % të buxhetit të parashikuar për 'shërbime të veçanta'! Kështu, testimi i VV-së në qeverisjen komunale nuk doli të jetë në përputhje me premtimet e këtij subjekti politik dhe pritjet e qytetarëve", tha Zeqa për "Kosova Sot". Sipas tij, kjo tregon që edhe "Vetëvendosje" u barazua me partitë e tjera sa i përket fenomenit të punësimeve partiake, abuzimit me paranë dhe pronat publike
 

(Kosova Sot)