Zëvendësministrja milionere

  • 14 June 2017 - 17:30
Zëvendësministrja milionere

Ish-zëvendësministrja e Zhvillimit Ekonomik, Besa Gashi-Zogaj në formularin e deklarimit të pasurisë të cilin e ka bërë publik Agjencia e Kosovës Kundër Korrupsionit, ka deklaruar të hyra vjetore 1 milion e 470 mijë e 607 euro.

Kandidatja për deputete në Kuvendin e Kosovës nga LDK-ja, ka deklaruar pasurinë e paluajtshme që kap vlerën prej 1 milionë e 440 mijë euro.

Gashi ka deklaruar shtëpinë dhe banesën e përbashkët, trashëgimi nga vjehrritë e saj, në vlerë prej 1 milion e 100 mijë euro. Nga kjo vlerë, ajo ka deklaruar shtëpinë në vlerë prej 1 milion euro, që është e përbashkët.

Gashi ka deklaruar një lokal  100 mijë euro, që është trashëgim po ashtu nga vjehrritë, si dhe një lokal trashëgim nga babai i saj në vlerë 100 mijë euro.

Sipas këtij deklarimi, ajo ka nën pronësi tokë prej 140 mijë euro.

Po ashtu, Gashi ka deklaruar para të gatshme në llogari të fëmijëve 4 mijë e 700 euro, si dhe ka deklaruar 25 mijë e 907 euro para të gatshme në llogarinë rrjedhëse të bashkëshortit.

Ndërkaq, Gashi nuk ka deklaruar të hyrat vjetore si zv. Ministre e Zhvillimit Ekonomik që ishte.

Në vitin 2016, ajo kishte deklaruar të hyra vjetore prej 1 milionë e 480 mijë e 729 euro, por që vitin e kaluar ajo kishte përfshirë në deklarimin e pasurisë së saj edhe të hyrat dhe mëditjet si zëvendësministre e Zhvillimit Ekonomik në vlerë prej 13 mijë e 548 euro.

(Kosova Sot)