Keqqeverisja Ahmeti&Sejdiu e stilit 'PRONTO, model i rrezikshëm për qeverinë e re

  • 19 June 2017 - 07:49
Keqqeverisja Ahmeti&Sejdiu e stilit 'PRONTO, model i rrezikshëm për qeverinë e re

Duke analizuar mënyrën e qeverisjes së kryetarit aktual në Prishtinë, analistët politikë vlerësojnë se kjo është dëshmia më e mirë se mënyra e të qeverisurit të tipit të Shpend Ahmetit dhe zëvendësit të tij, Dardan Sejdiut, të VV-së, nuk dallojnë fare nga mënyra e të qeverisurit të klanit 'PRONTO', edhe nga fakti se që të dy rrënjët nga vijnë i kanë te klani 'Pronto', para se të vijnë në 'Vetëvendosje'. Madje kjo bindje e analistëve politikë bazohet në faktin që sipas tyre, gjatë tërë mandatit qeverisës të Shpendit dhe Dardanit, tenderët më të mëdhenj u shkuan DEVOLLËVE, si dhe kompanive të afërta apo pjesë të VV-së (rasti i fundit kompania "Rexha", me pronar Samir Rexha dhe lidhja me pllakat dhe kubëzat nga kompania "R.U.B.", ku bashkëpronar është edhe kandidati i Lëvizjes 'Vetëvendosje' për deputet, Jusuf Ulaj, bashkëshortja e të cilit është motra e pronarit të kompanisë "Rexha"), pastaj lejet e ndërtimit ekskluzivisht për ata që "paguajnë" mitë sërish të klanit 'PRONTO' dhe DEVOLLËVE, si dhe kompanive që financojnë VV-në apo janë të afërta me ta. Qershia mbi tortë sigurisht se ishte SHËTITJA NË JAHTIN E BLERIM DEVOLLIT, sikur të ishte e porositur "nga Zoti". Krejt kjo situatë sipas analistëve është edhe një tregues i qartë se edhe në rast se VV-ja e merr qeverisjen nuk do të dallojë pothuajse fare me atë çfarë kanë bërë PDK-ja dhe klani 'Pronto' për një kohë të gjatë në qeverisjen qendrore tani më të degraduar, prandaj edhe VV-ja nuk do të ketë perspektivë fare po qe se e merr qeverisjen qendrore dhe qeveris në mënyrën e dështuar me "jahte" të krimit të organizuar të klanit 'Pronto' dhe së bashku me klanin 'Pronto' të Shpend Ahmetit dhe Dardan Sejdiut. Edhe përkundër pyetjeve të dërguara, kreu i Komunës nuk kthen përgjigje.

Lidhjet klienteliste me bizneset e tenderëve

Sipas analistit politik Gani Qarri, për fat të keq, ka shumë pika në të cilat përkundër ndryshmit në emra e kinse edhe në ide e premtime, të dy partitë dhe kandidatët e tyre që ato përfaqësojnë në pozita udhëheqëse nëpër komuna e më gjerë bashkohen dhe gati pothuajse nuk dallojnë fare nga njëri-tjetri, në qasje as veprime. "Dëshmi më të mira për këtë janë edhe faktet se emra me rëndësi të të dy partive sillen e shëtitën sa nga njëra në tjetrën parti, lëvizje që transferuan gati pahetueshëm disa ishkuadro me emër të PDK-së dhe AAKsë, drejtpërsëdrejti në 'Vetëvendosje'. Ndaj njëjtë si në pushtetin e kaluar të PDK-së dhe klanit 'PRONTO', që për bashkëpunëtor të parë kishin dhe kanë kompanitë më të inkriminuara në vend, siç është ajo e Devollëve, të cilat dëmtojnë me të madhe popullin dhe resurset kryesore të Kosovës, si manipulimet e përfitimit rekord kriminal nga PTK-ja, ekziston droja e arsyetuar se edhe kontaktet e përfaqësuesve të VV-së nuk fillojnë as përfundojnë me vetëm një "shëtitje të thjeshtë të Shpend Ahmetit" me jahtin e Devollëve, por këtu mund të ketë prapaskena të thella, të mëdha, komplekse e të rrezikshme, të cilat nëse VV-ja e merr qeverisjen e vendit dhe nuk ndërpriten lidhjet e saj me persona dhe organizata të tilla kriminale, për kohë të shkurtër, në masë të njëjtë e të ngjashme apo edhe më të madhe se ato të klanit 'PRONTO', mund ta dëmtojnë Kosovën", tha Gani Qarri. Ai mendon se fakti më eklatant dhe dëshmitë më të frikshme mbeten gjithsesi ngjitjet shqetësuese dhe dallaveret e dëmshme si ato të rastit të fundit me kompaninë "Rexha" të Sami Rexhës dhe lidhjet e çoroditura me "pllaka e kubëza" të kompanisë së ashtuquajtur "R.U.B.", bashkëpronar i së cilës thuhet të jetë edhe Jusuf Ulaj, njëri nga kandidatët për deputet i Lëvizjes 'Vetëvendosje', bashkëshortja e të cilit flitet se është edhe motra e pronarit të kompanisë "Rexha". "Kjo dëshmon hapur se përveç dallavereve të nduarnduarta, ekzistojnë edhe lidhje tjera inkriminuese, deri te konflikti i interesit të vetë lëvizjes 'Vetëvendosje' me kompani të tilla të dyshimta, përfaqësuesit e së cilës në udhëheqjen e Prishtinës, përfliten edhe për mitëmarrje dhe ndarje lejesh ndërtimi, jo vetëm për ata të klanit 'Pronto', por edhe për kompani të nëntokës të inkriminuara në pasuri dhe asetet më të rëndësishme shtetërore si ajo e Devollëve, e ndonjë tjetër që mund t'i mbulojnë direkt, apo edhe në mënyrë të tërthortë, shërbimet dhe fushatat e VV-së, me ndihma financiare", tha Gani Qarri. "Kur ballafaqohemi me dëshmi të tilla dhe fakte të tjera të ditura e të paditura, "qershi mbi tortë" nuk mund të quhet më vetëm "shëtitja e thjeshtë e Shpend Ahmetit" me jahtin e Devollëve, të cilët qëmoti nga populli i Kosovës njihen për dallaveret, manipulimet dhe prapësitë e tyre të paprecedentë, ndaj vendit tonë dhe ndërmarrjeve kryesore e jetike të shtetit të Kosovës, siç kemi rastin e freskët me PTK -në, krundet e Serbisë që me miratimin e klanit 'PRONTO' ua servojnë për BUKË shqiptarëve etj., por marrëveshjet dhe kontratat e fshehta, që kishin, kanë dhe mund t'i zhvillojnë edhe më tepër në të ardhmen përfaqësuesit e VV-së, po qe se vërtet kjo parti e merr qeverisjen e Kosovës. Pra, këta janë treguesit më të qartë se qeverisja e saj, jo vetëm se nuk do të dallojë asgjë nga ajo e viteve të kaluara, por dhe do të jetë udhëheqje e njëjtë si ajo e klanit 'PRONTO' dhe vazhdim i ish-qeverisjes së degraduar të PDK-së", thotë Qarri. Edhe VV-ja i ka skandalet e veta Politologu Gurakuq Kuqi pohon se në Kosovë të mbijetosh si parti komplet e pastër të duhet një financim nga jashtë, ku edhe ata kanë qëllime fisnike. Përndryshe, mbijetesa është e pamundur e edhe luftimi i dukurive të tilla është i pamundur përderisa nuk kemi një garniturë tjetër politike."Dëmi që PDK-ja dhe LDK-ja ia kanë shkaktuar është shumë herë më i madh se i 'Vetëvendosjes' dhe ky është vlerësimi qytetar, pasi VV-AAK-Nisma janë që kanë pësuar rritje dhe këtu tregohet diferenca. Andaj është mirë që ata që i ka ndëshkuar qytetari nuk duhet të jenë në qeveri", potencoi ai. "VV-ja është treguar që ka skandale dhe pjesë të këqija dhe qeverisja e tyre në Prishtinë nuk ka qenë mrekullia dhe as ndonjë ndryshim rrënjësor, por megjithatë më e mirë se qeverisja e LDK-së ka qenë, pasi këta të fundit iu dorëzuan komplet krimit. Edhe nëse potencialisht e kemi VV-në në krye të qeverisë, nuk duhet të presim mrekulli, sepse edhe ata kanë copëza të partive tjera nga PDK-ja dhe LDK-ja, por që ndryshime bukur shumë pozitive mund të ketë", vijoi më tutje Kuqi.

Image

 

Klanet nuk largohen nga pushteti as me "Vetëvendosjen"

Sipas analistit Faton Mehmeti, Kosova është e kapluar nga krimi ekonomik, i lidhur me atë politik dhe i mbrojtur nga ai gjyqësor, por mbase jo të gjithë vijnë në pushtet me vjedh, por është sistemi ai që i korrupton njerëzit dhe të gjithë përfundojnë në një kazan plehrash."Tanimë të gjithë e dimë dominimin e Devollëve në subjektet politike, të gjitha pa përjashtim. Mund të ketë edhe lidhje me Shpendin, kjo është mirë të vërtetohet, por nuk besoj se do të hetohet pasi gjyqësori është i korruptuar", theksoi ai."Me aq sa kam parë nga qëndrimet e Albinit, ai veç se është distancuar nga Devollët dhe këta të fundit mund të kenë lidhje me Shpendin dhe Dardan Sejdiun, por jo me VV-në, së paku kështu po pasqyrohet. Prandaj, nëse VV-ja vjen në pushtet pa Shpendin dhe Dardan Sejdiun mbase Devollët nuk do të arrijnë të shtrijnë ndikimin e tyre. Kjo do të ishte mirë të ndodhte, por nuk kemi garanci se mund te ndodhë. Të gjitha klanet, siç janë 'Pronto' dhe 'Jahti', do të vazhdojnë të jenë funksionale pasi drejtësia mungon dhe derisa kështu të jetë Kosova asnjëherë nuk mund të marrë frymë lirshëm", tha Faton Mehmeti.

Krerët e Prishtinës injoruan qytetarët

Analisti Reshat Badallaj thotë se ka kohë që dihet botërisht se një pjesë e 'Vetëvendosjes' është me origjinë nga klani mafioz-oligark i quajtur 'PRONTO', prandaj edhe po erdhën në pushtet nuk mund të sjellin që të mirë për qytetarët e Kosovës."Deri vonë, Shpendi i Ali Ahmetit, Dardan Sejdiu dhe sejmenët tjerë aty rrotull, kanë ndenjur si gjarpri nën gjethe deri kur dolën në sipërfaqe, sepse i kishte zënë rakia në jahtin milionësh të bandës së re Devolli dhe filluan t´i gjuajnë me gurë. Gjarpërinjtë nuk kishin me se si t´i fshinin këmbët. Po ashtu, doli ne dritë edhe një 'syret' ku ishte 'slikatur' për mrekulli Dardani tjetër me Hashim Thaçin, këta që po e quajnë edhe udhëheqës nga shumë udhëheqës të klanit banditesk 'PRONTO' ", tha Reshat Badallaj. Gjykim aspak më pozitiv nuk ka edhe analisti Ragip Guraziu. "Shpend Ahmeti dhe Dardan Sejdiu janë kopje origjinale e klanit 'PRONTO'. Në rast se kemi parasysh se si ka qeverisur klani 'PRONTO', nuk ka dallim prej atij të kryetarit të Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmetit, dhe vartësit së tij, Dardan Sejdiut, por këta dy pak ma ndryshe, e metoda është e njëjtë. Këta dy tani lanë edhe obligimet ndaj qytetarëve dhe iu bashkëngjiten fushatës zgjedhore, tani nga këta nuk u kërkua llogaria as edhe nga subjekti politik VV, nga vijnë këta të dy", u shpreh ai. Sipas tij, bashkëpunimi i tyre me DEVOLLËT, duke dhënë tenderët me vlera të mëdha, dëshmoi se edhe këta u korruptuan dhe dëmtuan buxhetin e Komunës së Prishtinës dhe më gjerë. "Kompania 'Rexha', me pronar Sami Rexhën, përfituan nga këta dy si më të afërt me kompaninë 'DEVOLLI' të klanit 'PRONTO', që tani është një zinxhir i lidhur ngushtë, kur kemi parasysh dhe lidhjen me pllakat dhe kubëzat nga kompania "R.U.B.", ku bashkëpronar është edhe kandidati i Lëvizjes 'Vetëvendosje' për deputet, Jusuf Ulaj, bashkëshortja e të cilit është motra e pronarit të kompanisë 'Rexha'", tha Ragip Guraziu.

Qeverisja e dështuar në kryeqytet

Shefi i grupit të asamblistëve të LDK-së në komunën e Prishtinës, Agim Gashi, thotë se zhvillimet e fundit në skenën politike të Kosovës kanë bërë që njeriu të hamendësohet apo të kthjellet para dilemave. Sidoqoftë, ai edhe qeverisjen eventuale të kryesuar nga 'VETËVENDOSJE' nuk e sheh me perspektivë për vendin. "Rezultatet pas procesit zgjedhor kanë krijuar mundësi kombinime qeverisjesh apo krizë qeveritare dhe parlamentare. Asnjë kombinacion nuk mund ta sigurojë votën absolute në Parlament si nevojë për të marrë vendime strategjike të mëdha. Edhe kombinimet për sigurimin e shumicës së thjeshtë po krijojnë dilema, sepse askush më nuk i beson PDK-së, duke u bazuar në praktikën e deritashme dhe duke marrë parasysh se kjo parti është kapëse absolute e shtetit dhe po ashtu ka hezitime të kombinimit me VV-në, duke marrë parasysh absolutizmin majtist në programin e saj dhe në ideologjinë si mjet orientues programor", potencoi ai. "Edhe praktika e qeverisjes së VV-së nuk është premtuese, sepse për këtë mandat katërvjeçar në Prishtinë nuk ka dëshmuar ndonjë sukses të konsiderueshëm. Dështimet në fushën e rritjes së buxhetit, dështimet në fushën e urbanizmit dhe planifikimit, dështimet në hartimin dhe miratimin e hartës zonale, dështimet në fushën e infrastrukturës dhe projekteve të vlerave të mëdha si objektet shkollore, kolektorët impiantet, objektet e kulturës dhe trashëgimisë kulturore, dështimet në mënyrën e shpenzimit të buxhetit, punësimi i zyrtarëve në administratën e komunës jashtë procedurave ligjore, instalimi i sistemit të presionit dhe shantazheve në administratën komunale, linçimet dhe gjuha fyese dhe denigruese në përgjithësi, punësimet e anëtarëve dhe militantëve të VV-së në arsim, sidomos drejtorët e institucioneve edukativo-arsimore etj. janë vetëm disa nga faktet se kjo parti edhe pse dukshëm e ka rritur elektoratin, nuk premton se do të bëhet shembull për të mirë në politikat zhvillimore të Kosovës", tha Agim Gashi për "Kosova Sot".

(Kosova Sot)