Neglizhenca e drejtësisë ia zgjat jetën mafio-oligarkisë

  • 19 June 2017 - 07:56
Neglizhenca e drejtësisë ia zgjat jetën mafio-oligarkisë

Analistët dhe njohësit e fushës së drejtësisë kanë vlerësuar se heshtja dhe mungesa e veprimit nga Prokuroria e vendit ndaj dosjeve të krimit të politikës, të mafio- oligarkisë së krimit të organizuar dhe të korrupsionit, është një neglizhencë "kriminale" e saj, që faktikisht është vetë mbrojtja dhe avokatia që organi i akuzës i bën krimit, korrupsionit dhe antiligjshmërisë që bën politika e degraduar e kriminale. Ndaj së këndejmi ata kanë thënë se në Kosovë vendimmarrjet janë apriori të favorizuara dhe të pakontrolluara, ngase nuk ka ndonjë organ që t'i kontrollojë dhe t'i monitorojë ato ligjërisht, pasi i tërë sistemi i drejtësisë funksionon si një sistem piramidal korrupsioni i dirigjuar nga mafia dhe oligarkia politike që e kanë kapur shtetin, e që janë mbi ligjin dhe drejtësinë. Por, si të kthehet besimi i qytetarëve në drejtësinë kosovare dhe sa është e gatshme Kosova që të bëjë ndryshime thelbësore në Kushtetutën e vendit, në mënyrë që të mundësojë reformën në drejtësi? Analisti Skënder Kapiti në një prononcim për gazetën "Kosova Sot" ka thënë se Prokuroria e Kosovës hesht dhe nuk vepron me dosjet e krimit të politikës, të oligarkisë së krimit e të korrupsionit dhe jo vetëm që hesht, por kjo heshtje siç tha është neglizhencë kriminale e saj, neglizhencë e cila faktikisht është vetë mbrojtja dhe avokatia që organi i akuzës i bën krimit, korrupsionit dhe antiligjshmërisë që bën politika.
Vendimmarrja e manipuluar
Sipas Kapitit, në Kosovë vendimmarrjet janë apriori të favorizuara dhe të pakontrolluara, pra nuk ka organ që t'i kontrollojë dhe t'i monitorojë ato ligjërisht, pasi i tërë sistemi i drejtësisë funksionon si një sistem piramidal korrupsioni i dirigjuar nga mafia dhe oligarkia politike që e kanë kapur shtetin, ligjin dhe drejtësinë dhe nga ana tjetër vetëgjyqësia e padrejtësisë e ka paralizuar funksionimin e shtetit."Prandaj, kjo ka mundësuar pastaj edhe humbjen e besimit të qytetarëve te drejtësia, pasi qytetarët janë lodhur, mërzitur dhe duke mos gjetur mbrojtje te sistemi i drejtësisë atëherë ata janë të detyruar që të ambientohen dhe ta pranojnë padrejtësinë e drejtësisë si normalitet dhe pandëshkueshmërinë e politikës së krimit dhe korrupsionin e saj dhe të gjyqësorit si të drejtë të tyre që nuk guxon as ligji ta ndëshkojë", potencoi ai. "Por, për ta ndryshuar këtë gjendje nuk është e mjaftueshme vetëm reforma në drejtësi, miratimi i ligjeve të mira, por më e rëndësishme dhe përcaktuese në shtetin ligjor është zbatueshmëria e tyre nga organet e drejtësisë, derisa kjo është më e vështira që ka sot drejtësia në Kosovë, e cila manipulon me ligjin, drejtësinë, me të drejtën e qytetarit dhe atë të shtetit; ajo manipulon dhe spekulon rëndë me krimin dhe korrupsionin, është drejtësi e shumë standardeve, ku standard bazë dyshohet se ka korrupsionin, ryshfetin, shitblerjen e së drejtës dhe servilizmin e shërbimin ndaj politikës, oligarkisë dhe mafisë politike", u shpreh analisti Skënder Kapiti. 

 

Image

 

Klasa politike, përgjegjësja kryesore

Profesori i së drejtës, Riza Smaka, thotë se aktet kriminale kryhen në kryerje shprehimore, eksplicite edhe në kryerje të heshtur ose implicite."Në rastin konkret kur prokuroria, prokuroritë e caktuara kanë të dhëna për krime, ndërsa nuk ndërmarrin masa praktikisht bëjnë krime në mënyrë të heshtur, sepse solidarizohen me krimin e kryer gjersa solidarizimi me krimin e kryer është kur dihet për krimin dhe nuk ndërmerren masat ligjore, të cilat i ka me autorizim si institucion publik funksional për persekutimin e kryesve të krimeve të veprave penale", potencoi ai."Pra, gjendja është e këtillë dhe klasa politike është përgjegjësja kryesore, sepse ka pasur të dhëna periodike dhe sistematike për dështimet në sistemin e drejtësisë, ka pasur raporte e raporte, ka pasur informata e informata, po ashtu ka pasur shqetësime qytetare të ngritura nëpërmjet deputetëve, të cilët shumë herë e kanë ngritur këtë çështje, mirëpo klasa politike mbase në konformitet me gjendjen e amullisë të këtillë, d.m.th. nuk ka ndërmarrë asgjë prej gjëje për të funksionalizuar sistemin e drejtësisë, teksa ka pasur dhe ka instrumente dhe mekanizma të pashfrytëzuar", u shpreh Smaka. "Prandaj, nuk na mbetet gjë tjetër ne qytetarëve të rëndomtë vetëm të llogarisim dhe shpresojmë se klasa politike që do ta marrë pushtetin këtë çështje ta marrë si primare edhe t'i ndërmarrë masat e duhura nëpërmjet ndryshimeve, plotësimeve të akteve ligjore në fuqi, po ashtu nëpërmjet veprimeve në funksion të zbatimit të ligjit të aplikuar në fuqi dhe asgjë tjetër nuk duhet", theksoi Smaka. 

Na duhet VETTING i mirëfilltë

Profesori universitar, Mazllum Baraliu, ka nënvizuar se duhet të ketë ndryshim rrënjësor të politikave qeveritare dhe institucionale në Kosovë, pra shtetërore, derisa po ashtu sipas tij do duhej tani të pritej tash një ndryshim i mirëfilltë në këtë drejtim, por që varet shumë nga fakti se kush do ta marrë mandatin dhe do ta fitojë të drejtën që ta formojë qeverinë në mënyrë që siç tha të kemi politika të reja dhe reforma të reja të domosdoshme. Sipas tij, këtë mund ta bëjnë vetëm njerëzit të cilët deri më tani nuk kanë pasur rastin dhe as mundësinë e as shansin që t'i bëjnë ndryshimet, reformat dhe të mobilizojnë sistemin e drejtësisë, brenda tij atë gjyqësor dhe prokurorial. "Prandaj varet shumë nga Qeveria që do ta kemi, por është gjithsesi është imperativ kohe që patjetër të reformohet sistemi i drejtë- sisë, që të kemi një Vetting të mirëfilltë në ingranimin, pra rekrutimin dhe zgjedhjen e përzgjedhjen e gjyqtarëve dhe prokurorëve, që të kemi më shumë në përputhje me numrin e lëndëve të pazgjidhura dhe në përputhje me nevojat dhe kërkesat e gjykatave dhe prokurorive edhe të policisë të kemi më shumë njerëz të ingranuar aty që lëndët e pazgjidhura që janë mbi 500 mijë të zgjidhen sa më parë dhe njerëzit të trajnohen dhe të aftësohen, por gjithsesi vetëm me njerëz të trajnuar dhe të merituar, me vlera dhe merita dhe jo me njerëz me afinitete politike ose militantë të ndryshëm në prapaskenë të grupeve të ndryshme politike dhe të krahinave të ndryshme dhe të orientimeve të caktuara", u shpreh Baraliu. 

Specialisti i çështjeve ligjore, Blerim Burjani, ka veçuar se deri më tash është komentuar puna e Prokurorisë në variante të ndryshme dhe pesimiste, për shkak të mosefikasitetit apo edhe mosveprimit dhe shumë gjërave tjera të komplikuara, derisa siç tha shpeshherë përmendet edhe hezitimi dhe frika e veprimit të prokurorëve, të cilët nuk kanë as siguri e përplot gjëra që u mungojnë në kryerjen e punës së tyre. Sipas tij, kjo do të thotë se luftimi i krimit politik që flitet shumë në Kosovë është i kushtëzuar me ndryshimet politike në qeverisje në të kundërtën mbeten të paprekur. "Ndërkaq, format më të shprehura të dyshimeve për njerëz të politikës të involvuar në krime janë: korrupsioni, nepotizmi, zhvatja, kërcënimi i bizneseve, pasurimi pa bazë, shpërdorimi i aseteve publike. Përndryshe ky sistem duhet të reformohet, duhet të analizohet në këtë shtet anarkik. Njerëz të ndryshëm arrijnë të bëhen në këtë vend prokurorë e gjyqtarë, andaj dy segmente janë të rëndësishme; reformimi kadrovik i organeve të drejtësisë dhe zgjedhja e gjyqtarëve, si dhe vlerësimi i punës së bërë deri tash, ku këto duhet të përfshijnë një reformë të mirëfilltë për të premtuar të ardhmen me drejtësi për shtetin", u shpreh Burjani.

( Kosova Sot )