Diplomacia e skandaleve po e nxin imazhin e Kosovës

  • 17 July 2017 - 07:38
Diplomacia e skandaleve po e nxin imazhin e Kosovës

KRIMINELËT KANË GJETUR "KONAK" PËR INTERESAT E POLITIKANËVE TË FORTË NË KONSULLATAT DHE AMBASADAT KOSOVARE

Zeqa: Është më se i nevojshëm të bëhet një "rifresh" gjeneral në përfaqësitë diplomatike të shtetit 
"Skandali më i ri kriminal, në Ambasadën e Kosovës në SHBA, nga Albert Veliu, për momentin është maja e ajsbergut. Ai e ktheu shërbimin diplomatik të Kosovës në pasqyrën më të keqe të shtetit tonë të ri në botë dhe në një vend mik si Amerika, fakt i cili vërteton katërçipërisht edhe keqqeverisjen e vazhdueshme kriminale brenda vetë Kosovës",  theksoi analisti Gani Qarri

Shërbimi diplomatik i shtetit të Kosovës është bastarduar pothuajse në të gjitha ambasadat dhe konsullatat, kudo që ato janë prezentë? Duke iu referuar rastit të fundit të skandalit të Albert Veliut në SHBA, një rast që u bë publik falë DEA-s amerikane, analistët politikë në vend theksojnë se në vend që diplomacia e re kosovare të zhvillohet e të konsolidohet, ajo gjithnjë e më shumë, rast pas rasti të incidenteve që po ndodhin, vetëm sa po vjen e po bastardohet. Madje konsiderohet se rasti Veliu është tregues i saktë se si kriminelët janë strehuar dhe kanë gjetur "konak" për interesat e politikanëve të fortë në konsullatat dhe ambasadat kosovare. Kjo flet më së miri se edhe një numër i madh ambasadorësh dhe konsujsh, por edhe dhe stafi përcjellës, zgjidhen nga "nëntoka" kosovare, në bashkëpunim me figura të larta politike e vendimmarrëse, duke deleguar bashkëpunëtorë të krimit të organizuar si dhe femra që i "fusin" në krevatet e zyrtarëve të lartë të atyre shteteve ku janë vendosur, për të raportuar pastaj për shefat e tyre. Ndryshe dëmi që po i shkaktohet shtetit të Kosovës nga punësimet e të inkriminuarve në punë të pista është i pariparueshëm, si rasti i Albert Veliut, i cili, siç thotë Departamenti amerikan i shtetit, në bashkëpunim me COSA NOSTRA-n, ka pastruar mbi 800 mijë USD?! Tani pikëpyetje madhe mbetet se sa Alberta të tillë ka jo vetëm nëpër ambasada të Kosovës jashtë vendit, por edhe sa të tillë ekzistojnë dhe papendueshëm punojnë në institucionet e shtetit, brenda shtetit të Kosovës. Rreth kësaj çështje gazeta i ka dërguar pyetje MPJ-së, por nuk ka marrë përgjigje. Komentet dhe shqetësimet dalin vetëm nga analistët politikë.

Image

Zeqa: Rasti i fundit, i zbuluar nga DEA amerikane, duhet të shërbejë si alarm ndërgjegjësimi për Qeverinë

Analisti Florim Zeqa theksoi për "Kosova Sot" se rasti i Albert Veliut, i bërë publik nga DEA amerikane, është sa shqetësues po aq tregues i saktë për bastardimin dhe degradimin e skajshëm të konsullatave dhe ambasadave kosovare në botë. "Rasti i fundit, i zbuluar nga DEA amerikane, duhet të shërbejë si alarm ndërgjegjësimi për Qeverinë apo më mirë të themi për qeveritë e ardhshme, (ngase akoma nuk e kemi të qartë, nëse do të kemi qeveri të re apo vazhdimësi të asaj paraprake), gjegjësisht MPJ-në, që të verifikojë me saktësi veprimtarinë e stafeve diplomatike të Kosovës, që të mos përsëriten raste të tjera akoma më të rënda se ai në SHBA. Ngase supozohet se ekzistojnë edhe raste të tjera në disa shtete evropiane, ku pjesëtarë të stafeve diplomatike, gjegjësisht konsuj dhe ambasadorë, përmes sekserëve të tyre në Diasporë, bëjnë shpëlarjen e parave të pista gjoja në emër të "mbështetjes së aktiviteteve të mërgatës sonë. E mendoj se është pak më tepër se krim shfrytëzimi i mjeteve të taksapaguesve të varfër kosovarë për aktivitetet e mërgatës, pavarësisht natyrës dhe vendit ku shfrytëzohen ato", theksoi Zeqa për "Kosova Sot". Sipas tij, është më se i nevojshëm të bëhet një "rifresh" gjeneral në përfaqësitë diplomatike të shtetit tonë, jo thjesht si një rotacion (zhvendosje nga një konsullatë në tjetrën), por për t'iu prerë rrugën njëherë e mirë rrjeteve kriminale dhe mafioze. "Kur jemi në këtë segment, duhet theksuar se kemi edhe ambasadorë dhe konsuj të shkëlqyeshëm të Republikës së Kosovës, që me devotshmëri e kryejnë punën e tyre diplomatike, të cilët janë 24 orë në shërbim të shtetit dhe mërgimtarëve, andaj mos të lejojmë të na "digjen" lisat e shëndoshë nën hijen e lisave të shkrumbëzuar nga flakët e korrupsionit dhe krimit të organizuar ekonomik dhe politik", thotë Zeqa për "Kosova Sot".

Qarri: Përfaqësitë tona shtetërore janë kthyer në fabrikë për punësimin e familjarëve e militantëve partiakë

Edhe analisti Gani Qarri pohon se Kosova, megjithëse shtet i ri dhe ani pse vetëm për pak vite zhvillon diplomaci të pavarur, as kjo periudhë e shkurtër nuk e ka penguar stafin e saj diplomatik, që të bëjë skandale nga më të ndryshmet, në shërbimet e jashtme të shtetit tonë. "Përfaqësitë tona shtetërore janë kthyer në fabrikë për punësimin e familjarëve, militantëve partiakë dhe pjesëtarëve të koalicioneve, të cilët jo rrallë me sjelljet e tyre joprofesionale e skandaloze po dëshmohen si karagjoz të pështirë dhe kriminelë e mafiozë të vërtetë. Në çdo vend serioz shërbimi diplomatik i vendit konsiderohet pasuri kombëtare. Vetëm kur është fjala për Kosovën, shërbimi i jashtëm i saj shërben për punësimin e familjarëve dhe militantëve partiakë, ndaj dhe vuan më së tepërmi nga politizimi i skajshëm, nepotizmi, klientelizmi, mungesa e transparencës dhe eliminimi i tërësishëm i kriterit të meritës. Këtë e vërteton më së miri edhe rasti i ish-diplomatit skandaloz, Urtak Hamiti, djalit të Sabri Hamitit, i cili në një mbrëmje vere të vitit 2013 u kap nga policia kroate, duke bërë xhiro i dehur, derisa godiste me radhë makinat e parkuara të banorëve kroatë me veturën zyrtare të ambasadës së Kosovës nëpër rrugët e qendrës së Zagrebit", tha Qarri për "Kosova Sot". Mirëpo, ai thotë se tani, për të qenë trishtimi edhe më i madh, mu ky "diplomat" që asokohe kishte mbushur ballinat e medieve vendore e të huaja me pamje të skandalit diplomatik, pa kaluar shumë kohë nga shkarkimi i tij, u angazhua nga Universiteti Publik "Kadri Zeka" i Gjilanit si profesor për të ligjëruar pikërisht lëndën "E të drejtës diplomatike dhe konsullore", dije që studentët e Juridikut në Universitetin e Gjilanit detyrohen ta marrin tash e atëherë nga një ishdiplomat i sprovuar me skandale diplomatike si Urtak Hamiti. Ai rikujton se si edhe një diplomat tjetër i Kosovës në Slloveni i fyente palët që guxonin t'i kërkonin shpjegime, kurse zyrtarja e Ambasadës së Kosovës në Zvicër shërbente klientët duke mbajtur këmbët mbi tavolinën e punës."Kurse, skandali më i ri kriminal, në Ambasadën e Kosovës në SHBA, nga Albert Veliu, për momentin është maja e ajsbergut. Ai ktheu Shërbimin diplomatik të Kosovës në pasqyrën më të keqe të shtetit tonë të ri në botë dhe në një vend mik si Amerika, fakt i cili vërteton katërçipërisht edhe keqqeverisjen e vazhdueshme kriminale brenda vetë Kosovës", theksoi analisti Gani Qarri.

Image

“Njerëzit e PDK-së mbajnë përgjegjësinë kryesore”

Po aq i zhgënjyer me këtë segment të institucioneve të reja të shtetit të Kosovës është edhe njohësi tjetër i kësaj fushe, Ymret Reshiti."Mendoj se jo që është bastarduar, por është tejet i kriminalizuar dhe rasti i fundit e pasqyron Kosovën si shtet mafioz. Nuk do të thosha se nëpër të gjitha ambasadat dhe konsullatat e Kosovës janë emëruar njerëz si Arben Veliu, por mund të themi se pothuajse në asnjë rast nuk ka ardhur në shprehje merita. Ambasadorët dhe konsujt e Kosovës nuk kanë kapacitete që duhet t'i këtë një zyrtar i tillë që detyrë ka mbrojtjen apo përfaqësimin e shtetit të Kosovës. Kam dëgjuar edhe për keqpërdorime të stafit të ambasadave dhe konsullatave të Kosovës dhe kjo bie barrë e ambasadorëve dhe konsujve. Realisht "nëntoka "e Kosovës tani është "dalë mbi tokë" dhe si shembull më i mirë njeriu nëntokës drejton Kuvendin e Kosovës dhe drejton partinë më të madhe në Kosovë. Sot nëntoka është zyrtarizuar si udhëheqje e "ligjshme" dhe e pranueshme nga pjesa më e madhe e qytetarëve. Mënyra e emërimit të ambasadorëve, konsujve dhe stafit diplomatik bëhet pa asnjë kriter ligjor nga klani i mafisë politike që drejton shtetin dhe kontrollon aktivitetet kriminale përmes njerëzve të emëruar në segmente të shtetit dhe në kryetar të bandave kriminale, që kontrollojnë tregun e drogës, armëve, naftës, prostitucionit, pastrimin e parave dhe deri te skuadrat e vrasjeve me porosi", tha Ymret Reshiti për "Kosova Sot". Sipas tij, ky klan mafioz që e ka kapur shtetin e Kosovës është koka e krimit që kalon kufijtë e Kosovës, duke kërkuar lidhje dhe treg ndërkombëtar, për të krijuar lidhje me organizatat mafioze ndërkombëtare. E sipas analistit Blerim Burjani, shërbimi diplomatik i shteti tonë është i tillë, sepse është shërbim vetëm për partiakët, kryesisht për të afërmit e PDK-së dhe LDK-së. "Kuptohet se njerëzit e PDKsë mbajnë përgjegjësinë kryesore për degradimin e plotë të një shërbimi për qytetarët e Kosovës, ky shërbim familjar i një subjekti politik dominon plotësisht në shërbimin e jashtëm të shtetit. Përplot njerëz familjarë sikur kryejnë punë...!!!! në fakt pothuajse nuk kryejnë fare punë në këto shërbime diplomatike. Është e domosdoshme që ky shërbim plotësisht duhet depolitizuar dhe duhet profesionalizuar", tha Burjani për "Kosova Sot"

Mehmeti: Kosova ka përfaqësimin më të dobët në ambasadat e Kosovës

Edhe sipas Faton Mehmetit është fat shumë i keq që Albert Veliu është fytyra e vërtetë e përfaqësimit të Kosovës nëpër vendet e botës."Arrestimi i tij nga DEA vetëm sa e vërtetoi realitetin se Kosova ka përfaqësimin më të dobët në ambasadat e Kosovës, se nëpër botë ka njerëz që duhet ta kishin vendin në burg: fajdexhinj, dilerë të drogës, gangsterë, alkoolistë etj. Kjo e fundit edhe ka ndodhur kur një punonjës i ambasadës, i afërt i Hamitëve, shkaktoi kaos në rrugët e botës pasi ishte i dehur. Asnjë prej ambasadorëve e deri te pastruesit nëpër ambasadat e Kosovës nëpër botë nuk janë me meritë aty, por me pazare dhe intriga", theksoi analisti Faton Mehmeti. Ai dyshon se në rastin Albert Veliut është i përfshirë drejtpërdrejt presidenti i vendit. Njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare, Ali Hertica, shprehet se janë të gjitha ato figura dhe individë të bastarduar që janë dërguar nëpër shërbimet konsullore e diplomatike për interesat kriminale të grupeve të caktuara dhe po prodhojnë situata tepër të dëmshme të imazhit të Kosovës në arenën ndërkombëtare. "Të bastarduarit apo bastarduesit e shërbimeve poetike të diplomacisë së Republikës së Kosovës thuajse në të gjitha ambasadat dhe konsullatat, kudo që prezantohen, po dalin si të papërgatitura profesionalisht dhe moralisht, duke dhënë për pasojë edhe shembuj për të keq për shtetin dhe shoqërinë e Kosovës, me sjellje të ulëta të dinjitetit dhe diplomacisë kosovare. Ata janë një pasqyrë e shëmtuar e shtetit të Kosovës në vendet ku janë dërguar, ngjashëm sikur që janë pasqyrë po aq e dëmshme edhe disa figura deputetësh brenda Parlamentit të Kosovës, që vazhdimisht kanë përdorë dhe vazhdojnë të përdorin fjalor të pistë, sjellje që nuk i takojnë një përfaqësuesi të një shoqërie që synon avancim të shpejtë në proceset integruese të familjes së kulturuar evropiane", theksoi Ali Hertica për "Kosova Sot". 

(Kosova Sot)