Politikanët milionerë të korruptuar i shpëtojnë drejtësisë

  • 17 July 2017 - 07:45
Politikanët milionerë të korruptuar i shpëtojnë drejtësisë

DREJTËSIA E KAPUR NGA POLITIKA NUK BËRI ASNJË SKANIM PËR PASURITË MILIONËSHE TË NJERËZVE TË PUSHTETIT

U bënë milionerë me paga rreth 1 mijë euro në muaj

"Me përgjegjësi të plotë mendoj se pasuria e deklaruar, qoftë e një politikani, qoftë e një anëtari të bordeve, qoftë e policëve, apo prokurorëve dhe e gjyqtarëve, pa përjashtuar edhe mafinë-oligarkike financiare, përkatësisht subjektet ekonomike, janë të mjaftueshme për të hapur hetimet dhe për t'i dënuar gjykatat. Asnjëri nga ata që ka deklaruar pasurinë nuk është në gjendje të mbulojë pasurinë e vet me të ardhurat legale", theksoi Muhamet Kelmendi për "Kosova Sot"

Në gjykatat e Kosovës janë të pakta rastet kur objekt gjykimi nxirret ndonjë rast i ndjeshëm, ku përzihen mafio-oligarkët e nivelit të lartë të lidhur me politikën, të gjitha rastet e tilla zakonisht rikthehen në gjykim nga e para, edhe nëse në shkallën e parë marrin vendim ndëshkues, në të dytën përfundojnë në favor të politikanëve të inkriminuar. Për veprimin e kësaj mënyre, ekspertët e kësaj fushe dhe analistët politikë theksojnë se qëllimisht rastet e tilla po i amniston sistemi aktual i kapur i drejtësisë, vetëm pse janë krime të organizuara të politikanëve dhe pushtetarëve në Kosovë, që kanë ndikim në sistemin e drejtësisë, si ata të nivelit qendror ashtu edhe në atë komunal, të cilët nuk frikësohen të deklarojnë milionat në pasuri të grumbulluar, qoftë gjatë qëndrimit në pushtet apo edhe në opozitë. Kjo është një prej arsyeve pse askush nuk merret me atë se si ka lëvizur pasuria, edhe e deklaruar në letër, pa e paramenduar tani pasurinë që e kanë të fshehur, atë që pushtetarët dhe politikanët, e kanë akumuluar pas lufte dhe pothuajse asnjëri prej tyre nuk ka pasur zyrtarisht kompani të regjistruara, porse me rroga prej mesatarisht 1 mijë eurosh janë bërë milionerë! Kjo drejtësi e kapur nga politika asnjëherë nuk hetoi mënyrën se si politikanët e pushtetarët, administratorët e shtetit, zyrtarët e prokurimeve, pa pasur aktivitet me firma, pa paguar fare taksa ndaj shtetit akumuluan gjithë atë pasuri që shihet për mejdani, e mos të flasim për ato të fshehura në vend, në regjion, por edhe në vendet e largëta sikur janë 'parajsat fiskale' për paratë e krimit.

Image

Kelmendi: Strukturat e drejtësisë janë të kapura nga krimi dhe korrupsioni

Profesori i së drejtës, Muhamet Kelmendi, pohon se në kuadër të fakteve që rrjedhin nga indikacionet për krim dhe për korrupsion, futen edhe deklarimet e pasurisë të personave fizikë, të cilët e bëjnë për CD tek organi kompetent, por për nivelin e rrugës ligjore të pasurimit nuk merret askush që të bëjë hetime serioze. "Kam deklaruar dhe me përgjegjësi të plotë mendoj se pasuria e deklaruar, qoftë e një politikani, qoftë e një anëtari të bordeve, qoftë e policëve, apo prokurorëve dhe e gjyqtarëve, pa përjashtuar edhe mafinë-oligarkike financiare, përkatësisht subjektet ekonomike, janë të mjaftueshme për të hapur hetimet dhe për t'i dënuar gjykatat. Asnjëri nga ata që ka deklaruar pasurinë nuk është në gjendje të mbulojë pasurinë e vet me të ardhurat legale", theksoi Muhamet Kelmendi për "Kosova Sot". Ai tutje shtoi: "Këtë më së miri e dëshmon pasuria milionëshe, makinat e mira dhe që shkojnë deri në qindra e mijëra euro, shtëpitë super-luksoze dhe banesat, rroba të mira dhe orët e telefonat më modernë, sikundër edhe pasuria e tundshme dhe ajo e patundshme e deklaruar, por që asnjë nga këto nuk arsyetohen me të ardhurat legale, sepse kur një politikan, gjyqtar a prokuror, një anëtar në një bord merr 1 mijë euro, apo 2 mijë euro dhe ka pasuri milionëshe është rast kriminal për hetim dhe për dënim", është shprehur Kelmendi. "Kjo nuk bëhet, sepse të gjitha strukturat e drejtësisë janë të kapura nga krimi dhe korrupsioni. Dhe, nëse ndokush dërgohet në gjykatë, atëherë ose parashkruhet rasti, ose kalon kohë duke u përsëritur gjykimi, derisa të përfundojnë pa masa juridike penale. Këtë e kanë mundë- suar organet e shtetit, si prokuroria dhe gjykatat, të cilat janë vënë nën ndikimin e politikës dhe të oligarkëve ekonomiko-financiarë dhe kriminalë", theksoi Kelmendi për "Kosova Sot". 

Image

 

Kuqi: Kosova është një shtet i uzurpuar nga lidhjet e krimit

Edhe eksperti i së drejtës, Blerim Burjani, konstaton se krejt kjo lidhje sistemore e ka emëruesin drejtësisë së kapur. "Kjo quhet drejtësi e kapur nga politika, kur gjykatat marrin njerëz të tillë të inkrimunar për vepra të mëdha penale, duke u mbrojtur me pushtet politik dhe ndikim në gjykata. Kjo i bie se këto gjykata nuk janë efikase dhe duhet të shkarkohen gjyqtarët e prokurorët, në rast se vërtetohet një lidhje në mes të politikës dhe organeve të drejtësisë. Ka shuma gjëra për të dyshuar, sepse kur të ngritët aktakuza dhe nxirret një vendim gjyqësor duhet të jetë valid dhe shumë serioz, dhe gati i parrëzueshëm. Në Kosovë ka përplot njerëz të politikës, që merren dhe për disa vjet mbahen nën akuza e procese dhe pastaj lirohen, e kjo i bie se gjykatat po shkelin të drejtat e njeriut. Kjo është tepër e dëmshme edhe për individët, por edhe për imazhin dhe besimin në drejtësi", theksoi analisti Blerim Burjani. Sipas politologut Gurakuq Kuqi, kjo gjendje flet më së miri se Kosova është një shtet i uzurpuar nga lidhjet e krimit me politikën dhe kapjen e institucioneve të drejtësisë po nga ky rrjet kriminal. "Pra, për një shtet të kapur dhe jo një shtet me institucione të pavarura dhe ekuilibër të pushteteve. Hetimi dhe gjykimi i milionerëve e ndoshta edhe miliarderëve të Kosovës nuk mund të bëhet nga prokuroria e gjyqësia, të kapura dhe pjesë e krimit, që komplet është e varur, dhe jo pse ndoshta duan gjyqtarët dhe prokurorët, por se janë nën kërcënim dhe i bëjnë pjesë të kulaçit milionësh për t'ua mbyllur gojën", tha Gurakuq Kuqi për "Kosova Sot". Ai konsideron se një problem edhe më i madh është se këta milionerë pa djersë krimin e kanë bërë në shumë raste edhe ligjërisht, sepse duke pasur gjithçka nën kontroll janë përkujdesur që proceduralisht dhe ligjërisht të jenë në rregull. "Që edhe nëse pas një kohe potencialisht hetohen ata ligjërisht janë në rregull, ndërsa paratë pas disa vite janë të arsyetuara apo të formalizuara si të shpenzuara. Te rastet që rikthehen në gjykim është se ata ku kanë lënë hapësira të pambuluara për krimin e tyre i mbulojnë dhe gjejnë një gabim të gjykatës apo e korruptojnë gjykatën dhe rikthehet në fillim lënda tani me sigurinë e plotë të pafajësisë së krimbërësve", tha Gurakuq Kuqi. Për këtë pasojë ai thotë se në një shtet të kapur si Kosova nuk mund të presësh tjetër gjë dhe këta nuk janë të gatshëm as ta lënë pushtetin, por as ta tradhtojnë njëri-tjetrin, sepse secili ka të dhëna kriminale për tjetrin dhe një fije po u prish, do të rrëzohen të gjithë si kalaja mbi themele prej hiri. 

Kriminelët e korruptuar nuk e luftojnë veten

Analisti politik, Hidajet Ahmeti, e sheh këtë problem kryekëput të ndikuar nga politika. "Aty ku përzihet politika, drejtësia përfundon në kuptim e profesionalizmit, paanshmërisë dhe punës së saj brenda mandatit kushtetues e ligjor. Përmes kësaj rruge zinxhirore të orkestruar, ka funksionuar sistemi i drejtësisë në Kosovë, i cili është instrumentalizuar duke i shërbyer një komuniteti të vogël njerëzish", Hidajet Ahmeti për "Kosova Sot". Madje ai pohon se piramida e krimit e ndërtuar për më shumë se një dekadë është përkthyer në komoditetin e politikanëve të inkriminuar, si në nivel qendror , ashtu edhe lokal, duke zgjatur jetën përmes rrugëve antiligjore e duke thelluar krimin e korrupsionin në institucionet publike. "Për ndryshime substanciale në sistemin e drejtësisë duhet një ndryshim në logjikën dhe frymën qeverisëse, e cila duhet t'i prijë këtij ndryshimi përmes rrugëve institucionale dhe mekanizmave institucional. Pa vullnetin politik, i cili do t'i prijë këtij ndryshimi substancial, fraza për ndryshime pozitive në sistemin e drejtësisë do të mbetet vetëm në diskursin shoqëror e politik, por jo në aspektin praktik. Kjo piramidë kriminale ka funksionuar me marrëveshje të pashkruar në mes të politikës dhe sistemit të drejtësisë, duke vepruar në mënyrë hierarkike, pasi që zinxhiri i krimit ka funksionuar në çdo hallkë zinxhirore", theksoi Hidajet Ahmeti. Ai pohon se tani është utopike të mendohet që kriminelët e të korruptuarit ta luftojnë veten, pasi që emërimet e gjyqtarëve e prokurorëve janë bërë nga njerëzit e sojit Grabovci, dhe tash përmes kësaj rruge të shtruar nga njerëz të pushtetshëm, një pjesë e gjyqtarëve e prokurorëve kanë qenë instrument i pushteteve të pasluftës. Prof. dr. Jeton Kelmendi konsideron se në një shtet si Kosova ku drejtësia bën politikë e politika drejtësi, nuk mund të ketë sundim të mirëfilltë ligji. 
 

(Kosova Sot)