Bllokuesi është Hashim Thaçi (Video)

  • 18 July 2017 - 07:41
Bllokuesi është Hashim Thaçi (Video)

INTERVISTË ME ANALISTIN HAKI ABAZIN

Presidenti në shërbim të grupacionit të tij politik

"Kosova Sot": E vetmja mënyrë për ta bërë qeverinë nga PAN-i duket të jetë sigurimi i votave individuale të deputetëve. A besoni sot se Ramush Haradinaj do jetë kryeministri i ri i Kosovës?
Haki Abazi: Jemi në teh të thikës si të themi, për shkak të numrave, të cilët kanë dalë si rezultat i zgjedhjeve, të cilat paraprakisht janë determinuar prej vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila nuk la hapësirë të mjaftueshme nëpërmjet interpretimit pas zgjedhjeve të vitit 2014 dhe në njëfarë forme detyroi partitë e vogla, por edhe partitë të cilat, në rastin konkret PDK-në, e cila ka rënie të jashtëzakonshme gjatë mandatit qeverisës me LDK-në, që për shkak të dështimeve dhe gabimeve hap pas hapi, edhe u pa qartë që hyrja në zgjedhje ka me qenë një dështim, dhe i detyroi partitë që të krijojnë koalicione, apo të mobilizohen për të dalë edhe të vetme, sikur që është rasti i 'VETËVENDOSJES'. Kjo ka sjellë një matematikë shumë komplekse realisht e cila reflekton pabesueshmërinë e qytetarit ndaj partive politike. Edhe pse pamë një zhvendosje mjaft interesante në rritjen e VV-së, pamë një situatë të elektoratit të LDK-së për të mbetur besnik dhe një rënie drastike në PDKnë, gjë që kjo në njëfarë forme ndikoi edhe në rezultatin përfundimtar të PAN-it. Tani duhet kuptuar që edhe elektorati është më i edukuar dhe më i informuar, por nuk pati mundësi që përbrenda ekuacionit në çfarë tentuan në PDK ta hedhin AAK-në për të marrë flamurin e fitores, nuk u arrit ajo si qëllim dhe kjo rrjedhimisht si situatë edhe mundë ta nxjerr Haradinajn si kryeministër, por unë kam thënë edhe më herët se jam shumë i bindur që edhe vetë Haradinaj nuk është i kënaqur me formën për me mujt me pas një qeveri, e cila nuk e ka forcën e veprimit. Në një çështje është se duhet të bëhet nëpërmjet marrëveshjeve të deputetëve, që domosdoshmërisht ata duhet të jenë në marrëdhënie shumë të brishta me elektoratin, sepse votën që ua kanë dhënë nuk ua kanë dhënë për të bërë marrëveshje të tilla, dhe rrjedhimisht ajo që është shumë e rëndësishme nga këto zgjedhje, fituesi kryesor është Lista Serbe, e cila në një rast të krijimit të një qeverie të PAN-it do të kishte fuqi të jashtëzakonshme politike, sidomos për të bllokuar çështjet kritike në agjendën e qeverisëse, të cilat janë prioritet. Ajo duhet filluar me konsolidimin e shtetit, që rrjedhimisht Lista Serbe është e interesuar mos të lejojë që të bëhet, dhe me u pa Kosova si e pamundur për të funksionuar si shtet. Krijimi i ushtrisë është çështja tjetër më kritike, insistimi në krijimin e Asociacionit me shumicë serbe, gjithmonë ka me qenë pjesë e negociatave për çfarëdo lëvizje që do të duhej vota e Listës Serbe. Dhe mandej mendoj që edhe demarkacioni, jo ashtu siç e kemi parë, por edhe në dimensionin për krijimin e një precedenti në krijimin e kufirit me Serbinë, Lista Serbe ka me qenë pretenduese e një situate të tillë. Do të thotë që fatkeqësisht Haradinaj është sjellë në situatën, në të cilën është sjellë, mirëpo krejt kjo ka qenë rrjedhë gati edhe e parashikueshme pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Mirëpo, nuk mund të përjashtojmë edhe skenarin tjetër, kur PAN-i do të dështojë në mbledhjen e votave të mjaftueshme, me të cilën mendoj se do të krijohet një situatë krejtësisht e re, që nuk ka me qenë absolutisht e lehtë. Ne kemi të bëjmë me faktin që presidenti është nga PDK-ja. Dhe është një nga figurat kryesore, e cila ka sjellë deri te përçarja dhe polarizimi i skajshëm në Kosovë. Thaçi nuk njihet për asgjë tjetër përveçse kryeneçësisë dhe idesë që nuk ka lënë partitë që të kenë minimumin e konsensusit për interesat nacionale, dhe tani si president e ka edhe fuqinë për ta dhënë mandatin për të dytin.

Ndërkombëtarët skeptikë ndaj Kosovës

"Kosova Sot": Kuinti doli me një deklaratë, ku la të kuptohej se do të njohë edhe një qeveri minore, me votat e PAN-it dhe minoriteteve e ndonjë deputeti 'tradhtar'. Si e shihni ju rolin ndërkombëtar në këtë situatë?

Haki Abazi: Normalisht që mund të ketë edhe apetite që të riaktivizohet roli i fuqishëm i bashkësisë ndërkombëtare dhe të aktorëve të ndryshëm të bashkë- sisë ndërkombëtare, kështu që unë mesazhin e Kuintit e kuptoj si një mesazh që mos lini vakum politik, e që nuk është strategjike mendoj qasja e tyre ndaj Kosovës, por në fakt është një margjinalizim edhe ndaj problemit të liberalizimit të vizave, kur e kemi rastin e Ukrainës që e ka një pjesë të aneksuar nga Rusia, kemi jostabilitet të përgjithshëm dhe iu është dhënë liberalizimi i vizave, kurse është Kosova që nuk ka pasur asnjëherë problem me Malin e Zi, në asnjë formë përkundrazi ka qenë në raporte të mira edhe gjatë luftës, kur Mali i Zi i ka strehuar disa prej refugjatëve nga Kosova, dhe tani është paraqitur si krizë artificiale, e cila është e pakuptimtë absolutisht. Mirëpo bashkësia ndërkombëtare ka pasur një tendencë që ta arsyetojë mosgatishmërinë e vet për ta trajtuar Kosovën në një formë si të barabartë me Serbinë dhe vendet e tjera të rajonit. Është paradoksale është gati gati racist fakti që Kosova është i vetmi vend dhe populli i saj është i vetmi në kontinentin e Evropës, që nuk lëvizin lirshëm. Në fakt përmbrapa kemi 5 vendet që nuk e kanë njohur Kosovën, e që institucionet e Kosovës me hyrjen në dialog u kanë dhënë edhe një justifikim tjetër që ata kanë vazhduar ta mbajnë dhe rrjedhimisht i bënë fajtor të dyja anët, por unë mendoj që lidershipi politik i Kosovës është fajtori kryesor, pasi që vazhdimisht ka shkuar në Bruksel dhe vazhdimisht është angazhuar, por është kthyer me duar thatë nga negociatat që janë bërë deri më tani.

"Kosova Sot": Me një president që ende frymon e punon me ish-partinë e tij, a ka gjasa në rast të ndonjë dështimi të mandatarit të parë, shansi t'i jepet mandatarit të dytë, qoftë nga LDK-ja apo VV-ja?

Haki Abazi: Unë mendoj që, sikur që e thashë edhe më herët, që një ndër fytat e ngushtë të zhvillimeve në vend dhe të pengesave kryesore për ecjen tutje është pikërisht presidenti, i cili është zgjedhur me një proces joinstitucional, me trysni të jashtëzakonshme, dhe me vetëdije të plotë që partneri në atë kohë në koalicion LDK-ja, e cila ia ka dhënë votat, do të tradhtohet gjatë procesit të mëtejmë. Do të thotë që qëllimi ka qenë që ai të bëhet president dhe qëllimi nuk ka qenë unifikimi i institucioneve. Kjo rrjedhimisht në hapat politikë tregon që arsyeja pse janë bërë këto lëvizje, duke lëvizur prej kryetarit të partisë dhe të kryeministrit në presidencë ka qenë zënia e një pozicioni kushtetues, i cili realisht është garanci për të mbajtur edhe fuqinë politike. Kjo e bën edhe nivelin e pamundur që Thaçi t'ia japë mandatin qoftë LDK-së qoftë VV-së apo edhe një kandidati konsensual, që mund të dalë nga një marrëveshje pikërisht për shkakun se kjo do të shënonte shpërbërjen e fuqisë politike që një grup i PDK-së e ka mbi jetën politike, ekonomike dhe në marrëdhëniet ndërkombëtare etj. Unë e shoh të pamundur, që një president si Thaçi në rolin e tij dhe traditën e veprimit, që me dorën e tij të japë realisht një dritë të gjelbër për ta kaluar fuqinë politike diku tjetër.

Mimoza Kusari e Ilir Deda si kameleonë

"Kosova Sot": Si shpjegohet që në këto zgjedhje nuk pati alternativa të reja. Edhe ato pak lëvizje që u vunë re, përfunduan në gjirin e partive më të mëdha, por të degraduara dhe në rënie. A është momenti për një parti të re nga e para, të pastër që t'u jepet mundësia votuesve të kenë një adresë për votën e tyre?

Haki Abazi: Unë nuk mendoj që ka pasur alternativë të re në këto zgjedhje. Kemi pasur një tendencë nga dy njerëz, të cilët si kameleon në parti politike kanë tentuar për t'u transformuar, që është alternative, por i kemi që të dy nga këto personalitete, që kanë bërë vetëm premtime, por në fakt nuk e kanë artikuluar as programin as qëndrimin, por edhe infrastrukturën e partisë nuk kanë arritur ta sjellin deri në masën ku duhet. Çfarë kanë bërë në fakt... kanë kapitalizuar përbrenda një situate emergjente, e cila u krijua pas rrëzimit të qeverisë nga ana e PDK-së dhe në njëfarë forme arritën ta kapitalizojnë atë pak potencial politik që e kanë të dy personalitetet përbrenda, duke u futur brenda për brenda LDK-së. Kemi pasur edhe një lëvizje të madhe të intelektualëve, të pjesëtarëve të shoqërisë civile, gazetarë, gjë që unë mendoj se është e natyrshme t'ju them të drejtën, sepse parapërgatitja për politikë është shumë më e sigurt kur bëhet në një territor neutral, i cili mund t'u japë mundësi njerëzve dhe individëve të ndryshëm, që të kenë lëvizje dhe këtu pamë që brenda LDK-së këta njerëz u mirëpriten dhe kanë marrë pozicione lartë në listat e zgjedhjeve. Në anën tjetër kur është fjala nëse ka hapësirë për parti të re apo jo, unë mendoj që gjithmonë ka. Ne kemi vetëm një numër të caktuar të partive politike, që janë profilizuar deri në fund, për të kristalizuar ofertën e tyre, ndërsa kemi një fluks të madh të njerëzve, të cilët kanë arritur në një masë kur nuk e kuptojnë kontratën me partitë politike për shkak se ato nuk e kanë dhënë atë kontratë, ende nuk e kemi të qartë për agjendën që duhet të ecet përpara.... Ne nuk kemi ende sistem përfaqësues, i cili e lejon pjesëmarrjen e qytetarit gjatë gjithë kohës në vendimmarrje. Kosova duhet të përfundojë njëherë e përgjithmonë fazën e të qenit një zonë elektorale, sepse ta zëmë një qytetar në skajin e Kosovës që ballafaqohet me shumë probleme është i detyruar të votojë për një kandidat që është lider. Mirëpo, përgjatë katër viteve mandat-lideri e ka të pamundur realisht, e ndonjëherë mungon edhe vullneti politik që t'i adresojë pikërisht problemet e atyre njerëzve të cilët e kanë votuar. Duhet të kthehemi që së paku secila komunë të jetë zonë zgjedhore dhe qytetari ta dijë mirë se kujt do t'ia japë votën dhe ndaj kujt do të kërkojë llogaridhënie gjatë mandatit të plotësimin dhe adresimin e problemeve të veta. 
 

(Kosova Sot)