Hapja e dosjeve do ta tronditë Kosovën

  • 22 July 2017 - 07:38
Hapja e dosjeve do ta tronditë Kosovën

Çështja e spiunëve të UDB-së dhe hapjes së dosjeve është bërë temë tabu në Kosovë. Edhe pse Kosova po mbush dy dekada nga çlirimi prej ish-regjimit serbo-sllav dhe tani funksionojmë si shtet i pavarur, asnjëra nga partitë politike, që po fitojnë ulëse ne Kuvendin e Republikës, nuk po e ngrit si temë serioze hapjen e dosjeve, për të zbardhur urgjentisht se kush ishin dhe janë edhe sot spiunë të UDBsë dhe BIA-s serbe në Kosovë. Këtë vazhdim të lënies në "harresë" të një teme të tillë, njohësit e kësaj fushe dhe analistët e politikës e shohin si "harresë" të qëllimshme, pasi që akoma nëpër vetë strukturat e partive politike ka njerëz të ish-regjimit, madje të atillë që edhe kanë punuar shumë në dëm të interesit nacional, kurse tani sikur janë heshtur dhe transformuar në realitetin e ri politik, por që nuk ju dihet saktë- sisht prapaskena e veprimit të tyre. Njohësi i fushës së sigurisë, Naim Miftari, thotë se ky proces nuk po shtyhet përpara, sepse janë vetë subjektet politike, të infektuara nga ish-mbeturinat e UDB-së, por edhe të BIA-s serbe, prandaj shpesh, sipas tij, në opinion dëgjohen edhe arsyetimet se gjoja dosjet e tilla paraprakisht janë shkatërruar asgjësuar nga ish-regjimi serb në kohën e largimit nga Kosova.

Image

 

Serbia i përdor bashkëpunëtorët e njëjtë

Sipas Miftarit, po thuhet se dosjet e UDB-së kinse janë djegur gjatë luftës e storie të tjera çka nuk janë të vërteta, pasi kanë ekzistuar dy qendra që pas 1981 e menaxhonin Kosovën në nivel të sigurisë shtetërore të Serbisë, ato ishin Beogradi dhe Nishi, ishin kohëra kur Serbia mbante ndikimin federativ dhe autonom të Kosovës. "Është e kuptueshme pse Serbia nuk i hap dosjet, pasi i përdor akoma ata bashkëpunëtorë, por edhe i shantazhon ish-bashkëpunëtorët e vet që sot kanë fjalën kryesore në disa institucione , në politikë dhe ekonomi, pasi askush sot nga ne nuk e mendon faktin pse Kosova sot është e lidhur ekonomikisht me armikun tonë, pse jemi të varur ekonomikisht dhe politikisht nga armiku shekullor, nga Serbia edhe sot!", theksoi ai "Partitë politike vendore nuk e kanë mendjen të kërkojnë të hapen dosjet, pasi nuk dihet aspak se deri ku shkon ndikimi serb te disa liderë politikë. Jam shumë i bindur se po të hapeshin dosjet e UDB-së e BIA-s do të kishim tjerë kryetarë të shtetit, tjerë kryeministra dhe tjerë ministra, pasi nivel i ndikimit të UDB-së shkon deri te krerët e shtetit tonë, prandaj Kosova sot është si është e varfër e izoluar, e etiketuar si çerdhe e shtetit islamik ISIS, ALNUSRA...dhe mbi të gjithat Kosova sot është si shtet karikaturë jofunksional, ku ligji vlen vetëm për të varfrit dhe për kriminelët e nivelit shumë të ulët", tha Naim Miftari për "Kosova Sot". Ai ka rikujtuar se si në vitin 1999-2000 në një rast G2(UÇKTMK) depërton thellë në një kanal të sigurimit serb dhe me një lloj shantazhi ....arrin t'i kapim një numër dosjesh dhe material të sigurimit serb dhe disa gjëra që kanë qenë befasuese, që me vite janë marrë me rezervë dhe janë analizuar edhe në terren, ku shumica kanë dalë të vërteta dhe sot, sipas tij, në vitin 2017, shumica e atyre që ishin pjesë e atij operacioni janë vrarë, likuiduar në mënyra të ndryshme.

Spiunët mund të kenë edhe pozita të larta

Analisti dhe publicisti Naim Kelmendi thotë se çështja e spiunëve të UDB-së dhe hapja e dosjeve është ngritur disa herë dhe në të vërtetë sa herë është kërkuar që të hapen dosjet për t'u njoftuar opinioni se kush ishin bashkëpunëtorët e ish-UDB-së famëkeqe e mbase edhe tash të BIA-s serbe në Kosovë, çdoherë është mëtuar që të heshtet kjo çështje, kinse në interes të publikut, dhe krejt kjo është penguar nga partitë politike në pushtet dhe nga akëcilët liderë partish apo edhe persona publikë, me arsyetimin e pabazë se do të krijonte konfuzion për publikun hapja e dosjeve. Mirëpo, ai thotë se kjo duhet të ndodhë sa më shpejt, aq më mirë, për interesin e shtetit dhe të shoqërisë së re kosovare. "Është më se e dobishme për vetë shoqërinë dhe proceset e saj që të hapen dosjet dhe kështu të dihen për opinionin se kush ishin spiunët dhe bashkëpunë- torët e UDB-së dhe sigurisht edhe sot e tutje ka të atillë që janë edhe spiunë të BIA-s serbe. Mbase ekziston dyshimi se akëcilët edhe janë në pozita të larta shtetërore e institucione të shtetit. Pra, a është mirë që të tillët të dihen se kush janë dhe do të duhej që të mos jenë në institucione të shtetit, as nëpër pozita me përgjegjësi shtetërore", potencoi ai . "Tani partitë politike dhe politikanët kanë përgjegjësi për këtë temë, ngase sikur është bëre tabu temë hapja e dosjeve të UDB-së e që është e dëmshme për vetë shoqërinë tonë në tranzicion. Mbase spiunë dhe bashkëpunëtorë të UDB-së dhe BIA-s janë infiltruar edhe nëpër partitë politike dhe rrinë rehat, pa i ditur dhe pa i njohur opinioni për veprimtarinë e tyre të mëhershme të spiunimit", tha Naim Kelmendi për "Kosova Sot".

Image

 

Duhet formuar komision i posaçëm

Eksperti i fushës së të drejtës, Blerim Burjani, thotë se për t'u marrë me këtë temë do të duhej krijuar komision i posaçëm ndërqeveritar e parlamentar, por është spektri politik i gjerë, pozitë e opozitë që nuk ka vullnet ta hapë fare këtë temë. "Kjo temë asnjëherë derisa sot nuk është hapur as me iniciativë të Kuvendit të Kosovës dhe as nga qeveria. Ka shumë arsye, për të cilat duket që kjo klasë politike mos t'i hapë dosjet, për çka nuk pasur ndonjë interesim as debat për hapjen e tyre", është shprehur ai. "Arsyet mund t'i dijë më së miri kjo klasë politike aktuale sepse askush, pra as kuvendi, i cili do të duhej të formojë një komision për dosjet këtë nuk e ka bërë, madje as iniciativë nuk ka ndërmarrë, në një kohë do të duhej bërë edhe zbardhjen e këtyre dosjeve", vijoi më tutje Burjani. "Kjo çështje varet nga kuvendi dhe qeveria e ardhme. Deri tani madje as nuk ka mbledhje të të dhënave, asgjë pra s'ka si veprime konkrete, madje fare nuk ka tash për tash sinjale", tha Burjani për "Kosova Sot".

Image

 

Kosovës i mungojnë shtetarët dhe patriotët

Politologu Gurakuq Kuqi pohon se shteti i Kosovës, fatkeqësisht nuk ka shtetarë që do t'i mundësonin një shtet-ndërtim normal, që janë njerëz me të kaluar të pastër, të interesuar për zhvillimin e Kosovës, prandaj edhe mbajnë peng kalimin e proceseve, edhe të kaluarën në kurriz të së ardhmes, dhe nuk mbrojnë interesat shtetërore, për t'i vendosur para çdo sfide apo interesi partiake, klanore dhe personale. "Pra, politikës së Kosovës për momentin i mungojnë shtetarët dhe patriotët. Mos hapja e dosjeve për spiunët e UDB-së është një nga ato çështjet që e mban peng të kaluarën në kurriz të së ardhmes, pasi kështu ata me mendësinë dhe lidhjet e vjetra vazhdojnë të mbesin në pushtet duke sjellë një kapje, ngërç zhvillimor dhe influenca të huaja brenda vendit. Të tillët kanë një përvojë dribluese dhe aftësi për të mbajtur pushtetin dhe për t'u mbledhur bashkë me kastën e politikanëve të dalë pas '90 dhe '99 për të kriminalizuar shtetin, ku spiunët u bëjnë argatin agjencive të tyre, ndërsa politikanët e Kosovës për ta kriminalizuar vendin", potencoi ai. "Këta njerëz të të dy grupeve gjenden në institucionet, partitë politike, shoqërinë civile, bizneset dhe kudo, andaj nuk ka asnjë vullnet nga partitë politike dhe qeveritë që ato ndërtojnë, sepse janë bashkë tani në këtë kauzë. Zbardhja e së kaluarës për të hequr kastat që dëmtojnë shtetin dhe qytetarët e Kosovës, është një çështje sa urgjente aq edhe e parealizueshme tani për tani", tha Gurakuq Kuqi për "Kosova Sot".

........ Vazhdon

Më gjerësisht lexoni numrin më të ri të gazetës Kosova Sot