Konfiskohen dru e bagëti, por jo pasuritë e shtrenjta të zyrtarëve

  • 25 July 2017 - 08:14
Konfiskohen dru e bagëti, por jo pasuritë e shtrenjta të zyrtarëve

TRAFIKIMI I DREJTËSISË, BURIM PASURIMI I PALIGJSHËM

"Shpesh dëgjojmë raportime për sasinë e pasurisë së sekuestruar, por jo për pasurinë e konfiskuar, nëse edhe konfiskojnë ndonjë pasuri, duhet kuptuar se konfiskohen bagëti, dru e maksimalisht ndonjë automjet", u shpreh Hasan Preteni

Prokurorët dhe gjyqtarët e korruptuar po amnistohen

Analistët dhe njohësit e fushës së drejtësisë thonë se neglizhenca e Prokurorisë së Shtetit për të hetuar gjyqtarët dhe prokurorët, por edhe policët hetues si shkelës të ligjit dhe kur këta pasurohen në mënyrë të paligjshme, e vë në pikëpyetje vetë funksionin dhe obligimin ligjor të prokurorisë. Ndaj, së këndejmi është shtruar edhe çështja se përse nuk hetohen gjyqtarët dhe prokurorët, por edhe policët hetues milionerë? Po ashtu pse Prokuroria e Shtetit, e cila ka autoritetin e plotë, heziton dhe nga kush frikësohet e pengohet për ta bërë punën e vet në dobi të shtetit dhe kundër shkelësve të ligjit në gjyqësor, prokurori e polici, kur ata shkelin ligjet!? Analisti Naim Kelmendi, në një prononcim për gazetën "Kosova Sot", ka thënë se neglizhenca e Prokurorisë së Shtetit për të hetuar gjyqtarët dhe prokurorët, por edhe policët hetues si shkelës të ligjit dhe kur këta pasurohen në mënyrë të paligjshme, tregojnë se vihet në pikëpyetje vetë funksioni dhe obligimi ligjor i vetë prokurorisë, derisa ajo ka autoritetin e plotë që të hetojë shkelësit e ligjit qoftë edhe prokurorë, gjyqtarë e policë hetues, derisa ka indicie për kryerje të veprave të kundërligjshme për të ngritur hetimet ndaj shkelësve të ligjit të këtyre kategorive, pavarë- sisht pozitave dhe niveleve të tyre, ngase Prokuroria e Shtetit do të duhej që në çdo rast ta bëjë punën e vet në dobi të shtetit. "Përndryshe nuk ka asnjë arsye që prokuroria t'i heshtë rastet e shkelësve të ligjit, qoftë në gjyqësor, prokurori apo në polici, ngase kështu nuk mund të jetë më në funksionin dhe kompetencat e saj ligjore", u shpreh analisti Naim Kelmendi.

Sinjalet e dështuara të 2016-s

Hasan Preteni, nga "Qendra për etikë, transparencë dhe integritet", thotë se nuk ka vullnet politik, mungon legjislacioni, që kishte me mundësuar vërtetimin e prejardhjes së pasurisë, që baza e provës të kalon te individi, derisa në anën tjetër, sipas tij, prokuroritë nuk lëvizin në asnjë mënyrë jo vetëm t'i dënojnë ata që kryejnë vepra penale, por që në asnjë rast nuk konfiskuan pasurinë e atyre, që pasurinë e fitojnë në mënyrë të paligjshme. "Shpesh dëgjojmë raportime për sasinë e pasurisë së sekuestruar, por jo për pasurinë e konfiskuar, nëse edhe konfiskojnë ndonjë pasuri duhet kuptuar se konfiskohen bagëti, dru e maksimalisht ndonjë automjet", u shpreh ai. "Në fillimin e vitit 2016 u shfaq një lloj vullneti nga Prokuroria e Shtetit që të vërtetojë- kontrollojë pasurinë e disa zyrtarëve, bashkëpunuam në atë kohë, por kjo zgjati vetëm 10 ditë, prokurorët dërguan sinjale se kishin për qëllim që në shënjestër t'i kenë disa zyrtarë që në atë kohë ishin në opozitë, t'i shërbejnë politikës, ata në pushtet i informuan për dyshimet kurse ndaj atyre në opozitë t'i hapin hetimit, gjithçka dështoi", theksoi për gazetën "Kosova Sot" Hasan Preteni, nga 'Qendra për etikë, transparencë dhe integritet'. 

Zyrtarët krijuan pasuri të pajustifikueshme

Profesori i së drejtës, Riza Smaka, ka veçuar se fakti që brenda një periudhe krejt të shkurtër një numër i konsiderueshëm i personave që ushtrojnë funksione publike të larta në politike, qeveri administratën publike në sistemin e drejtësisë, etj., del se vetëm format korruptive të degraduara ilegale dhe të mafiozitetit e kanë mundësuar një gjendje të tillë, përderisa vendi ynë është i varfër nuk kemi industri, produktiviteti është i ulët, po ashtu nuk ka kompani prodhuese profitabile dukshëm pos këto të tregtisë, që bëjnë blerje dhe shitje në disfavorin e konsumatorit gjithmonë nga dora e dytë, e tretë etj, në njërën anë derisa. "Në anën tjetër personat e lartcekura që ushtrojnë funksionet e sipërpërmendura janë stërpasuruar në mënyrë irracionale, duke krijuar pasuri që nuk mund të justifikohet me asgjë, del se është imperativ imediat që të bëhet një ligj për origjinën e pasurisë dhe të zbatohet ky ligj dhe le të konstatohet origjina, pra origjinaliteti dhe legaliteti dhe konform me ligjin do duhej ndërmerreshin masa rigoroze në favorin e interesin publik nëpërmjet kësaj dhe ndëshkimeve penale të atyre që kanë abuzuar me asetet publike", spikati për gazetën "Kosova Sot" profesori i së drejtës Riza Smaka. ..(Më gjërësisht mund të lexoni në numrin e sotëm në gazeten Kosova Sot)

(Kosova Sot)