"Kali i Trojës'', drejt PAN-it

  • 25 July 2017 - 07:53

QEVERIA E RE MUND TË FORMOHET PAS DEZERTIMEVE NË LAA

Behgjet Pacolli, "çelësi" i numrave të shumëkërkuar

"Pres nga LAA-ja, në ditët e ardhshme, lëkundje dhe thyerje, në mënyrë që Qeveria nga PAN-i të ndërtohet. Këtu më së afërmi është grupi rreth Pacollit, i cili kurrë nuk ka pasur interesa nacionale dhe shtetërore, përveç atyre ekonomike dhe financiare", theksoi profesor Muhamet Kelmendi
Derisa është caktuar afati i skajshëm ligjor për seancën konstituive të Kuvendit të Kosovës, si blerje kohe e sigurimit eventual të votave për Qeverinë e koalicionit PAN, analistët politikë shohin se tani veç kanë filluar edhe lëkundjet indirektë në koalicionin LAA, pikërisht me deklarimet e disa ditëve më parë të "Kalit të Trojës" ( Behgjet Pacolli), i cili e pati hedhur gjoja rastësisht idenë e tij për një lloj marrëveshje kinse "historike", e cila, sipas tij, do të kurorëzohej me një "bashkim" të të gjitha partive në Kosovë për të formuar një plan të veprimit njëvjeçar qeverisës që, përveç administrimit të përditshëm, do të përfshinte edhe temat më të rëndë- sishme për vendin, pa i specifikuar ato. Këto lëkundje mund të bëjnë që të çahet përfundimisht koalicioni LAA dhe të jenë pikërisht deputetët e Pacollit ata që të parët do të fluturojnë ne përqafim të PAN-it, që për joshje pushteti e përfitimi nga PAN-i t'ia kthejnë edhe de fakto shpinën LDK-së dhe ta votojnë Qeverinë e koalicionit "Pronto" vetëm për pazare e zhvatje të mëdha kriminale për të cilat kreu i AKR-së tradicionalisht është i njohur deri më tani.

Koalicioni kontradiktor

Sipas prof. Muhamet Kelmendit, një lëvizje e tillë e papritur e çasteve të fundit mund të ndodhë brenda koalicionit LAA, pasi është e ditur se koalicionet në Kosovë janë ndërtuar pa parime dhe pa ndonjë program politik të bashkëpunimit. "Si koalicioni PAN, ashtu edhe koalicioni LAA, janë koalicione të interesit dhe të mbështetura në qëllime për të fituar votat dhe për të krijuar mundësi të marrjes së pushtetit. Dua të them se në kuadër të koalicionit LAA ka kontradikta të thella dhe pikëpamje të ndryshme mbi çështjet jetike për qytetarët. Në LAA ka djathtistë, republikanë, liberalë, konservatorë, socialdemokratë, hipokritë, elemente të ish-regjimit, njerëz të përfitimeve, përkatësisht përfitues të mëdhenj, ndaj edhe luhatjet janë të logjikshme", tha Kelmendi për "Kosova Sot". Sipas tij, profiterët e bashkuar në LAA janë bërë bashkë dhe ata e dinë se pa pushtet nuk ka përfitime ekonomike dhe financiare; nuk ka tenderë dhe vende pune nga pushteti për përftime kapitale të mëdha, dhe kjo mund të jetë arsyeja e tronditjes së madhe në LAA në ditët në vijim. "Nga ky aspekt edhe pres nga LAA-ja, në ditët e ardhshme, lëkundje dhe thyerje, në mënyrë që Qeveria nga PAN-i të ndërtohet. Këtu më së afërmi është grupi rreth Pacollit, i cili kurrë nuk ka pasur interesa nacionale dhe shtetërore, përveç atyre ekonomike dhe financiare", theksoi Kelmendi.

ë kacavirresh në pushtet

Analisti politik Skënder Mulliqi, duke e parë këtë opsion si real që mund të ndodhë në orët e fundit, thotë se realisht, motivi kryesor i Pacollit gjithmonë ka qenë pushteti, prandaj lakmia për pushtet mbetet edhe tani arsyeja e vetme e kacavjerrës në politik dhe koalicion me LDK-në ."AKR-ja, pas largimit të disa personalieve të njohura publike nga kjo parti , ndër ta edhe të Mimoza Kusarit- Lila, dhe largimit të disa degëve nga ky subjekt politik, e ka sjellë në zgrip Pacollin që në zgjedhje si e vetme AKR-ja mos ta kapërcejë as pragun zgjedhor. Prandaj, i vetëdijshëm për këtë punë, ai edhe vendosi pa një pa dy, siç thonë, të lidhë koalicion më LDK-në dhe Alternativën", u shpreh ai. "Pacolli ishte pjesë e Qeverisë 'Thaçi' dhe kishte një kohë edhe postin zëvendëskryeministrit të shtetit. Edhe pas këtyre zgjedhjeve nacionale, Pacolli e ka logjikën e njëjtë. Sigurisht se synim i tij është që me anë të pushtetit edhe t'i arrijë objektivat në politikë dhe në biznes. Pacolli po proklamon koalicion të gjerë si gjoja "marrëveshje historike" , duke dhënë arsyetime të paqëndrueshme politike. Ai më shumë aludon në një Qeveri të formës teknike, duke mos dhënë arsyetime të detajuara se si do të funksiononte ajo", tha Mulliqi për "Kosova Sot".

Deklarimet e liderit të AKR-së, demagogji

Edhe analisti Florim Zeqa konsideron se me t'u lidhur koalicionet parazgjedhore, gjegjësisht koalicioni LDK-AKR-A, për ata që i kanë përcjellë opinionet të tij, e ka thënë se do të ketë tradhti brenda LAA-së. "E kam thënë se AKR dhe Alternativa nuk kanë hyrë në koalicion për të ndihmuar LDK-në, por për të rritur pazarin e tyre paszgjedhor me PANin. Pikërisht ashtu po u vjen përfundimi këtyre dy subjekteve satelite të PDK-së. Andaj, deklaratat e Behgjet Pacollit nuk e befasojnë askënd, janë të pritshme dhe të natyrshme, sikurse që është e pritshme edhe bashkëngjitja e "Alternativës" me PAN-in, gjegjësisht e mercenares Mimoza Kusari, e cila për privilegje të pushtetit qendror i tradhtoi qytetarët e Gjakovës, e të mos flasim për Ilir Dedën, i cili pas arratisjes nga VV-ja ka mbetur, siç thotë populli, "as mish, as peshk"", potencoi ai. "Kështu, pra, në ditët në vazhdim pritet të ndodhë krijimi i Qeverisë së re (vjetër) me partnerë të rinj të spektrit politik shqiptar, bashkë me Listën Srpska dhe minoritet e tjera. Qeveria e ardhshme, edhe pse e kufizuar në numra, do të ndjehet komode në qeverisje, shkaku i opozitës heterogjene LVV-LDK, të cilat, edhe pse e përbëjnë shumicën shqiptare në Parlament, do të mbeten të pafuqishme në veprimet e tyre, shkaku i dallimeve skajshmërisht të kundërta ideologjike dhe programore", tha Zeqa për "Kosova Sot". Sipas tij, deklarimet e Pacollit për një qeverisje gjithëpërfshirëse, s'janë gjë tjetër, veçse demagogji e radhës në prag të lidhjes së marrëveshjes me PAN-in, pasi ai i di fort mirë rrethanat politike, respektivisht pamundësinë e përafrimit të VV-së me PAN-in, dhe mosinteresimin e PAN-it për ta marrë përsëri në bashkëqeverisje LDK-në e Isa Mustafës. "Pas deklaratave të Pacollit për "bashkim" të spektrit politik në qeverisjen e vendit, fshihen ambiciet e tij personale dhe motivet biznesore, për shtrirjen e rrjetit të bizneseve gjithandej vendit, ashtu siç është shtrirja gjeografike e krahëve të luftës", u shpreh më tutje ai. 

Taktizimi për më shumë pushtet

I bindur se në momentin më kritik, Pacolli do t'i bashkohet PAN-it është edhe analisti Ymret Reshiti. "Po. Ajo që i bashkon në këtë rast Ramush Haradinajn dhe Bexhet Pacollin është ambicia e tyre që me qenë në pushtet pa marrë parasysh se me cilin subjekt politik ose program politik. Kjo më shumë është marrëveshje taktike sesa" marrëveshje historike". Behgjet Pacolli me këtë ide vetëm po taktizon dhe po ia rrit pazarin partisë së tij në koalicion qeverisës me PAN-in. Marrëveshjet historike nuk bëhen për çështje teknike, por për çështje madhore. Në këtë rast nuk është çështje madhore formimi i Qeverisë së Kosovës, sepse nëse PAN-i nuk e formon Qeverinë janë dy partitë e tjera, LVV dhe LAA, që i kanë numrat e sigurt për formimin e Qeverisë, gjithsej 61 deputetë", është shprehur ai. " Nuk mund të jetë "marrëveshje historike" funksionimi i një Qeverie me mandat 1-vjeçar. Por, as nuk mund të jetë prioritet i një " marrëveshjes historike " as çështja e ndryshimit të Kushtetutës së Kosovës për të mundë- suar zgjedhjen e drejtpërdrejtë të presidentit të shtetit nga vota e qytetarëve dhe për shtim të kompetencave ekzekutive, duke ia zhveshur ato Qeverisë. Pas kësaj ideje fshihen ambiciet e "përhimëta" të Behgjet Pacollit dhe Hashim Thaçit", tha Reshiti për "Kosova Sot" .

"Marrëveshja historike"

Reale e sheh tradhtinë e Pacollit ndaj LDK-së edhe analisti Gani Qarri. "Që në fillim më duhet të cek se AKR-ja e Pacollit përfaqësohet me katër deputetë. Numër i mjaftueshëm ky, i cili nëse voton për koalicionin PAN, do t'ia mundësonte z.Ramush Haradinaj që me mbështetjen e Listës Serbe dhe minoriteteve pjesëmarrëse në Kuvend, të grumbullonte votat e nevojshme për krijimin e Qeverisë. Ndaj, si takimi me ambasadorin amerikan Delawie, ashtu dhe vetë hedhja e idesë me kaq ngutje nga z.Pacolli për një, siç thotë ai, "Marrëveshje Historike", bërë publike së fundi edhe përmes një shkrimi autorial, bënë të njohura shenjat e para se ai vetëm pret rastin e përshtatshëm që me arsyetimin për ta formuar Qeverinë e re dhe nxjerrja e vendit nga kriza e mëtejme politike, t'i bashkohet koalicionit PAN dhe të largohet nga koalicioni me LDK-në", u shpreh ai. "Kjo pritet të ndodhë edhe për faktin se disa nga drejtuesit kryesorë të AKR-së, që nga fillimi ishin për bashkim me koalicionin PAN, vendim të cilin për pushtet dhe interesa partiake, flitet se do ta ndërmarrë edhe Kryesia e Partisë dhe të vendos që t`ia kthejë shpinën LDK-së, e lëviz nga koalicioni LAA, drejt koalicionit PAN, me arsyetimin "për mosçuarjen e vendit në zgjedhje të reja", dhe kurorëzimin "fenomenal" të një "bashkim" të të gjitha partive në Kosovë për të formuar një plan,siç shprehet z.Pacolli, "të veprimit njëvjeçar" të Qeverisë", theksoi Qarri për "Kosova Sot". Ai konsideron se lëvizjet e AKR-së mund të jenë të besueshme edhe për faktin se shumica e anëtarëve të Kryesisë së kësaj partie, qysh në fillim kanë shprehur dëshirën për të dalë nga koalicion me LDK-në dhe tregu të gatshëm që t'i bashkohen koalicionit PDK-AAKNisma, përderisa dihet mirë se edhe vetë Pacolli ka ambiciet dhe motivet e tij personale për t'u bërë pjesë e Qeverisë së re.

Manipulimi i PAN-it

Për analistin Gurakuq Kuqi, në këto qaste akoma është gjithçka hipotetike, sepse ka zvarritja të gjatë të konstituimit të Kuvendit që vjen pikërisht nga frika e pamundësisë së votimit të kabinetit qeveritar të PAN-it. "PAN-i është duke manipuluar me publikun, deputetë dhe subjektet e tjera politike, të cilët më pastaj po e demantojnë, e gjithë kjo një propagandë, e cila dëshiron të shtyjë subjektet e tjera politike apo deputetë, që të bëhen pjesë e PANit vetëm për hir të stabilitetit, e realisht është një grackë që si duket nuk po arrin të gjejë kurthues, sepse askush nuk e do PDK-në, e cila është një xhelat i pabesë politik", theksoi ai. "Menjëherë pas zgjedhjeve, Qeveria gjithëpërfshirëse ishte një mundësi e mirë, por ky opsion u tregua i keq për faktin se propozimi nuk erdhi për një kryeministër nga elita akademike apo shoqëria civile, por nga politika dhe u propozua nga ata të cilët janë treguar vetëm shqyes të të mirave të pushteti, dhe se nuk do arrihet asgjë e mirë. Pra, shumë tema me rëndësi nuk do të mund të kalonin as me Qeveri gjithëpërfshirëse, sepse kur kërkohet shumica e dyfishtë, Lista Serbe mund të bllokojë. Për më keq, janë të njëjtët njerëz që kanë mundur të bëjnë të gjitha reformat e nevojshme, por nuk u ka konvenuar, për shkak të interesave personale", potencoi Kuqi. "PAN-i, apo më mirë të themi vetëm AAK-ja, njëherë deklaruan se i kanë votat, ndërsa tani po thonë se janë në proces të sigurimit. Kjo tregon se kanë filluar ta humbin edhe koordinimin e brendshëm, duke na lënë në dispozicion për një të mirë gjysmake të Kosovës, tri opsione: E para, AAKNisma të dalë nga koalicioni PAN dhe të bashkohet me VV-në dhe LA-në. Opsioni i dytë, që mandati për formimin e Qeverisë të kalojë pa obstruksione nga Presidenti, nga PAN tek partitë apo koalicionet e tjera. Dhe e treta, që të shkojmë në zgjedhje të reja së bashku me ato lokale, që do ta vriste demokracinë", tha Gurakuq Kuqi për "Kosova Sot".
 

(Kosova Sot)