Kalbet shteti, shkelen qytetarët

  • 26 July 2017 - 07:47
Kalbet shteti, shkelen qytetarët

PASOJAT E RËNDA TË KAPJES SË REPUBLIKËS

Të drejtat njerëzore po nëpërkëmben nga zyrtarë

"Gjykatat dhe administrata publike e shtetit gjithë këto vite janë të stërmbushura me të deleguar e të instaluar të politikës korruptive e të oligarkëve të krimit, e që në të vërtetë nuk denjojnë të respektojnë as të drejta, as norma të garantuara me ligj ndaj të drejtave dhe lirive të njeriut, por edhe më keq, nuk denjojnë të 'sundojnë' dhe të qëndrojnë edhe 'mbi ligjin'", potencoi Naim Kelmendi
E dhe pse këtë e mohojnë në mënyrë kategorike, analistët e fushës së drejtësisë dhe ligjërues universitarë të po kësaj fushe janë të mendimit njëzëri se shkelësit më të mëdhenj të të drejtave të njeriut, pra të të gjithë qytetarëve në Kosovë, nga mosefikasiteti i punës së tyre po vazhdojnë të jenë gjykatat dhe administrata publike e shtetit në të dyja nivelet. Së këndejmi, ata e shtrojnë çështjen për diskutim se si mund të pretendojmë se mund të zhvillohemi si shtet, kur të dy institucionet më kryesore në Kosovë, pra siç janë gjykatat, përkatë- sisht sistemi i drejtësisë, por edhe administrata publike e shtetit në të dyja nivelet, komunat dhe Qeveria shkelin " mizorisht" me të dyja këmbët e pandalshëm në baza ditore të drejtat e njeriut. Ndaj, analistët dhe profesorët universitarë me të drejtë pyesin se a është pikërisht arsyeja pse kjo ndodh, pasi të dyja këto institucione, si gjykatat ashtu edhe administrata publike e shtetit, janë të stërmbushura me të deleguar e instaluar të politikës korruptive dhe mafio- oligarkëve të krimit të organizuar, e të cilët realisht nuk gjykojnë dhe as vendosin drejt e me ligj, por "sundojnë" duke dalë "mbi ligjin" në institucionet e gjykatave dhe në administratën publike të shtetit, ku dyshohet se janë instaluar kriminalisht dhe pa ligj?

Kriminalizimi i institucioneve

Analisti Naim Kelmendi, në një prononcim për gazetën "Kosova Sot", ka thënë se vetëm konstatimi se gjykatat dhe administrata publike bëjnë shkeljen më të madhe të të drejtave të njeriut është fakt shqetësues për vetë gjendjen ekzistuese të këtyre institucioneve, njërit atij të drejtësisë e tjetrit, atij të administratës publike të shtetit të të dyja niveleve, komunat dhe qeveria, derisa, siç tha, kjo d.m.th se jo vetëm se shkelen të drejtat e njeriut, por ato thuajse fare nuk respektohen. Sipas tij, fatkeqësisht kjo përkon me degradimin e vetë shtetit në këtë rast në respektimin e të drejtave të njeriut në përditshmëri dhe në mënyrë kontinuele. "Vetë gjendja e tillë degraduese në këto dy institucione të shtetit ndaj këtyre të drejtave përkon edhe me faktin se gjykatat dhe administrata publike e shtetit gjithë këto vite janë të stërmbushura me të deleguar e të instaluar të politikës korruptive e të oligarkëve të krimit, e që në të vërtetë nuk denjojnë të respektojnë as të drejta, as norma të garantuara me ligj ndaj të drejtave dhe lirive të njeriut, por edhe më keq, nuk denjojnë të 'sundojnë' dhe qëndrojnë edhe 'mbi ligjin'", potencoi ai. "Ndërsa krejt kjo gjendje e papërgjegjshme përkon edhe me realitetin e hidhur se, aty, pra në gjykatat dhe në administratën publike të shtetit, mbase janë instaluar kriminalisht dhe pa ligj, e krejt kjo për interesa të pushtetit pa asfare kriteresh bazë, as të profesionalizmit, as të meritave dhe kjo do të jetë për sa kohë problem i theksuar për vetë shtetin", u shpreh analisti Naim Kelmendi.

Administrata e paaftë

Profesori i së drejtës, Riza Smaka ka theksuar se është fakt i padiskutueshëm se administrata publike dhe sistemi i drejtësisë nuk janë në nivelin elementar të funksioneve të besuara derisa, siç tha, shkaku kryesor është punësimi në saje të afërsive, të afiniteteve partiake e qeveritare dhe familjare, por jo edhe të meritokracisë. Pra, sipas tij, kjo është një nga shkaqet kryesore, ndërsa tjetra, siç thotë Smaka, është se ata- ato që janë punë- suar, janë favorizuar me pozita të volitshme në sistemin tonë, pasi punësimi është problem i madh, prandaj janë në vartësi të punëdhënësve të tyre, pra ndaj atyre që i kanë punësuar, edhe ashtu si të tillë ata instrumentalizohen në favor të kërkesave të personave të tillë, që në këtë rast janë të korruptuar, janë ata që i shmangen aplikimit të ligjit dhe ndodh kjo që nuk aplikohet ligji në vendin tonë, derisa, sipas tij, ky është konstatim i sa e sa hershëm i komisionit të kongresit të Unionit Evropian. "Shkak tjetër është që administrata publike është e stërngarkuar pa fije të dyshimit, nuk ka organogram, që do të duhej t'i kryente gjatë një ditë dhe kjo sepse nuk ka punë, pasi janë vendet e fryra, të krijuara, të imagjinuara edhe personat e pozicionuar në ato poste. Prandaj, situata është mjaft e ndërlikuar, që vetëm një forcë politike e shëndoshë, e devotshme për të mirën e vendit tonë, do të mund ta tejkalonte këtë problem", u shpreh ai. "Ndër të tjera, nëse marrim administratën publike, do të duhej që të përcaktohej organogrami për secilën ministri, që nga portieri e shoferi për detyrat të cilat duhet t'i kryejë, por edhe do të duhej të evidencohej puna e bërë gjatë një jave, muaji apo viti dhe të vlerësohej ku së andejmi do të dilte që së paku 2/3 nuk punojnë asgjë pothuajse ose simulojnë që punojnë diçka, mirëpo e ngarkojnë dhe stërngarkojnë buxhetin, paranë publike në vendin tonë", tha Smaka për gazetën "Kosova Sot"..

Njerëzit e dyshimtë depërtuan në çdo sektor

Profesori universitar Muhamet Kelmendi ka nënvizuar se ka kohë që është konstatuar se në Kosovë, sidomos pas pavarë- sisë, por edhe para saj, kur UNMIKu kishte vendosur që në administratë, në polici, në prokurori, në gjykata, pastaj nëpër bordet e organizatave publike dhe shtetërore, pra qenë vendosur kryesisht njerëzit e varur nga pushteti, UNMIK-u dhe nga politika në pushtet, derisa, sipas tij, në administratë është stacionuar numri më i madh i njerëzve të tillë, si në administratën komunale, ashtu edhe në nivel qendror, ku asnjëherë nuk ka funksionuar konkursi, pra kudo janë vendosur njerëzit e politikës dhe të varurit. "Po kështu edhe në Polici, në Prokurori dhe në gjykata kemi kryesisht njerëzit e faktorëve të ndryshëm, të grupeve të interesit dhe të politikës, pra është vartësuar tërësisht ky sistem. Në këto kushte jo vetëm që kemi vartësi, por edhe veprimtari korruptive dhe kriminale, të kryera nga këta, kuptohet për t'u bërë të mirë për padronët. Andaj, kështu nuk shërohet vendi. Kosovës i duhen ligje mbi sistemin politik, partitë politike dhe politikanët. Veç kësaj, kërkohet një spastrim i ashpër i udhëheqësve të Policisë së Kosovës dhe të Prokurorisë e të gjyqtarëve, ngase nëpër këto vende ka çdofarë lloj malli", u shpreh ai. "Kemi ish- shërbëtorë titistë, serbo- jugosllavë, deri edhe të korruptuar, pra këta duhet ndjekur dhe kapur. E kjo bëhet me ligj. Por, që kjo të ketë sukses kërkohen edhe masa penale dhe financiare, dënime penale dhe konfiskim të pasurisë. Përndryshe, në këtë drejtim faktet nuk mungojnë, dhe ato duhet të ndiqen", potencoi për gazetën "Kosova Sot" profesori universitar Muhamet Kelmendi.
 

(Kosova Sot)