21-vjeçari: Mbylla sytë kur vrava babin. Prokuroria kërkon analizë të shëndetit mendor

  • 26 July 2017 - 09:21
21-vjeçari: Mbylla sytë kur vrava babin. Prokuroria kërkon analizë të shëndetit mendor

“Ende nuk e besoj atë që bëra. Kur mora pistoletën dhe ja drejtova babit, kam mbyllur sytë, prandaj kam goditur edhe nënën”. Kështu e përshkruan krimin e rëndë në familjen e tij, 21-vjeçari, Mirald Metallari. 24 orë pas tragjedinë, ai u mor sërish në pyetje, nga ky ka shtuar element të rinj të ngjarjes.

Të afërm dhe familjarët i dhanë dje lamtumirën 62-vjeçarit. Miftar Metallari u përcoll dje për në banesën e fundit, ndërkohë që bashkëshortja e tij, Nurie Metallari, ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Më të tronditur nga kjo ngjarje që ka shokuar opinion publik, janë dy vajzat e familjes Metallari, ku njëra prej tyre do të martohej në muajin gusht.

21-vjeçari që vrau babain e tij me detyrë polic dhe plagosi nënën, sot pritet të dalë para Gjykatës së Krimeve të Rënda. Ai akuzohet për krim brenda familjes, vepër penale që dënohet nga 30 deri në burgim të përjetshëm. Situata e tij është e rënduar pasi do akuzohet për vrasjen e babait dhe plagosjen e nënës.

Rrëfimi: Më dënoni

Pas krimit, 21-vjeçari nuk është shfaqur në një gjendje të qëndrueshme, pasi në dy deklaratat ai i ka dhënë si dy histori të ndryshme. Mbi këtë fakt, hetuesit dyshojnë se gjendja psikologjike e Miraldit është e rënduar. Hetuesit e kanë rimarrë në pyetje ditën e djeshme 21-vjeçarin, i cili me lot në sy ka thënë se kur qëlloi ndaj babait, ai mbylli sytë dhe sipas tij, ende nuk e beson atë që ka ndodhur.

“Ende nuk e besoj atë që bëra. Kur mora pistoletën dhe ja drejtova babit, kam mbyllur sytë, prandaj kam goditur edhe nënën. Unë nuk doja që të ndërtohej ai muri i betonit, prandaj jemi konfliktuar. Në gusht do martonim motrën dhe ndërtimet po i bënim për dasmën. Unë jam fajtori më dënoni. Dua vetëm të dijë si është nëna, a ka shpëtuar? Kohët e fundit kam patur disa konflikte me babain. Zënkat janë shtuar pasi unë erdha nga Anglia, më kthyen pasi ishe pa letra. Të më falin motrat dhe të gjithë, nuk e di se çfarë bëra”, është shprehur i riu. Ndërkohë Prokuroria ka kërkuar të bëhet verifikim i gjendjes psikologjike të Mirald Metallarit, pasi ka patur shenja depresioni.

Ngjarja

Muri i betonit nuk ishte përplasja e parë në familje por ishte ajo që solli tragjedinë. Që kur ishte kthyer prej disa muaj nga Anglia, 21-vjeçari nuk ka qenë i qetë. Vazhdimisht ai kishte përplasje me të atin edhe për gjërat më të vogla. Ai konfliktohej me pjesëtarët e familjes duke shfaqur shenja depresioni. Por askush në familjen e tij nuk e kishte menduar që 21-vjeçari do të arrinte në këtë pikë.

Konflikti i së hënës midis Miraldit dhe babait të tij 62-vjeçar Myftar Metallarin ishte më i ashpër se herët e tjera. Edhe pse motivi ishte krejt banal, ndërtimi i një muri betoni në oborrin e banesës së tyre në Bathore. Miraldi nuk e kishte ndërtuar këtë mur betoni edhe pse e kishte porosi prej disa ditësh nga babai i tij. Ata kanë debatuar ashpër mes njëri-tjetrit dhe në një moment 21-vjeçari merr pistoletën e babait të tij polic dhe e qëllon 5 herë në drejtim të tij duke e lënë të vdekur në vend.

(Kosova Sot)