Diplomacia, në vend të investitorëve, na solli skandale

  • 26 July 2017 - 07:35
Diplomacia, në vend të investitorëve, na solli skandale

POLITIKA E JASHTME E HUQ MISIONIN E SAJ TË RËNDËSISHËM PËR SHTETIN

Misionet diplomatike të Kosovës, të pasuksesshme, të investitorëve, na solli skandale

"Ambasadat dhe Konsullatat e Kosovës pothuajse janë kthyer në pronësi partiake dhe në vend të kuadrove të specializuara të departamenteve të diplomacisë ekonomike, ato janë mbushur me simpatizantë partiakë, shokë ,"jaranë", hajna e dilerë dhe njerëz problematikë gjithfarë, deri te shitës armësh, larës parash të pista dhe shpërndarës e transportues droge.... Kështu që, gati të gjitha ambasadat e Republikës së Kosovës kanë dështuar plotësisht që të nxisin interesimin e investitorëve të huaj dhe thithjen e investimeve nga vendet ku ata më tepër shëtitin sesa punojnë", u shpreh analisti Gani Qarri

Politika e jashtme e Kosovës, edhe pse po mbush një dekadë, ka dështuar të ketë një "diplomaci të fortë ekonomike" me të cilën do të arrinte që të përfitonte në fushën e ekonomisë dhe do të nxiste zhvillimin e vendit. Deri më tani, të gjitha ambasadat e Republikës së Kosovës kanë dështuar që të nxisin thithjen e investimeve të huaja në Kosovë nga shtetet ku ato kinse punojnë, por në fakt nuk sjellin asnjë dobi e rezultat në mbështetje të zhvillimit të vendit të tyre, që ua paguan jo vetëm qëndrimin atje, por edhe shkollimin dhe përgatitjen profesionale të familjarëve të ngushtë të stafit diplomatik. Analisti politik Gani Qarri thotë se që në fillim duhet të ceket se dështimi ekonomik dhe sigurimi i investimeve të huaja në vend nga shtetet më të fuqishme, ku Kosova ka përfaqësitë e veta diplomatike, është një nga dështimet më të mëdha të gjitha të kohëve të diplomacisë kosovare. "Derisa të gjitha shtetet fqinje dhe ato të rajonit përdorin krejt mundësitë që ofrojnë përfaqësimet diplomatike në vendet e tjera, për tërheqjen e investimeve nga shtetet ku veprojnë në vendin e tyre, vetëm diplomacia e Kosovës e stërmbushur me njerëz partiakë dhe skandale nga më të ndryshmet ka dështuar plotësisht në këtë drejtim", tha Gani Qarri për "Kosova Sot".

Departamenti joekzistent

Sipas Qarrit, edhe pse thuhet se ekziston Departamenti i Diplomacisë Ekonomike, i krijuar dhe i autorizuar nga Qeveria e Republikës së Kosovës për promovimin e interesave ekonomike shtetërore të vendit tonë në arenën ndërkombëtare, ofrimin e ofertave joshëse, mbështetjen dhe krijimin e kushteve sa më të favorshme, si dhe informimin thelbësor të investitorëve seriozë mbi nevojat investuese në vendin tonë, kjo diplomaci pothuajse është plotësisht e pazë dhe komplet e dështuar. "Për aq më keq, ambasadat dhe konsullatat e Kosovës pothuajse janë kthyer në pronësi partiake dhe në vend të kuadrove të specializuara të departamenteve të diplomacisë ekonomike, ato janë mbushur me simpatizantë partiakë, shokë ,"jaranë", hajna e dilerë dhe njerëz problematikë gjithfarë, deri te shitës armësh, larës parash të pista dhe shpërndarës e transportues droge, të cilët po bëjnë që vendi ynë jo vetëm të turpërohet, por dhe të shihet me sy dyshues kudo", potencoi prof. Qarri. "Kështu që, gati të gjitha Ambasadat e Republikës së Kosovës kanë dështuar plotësisht që të nxisin interesimin e investitorëve të huaj dhe thithjen e investimeve nga vendet ku ata më tepër shëtitin sesa punojnë. Dhe, deri më tani, sidomos Departamenti i Diplomacisë Ekonomike, pothuajse fare nuk ka rënë në sy (të askujt) e as dëgjuar ndonjëherë për suksese apo arritje konkrete të tij. Përfaqësuesit diplomatikë të Kosovës nuk i sollën asnjë dobi vendit të vet, nuk treguan rezultat veprimi as siguruan çfarëdo sponsorizimi a mbështetje të thjeshtë financiare për zhvillimin e vendit të tyre, ndaj ata sikur paguhen enkas nga shteti, vetëm për qëndrim sa më komod e të rehatshëm personal dhe shëtitje për qejfi atje ", u shpreh më tutje Gani Qarri.

Miliardat u dhanë në Kosovë, asnjë fabrikë nuk u bë

Analisti Reshat Sahitaj pohon se diplomacia e fortë ekonomike pjesërisht mund të ketë sukses edhe përmes ambasadave tona në vendet e ndryshme, mirëpo çelësi i suksesit për thithjen e investimeve kapitale është oferta joshëse për investitorët. "Bota është e madhe dhe vende për të investuar ka shumë më të mira, fuqia punë- tore shumë më e lirë se në Kosovë etj. Ne shqiptarët mendojmë se bota sillet rreth Kosovës dhe se vendi ynë ka bukuri të rralla në botë dhe se ata vetvetiu duhet te vijnë për të investuar apo për të vizituar Kosovën. Ujëvara e Mirushës ofron një peizazh të bukur, mirëpo imagjinoni ujëvarat e vendeve të tjera që bien nga shkëmbinjtë të thepisur e ofrojnë bukuri përrallore krahasuar më Mirushën tonë. Ne mendojmë se kemi pasuri tokësore dhe nëntokësore të pashtershme e të përjetshme, në fakt sikur krejt sipërfaqja e Kosovës të ishte e mbuluar me ar, ajo shteret një ditë, nëse ne nuk dimë të eksploatojmë, nuk kemi makinerinë adekuate për nxjerrjen dhe përpunimin e atyre xeheve", u shpreh ai. "Pas gati 18 vjetëve paqeje kam ardhur në përfundim se ne shqiptarët jemi ëndërruesit më të mëdhenj që gjithnjë presim nga tjerët që t'i rregullojnë punët dhe ekonominë tonë. Para luftës kanë pritur ndihma nga diaspora, që ishte burimi kryesor i mbijetesës shqiptare, pas luftës kemi pritur që Amerika të na ndihmonte, duke shpresuar se amerikanët dhe evropianet do ta lulëzojnë vendin tonë. Evropianët derdhen miliona e miliarda euro vetëm në zhvillimin ekonomik të Kosovës, por ato u tretën në xhepa të qeveritarëve tanë. Imagjinoni me tërë ato miliarda ende Kosova nuk e ka një fabrikë të ndërtuar me forca tona, edhe ato që kanë qenë i kanë shkatërruar", tha Sahitaj për "Kosova Sot".

Njerëzit pa përvojë udhëheqin misionet

Sipas analistit Florim Zeqa, dështimi i të ashtuquajturve "Diplomatë Ekonomikë" është rezultat i mosfunksionimit si duhet i Ministrisë së Punëve të Jashtme (MPJ) në njërën anë, ndërsa në tjetrën të emërimit të ambasadorëve dhe konsujve jokredibilë të Republikës së Kosovës, të cilëve u mungon përvoja politike dhe diplomatike. "Dështimi i "diplomatëve" kosovarë në thithjen e investimeve në Kosovë nga shtetet ku kinse ata punojnë, ndodh sepse, përveçse u mungon kredibiliteti politik në ato vende, ata më tepër janë të fokusuar në shërbimet konsullore për bashkatdhetarët, përmes të cilave më shumë mbushin xhepat e tyre sesa arkën e shtetit. Pa funksionalizimin e MPJ-së, gjegjësisht monitorimin e rregullt të punës së përfaqësive diplomatike dhe heqjen e plotë të Ministrisë së Diasporës, e cila vepron ndaras dhe në çakordim të plotë me MPJ-në dhe asnjëherë në shërbim të mërgimtarëve, por vetëm të grupeve të caktuara të interesit", theksoi ai. "Me koston financiare të Ministrisë së Diasporës mund të hapen me dhjetëra përfaqësi të reja konsullore, më afër dhe në përputhje me kërkesat e mërgimtarëve...Diplomatët kosovarë, gjegjësisht ambasadorët dhe konsujt, duke mos pasur asnjë lloj kontrolli dhe përgjegjësie ndaj institucioneve shtetërore, gjegjësisht MPJ-së, kanë filluar të bëhen pjesë e skandaleve të ndryshme financiare", tha Zeqa për "Kosova Sot". 

Elitat politike, të zhytura në krim e korrupsion

Analisti dhe publicisti Skënder Mulliqi vlerëson se elitat politike në pushtet janë interesuar që të ndërtojnë shtet për vete më shumë sesa shtet për qytetarët e Kosovës, prandaj sigurisht që me këtë mentalitet nuk mund të kemi as diplomaci të fortë politike dhe diplomaci të fortë ekonomike. "Ambasadat e kanë dështimin e gatshëm kur kemi një estabilishment politik katastrofal të mbytur në krim të organizuar dhe korrupsion. Diplomacia jonë ka pësuar dështim total. I kanë dërguar njerëzit jokredibilë të punojnë si ambasadorë dhe personel nëpër vendet e botës, i kanë dërguar të dëgjueshmit dhe të gjithë ata të cilët ua mbajnë frenat, ose ndonjëri prej tyre ka edhe ndonjë detyrë të posaçme kriminale, siç e patëm rastin e para do ditëve në Ambasadën tonë në Amerikë. Ambasadorët janë krejt të papërgatitur dhe nuk e dinë misionin e diplomatit", tha Mulliqi. Ai ka pohuar se deri më tash përfitimet në fushën e ekonomisë nga investimet e jashtme janë baras më zero. "Nuk po kemi investime të jashtme dhe investitorë seriozë, pa të cilët nuk kemi mundësi të kapërcimit të krizës ekonomike. Investitorët e huaj po stopohen qëllimisht nga politikanët, të cilët kanë biznese të veta, dhe nga biznesmenët e ndryshëm për shkak të konkurrencës në treg", tha Mulliqi. 

MPJ-ja, pa strategji konkrete

Analisti Ymret Reshiti pohon se Kosova ka dështuar plotësisht që të ketë një "diplomaci të fortë ekonomike" me të cilën do të arrinte që të përfitonte në fushën e ekonomisë dhe do të nxiste zhvillimin e vendit pikërisht pse mungon një strategji e Ministrisë së Punëve të Jashtme që si objektiv të ketë lobimin për promovimin e Kosovës si vend me potencial për zhvillim të bizneseve. "MP-ja nuk duhet të kufizohet vetëm në mbrojtjen e interesave politike të Kosovës në arendën ndërkombëtare, por ajo duhet t'i japë prioritet të veçantë mbrojtjes dhe promovimit të interesave ekonomike të Kosovës. Kosova zhvillimin e saj ekonomik assesi nuk duhet ta varë te ndihmat financiare të shteteve dhe mekanizmave ndërkombëtarë. Nuk jetohet dhe as nuk zhvillohet shteti nga ndihmat, "lëmosha"", theksoi ai. "Ministria e Punëve të Jashtme dhe stafi i ambasadorëve dhe konsujve duhet të angazhohen në promovimin e Kosovës si partner serioz në transaksione ekonomike", tha Ymret Reshiti. Ai tha se deri më sot nuk kemi dëgjuar dhe evidentuar asnjë rezultat të përfitimit ekonomik të Kosovës, i cili ka ardhur si meritë e angazhimeve të ambasadorëve dhe konsujve të Kosovë, pasi, sipas tij, Ministria e Punëve të Jashtme dhe ambasadorët e Kosovës nuk janë të vetëdijshëm se krahas çështjeve të tjera diplomatike, kanë për detyrë që të mbrojnë dhe të promovojnë interesat ekonomike të Kosovës në arenën ndërkombëtare . "Kjo bindje e tyre e gabuar ekziston për faktin se ambasadorët e Kosovës nuk janë ambasadorë të karrierës, pra nuk vijnë nga fusha e diplomacisë ku rol tepër esencial zë ekonomia. Niveli i tyre i përgatitjes dhe mënyra e emërimit të tyre në ato pozita janë tregues të qartë se ambasadorët dhe konsujt e Kosovës nuk janë në gjendje të kuptojnë rolin dhe misionin e tyre. Atyre u mungon eksperienca e menaxhimit me punë shtetërore dhe përgatitja profesionale në fushën e diplomacisë. Edhe pse në Kosovë ka fakultete të veçanta ku mësohet diplomacia dhe ka mjaft qytetarë të diplomuar në fushën e diplomacisë që kanë përvojë me menaxhimin e punëve shtetërore, prapëseprapë këta mbesin pa punë dhe në vend të tyre emërohen njerëz të pamerituar dhe me diploma të "blera". Emërimet bëhen pa asnjë kriter dhe vetëm mbi bazën partiake dhe familjarizimit", theksoi Reshiti.

Militantët mbushën shërbimin e jashtëm

Politologu Gurakuq Kuqi, drejtor në Institutin e Pavarur për Studime Politike dhe Mediale, thotë se diplomacia ekonomike tradicionalisht përcaktohet si vendimmarrje, hartim i politikave dhe avokim i interesave të shtetit dërgues në shtetin pranues dhe organizatat ndërkombëtare. "Dështimi në diplomacinë e jashtme ekonomike të Kosovës ka filluar nga brenda duke e transmetuar edhe jashtë vendit, për më keq edhe tek vendet pritëse dhe organizatat ndërkombëtare. Diplomacia ekonomike madje nuk është as si sektor i promovuar dhe zhvilluar, pasi si fillim ka një diplomaci në përgjithësi pothuajse boshe. Diplomacia ekonomike aspak nuk i konvenon kastës së tanishme, që janë në politikë dhe biznes. Problemi është i brendshëm, sepse shteti me të gjitha elementet e saj publike dhe biznesore private është i kapur dhe korruptuar, diplomacia ekonomike nuk mund të bëhet mbi këto baza, sepse kërkon një shtet ligjor dhe funksional, konkurrencë dhe mundësi të lirë dhe të drejtë", u shpreh ai. "Për ta bërë komplet jofunksional dhe të padobishëm MPJ-në, diplomacinë dhe të gjitha ambasadat jashtë Kosovës, kjo kastë politike me qëllim është kujdesur që të punësojnë militantë të vet, të cilët nuk ia kanë idenë se as çfarë funksioni kryen pozita e tyre, rëndësinë e përfaqësimit dhe çfarë duhet të bëjnë, por vetëm të marrin një pagë dhe t'u thurin lavde punëdhënësve të tyre. Të tillët janë tejet të dëmshëm për Republikën e Kosovës dhe qytetarët e saj, por për kastën politike janë më të mirët, sepse njerëzit e padijshëm, injorantë dhe servilë ndaj tyre janë të paskrupullt dhe që pranojnë çdo krim që bëjnë punëdhënësit e tyre pa të paskrupullt", tha Gurakuq Kuqi për "Kosova Sot". Sipas tij, Kosova as nuk ka institucione në funksion të qytetarëve, as diplomaci.

Klanet e ngulfatën shtetin

Edhe sipas analistit Arsim Haziri, diplomacia ekonomike e Kosovës është në këtë gjendje vendnumërimi pikërisht për shkak të mosprofesionalizmit dhe mosgatishmërisë se stafit të vendosur në këtë fushë publike. "Përderisa stafi brenda përfaqë- sive diplomatike është pa integritet moral e profesional, si dhe mbi të gjitha politik, duke përjashtuar çdo rregull të drejtë, kjo sferë edhe për vite me radhë do të ballafaqohet me këso farë parregullsish dhe anomali", u shpreh ai. "Vendi, aktualisht, është nën dominimin e klaneve të papërgjegjshme politike, si dhe jashtë logjikës për funksionimin në mënyrë të drejtë dhe transparente. Pra, problemet e Kosovës, përveçqë zhvillohen në aspektin diplomatik në kuptimin e mosthithjes së investimeve, ajo rëndë ballafaqohet edhe në aspektin e brendshëm. Kjo masë papërgjegjësish ka ndikuar që sot Kosova të jetë shteti me ekonominë më të dobët në rajon", tha Arsim Haziri për "Kosova Sot".
 

(Kosova Sot)