Emini: Politikanët po funksionojnë me modelin e "pashallarëve"

  • 26 July 2017 - 17:53
Emini: Politikanët po funksionojnë me modelin e

Politologu dhe filozofi Ridvan Emini thotë se bërja e politikës dhe vetë politikanët në Kosovë nuk dallojnë nga politika e Ballkanit apo edhe politikanët në Ballkan. "Kemi shumë raste për krahasim, si me Malin e Zi, Shqipërinë, Serbinë e deri në Turqi, se si një elitë e caktuar politike me dekada të tëra qeveris me këto shtete, madje edhe individë të caktuar. Edhe Kosova e ka një model të vetin Dr.Ibrahim Rugovën, i cili qe president i vendit që nga fillim-vitet e '90-ta e deri në vdekje. Madje, Rugovën po mundohen që ta imitojnë në mënyrë që ta kenë një karrierë të tillë", u shpreh ai. "Ndërsa, partitë politike vazhdojnë edhe më tej, pavarësisht humbjeve në zgjedhje për pushtet, që të drejtohen nga 'sulltanët' e vjetër, një gjë të tillë e shohim thuajse në të gjitha partitë politike në vend. Kjo gjendje është mjaft shqetësuese, pasi ndryshimet në vend bëhen më të ngadalta pikërisht si rezultat komoditetin që i ofron pozita (si në partitë politike, po ashtu edhe në vetë shtetin). Një fenomen i tillë ndodh zakonisht aty ku mungon fryma demokratike, e jo ajo e numrave, pasi këta 'pashallarë' thirren çdo herë në votën e besuar nga populli apo edhe në rastin tjetër të besuar nga organet e partisë", theksoi ai. "Këtë fenomen nuk mund ta trajtojmë si të pavarur nga fryma, e cila mbretëron në Ballkan, e as ta konsiderojmë si diçka sui generis, andaj krejt çka mund të themi për këtë 'taktikë' të këtyre politikanëve është se, në mungesë të vizioneve për të ardhmen e vendit dhe në mungesë të një vlerësimi të punës së vet, tentojnë që me çdo kusht të vazhdojnë të mbesin prej 'sulltani' kudo që u jepet mundësia", tha Ridvan Emini për "Kosova Sot"

(Kosova Sot)