Mysafirë në shtëpitë e tyre

  • 26 July 2017 - 18:12
Mysafirë në shtëpitë e tyre

Tradita e mbajtjes së takimeve të vendlindjes, në Priboc të Malësisë së Bujanocit, po vazhdon këtu e nëntë vite me radhë. Malësia e Bujanocit, gati se është boshatisur në tërësi pas vitit 1999 e këndej, shkaku i presionit dhe dhunës së forcave serbe. Banorët e dëbuar nga këto treva, ku pas luftës në Kosovë u vendosën trupat serbe, edhe në këtë mënyrë po vazhdojnë të kundërshtojnë kthimin e vendbanimeve shqiptare në zona ushtarake e policore, me qëllim që të pengohet kthimi në vendlindje. Njësoj vepruan edhe sivjet, kur nën vapën përvëluese të korrikut, mësyn rrugën gjarpërore të Malësisë, me motoçikleta, xhipa e traktorë të mbushur plot me banorë, për të mbërritur në Priboc, ku i presin me gëzim katër familjet e mbetura në fshat. Në lëndinën e gjelbër “Te Kisha”, ku valonte flamuri kombëtar, bashkëvendësit takohen e përshëndeten mes vete, disa për herë të nëntë me radhë, e disa takoheshin për herë të parë. Jehona e lodrës dhe zurnasë shpërndahej në tërë fshatrat e Bashkësisë lokale të Zarbicës e më gjerë.

Malësia nuk i ka duruar kurrë pushtuesit

Në emër të katër familjeve mikpritëse, “mysafirët” e vendlindjes i ka përshëndetur Hamdi Krasniqi. Në mesin e tyre kishte edhe të rinj, djem e vajza që kishin nevojë të dinin më shumë për historikun e vendlindjes së prindërve të tyre, për kthimin e pamundur në tokën e të parëve dhe për shumë gjera të tjera. Anëtari i Këshillit të fshatit, Ismet Tafili, duke e vërejtur gëzimin tek banorët, që po takoheshin sërish në tokën e tyre, po edhe mikpritjen e vendlindjes, tha se tek malësorët, gjithmonë ka qenë traditë që mikun ta presin me bukë e kripë, kurse armikun me plumb. “Historia tregon se në çdo periudhë, këtu janë zhvilluar luftëra për liri. Matë Hashani me banorët e krejt kësaj Malësie, dikur e kishte luftuar në këto troje turkun, më pastaj edhe austriakun, kralin, bullgarin dhe gjithë pushtuesit tjerë”, thotë Tafili. Këtu ishte vija e frontit e luftëtarëve vullnetarë të Mulla Idrizit. Fshati, jo vetëm me luftëtarë, po edhe me ushqim e kishte furnizuar luftën për mbrojtjen e kufirit kombëtar. Në rrethanat e reja, ky fshat ka nxjerrë edhe njerëz të dijes. Menjëherë pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, fshati iu përvesh punës për mbijetesë, po nuk e la anash as arsimimin e fëmijëve. Dërgoi djem e vajza në shkolla. Është për t’u theksuar se vajza e parë pas LDB-së që kishte vijuar shkollimin në Malësi, ishte nga ky fshat, Fahrije Zahir Sherifi. Si banorë që dinin shkrim-lexim, menjëherë pas luftës u punësuan një numër i konsiderueshëm, atëherë në komunën e Zarbicës, ndërsa Ajeti i Muratit ishte kryesori për këtë qark, deri në Leskoc. “Edhe në vitet 1990, kur filloi formimi i partive shqiptare, Priboci ishte i pari në Bashkësinë Lokale të Zarbicës që themeloi degën e PVD-së. Edhe lufta e UÇK-së dhe UÇPMB-së u ndihmua nga fshati. Banorët, ndonëse ishin të varfër, për djemtë e pushkëve të lirisë ndanë edhe kafshatën e gojës. Nuk e ndihmuan luftën vetëm me ushqime e veshmbathje, por edhe me djemtë e tyre më të mirë, të cilët u vunë në shërbim të atdheut”, ka thënë ai.

 Lojërat popullore gjallërojnë lëndinën e Kishës

Edhe Komuna e Bujanocit, me mundësitë e kufizuara që ka, është munduar të ndihmojë kthimin e banorëve. Falë angazhimit të kryetarit, Shaip Kamberi, u rrafshua rruga dhe u ndihmuan dy familjet e kthyera në fshat, Nevzad Abdullahu dhe Rexhep Hajdinit. Këtyre u ndihmuan edhe Ekrem Krasniqi, Këshilli fshatit dhe shumë të tjerë. Gjithashtu, edhe me ndihmën e banorëve të lagjes Sadikaj, posaçërisht të Sali Sopit u rrafshua rruga për këtë lagje, tha Ismet Tafili. Me këtë rast, komuna e Bujanocit, për punën e palodhshme, për kontributin e dhënë në fushën e gjuhësisë dhe letërsisë, si dhe për promovimin e vlerave kulturore dhe historike të Malësisë së Bujanocit, nderoi me mirënjohje profesorin Baftjar Kryeziu, i cili me këtë rast rikujtoi mikpritjen që i kishin bërë banorët e fshatit Priboc dhe të vendbanimeve tjera të Malësisë, gjatë kohës kur ishte marrë me studimin e toponimisë dhe onomastikës së fshatrave të Hashanisë. Këshilli i fshatit ndau mirënjohje edhe për veprimtarin dhe humanistin Shaban Bajrami, i cili ndihmoi familjet e kthyera të Ekrem Krasniqit.

 (Kosova Sot)