Politikanët e duan pushtetin për të shpëtuar kokën nga ndjekja penale

  • 10 August 2017 - 07:47
Politikanët e duan pushtetin për të shpëtuar kokën nga ndjekja penale

BURJANI: Derisa të jenë në pushtet PAN-i, LDK-ja dhe VV-ja, s'ka gjasa të bjerë kriminaliteti

Në një intervistë për mediet kosovare, ambasadorja gjermane, Angelika Viets, duke folur për aktualitetin politik, ngërçin e krijuar pas zgjedhjeve në krijimin e institucioneve të reja të shtetit, ka theksuar se aktualisht partitë politike në Kosovë janë të interesuara kryesisht për ruajtjen e pushtetit dhe persona të caktuar që veprojnë, janë jo pak të interesuar edhe për atë se çfarë do të ndodhë me ta. Sipas ambasadores në largim, Viets, janë shumë persona që kanë frikë edhe nga ndjekja penale, nëse nuk janë në pushtet. Ajo ka thënë se në Kosova ka një situatë "pat" dhe madje rrezikon një stagnim i gjatë, derisa partitë deri më tani nuk ia kanë dalë të bien dakord për një agjendë kombëtare me konsensus. Viets theksoi se janë egoizmat ata që i pengojnë politikanët për të menduar në radhë të parë për fatin e Kosovës dhe qytetarëve të saj, se krejt kjo është një luftë për pushtet, e përcaktuar nga egoizmat. Analistët politikë në vend e shohin gjykim shumë të qëlluar këtë opinion të ambasadores gjermane dhe pohojnë se vlerësimi i saj negativ për këtë klasë politike është më se i saktë dhe i qëlluar. Eksperti i fushës së sundimit të ligjit, Blerim Burjani, pohon se ka shumë realitet në këtë temë, siç e thotë ambasadorja gjermane në Kosovë, sepse vërtet situata duket më shumë e komplikuar sesa që është në rrafshin horizontal."Lufta për pushtet dhe kontrolli i pasurive publike, pasurimi pa bazë, punësim familjar, partiak, pastaj punësimi në ndërmarrjet publike, borde e tjera, gjithçka është i ndërlidhur me politikën, me njerëz, të cilët kanë probleme elementare dhe në këtë mënyrë keqpërdorin pushtetin për qëllime të shumta. Gjykatat dhe prokuroria nuk ishin efikase në trajtimin e dyshimeve për zhvatje të buxhetit, keqpërdorimin e posteve, duke ngritur edhe paga dhe privilegje për deputetë, ministra e zëvendësministra. Këto gjëra të gjitha kanë ndodhur në këtë hapësirë të vogël të vendit. Një gjë duket të jetë e qartë, derisa të jenë kjo klasë politike në pushtet: PAN, LDK e VV, s'ka gjasa të bjerë kriminaliteti dhe të ndiqen penalisht abuzuesit e shumtë me ligjin dhe paranë publike", është shprehur Burjani. Ai tutje shtoi se të gjithë e dinë se një numër i madh i personave thuhet se janë pasuruar pa bazë, kanë keqpërdor pushtetin për qëllime personale dhe partiake, prandaj dikush duhet të përgjigjet."Deri më tash nuk ka pasur kurrfarë përgjegjësie, as serioziteti në këtë temë, për të ndjekur penalisht dikë. Ka pasur vetëm spektakle me arrestim të 'peshqve të mëdhenj' dhe lirimit të tyre të menjëhershëm, disa janë gjykuar në shkallën e parë me dënime të rënda me burg deri me nga 12 vjet e në fund janë liruar nga shkalla tjetër më e lartë gjyqësore. Është më se e çuditshme. Edhe Gjykata Speciale mund të jetë një frikë tjetër e këtyre njerëzve të kësaj klase politike që po bllokon krijimin e institucioneve. Unë kam thënë se kjo klasë e varfër e pasuruar dhe shkolluar jashtë secilit parametër edukativ, pa kriter, kanë vërshuar institucionet e shumta, duke u punë- suar vetë, kanë punësuar edhe familjarë e gjithçka të keqe këtu kanë mbjellë", ka theksuar Burjani.

Image

 

Ahmeti: Qëllimi i këtyre politikanëve është pushteti, për t'i realizuar objektivat korruptive

Po aq kritik është edhe analisti politik, njohës i marrëdhënieve ndërkombëtare, Selam Hajrizi. "Partitë politike do të mundohen që të jenë në pushtet vetëm sa për të shpëtuar kokën e tyre natyrisht, se sidomos krahu i luftës do të ndiqet penalisht dhe plotësisht pajtohem me ambasadoren Viets, se persona të caktuar dëshirojnë ta ruajnë pushtetin me çdo kusht nga frika se humbja e tyre politike rezulton me ndjekjet juridiko-penale. Do të shohim se çka do të na sjellë Gjykata Speciale dhe cilët protagonistë do të jenë të ballafaquar me drejtësinë, por edhe korrupsioni është pjesë e liderëve politikë, të cilët e dinë se po të dalin nga pushteti do të ndiqen penalisht", është shprehur ai. Hajrizi është shprehur për "Kosova Sot" se fati i qytetarëve dhe politikat e reformat sociale asnjëherë nuk kanë qenë prioritet për partitë tona politike. Sipas analistit politik, Hidajet Ahmeti, mbajta e pushtetit me çdo kusht përkthehet në minimin e terrenit për hetimin e veprave kriminale që kanë shkaktuar pushtet që një dekadë e më shumë."Partitë politike nuk e kanë një 'luftë' të mirëfilltë konceptuale, ideologjike e programore, por një luftë të inateve, e cila ka të bëjë më shumë me pushtetin si qëllim sesa me pushtetin si shërbim. Prandaj, brenda kësaj kornize diskursesh të partive politike qëllimi është pushteti, për t'i realizuar objektivat korruptive, nepotike, klienteliste e klanore, por në të njëjtën kohë vazhdimin e amnistisë së këtyre njerëzve nga sistemi i drejtësisë", theksoi analisti Hidajet Ahmeti.

Rrezik nga zgjatja e bllokadës politike

Politologu Albrim Badallaj pohon se kjo situatë, në të cilën është sjellë Kosova, në aspektin socioekonomik edhe atë politik është si pasojë e papërgjegjë- sisë së kësaj klase politike dhe e shumë figurave të tej konsumuara, të cilët synojnë ende të jenë pjesë e vendimmarrjes."Mania për pushtet tek ne është shndërruar si parakusht për mundësi përfitimi në aspektin financiar dhe shmangie nga ligji, që nënkupton "amnisti" prej krimeve", theksoi Albrim Badallaj. Sidoqoftë, ai thotë se deklaratat e ambasadores gjermane duhet pranuar me rezerva, sepse është vetë kjo bashkësi ndërkombëtare, e cila e udhëheq drejtësinë në vend dhe që i ka mbështetur të njëjtat figura deri me tani dhe të cilët nuk kanë ndërmarrë hapa konkretë për ndjekje penale, në atë që po aludon ambasadorja ndaj figurave politike. "Ky ndërrim i kursit po vjen në një moment kur Kosova po futet në krizë institucionale dhe kësisoj me këto deklarata nuk mundet të dilet para vullnetit të popullit, sovranit. Mirëpo, se partitë politike tek ne nuk kanë arritur kohëve të fundit që të gjejnë një konsensus për interes të shtetit qëndron meqë armiqësimi i subjekteve politike dhe polarizimi i tyre ka bërë që edhe votat t'i fitojnë në saje të propagandës ndaj njëra-tjetrës sesa që i kanë sjellë platforma reale, alternative qytetarit", theksoi Badallaj. Sipas tij, problemi kryesor qëndron në atë se komplet politikëbërja është orientuar në bllokada dhe në çështje 'të mëdha', derisa problemet e përditshme që e preokupojnë qytetarin, si papunësia, varfëria, shëndetësia, mungesa e sigurisë, mungesa e investimeve dhe shumë çështje të tjera, trajtohen si probleme të dorës së dytë dhe që nuk janë prioritet i kësaj klase politike. Analisti politik Florim Zeqa pohon se pat-pozicioni i krijuar në seancën e parë të legjislaturës së gjashtë është tregues i mjaftueshëm për rrezikun e zgjatjes së bllokadës politike, e cila burimin e ka në dy gjëra; në ruajtjen, gjegjësisht marrjen me çdo kusht të pushtetit dhe frikës nga ndjekja penale për vepra korruptive dhe kriminale gjatë kohës sa ishin në pushtet. "Ne anën tjetër janë egoizmat dhe antagonizmat e liderëve partiakë për të ardhur me çdo kusht dhe çdo çmim në majat e pushtetit për të diktuar agjendat e tyre personale dhe ruajtur monopolin mbi sistemin e drejtësisë, me qëllim të ikjes nga akuzat dhe dënimi për veprimet e tyre korruptive dhe kriminale. Mos dakordimi i partive politike shqiptare për një agjendë të përbashkët kombëtare mund të ketë pasoja afatëgjata për vendin, si në aspektin e stabilitetit politik, ashtu edhe të zhvillimit ekonomik të vendit. Kjo diskrepancë e madhe mes subjekteve politike shqiptare dhe lufta e egër për pushtet e liderëve partiakë i ka vënë në lajthitje edhe miqtë ndërkombëtarë të shtetit të Kosovës, në veçanti ata që kanë kontribuar më së shumti për lirinë dhe parësinë e vendit tonë", theksoi analisti Zeqa për "Kosova Sot". 

(Kosova Sot)