Bllokada politike, "faturë" ndëshkuese për zgjedhjet e 22 tetorit

  • 12 August 2017 - 08:04
Bllokada politike,

Badallaj: Në disa raste politikanët sillen sikur të kenë krijuar perandori

Duke mos parë dritë në fund të tunelit, për zgjidhjen e krizës paszgjedhore të 11 qershorit në krijimin e institucioneve të reja, analistët politikë konsiderojnë se kjo krizë politike dhe institucionale po i lë nën hije edhe zgjedhjet lokale të 22 tetorit. Sipas analistëve, shtatori po afrohet, kohë kur fillojnë përgatitjet për zgjedhjet lokale, por atmosfera e zymtë e zgjedhjeve pas 11 qershorit e ka bërë të paqartë rrugën e zgjedhjeve lokale. Kjo atmosferë e paqartë, por edhe koalicionet që do të lidheshin, do të afektojë me një peshë negative te qytetarët, të cilët tanimë kanë rënë në një apati dhe humbje shprese e besimi te partitë aktuale. Kjo gjë mund të reflektojë me bojkotim dhe abstenim të votimit, pasi që edhe po qe se do të votojnë, të gjitha partitë politike janë bërë të njëjta, të inkriminuara dhe mendojnë ekskluzivisht vetëm për interesat e ngushta të tyre dhe militantëve e klientelave te tyre, për tenderët e inkriminuar, për lejet e inkriminuara të ndërtimit, por jo edhe për interesat e qytetarëve, të cilëve ua kërkojnë dhe duan t'ua marrin votën. "Normal se do të ketë ndikime kjo situatë e ngërçit edhe në zgjedhjet lokale, sepse kjo klasë politike e papërgjegjshme ka bërë që të ndodhë një ndjenjë e pashpresë dhe pasiguri totale e zhvillimit ekonomik, social dhe në mirëqenien sociale e shëndetësore, si tre segmente kapitale për shtetin, si tri prioritetet e qytetarëve. Shpresa ka humbur mjaft shumë, pra mjaft shumë qytetarët janë pezmatuar, duke parë paaftësinë e kësaj klase politike. Mirëpo, duhet të dinë edhe qytetarët se vetë ata duhet të vetëdijesohen përfundimisht që këtë klasë politike mos ta votojnë. Konsideroj se është koha për iniciativa të tjera serioze që duhet të vijnë nga bota akademike dhe klasa e biznesit, sepse kjo klasë politike aktuale nuk meriton në asnjë mënyrë që të votohen nga qytetarët", theksoi analisti Blerim Burjani për

Kuqi: Atmosfera e tanishme politike po e konsumon çdo proces dhe problem me rëndësi për Kosovën

Politologu Gurakuq Kuqi thotë se stërzgjatja e krijimit të institucioneve qendrore në Kosovë është duke shkaktuar shumë probleme dhe stagnuar shumë procese me rëndësi për Kosovën dhe fatkeqësisht kriza politike dhe institucionale e tanishme po ndikon direkt edhe në zgjedhjet lokale që pritet të mbahen më 22 tetor. "Atmosfera e tanishme politike, e cila po konsumon çdo proces dhe problem me rëndësi për Kosovën do ta dëmtojë rëndë demokracinë në Kosovë. Treguesi më i mirë është rikandidimi i gjithë kryetarëve dhe kandidatëve që vijnë nga LDK-ja, së pari, duke mos pasur kohë që të shqyrtohen alternativa të reja, e dyta, duke llogaritur potencialisht për zgjedhje të reja qendrore njëherësh me ato lokale, duke siguruar njehsimin e votës me kandidatët më popullorë edhe pse jo më cilësorë dhe e treta, duke shfrytëzuar mosvëmendjen ndaj zgjedhjeve lokale dhe alternativa të reja për t'ia vazhduar pushtetin e klasës së vjetër politike", ka theksuar Kuqi. Sipas tij, këto fakte vlejnë për të gjitha subjektet."E gjithë kjo vëmendje ndaj nivelit qendror, kur tani veç do duhej të bëheshin publike edhe iniciativa dhe kandidatë të pavarur në media, për t'i njohur publiku, kjo tashmë është e pamundur, pasi hapësirën mediale e zë diçka tjetër. Zgjedhjet lokale varen tani edhe nga lëvizjet politike dhe koalicionuese për të ndërtuar institucionet e Kosovës. Të gjitha këto dhe të tjera aspak nuk janë në interes të qytetarëve, por vetëm të partive politike, pasi duke zënë gjithë hapësirën e mundshme vetëm partitë e mëdha, ku këto parti jo çdoherë ofrojnë më të mirën për nivelin lokal, arrijnë të largojnë vëmendjen e qytetarit nga interesat e tyre të vërteta, duke e kthyer në interes të partive të mëdha, që është një manipulim klasik", ka theksuar Kuqi. 

Ahmeti: Dominojnë interesat politike, klanore e klienteliste

Interferimi negativ, në procesin përgatitor për zgjedhjet lokale, nga kriza dhe pamundësia e krijimit të institucioneve të nivelit qendror pas zgjedhjeve të 11 qershorit, po vlerësohet me ndikim të madh edhe nga analisti Hidajet Ahmeti."Është diçka që po vërehet çdo ditë në frymën qytetare, pasi që bllokada institucionale ka krijuar një mjegull në opinionin publik e cila po reflekton në entuziazmin e qytetarëve për zgjedhjet lokale. Qytetarët kanë entuziazëm për zgjedhjet lokale, por janë shumë të vetëdijshëm se politikat qendrore i japin kuptim shtetit, Republikës, mirëqenies e zhvillimit ekonomik. Prandaj, duke e parë lojën e cila po luhet brenda partive politike, duke bllokuar zgjedhjen brenda kornizave të kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë, atëherë qytetarët kanë krijuar bindje se ndryshime substanciale në politikat qendrore në njëfarë forme janë të pamundura, krejt shkaku i interesave politike, klanore e klienteliste të partive politike", tha Hidajet Ahmeti. Kurse bllokada institucionale, sipas Ahmetit, nuk është e rastësishme, por ajo kalkulohet edhe në faturën e zgjedhjeve lokale të 22 tetorit, pasi që në disa komuna të mëdha të Republikës së Kosovës është interes i çdo subjekti politik të mbajë ose ta marrë pushtetin komunal. Edhe politologu Arsim Haziri pohon se thellimi i krizës institucionale, i derivuar për shkak të pamundësisë së krijimit të organit legjislativ, ashtu edhe atij ekzekutiv, mund që të ndikojë ose reflektohet negativisht edhe gjatë procesit zgjedhor lokal."Qytetarët mund edhe të krijojnë ndjenjë apatie në relacion me zgjedhjet e tetorit. Kjo mendësi konsideroj se do të krijohet për shkak të konfrontimeve të ashpra ndërmjet eksponentëve politikë", u shpreh ai. Ai shton se qytetarët karshi këtij thellimi të krizës ndoshta edhe mund të bojkotojnë procesin e tetorit.

Image

 

Badallaj: Elektorati është lodhur nga kapriçiot e kësaj klase politike

Edhe sipas njohësit të afërt të këtyre zhvillimeve politike, Albrim Badallaj, bllokada institucionale, e krijuar pas zgjedhjeve të 11 qershorit, do të ketë reflektim edhe në zgjedhjet lokale, ku qytetari do të ndëshkojë ose me votë, ose me mospjesëmarrje në zgjedhje këtë lidership joserioz, meqë është lodhur nga kapriçiot e kësaj klase politike, të cilët nuk shohin më larg se hunda e tyre."Edhe pas rezultatit zgjedhor, shumë Kuvende Komunale (Asamble) do të përballen me mungesë koalicionesh për shkak të polarizimit të madh ndërmjet subjekteve politike, siç ishte rasti i (mos) funksionimit të Kuvendit të Prishtinës, kjo atmosferë e krijuar do të sjellë edhe rezultate befasuese, ku me shumë mundësi bastionet do të thyhen dhe nuk ka më komuna që një parti mund ta 'qetë përmbi vete', siç njihet në zhargonin popullor, sepse komunat janë të qytetarëve e jo të partive politike", u shpreh Badallaj, duke shtuar se në disa raste sillen si të kenë krijuar perandori. "Sidoqoftë qytetarët e vendit duhet të dalin në zgjedhje, edhe pse ka pak alternativa dhe verdikti i tyre është determinues i (mos)punës nëpër komuna për 4 vjet, pavarësisht ngërçit të krijuar politik dhe për më tepër këto inate të partive politike që veprojnë me ideologji provinciale nuk duhet të ndikojnë në armiqësimin e popullit dhe përdorimit të diskursit agresiv e të ulët", theksoi Badallaj për "Kosova Sot". Po ashtu mendon edhe analisti Ridvan Emini."Çdo vonesë dhe çdo zhargitje e mëtejme për krijimin e institucioneve dhe Qeverisë jo vetëm që do të ndikojë në rezultate të zgjedhjeve, por do të ketë rënie edhe të mëtejme të mosdaljes së votuesve në zgjedhjet lokale, sepse përveç humbjes së besimit ne partitë politike parlamentare ato do të shihen edhe si një prodhues i vazhdueshëm i krizave dhe ngërçeve politike, por edhe ekonomike", theksoi Ridvan Emini.

(Kosova Sot)