Qytetarët në panik, rënie drastike e interesimit për regjistrim biznesesh

  • 13 August 2017 - 08:00
Qytetarët në panik, rënie drastike e interesimit për regjistrim biznesesh

Të dhënat zyrtare, të publikuara nga Agjencia e Statistikave e Kosovës, tregojnë se kemi një rënie të madhe të numrit të bizneseve të reja të regjistruara në këtë vit. Sipas statistikave, në tremujorin e dytë (TM2) të vitit 2017 janë regjistruar gjithsej 2 237 ndërmarrje të reja, kurse krahasuar me tremujorin paraprak (TM1 2017) mësohet se në këtë tremujor (TM2) ka pasur një rënie prej 21.5 për qind të ndërmarrjeve të reja të regjistruara. Sipas ASK-së, ka pasur një rënie për 20.1 për qind të ndërmarrjeve të regjistruara edhe nëse e krahasojmë me tremujorin e njëjtë të vitit të kaluar (TM2 2016). Shih për këtë ekspertët e ekonomisë dhe përfaqësuesit e bizneseve vlerësojnë se kjo është një shenjë se ata që duan të merren me biznese nuk po shohin perspektivë në këtë vend, prandaj edhe nuk po interesohen që të hapin biznese të reja kur e dinë me çfarë klime të biznesit ballafaqohen ata që duan të përfshihen në biznes. Ndryshe analistët vlerësojnë se e tëra kjo flet se për të hapur biznes të ri duhet që doemos që të kesh një lidhje me të fortët e politikës, përndryshe nuk ka asnjë shans për t'u zhvilluar dhe as për të mbetur në treg.

Image

 

Abazi: Rënia e numrit të bizneseve të reja, pasojë e zgjedhjeve të parakohshme

Njohësi i çështjeve ekonomike e financiare, Milazim Abazi, theksoi për "Kosova Sot" se rënia e numrit të bizneseve të reja të regjistruara është pasojë e zgjedhjeve të parakohshme."Edhe pse fushata zgjedhore ka qenë më e shkurtër sesa në zgjedhjet e rregullta, megjithatë gjatë fushatave zgjedhore pakkush vendos të regjistrojë biznes të ri". Ai është i mendimit se po ashtu edhe vonesa e shpalljes së rezultateve zgjedhore, por edhe certifikimit të tyre, ka ndikuar së tepërmi në ulje të interesimit për regjistrim biznesi."Edhe vonesa në konstituimin e Parlamentit dhe krijimit të Qeverisë së re do të ketë pasoja në uljen e regjistrimit të bizneseve edhe në tremujorin e tretë 2017", ka theksuar ai. Nënkryetari i AKB-së (Aleancës Kosovare të Biznesit), Bashkim Osmani, u shpreh për gazetën "Kosova Sot" se, marrë parasysh statistikat zyrtare të vitit të kaluar, që tregojnë se 7 për qind pati një rënie të eksportit, kurse 10 për qind pati një rritje të importit dhe kur kemi mbi 100 milionë investime të huaja më pak, të gjitha këto shifra na tregojnë për një rënie të ekonomisë së vendit tonë. "Kjo status-quo dhe kjo gjendje e agjendës politike të vendit tonë, që na ka përcjellë vjet, por edhe sivjet kur ende nuk kemi një qeveri të re pas zgjedhjeve nacionale, nuk ka punë të mirëfilltë politike dhe përderisa kjo nuk është në vendin e vet do të çalojë ende ekonomia", është shprehur ai. Sipas Osmanit, nuk është për t'u çuditur se përse kemi një rënie të ekonomisë vendore, ndonëse me të madhe po trumbetohet se kemi rritje ekonomike, por ajo bëhet vetëm në investimet që po i bën shteti në autostradat e reja, por jo edhe në sektorin privat që është promotor i zhvillimit ekonomik të vendit tonë."Sa më shumë që të ketë zvarritje që të krijohet qeveria e re, këto shifra do të kenë rritje dhe do të ketë skepticizëm në bërje të biznesit. Andaj e kemi këtë gjendje, sepse për bizneset e reja në Kosovë është vështirë që t'ia dalin në krye, sepse ne ende nuk jemi të barabartë me prodhuesit e rajonit, ngase ende politikat fiskale po na çalojnë, ngase buxheti akoma po mbushet nga Doganat e Kosovës dhe, ndonëse ka hyrë në fuqi MSA-ja, ne ende paguajmë doganë për lëndë të parë, paguajmë akcizë në lëngje, e vendet e tjera nuk i kanë këto taksa", është shprehur ai. Osmani tutje ka shtuar: "Qeveria e re duhet që të përqendrohet në ekonomi, sepse politikat ekonomike duhet që të krijojnë kushte të barabarta për ekonominë e vendit, në mënyrë që bizneset të afarojnë më lehtë dhe në momentin që kemi rritje të numrit të biznesit do të kemi edhe rritje të obligimeve ndaj shtetit dhe në të njëjtën kohë do të kemi edhe mbushje të arkës së shtetit", vlerëson nënkryetari i AKBsë, Bashkim Osmani. Ai ankohet se te ne nuk po lejohet që të afarohet në mënyrë që pas disa viteve ai biznes të jetë një obligues i rregullt i tatimeve. "Duhet lënë bizneset e reja që të zhvillohen dhe ato duhet ndihmuar si biznese fillestare, të cilat më pas me punën e tyre dhe zhvillimin e bërë ato do të krijojnë mundësi që të bëhen tatimpagues të rregullt të Kosovës", është shprehur Osmani.

Image

 

Maloku: Për të hapur biznese të reja, nevojitet stabiliteti politik dhe ekonomik

Ramadan Maloku, nënkryetari i Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës, për gazetën "Kosova Sot" theksoi se garancia më e madhe për të bërë një biznes në akcilin vend dhe për të hapur biznese të reja është stabiliteti politik dhe ekonomik në atë vend dhe që për fat tonin të keq, në veçanti për ato biznese të reja, vendi ynë nuk është stabil."Kjo situatë në mënyrë automatike e largon interesimin e tyre për të bërë biznes dhe për të hapur ndonjë sipërmarrje të re në atë vend. Së këndejmi është e kotë që të mbijetosh në këtë kaos politik dhe ekonomik po nuk pate lidhje me politikën e lartë. Ndaj kjo është edhe njëra nga arsyet se përse kemi rënie të numrit të bizneseve të reja". Ndryshe, sipas Malokut, mungesa e rendit dhe ajo e sundimit të ligjit, që tek ne është prezente që nga paslufta e deri më sot, është pengesë tjetër e zakonshme për të nisur një biznes të ri në Kosovë. Specialisti i integrimeve evropiane në fushën e ekonomisë, Ardian Nokaj, për "Kosova Sot" theksoi se Qeveria qëndron indiferente dhe nuk ka asnjë strategji për të riorientuar ekonominë drejt një modeli më të qëndrueshëm për të "shpëtuar" bizneset e vogla dhe të mëdha. Ai thotë se problem më vete është edhe favorizimi i njëanshëm i bizneseve oligarkike nga pushteti."Taksat e shumta, si dhe mosmbështetja e bizneseve që të plasohen produktet në tregun evropian vështirësojnë klimën edhe ashtu të rënduar ekonomiko-sociale", ka theksuar ai. Nokaj thekson se për të dalë nga kjo situatë e rënduar dhe për të pasur mundësi të ardhjes së investitorëve të jashtëm Qeveria e Kosovës duhet që të krijojë lehtësira fiskale dhe mbrojtje të barabartë në treg (tenderët t'i fitojnë kompanitë më të mira)".

Image

 

Meha: Ulja 20 për qind e bizneseve, refleksion i gjendjes që është në Kosovë

Analisti i fushës së financave, Xhevat Meha, theksoi për "Kosova Sot" se rënia e numrit të bizneseve të regjistruara rreth 20 për qind është një indikator sikur edhe shumë indikatorë të tjerë që kanë shumë dimensione dhe se për këtë arsye duhet analizuar në përputhje me rrethanat në të cilat shfaqen. "Kjo rënie teorikisht mund të ndodhë edhe si rezultat i rritjes së efikasitetit të ATKsë, për të pastruar listën e bizneseve të regjistruara, por që nuk kryejnë asnjë veprim biznesor për kohë të gjatë". Sipas Mehës, tani në Kosovë nuk kemi një rritje të efikasitetit të ATK-së në këtë fushë. "Zvogëlimi i tanishëm 20 për qind i bizneseve të regjistruara është drejtpërdrejt reflektim i gjendjes së kushteve për të zhvilluar veprimtari afariste në Kosovë, gjithsesi rritje e përkeqësimit të këtyre kushteve". Ai thotë se regjistrimi i bizneseve bëhet nga ata/ato që në vizionin e tyre shohin mundësinë për të zhvilluar veprimtari afariste."Zvogëlimi i regjistrimit të bizneseve drejtpërdrejt shpreh zvogëlimin e numrit të atyre që kanë mundësi për të zhvilluar veprimtari afariste". Sipas Mehës, kjo është e pritshme kur merret për bazë gjendja që kemi në Kosovë për më tepër se një dekadë e kjo është shkalla tepër e ulët e zbatueshmërisë së ligjit në njërën anë dhe shkalla shumë e lartë e krimit të organizuar dhe korrupsionit që mbretëron në Kosovë në anën tjetër."Kjo ka bërë të mundur fuqizimin tejmase të kontrollit nga një grup i ngushtë i gjithë sistemit financiar dhe ekonomik të Kosovës. Një kontroll i tillë ushtrohet për më tepër se një dekadë edhe përkundër ndihmës dhe mbështetjes së gjithanshme për Kosovën të shteteve më të fuqishme në botë dhe atë me theksim të veçantë në fushën e zbatueshmërisë së ligjit", është shprehur Meha. Sipas tij, mbajtja në funksion të një kontrolli të tillë për kohë kaq të gjatë me një paprekshmëri të plotë të shkelësve të ligjit mundësohet nga struktura shtetërore shumë mirë të organizuara të shërbimeve të fshehta serbe.

Grapci: Nëse dëshiron që të mbijetosh, duhet doemos të lidhesh me të fortët

Eksperti i ekonomisë, Dardan Grapci, për "Kosova Sot" theksoi se në Kosovë ka perspektivë që të punohet dhe të hapet ndonjë biznes i ri, por duke e ditur klimën e rëndë ekonomike shumë nga ata që kanë qenë të interesuar në fund dorëzohen."Andaj shtrohet pyetja se përse po ndodh kjo dhe vlerësohet se kjo po ndodh për shkak se normat e kredive nëpër bankat tona komerciale janë shumë të larta, prandaj edhe njerëzit kanë frikë të rrezikojnë investimet, por nga ana tjetër është fakt që edhe nëse e hap biznesin dhe nëse dëshiron me pasë sukses dhe që të mbijetosh duhesh doemos që të lidhesh me të fortët e politikës, përndryshe nuk do të kalojë as gjysma e vitit dhe biznesi do të falimentojë", ka theksuar Grapci. Sipas Grapcit, kjo është një shenjë se ata që duan të merren me biznes nuk po shohin perspektivë në këtë vend, prandaj edhe nuk po interesohen që të hapin biznese të reja, aq më tepër kur ata e dinë se me çfarë klime të biznesit do të ballafaqohen ata që duan të përfshihen në biznes.

(Kosova Sot)