Drejtësia luks për pushtetarët, sundim për qytetarët

  • 17 August 2017 - 08:07
Drejtësia luks për pushtetarët, sundim për qytetarët

Mijëra lëndë të pazgjidhura në gjykata

Analistët dhe njohësit e fushës së drejtësisë kanë ngritur dilemën e tyre se si dhe sa mund të flitet për drejtësi të mirë- filltë në Kosovë kur janë të pazgjidhura rreth 500 mijë lëndë nëpër gjykatat e degraduara të vendit dhe se qytetarët me të drejtë pretendojnë se presin me dekada drejtësinë që nuk e marrin kurrë, ngase shumë nga rastet mbyllen pa u hapur kurrë. Ndaj është shtuar edhe çështja se pse me këtë politikë e me këta njerëz aktualë të drejtësisë nuk mund të presim drejtësi për të gjithë qytetarët edhe për shumë vite e ndoshta edhe dekada. Për atë se a është shndërruar "drejtësia kosovare" në një biznes të pistë, i ndërtuar e ndikuar nga mafio- politika dhe mafio- oligarkia kosovare, për shkak të ndikimeve politike, klanore, korruptive dhe që po e zbeh dhe po e humb fare shpresën e qytetarëve të vendit për një drejtësi të mirëfilltë ligjore dhe për një shtet ligjor ku sundon ligji, flet shkrimi në vijim. Analisti Naim Miftari, në një prononcim për gazetën "Kosova Sot", ka thënë se si çdokund në botë krimi i organizuar vepron asisoj, që hapin e parë e merr ashtu që të inkuadrohet në politikë dhe përmes politikës të korruptuar të kontrollojë më pastaj drejtësinë, sidomos gjykatat, policinë dhe prokurorinë.

Njerëzit e pambrojtur

Sipas Miftarit, që nga paslufta askush nga drejtësia vendore, por as nga ajo ndërkombëtare, nuk ka dhënë llogari për mospunën e tyre dhe jo vetëm që nuk kanë pasur guximin, por kjo lloj mospune nga shteti drejtësinë e shtetit e ka shndërruar në dorë të zgjatur të krimit të organizuar."Në bazë të përvojës time të mëhershme, në disa raste, është parë hapur se në Kosovë mund të dënohesh vetëm nëse nuk ke mbështetje politike ose financiare, atëherë nisur nga kjo çka mendon një qytetar i thjeshtë", u shpreh ai."Ndërsa me lëndët e pazgjedhura, që qëllimisht janë fshehur, vonuar për t'u vjetruar lënda dhe të shpallen aktorët e mëdhenj jofajtorë, pra ligji bashkëvepron bashkë me krimin e organizuar teksa edhe i verbër me qenë kjo punë duket shumë qartë. Prandaj neve, qytetarëve, na mbetet të bëhemi edhe vetë në njëfarë forme pjesë e krimit të organizuar politik dhe të bëhemi viktimë e tyre ose rruga e tretë të vendosim të jetojmë në ndonjë tjetër shtet ku sundojnë ligji, drejtësia dhe barazia për të gjithë njësoj", u shpreh analisti Naim Miftari për "Kosova Sot

Image

 

Sistemi larg standardeve

Profesori i së drejtës, Riza Smaka, thotë se tani, kur bëhet një komentim i thjeshtë i fakteve ekzistuese, sistemi i drejtësisë nuk është as për së afërmi me nivelin e funksioneve të besuara, ngase siç tha shumë lëndë janë të paprekura, të paproceduara, por jo pak lëndë të zhdukura fizikisht, përkatësisht të parashkruara. "Tani, në këtë gjendje të këtillë, shtrohet pyetja se çfarë mund të pres një qytetar, fuqinë politike, pushtetare, apo financiare, për të ndikuar që një rast i tij apo i sa të zgjidhet në procedurë ligjore. Kështu që është një gjendje tepër e pakëndshme dhe ekziston një klimë e mungesës elementare të besimit në prokuroritë dhe gjykatat tona. Gjithsesi gjendja e këtillë krijon klimë të volitshme edhe për pseudo biznese në dënimin e ligjit të aplikuar të drejtësisë", ka theksuar ai. "Kjo është një situatë e cila nuk mund të tolerohet dhe e parezistueshme për rrethanat aktuale. Por, mund të bëheshin ndryshime cilësore po të ekzistonte vullneti politik, po e zëmë Ministrinë e Drejtësisë, çfarë mund të bënte tek ndryshimet, propozimet të akteve ligjore ekzistuese dhe përgatitje cilësore të rasteve ligjore, të cilat nuk janë fare, nuk ekzistojnë, e që duhet të ekzistojnë, edhe ato me siguri që nëse jo tërësisht duhej të ishin aplikuar bile në një masë të konsideruar dhe për aq do ta kishin modifikuar për të mirë gjendjen e sistemit të drejtësisë, e cila aspak nuk është e volitshme dhe as e mirë", theksoi për gazetën "Kosova Sot" profesori i së drejtës, Riza Smaka. 

Lëndët e grumbulluara kërkojnë trajtim urgjent

Profesori universitar, Mazllum Baraliu, ka konsideruar se grumbullimi i lëndëve të pazgjidhura paraqet një problem shumë serioz dhe që kërkon trajtim serioz të menjëhershëm e pa shtyrje. Por, sipas tij, shkaqet e faktorët e këtij grumbullimi të lëndëve ku janë mbi 400 mijë sosh sipas disa të dhënave të bëra publike nga shoqëria civile, janë të shumtë, por njëra ndër to është fakti që kryetarët e gjykatave, pra përgjegjësit e tyre janë ata që e bëjnë caktimin e lëndëve me prioritet në relacion me gjyqtarët, duke ua caktuar këtyre të fundmëve lëndën dhe ata do të duhej gjithsesi që me një sistem tashmë të aplikuar. Ai tha se beson se do të duhej të ishte në aplikim të ABC-së, renditjes sipas shkronjave të alfabetit secila lëndë që vjen në ditën e caktuar për t'u trajtuar, qoftë në shkallën e parë ose me ankesë nëse është fjala për Gjykatën e Apelit dhe Gjykatën përkatëse do duhej që të ketë trajtim të barabartë dhe të caktohet menjëherë sipas rendit dhe datës së ardhjes dhe jo sipas lidhjeve që mund të kenë e interesave që mund të kenë lidhje të personave të caktuar dhe grupeve formale dhe interesave që mund të kenë njerëzit e caktuar për t'i përshpejtuar rastet e tyre nëpër gjykata, në procedurë gjyqë- sore. "Prandaj, është problem serioz dhe do të duhej qasje serioze dhe mbase ky është edhe njëri nga problemet që shkakton edhe zhgënjim tek qytetarët për shkak se zvarritet procedura, gjegjësisht kohëzgjatja e realizimit të të drejtave të tyre dhe në të njëjtën kohë humbet besimi, e si rrjedhojë edhe ulet imazhi i gjyqë- sorit dhe institucioneve të drejtësisë nga ana e qytetarëve, ngase nuk kanë më besim se aty jo vetëm që mund të mos vendoset profesionalisht dhe vendoset padrejtësisht, ose edhe nën ndikimin e mitës dhe korrupsionit, por edhe mund të ndikohet në zvarritje ose moszvarritje, varësisht nga lidhjet që mund të kenë personat e caktuar fizikë dhe juridikë me institucionet e caktuara të niveleve të caktuara gjyqësore", spikati për gazetën "Kosova Sot" profesori universitar, Mazllum Baraliu.

(Kosova Sot)