Politikanët e shantazhit mbajnë peng Republikën

  • 17 August 2017 - 07:59
Politikanët e shantazhit mbajnë peng Republikën

Partitë bëjnë çdo gjë për të marrë pushtet

Që nga pavarësia e saj, Kosova është bërë një shtet i shantazhit. Protagonistët e këtyre viteve, të të gjitha garniturave të pushteteve, tashmë janë mësuar me shpifje dhe me shantazhe, kërcënime, prapaskena, dallavere e mashtrime. Analistët vlerësojnë se shantazhi tashmë është bërë një model i punës së pushtetarëve tanë në Kosovë. Sipas tyre, kjo klasë politike nga paslufta janë mësuar të shantazhojnë rivalët, të shantazhojnë bile edhe njëritjetrin, edhe të afërmit e tyre, për interesa të ngushta, për tenderë, për para, për pushtet, për pasuri, duke e bërë të shantazhuarit mënyrë e të menduarit e jetesës, formë qeverisjeje, si një sindrom të pashërueshëm dhe të metastazuar në shoqërinë kosovare. Analistët vlerësojnë se politikanët tanë të inkriminuar tashmë të vetmen mënyrë për të mbetur në pushtet e kanë shantazhin ndaj tjetrit ose të tjerëve. Eksperti i fushës së drejtësisë dhe ligjëruesi universitar, juristi Blerim Burjani, tha për "Kosova Sot" se mungesa e rendit dhe ligjit e ka bërë të veten, partitë politike kanë vepruar mbi shtetin, mbi Kushtetutën e vendit, nuk janë respektuar as Kushtetua e as ligjet në fuqi, pra është hapur rruga e keqe e anarkisë

Kjo klasë politike nuk meriton më vota

Sipas Burjanit, shtetin e kanë qeverisur të padijshmit. "Shantazhin që ia bëjnë njëra-tjetrës partitë politike e bëjnë me qëllim të sundimit me paranë publike dhe pasuritë publike që ka vendi, ngase kjo kategori është në gjendje që të kalojnë madje edhe tri palë zgjedhje të tjera, por mos të lëshojë pe për asnjë fije vetëm e vetëm për interesa shtetërore. Ngërçi i tashëm politik është produkt i shantazheve që po i bëjnë njëratjetrës si parti dhe e tërë kjo situatë e brishtë po shihet si absurde edhe nga ne, por edhe nga Bashkësia Ndërkombëtare, duke e cilësuar situatën si të pakuptimtë dhe tepër monotone", u shpreh ai. Sipas Burjanit, kjo klasë politike, PAN-i, LDK-ja dhe VV-ja, nuk e meritojnë më fare votën e qytetarit tonë, ngase po këta janë duke shantazhuar shtetin, qytetarët e të gjitha grupmoshave."Të papunët dhe të gjithë të tjerët, të cilët janë mbetur të izoluar nga kjo klasë politike, rinia dhe një pjesë e intelektualëve, tashmë kaherë e kanë filluar ikjen nga shteti si mjet për të gjetur perspektivën diku tjetër në Perëndim", theksoi ai.

Sundimi i oligarkëve

 Analisti Gurakuq Kuqi tha për "Kosova Sot" se shantazhet dhe kërcënimet si modele politike zakonisht janë të zhvilluara në vendet e pazhvilluara, të paarsimuara dhe të sunduara nga njerëzit që funksionojnë në formën oligarkike për mbajtjen e pushtetit, biznesit dhe çdo të mire publike dhe private. "Shantazhi dhe kërcënimi në Kosovë kanë gjetur një vend si model zhvillimi, pikërisht nga klasa politike, e cila në vendet e zhvilluara ka krijuar shtete demokratike dhe nuk ka lënë vend për dukuri të tilla", u shpreh ai."Jemi dëshmitarë që gjithçka në skenën politike dhe biznesore në Kosovë është arritur dhe mbajtur nga një klasë e caktuar politikanësh vetëm nëpërmjet shantazheve dhe kërcënimeve", u shpreh ai. Analisti Kuqi tha se çdo veprim i lirë nuk i shkon për shtati klasës politike, sepse veprimet e lira janë veprime që materializojnë dëshirat e popullit, por assesi ato të "politikanëve". "Andaj kjo rrymë oligarkike do të vazhdojë të mbetet pjesë e politikës dhe biznesit në Kosovë gjer atëherë kur nuk ka mundësi zhvillimi dhe dalje në skenë të një klase të re politike, gjer atëherë kur kjo klasë politike nuk do të injorohet nga bashkësia ndërkombëtare dhe gjer atëherë populli nuk ndryshon gjendjen e vet", theksoi Kuqi

Prokurorët dhe gjyqtarët, kujdestarë të mafisë politike

Analisti Ymret Reshiti për gazetën "Kosova Sot" tha se mafia politikë e ka krijuar "kulturën e shantazhit" në Kosovë. "Kosova është bërë oazë e shpifjeve, shantazheve, kërcënimeve, prapaskenave, dallavereve, mashtrimeve. Për të ruajtur pushtetin dhe pasurinë e tyre, të krijuar me vepra korruptive, mafia politike emëron njerëz me kredenciale kriminale në pozitat e larta në institucionet shtetërore dhe në ndërmarrjet publike", u shpreh ai. Sipas tij, duke pasur parasysh se këta zyrtarë janë të lëndueshëm, atëherë mafia politike përmes shantazheve nga këta zyrtarë të lartë shtetërorë kërkon që të bëjnë keqpërdorime të pushtetit dhe shkelje të ligjeve në favor të interesave të mafisë politike. "Në mesin e zyrtarëve të lartë shtetërorë që janë emëruar në postet e larta shtetërore të Kosovës ka edhe njerëz me të kaluar të dyshimtë politike respektivisht janë njerëz të cilët i kanë shërbyer me besnikëri pushtetit serb në Kosovë . Kategoria e zyrtarëve të tillë janë argatët më të devotshëm të mbrojtjes së mafisë politike nga sistemi i ndjekjes dhe i gjyqë- sisë në Kosovë", theksoi ai. Reshiti thotë se një numër i prokurorëve dhe gjyqtarëve të Kosovës janë kujdestarë të mafisë politike, të cilët angazhohen për mbylljen e një mori dosjesh kriminale të mafisë politike në Kosovë apo lirimin nga përgjegjësia. Shpifjet janë bërë metoda të veprimit të mafisë politike dhe oligarkisë kriminale në Kosovë që nga paslufta. Sot shpifja bënë krye lajmin ndërsa demanti nuk ka asnjë efekt. Opinioni publik më shumë i beson shpifjes si kryelajm se sa demantit. Këtë kaos e kanë sjellë njerëz të mafisë politike të Kosovës për interesa të tyre kriminale. Heqja e shpifjes si vepër penale dhe trajtimi i saj në procedurë civile ka bërë që sot kushdo mund të shpif për të gjithë dhe për gjithçka pa u frikësuar se do të dënohet. Sistemi i drejtësisë ka dështuar në ndjekjen dhe dënimin e personave që merren me këso veprimtarish kriminale, ngase sistemi i drejtësisë është i kapur nga mafia politike", ka thënë analisti Reshiti. 

Image

 

Manipulimi i opinionit publik

Analisti Hidajet Ahmeti tha për "Kosova Sot" se dhuna psikologjike ndaj rivalëve politikë është bërë standard për çdo parti politike ekzistuese në Kosovë."Falë kërcënimit, shantazhit e presionit ka funksionuar dhe ka mbetur gjallë një pjesë e partive politike në Kosovë. Dhuna psikologjike ndaj rivalëve politikë është një "strategji" politike që e përdorin partitë politike në Kosovë, e posaçërisht ato parti politike që kanë qenë pjesë e pushteteve të pasluftës", u shpreh ai. Ahmeti sqaron se kjo "strategji" politike në njërën anë përdoret për shpërqendrimin e opinionit publik nga problemet reale. "Kurse në anën tjetër për amnistinë e përkohshme të klientelës së tyre politike nga korrupsioni, krimi i organizuar e me një fjalë nga keqpërdorimet e pasluftës me pozitat zyrtare", theksoi ai."Kjo 'strategji' politike përmes rrugës së shantazhit mban pezull çdo shpifje, e cila konsiderohet pjesë e shantazhit dhe gjithë opinionin publik e orienton kah shpifjet që bëhen, duke shpërqendruar nga problemet reale që i përtojnë çdo ditë. Përmes kësaj metode amorale e të pasinqertë partitë politike e fusin në një lojë iluzionare edhe opinionin publik duke ia shpërlarë trurin", është i mendimit analisti Ahmeti."Gjykoj se kjo lojë e shumëfishtë e partive politike, e posaçërisht e politikanëve të inkriminuar, është manipulim i paskrupullt ndaj opinionit publik, me qëllimin e vetëm marrjen, mbajtjen e ruajtjen e pushtetit me metoda që nuk përkojnë me frymën demokratike", ka potencuar ai. 

(Kosova Sot)