Kodi i mashtrimit udhëheq politikën

  • 20 August 2017 - 07:59
Kodi i mashtrimit udhëheq politikën

Analistë të politikës dhe specialistë të kësaj fushe vlerësojnë se i gjithë spektri politik kosovar po i shkelin të gjitha parimet morale, etike e politike, duke harruar me këtë rast se çfarë të zezash dhe akuzash i kanë thënë ata për njeri- tjetrin derisa qëndronin në taborë të kundërt, kurse tash po i harrojnë ato akuza me të vetmin synim që të hyjnë në pushtet me çdo çmim. Së këndejmi, analistët janë të mendimit se kodi moral në politikë ka rënë përfundimisht, pasi janë krerët e partive politike që deri dje shaheshin e akuzoheshin, e sulmoheshin edhe fizikisht deri edhe me familje e shtëpi , kurse sot po bëhen bashkë vetëm për interesa të kolltukut të pushtetit, për korrupsion e krim të organizuar dhe jo për interesa të qytetarëve dhe të vendit. Ata thonë se janë koalicionet e mëdha parazgjedhore që i lidhën partitë politike në orët e fundit të afatit ligjor, një sinjal serioz i humbjes së besimit të partive tek elektorati i tyre tradicional për shkak të qeverisjes së korruptuar dhe të kriminalizuar deri në krim të organizuar , mashtrimit dhe gënjeshtrave të pakripë që kanë bërë për 5 mandatet që po mbeten pas, qoftë në nivelin qendror apo në atë lokal. Ndaj, analistët e politikës vlerësojnë se ky fuzionim i skenës politike,por edhe fuzionimet e reja që po tentohen të bëhen, është vetëm një përpjekje për ruajtjen e interesave të tyre kriminale në kapjen e fortë e kriminale të shtetit.

Cirku skandaloz parlamentar

Analisti Florim Zeqa tha për " Kosova Sot" se praktikat e deritanishme të bllokadave dhe ngërçeve politike na kanë bërë të kuptojmë se ato janë produkt i ambicieve personale të liderëve partiakë për pushtet e jo qëllime të shëndosha për të ndërtuar shtet. "E tillë është edhe repriza e turpit e cirkut skandaloz në Kuvendin e Kosovës, e bllokadave dhe bojkotit të seancave nga ana e koalicionit më të madh parazgjedhor PAN, të cilët në mungesë të numrave, si "zgjidhje" e kanë gjetur bojkotimin e seancave, duke penguar kundërligjshëm krijimin e institucioneve të reja të vendit". Ai sqaroi se në anën tjetër, edhe Kushtetuta konfuze e vendit, gjegjë- sisht vendimi i Gjykatës Kushtetuese i vitit 2014, është bërë shkas për justifikimin e paligjshëm të PAN-it në insistimin e pafund të qeverisjes së vendit me minoritetet në kundërshtim me vullnetin e shumicës shqiptare në vend. "Imoraliteti dhe shkelja e të gjitha parimeve politike janë bërë "etikë" dhe diskurs politik për arritjen e ambicieve për pushtet i të gjitha partive politike", theksoi ai. Analisti Zeqa tha se përfundimisht mund të themi se në politikëbërjen kosovare as që bëhet fjalë për kod moral. "Liderët partiakë, që deri dje shaheshin, akuzoheshin, sulmoheshin edhe fizikisht mes tyre deri me familje e shtëpi, tani po bëhen bashkë për interesa të kolltukut të pushtetit, për korrupsion e krim te organizuar, e jo assesi për interesa të qytetarëve e të vendit", potencoi ai. " Pa dyshim, koalicionet e mëdha parazgjedhore, që i lidhen partitë politike në orët e fundit të afatit ligjor, janë sinjal serioz i humbjes së besimit të partive tek elektorati i tyre tradicional, për shkak të qeverisjes së korruptuar dhe kriminalizuar deri në përmasat e krimit të organizuar, mashtrimit dhe gënjeshtrave të pakripë që kanë bërë për 5 mandatet e kaluara, qoftë në nivelin qendror (qeveritar), ashtu edhe në atë lokal (komunal)", thotë analisti Zeqa.

Image

 

Partitë dështuan në udhëheqjen e shtetit

Analisti politik, Ragip Guraziu tha për "Kosova Sot" se partitë politike kanë rënë në provim sa i përket udhëheqjes së shtetit të Kosovës, dhe duke u fshehur pas korrupsionit dhe ikjen e përgjegjësisë po bëhen koalicione që në fund po dalin ''shterpe'' dhe pa kurrfarë suksesi. "Bllokadat po vijnë mu nga ato subjekte politike që veç janë në pushtet,bile pas shpalljes se pavarësisë së Kosovës, ekonomia e Kosovës e ka marrë teposhtën kryengul, e udhëhequr nga mafiozët matrapazë", theksoi ai. Analisti Guraziu vlerëson se tani është koha e zgjedhjeve lokale në muajin tetor dhe këtu do t'u zbulohet fytyra atyre që e degraduan Kosovën dhe ekonominë kosovare, duke u korruptuar dhe duke keqpërdorur edhe me votat e qytetarëve dhe nuk pritet gjë e mirë nga këto parti politike, që janë të kapura mbas korrupsionit e krimit ekonomik, dhe kjo po i kushton shtetit të Kosovës. "Kjo do t'i kushtojë edhe në të ardhmen derisa të gjithë matrapazët të shkojnë prapa grilave dhe aty e meritojnë ta shijojnë jetën e tyre me të bëmat e zeza të tyre", potencoi Guraziu.

Image

 

Parimet e shkelura, llogaridhënia e munguar

Gurakuq Kuçi, politolog, tha për "Kosova Sot" se partitë politike në Kosovë, liderët dhe çdo përfaqësues i tyre, asnjë nga ta nuk njihen për parime dhe fjalën e dhënë në asnjë moment në Kosovë. "Jemi dëshmitarë që ata vetëm kanë manipuluar, pastaj kanë prodhuar arsyetime të ndryshme kundrejt asaj që kanë thënë për t'i hedhur sy publikut. Parimet e tyre janë shkrirë komplet brenda tre "P-ve" "Politikë dhe pushtet pa parime"", theksoi ai. "Politika në Kosovë, nëse mund të quhet "politikë", asnjëherë nuk ka pasur një kod moral, dhe madje me termin e politikës ndërkombëtare "vijat e kuqe" që nuk e dinë as vetë saktë çka është, kanë manipuluar brenda vendit, dhe dikur vetë i kanë shkelur ato vija. Madje, vijat që i vënin dje, ditën tjetër kur shkeleshin bëheshin e ardhmja e vendit, sipas tyre, por ka qenë vetëm e ardhmja e "politikanëve" për pushtet, sepse çdo parim përkulet sipas tyre, kur vjen puna tek pushteti, i cili sipas funksionimit oligarkik në Kosovë të jep fuqi dhe para pa fund", u shpreh më tutje Kuçi. Sipas tij, pushteti në Kosovë për ta nuk është përgjegjësi, punë, llogaridhënie, përfaqësim, por vetëm një uzurpokraci që nëpërmjet manipulimeve dhe klientelizmit arrijnë të marrin votat, duke e shfrytëzuar edhe fisnikërinë e fjalës dhe papjekurinë politike të popullit, por kjo e fundit në zgjedhjet e fundit pothuajse nuk iu funksionoi.

Image

 

Liderëve u intereson vetëm pushteti personal

Analisti Jeton Kelmendi tha për "Kosova Sot" se për fat të keq partitë politike në Kosovë janë grupe të interesit të liderëve dhe sejmenëve të tyre. "Derisa në çdo vend të botës zgjedhjet prodhojnë zgjidhje, në Kosovë zgjedhjet prodhojnë bllokadë institucionale, prandaj edhe është këtu ku është Kosova në proceset integruese, por edhe ekonomikisht është keq", u shpreh ai. "Koalicioni me më së shumti deputetë e bojkoton Kuvendin dhe në mënyrë utopike kërkon herë vota të kontrabanduara me blerje e shantazhe, e herë kërkon votën nga partitë e tjera", u shpreh ai, duke fajësuar liderët e PAN-it se po bëjnë kalkulime për pushtet. Analisti Kelmendi është i mendimit se edhe Isa Mustafa është fajtor për këtë, sepse ka lazdruar Veselin, duke e bërë kryetar Kuvendi në mandatin e kaluar dhe e ka zgjedhur president njeriun kontrovers Hashim Thaçin, i cili po i ndihmon politikës së PAN-it, për ta bllokuar Kosovën. "Ndërsa Isa Mustafa i ka fajet edhe për inatet e tij primitive që nuk e zyrtarizon koalicionin me VV-në dhe t'i japë fund kësaj drame", potencoi më tutje ai. "Realisht, zgjedhjet kishin një fitues dhe është Lëvizja VV, e cila ka më së shumti deputetë. Nga ana tjetër, më habit fakti se përse partitë politike nuk u kërkojnë dorëheqje liderëve të tyre: Isa Mustafa ka humbur dhe është dashur të dorëhiqej e jo të zvarritet. Kadri Veseli është humbësi më i madh në këto zgjedhje, sepse prej 34 deputetëve mandatin e kaluar tani ka vetëm 23 dhe më habit fakti se përse as mediet, as analistët nuk e flasin dorëheqjen e tij, sepse PDK-ja dihet është parti e interesave klanore dhe nuk ka guxim asnjëri aty të flasë çka mendon. Nga ana tjetër, Ramush Haradinaj është një politikan minor, i cili nuk po mund të dalë kurrë nga provincialiteti dhe po mbetet parti e kusureve që me 10 deputetë kërkon pushtet në tavolinë, edhe ai duhet të dorëhiqet së paku një mandat t'ia lëshojë vendin e kryetarit Daut Haradinajt. Kurse, Behgjet Pacolli ka dështuar tanimë në politikë, por sërish duket më korrekt së paku me qasjen e tij për zgjidhjen e bllokadës, por thjesht ka dështuar me partinë e tij", ka thënë Kelmendi.

Politikanët e korruptuar nuk mund ta luftojnë vetveten

Ndërsa, Selam Hajrizi, njohës i marrëdhënieve ndërkombëtare, tha për "Kosova Sot" se politika nuk ka miq, as armiq, ka vetëm kukulla marioneta që të gjitha e bëjnë një pusullë së bashku për të mbijetuar, duke mos dëgjuar veshin tek një popull i mjeruar ekonomikisht. "Asnjë çmim nuk ekziston mes njerëzve që dje ishin armiq dhe sot janë miqtë më të mirë, këtu janë mitet e historisë së luftës në të gjithë botën e egër politike për pushtetin", theksoi ai. Analisti Hajrizi thotë se nuk ka asnjëherë kod moral, duke qenë i vdekur si kod moral nuk ekziston as në Evropën demokratike e lëre më në Kosovën e vogël, asgjë nuk është nën politikën nacionale. "Korrupsionin nuk mund të luftojnë politikanët tanë, duke qenë ata vetë pjesë e këtij kanceri që tashmë Kosova e pasluftës që 18 vite nuk mundet assesi të dalë. Duhet ardhur gjenerata të reja dhe të nivelit akademik për të udhëhequr Kosovën drejt nivelit diplomatik e demokracive euroatlantike", ka vlerësuar Hajrizi.

 (Kosova Sot)