Të mbrapshtët e politikës ia dhanë teposhtën shtetit

  • 20 August 2017 - 08:05
Të mbrapshtët e politikës ia dhanë teposhtën shtetit

Analistët dhe njohësit e rrethanave politike në vend thonë se deputetët, të zgjedhurit e popullit, të cilëve elektorati ua ka dhënë besimin përmes votës, me disa nga veprimet e tyre këto kohët e fundit sikur po e nënvlerësojnë dhe po e shpërfillin atë besim të dhënë nga populli në zgjedhjet e qershorit, derisa është bërë model i keq shpërfillja e besimit të dhënë nga populli nga ana e deputetëve, pasi të kenë fituar hyrjen në Parlament, duke bërë pazare pastaj me votën e tyre. Ndaj, ata kanë shtruar edhe çështjen se a po terrorizohet populli nga deputetët e zgjedhur nga lidershipi që i dirigjon ata, dhe a është çoroditur tej mase skena politike kosovare , e cila po i mbyt shpresat e popullit me papërgjegjësinë e saj të skajshme e deri kriminale. Për atë se a po digjet kjo garniturë e deputetëve ende pa e filluar mandatin, së cilës më populli nuk do të mund t'i besojë, flet shkrimi në vijim. Analisti Naim Kelmendi, në një prononcim për gazetën "Kosova Sot", ka thënë se deputetët, të zgjedhurit e popullit, të cilëve elektorati ua ka dhënë besimin përmes votës, me disa nga veprimet e tyre këto kohët e fundit sikur po e nënvlerësojnë dhe po e shpërfillin atë besim të dhënë nga populli në zgjedhjet e qershorit, derisa, sipas tij, sikur është bërë model i keq shpërfillja e besimit të dhënë nga populli nga ana e deputetëve, pasi të kenë fituar hyrjen në Parlament, duke bënë pazare pastaj me votën e tyre, mbase duke u shitur për interesa të grupit tjetër politik, duke e keqpërdorur kështu totalisht votën e elektoratit, meqë ajo votë dhe ai besim i është dhënë për të qëndruar në parim dhe jo për t'u rreshtuar më pastaj, ta zëmë, në taborin tjetër, duke shkelur kështu besimin e elektoratit.

Image

 

Kuvendi i çoroditur

Kelmendi thotë se këto janë mbrapshti dhe joprincipialitete nga ana e të zgjedhurve të popullit për t'i përfaqë- suar në Parlament dhe kështu thuajse e kanë çoroditur skenën politike. "Dihet se secili deputet kandidohet përmes ndonjë subjekti partiak dhe garon në zgjedhje për votat e elektoratit, ngase kjo është mënyra, por kur ai të hyjë në Parlament mbase duhet që nga aty të jetë zë përfaqësues i popullit dhe jo më i subjektit, kështu fatkeqësisht deputetët edhe dirigjohen nga lidershipi partiak i përfaqësuar në Parlament për interesa të ngushta partiake shantazhohen për votën e tyre, u bëhet presion për interesa të ngushta politike etj., me një fjalë kështu pranojnë t'i cenohet e drejta e tyre kushtetuese e votës, kështu po tregohen jo vetëm të papërgjegjshëm, por njëherësh dhe të paetikë në raport me besimin që ua ka dhënë populli në zgjedhje për t'i përfaqësuar denjësisht e jo assesi ta shpërfillin atë besim me pozicionimet dhe lojërat e tyre politike", është shprehur ai. "Krejt këtë e bëjnë për interesa të ngushta mbase dhe personale të ndonjë lideri e që kjo nuk përkon me etikën dhe funksionin e të zgjedhurit të popullit, pra deputetit. Një joparimësi, një lojalitet ndaj parimeve dhe bindjeve e qëndrimeve mbase dhe të drejtës për të marrë vendime nuk e arsyeton assesi dhe në asnjë moment deputetin sa herë që ai e shpërfill parimin, të drejtën dhe qëndrimin e tij", ka theksuar analisti Naim Kelmendi.

Image

 

Keqbërësit fituan sërish

Hasan Preteni, nga Qendra për Etikë, Transparencë dhe Integritet, ka nënvizuar se popullsia aktive na mungon, populli ia dha votën kësaj nomenklature. "Vota u dha pa një analizë të mirëfilltë qytetare dhe prapë fituan shumë nga keqbërësit, të padëshmuarit dhe të korruptuarit", spikati për gazetën "Kosova Sot" Hasan Preteni. Njohësi i rrethanave politike në vend, Blerim Burjani ka veçuar se kjo klasë politike, si pozitë ashtu edhe opozitë, është e degraduar dhe imune dhe për kritikën ajo është e painteresuar për të reaguar dhe për të ndalur veprimet e keqqeverisjes dhe keqpërdorimin e votës së qytetarëve për interesa partiake derisa, siç tha, kjo skenë është bërë monotone, problematike, shantazhuese dhe po i bënë dëm të konsiderueshëm qytetarëve, po mbajnë peng liberalizimin e vizave, themelimin e fondit për sigurimet shëndetësore, po shkatërrojnë perspektivën e të rinjve dhe zhvillimin ekonomik. " Kjo çështje tash është në duar të qytetarëve nëse vazhdojnë të përkrahin këtë klasë politike, PAN, LAA dhe VV, të cilat ia kanë dhënë të mbrapshtën përfundimtare këtij shteti. Nëse vazhdon ky degradim, tashmë askush nuk e di se çka do të ndodhë me qytetarët dhe kah t'ia mbajnë ata. Pra, ka gjëra që nuk mund t'u dihen pasojat. Kjo klasë politike të gjitha këto gjëra i merr si normale, bazuar në interesa të tyre partiake, as që brengosen. Kjo klasë politike e ka bërë arenë të përballjes Kuvendin, e ka bllokuar punën dhe zbatimin e Kushtetutës së vendit", deklaroi për gazetën "Kosova Sot" njohësi i rrethanave politike në vend, Blerim Burjani.

(Kosova Sot)