Kelmendi: Liderëve u intereson vetëm pushteti personal

  • 20 August 2017 - 18:01
Kelmendi: Liderëve u intereson vetëm pushteti personal

Analisti Jeton Kelmendi tha për "Kosova Sot" se për fat të keq partitë politike në Kosovë janë grupe të interesit të liderëve dhe sejmenëve të tyre. "Derisa në çdo vend të botës zgjedhjet prodhojnë zgjidhje, në Kosovë zgjedhjet prodhojnë bllokadë institucionale, prandaj edhe është këtu ku është Kosova në proceset integruese, por edhe ekonomikisht është keq", u shpreh ai. "Koalicioni me më së shumti deputetë e bojkoton Kuvendin dhe në mënyrë utopike kërkon herë vota të kontrabanduara me blerje e shantazhe, e herë kërkon votën nga partitë e tjera", u shpreh ai, duke fajësuar liderët e PAN-it se po bëjnë kalkulime për pushtet. Analisti Kelmendi është i mendimit se edhe Isa Mustafa është fajtor për këtë, sepse ka lazdruar Veselin, duke e bërë kryetar Kuvendi në mandatin e kaluar dhe e ka zgjedhur president njeriun kontrovers Hashim Thaçin, i cili po i ndihmon politikës së PAN-it, për ta bllokuar Kosovën. "Ndërsa Isa Mustafa i ka fajet edhe për inatet e tij primitive që nuk e zyrtarizon koalicionin me VV-në dhe t'i japë fund kësaj drame", potencoi më tutje ai. "Realisht, zgjedhjet kishin një fitues dhe është Lëvizja VV, e cila ka më së shumti deputetë. Nga ana tjetër, më habit fakti se përse partitë politike nuk u kërkojnë dorëheqje liderëve të tyre: Isa Mustafa ka humbur dhe është dashur të dorëhiqej e jo të zvarritet. Kadri Veseli është humbësi më i madh në këto zgjedhje, sepse prej 34 deputetëve mandatin e kaluar tani ka vetëm 23 dhe më habit fakti se përse as mediet, as analistët nuk e flasin dorëheqjen e tij, sepse PDK-ja dihet është parti e interesave klanore dhe nuk ka guxim asnjëri aty të flasë çka mendon. Nga ana tjetër, Ramush Haradinaj është një politikan minor, i cili nuk po mund të dalë kurrë nga provincialiteti dhe po mbetet parti e kusureve që me 10 deputetë kërkon pushtet në tavolinë, edhe ai duhet të dorëhiqet së paku një mandat t'ia lëshojë vendin e kryetarit Daut Haradinajt. Kurse, Behgjet Pacolli ka dështuar tanimë në politikë, por sërish duket më korrekt së paku me qasjen e tij për zgjidhjen e bllokadës, por thjesht ka dështuar me partinë e tij", ka thënë Kelmendi.

(Kosova Sot)