Kosova, buzë falimentimit ekonomik

  • 21 August 2017 - 07:52
Kosova, buzë falimentimit ekonomik

Nga plaçka që i bënë të gjitha garniturat e pushtetarëve tanë të pasluftës dhe me theks të posaçëm që nga shpallja e pavarësisë së saj, më 17 shkurt 2008, Kosova është shndërruar gati në një shtet të falimentuar ekonomikisht. Analistët e kësaj fushe vlerësojnë se kjo po ndodh në saje të vrapit të politikanëve dhe mafio-oligarkëve të korruptuar, që janë këmbë e krye të lidhur me politikanët e korruptuar, të cilët e kanë vetëm një qëllim dhe atë për t'i privatizuar ndërmarrjet publike të vendit vetëm për interesa të tyre. Ndërkaq synimi i tyre, sipas analistëve, është futja nën kontrollin e plotë të tyre ekonomitë kryesore, përmes kompanive fantome e tenderomanisë, dhe me këtë kanë arritur që ta kthejnë vendin në një shtet importues të çdo gjëje. Ata shprehen se Kosova është bërë realisht një shtet i falimentuar ekonomikisht, ku po qe se nuk je pjesë e mafisë dhe nëntokës që udhëheq shtetin, nuk ke shans të mbijetosh ekonomikisht!

Image

 

Shahini: Ekonomia e vendit ka disa vjet që ka një tkurrje të madhe ekonomike

Lideri i AKB-së (Aleancës Kosovare të Biznesit), Agim Shahini, për gazetën" Kosova Sot" theksoi se ekonomia e Kosovës është tkurrur vazhdimisht, për arsye të politikave të deritashme të të gjitha qeverive tona, që koha e tregoi se ato kanë qenë politika ekonomike joadekuate për zhvillim të vendit. Sipas Shahinit, kjo ka bërë që të kemi tkurrje ekonomike, për arsye të paqartësive politike që kanë mbretëruar e po mbretërojnë në vendin tonë, por edhe ka pasur tkurrje ekonomike për shkak se investitorët e huaj në Kosovë janë ballafaquar me probleme të ndryshme. "Të gjitha këto kanë bërë që edhe 18 vjet pas lufte të jemi kampion i importeve në regjion dhe njëkohësisht të jemi shteti më i varfër sa u përket eksporteve në regjion", është shprehur ai. Shahini tutje ka shtuar:"Kjo qasje e deritashme duhet që të ndryshojë urgjentisht dhe se këtë qasje nuk mund ta ndryshojnë njerëzit që e bënë këtë, por njerëzit që kanë qasje të re për eliminimin e këtyre pengesave". Sipas tij, kemi pasur një tkurrje ekonomike, që për shtetin e vogël të Kosovës është tepër e rëndë dhe tepër shqetësuese

Mehmeti: Nga paslufta, politikanët kishin qëllimin si të falimentojnë Kosovën

Analisti Faton Mehmeti, për gazetën "Kosova Sot", theksoi se tanimë dihet se Kosova është e kapur nga krimi ekonomik, njerëz të lidhur me politikën, që kanë arritur dhe po arrijnë që t'i realizojnë synimet e tyre të pasurimit. Ai vlerëson se që nga paslufta politikanët kishin veç një qëllim, se si të falimentojnë Kosovën."Këtë e filluan me procesin e privatizimit, një proces që në vend se të rifunksionalizonte fabrikat ato veç sa u shkatërruan. Disa që u privatizuan u bënë me marrëveshje të ndarjes së fitimit, pastaj haraçi i largoi biznesmenët seriozë. Në Kosovë u ngjallën bizneset e pandershme, të lidhura me krimin, nëntoka kriminale kontrolloi çdo gjë, duke u hapur dyert biznesit të tyre. Krimi bëri të veten, duke frikësuar bizneset serioze e te pambrojtura", u shpreh ai. Mehmeti vlerësoi se tenderomania, si dukuri që pasuronte edhe politikanët dhe favorizonte oligarkët e tyre, u shndërrua në kancer të zhvillimit ekonomik. "Kjo dukuri edhe sot vazhdon dhe si e tillë ka tkurrur mundësitë e konkurrimit të ndershëm dhe hapjen e vendeve të reja të punës. Kjo po shkakton dëme të mëdha në ekonomi, e cila është kapur në duart e disa individëve të paskrupullt. Ekonomia e Kosovës është në duart e mafisë, sepse ajo kontrollon çdo gjë dhe po i mbyt idetë për biznes të njerëzve të ndershëm", është shprehur ai.

Image

 

Rrudhani: Synimi i vetëm i sundimtarëve aktualë ka qenë dhe mbetet futja nën kontrollin e tyre ekonominë kryesore

Njohësi i çështjeve të ekonomisë, Dardan Grapci, theksoi për gazetën "Kosova Sot" se Kosova nuk është ende ekonomikisht shtet i falimentuar, por në prag të falimentimin të saj."Nëse Qeveria e re e Kosovës dhe klasa aktuale e politikanëve më të lartë të shtetit nuk fillojnë urgjentisht zbatimin e ligjit, luftimin e korrupsionit, arrestimin e mafio-oligarkëve, Kosova brenda një periudhe shumë të shkurtër mundet edhe të falimentojë. Kjo ngase në mungesë të perspektivës në vendin e tyre e gjithë rinia e vendit e ka për synim parësor që të ikë, qoftë në mënyrë legale apo edhe ilegale, në shtetet e Bashkimit Evropian", është shprehur ai. Sipas Grapcit, me këtë situatë të brishtë ekonomike dhe politike nuk duhet që fare të habitemi se te ne mund të ndodhë që të ketë edhe luftë civile, sikur që po ndodh sot në vendet e ndryshme të botës, sidomos në vendet aziatike dhe afrikane. "Në Kosovë sot me këtë situatë e vërtetë është që po deshe të mbijetosh në ndonjë nga bizneset është më se e obligueshme se duhesh që të kesh si dorë tuajën të djathtë dikë që është pjesë e politikës apo mafio-bizneseve", është shprehur ai. Analisti Florim Rudhani për gazetën "Kosova Sot" theksoi se qëllimi final i të gjitha garniturave të pushtetarëve tanë të pasluftës por edhe synimi i vetëm i sundimtarëve aktualë ka qenë dhe mbetet futja nën kontrollin e tyre ekonominë kryesore, përmes procesit të privatizimit dhe të kompanive fantome e tenderomanisë, duke e kthyer vendin në një shtet importues të çdo gjëje dhe krejt çka eksportojmë janë disa profesionistë që na i merr Perëndimi."Institucionet kompetente të këtyre fushave urgjentisht nevojitet që të analizojnë dhe të gjendje e shkaktarët e këtyre të metave dhe sëmundjeve të hajnisë e zhvatjes, që janë bërë sëmundje e pushtetarëve në Kosovë, në mënyrë që të hapen rrugë të reja për vendin e qytetarët tanë. Sepse 18 vjet pas lufte nuk janë pak, jemi ku jemi dhe duhet që çdo gjë të fokusohemi se çfarë duhet bërë tash e çfarë nesër, sepse kjo mënyrë e të shtruarit të problemeve është zgjidhja e vetme dhe funksionale e Kosovës dhe qasje tjetër ndaj kësaj situate nuk ka", është shprehur Rrudhani. Sipas tij, në aspektin zhvillimor duhet që të hapen perspektiva të reja zhvillimore. "Me të drejtë konstatohet se në saje të këtyre politikanëve të papërgjegjshëm dhe lidhjeve të tyre me mafio-bizneset Kosova është bërë realisht një shtet i falimentuar ekonomikisht, ku po qe se nuk je pjesë e mafisë dhe nëntokës që udhëheq shtetin, nuk ke shans të mbijetosh ekonomikisht. Përfaqësuesi i shoqërisë civile, Selatin Kaçaniku, theksoi për "Kosova Sot" se Kosova është një shtet i ri, i bukur, i pasur, me popullatë vitale e të motivuar për atdhedashuri...dhe me mundësi pa kufij të bëhet, shtet "Zvicër në Gadishullin Ilirik ", ashtu siç e kemi ëndërruar, për ç'gjë kemi luftuar me shekuj. Për problemet që i kemi, që i ka Kosova, përgjegjësinë duhet ta kërkojmë nga rasa e parë njëjtës "unë" dhe shumës "ne". Ai mendon se kemi formuar tepër shumë parti politike "fantome", të cilat nuk kanë program as orientim - kahe - elektrizim politik. "Kemi legalizuar meritokracinë, klientelizmin, raportet " me të njohshëm"...që janë raporte klanore-fisnore, mbi të cilat bazohen edhe struktura dhe veprimi mafioz. Kjo ngase disa i kemi ngritur e ndritur me votën tonë demokratike, të cilën e kanë lënë lakuriq nga demokracia. I fuqizuam me votën tonë, duke ua deleguar përgjegjësitë, kompetencat e autorizimet, për të cilat u dëshmuan të padenjë, ndërsa ne nuk gjetëm arsye as obligim ligjor, etik, demokratik...e kushtetues që ta ndjekim, kontrollojmë, mbikëqyrim votën tonë dhe të insistojmë në menaxhimin e saj ligjor, kushtetues e demokratik", është shprehur ai.

Image

 

(Kosova Sot)