Ndëshkohet populli për faj të politikanëve

  • 21 August 2017 - 07:48
Ndëshkohet populli për faj të politikanëve

Analistët dhe njohësit e rrethanave politike në vend kanë thënë se populli i Kosovës është i privuar nga lëvizja e lirë në shtetet e 'Shengenit' dhe ka mbetur sot i vetmi në Evropë i izoluar dhe pa liberalizim të vizave, derisa kjo ka ardhur si rezultat i mosplotësimit të standardeve që janë kërkuar nga BE-ja për liberalizim të vizave dhe, sipas tyre, në të vërtetë kjo klasë politike e inkriminuar dhe e kriminalizuar nuk e ka pasur vullnetin që t'i plotësojë standardet e kërkuara siç janë luftimi i krimit të organizuar e korrupsionit dhe sundimi i ligjit në vend. Ndaj, së këndejmi ata kanë shtruar edhe çështjen se a po mbetet përfundimisht populli i Kosovës pa liberalizim të vizave si pasojë e klasës politike të inkriminuar dhe të kriminalizuar, qoftë në pozitë, ashtu edhe në opozitë. Kjo, sipas tyre, bëhet ngase pozita e uritur për të zhvatur popullin e opozita e uritur për pushtet dhe zhvatje lënë qytetarët pa liberalizim të vizave, pa zhvillim ekonomik dhe pa sundim të ligjit. Për këtë dhe atë se a është kjo klasë politike identike dhe nuk dallon fare njëra parti nga tjetra, por të gjitha të inkriminuara, pa dallim dhe edhe sa vite Kosova dhe kosovarët do të vazhdojnë të mbeten shteti i vetëm i izoluar, pa liberalizim të vizave, pa zhvillim ekonomik dhe pa sundim të ligjit në vend, analisti Naim Kelmendi në një prononcim për gazetën "Kosova Sot" ka thënë se populli i Kosovës është i privuar nga lëvizja e lirë në shtetet e 'Shengenit' dhe ka mbetur sot i vetmi në Evropë i izoluar dhe pa liberalizim të vizave. Sipas analistit, Naim Kelmendi, kjo ka ardhur si rezultat i mosplotësimit të standardeve që janë kërkuar nga BE-ja për liberalizim të vizave, gjersa siç tha në të vërtetë kjo klasë politike e inkriminuar dhe e kriminalizuar nuk e ka pasur vullnetin që t'i plotësojë standardet e kërkuara, siç janë luftimi i krimit të organizuar e korrupsionit dhe sundimi i ligjit në vend. Sipas tij, Kosova po përjeton një zbrazje të heshtur nga rinia dhe qytetarët e saj, duke kërkuar gjëkundi në Evropë dhe tej perspektivën e jetës. "Edhe për sa vite Kosova do të mbetet kështu shteti i vetëm i izoluar pa liberalizim të vizave, pa zhvillim ekonomik e pa sundim të ligjit, derisa kjo klasë politike në pushtet të mbetet e papërgjegjshme dhe të mos mendojë e të frymojë për interesat e vendit dhe të qytetarëve të saj", u shpreh analisti Naim Kelmendi.

Image

 

Burjani: Kjo klasë politike përbëhet prej të paditurve, inertëve, të paaftëve dhe rrugaçëve

Njohësi i zhvillimeve politike në vend, Blerim Burjani, thotë se qytetari është viktimë e një politike agresive e drejtuar në drejtim të interesave dhe privilegjeve politike ekstreme të kësaj klase politike, derisa, siç tha, kjo klasë politike e kupton kush e se kupton është injoruese ndaj klasës intelektuale dhe qytetarëve. "Kjo klasë politike është egoiste, siç janë PAN, LAA dhe VV. Kjo injorancë po i bën dëm shtetit, të cilin e kanë izoluar nga qarkullimi i lirë. Qytetarët jetojnë në geto, të mbyllur në një shtet më të ri në Ballkan që quhet Kosovë. Shteti ka nevojë për një klasë plotësisht të re politike. Derisa qytetari nuk e largon këtë klasë politike të papërgjegjshme do të mbetet e izoluar. Tash sa më shpejt të bëhet vetëdijesimi aq më parë kemi fillimin e një perspektive të re ekonomike. Le të zgjedhë populli në mes izolimit dhe të votojë këtë klasë politike ose le të votojë parti të tjera, tash qytetarët le të zgjedhin a duan më përfaqësim me këtë klasë që përbëhet prej të paditurve, inertëve dhe të paaftëve dhe rrugaçëve", theksoi ai për gazetën "Kosova Sot".

Image

 

Fetahu: Përgjegjësinë duhet ta marrin liderët dhe politika kosovare

Profesori universitar Nexhmedin Spahiu ka nënvizuar se klasa politike është pasqyrë e shoqërisë, d.m.th. qysh është shoqëria ashtu është edhe klasa politike. Prandaj, edhe mosliberalizimi i vizave është dënim për krejt Kosovën, sepse është dënim për vetë faktin që prodhon një klasë të tillë politike."Tani a duhet të ndryshojmë shumë si shoqëri për të prodhuar një klasë më të mirë politike dhe në momentin që prodhojmë një klasë më të mirë politike që të kemi perspektiva më të mira, nuk po shihet në horizont. Për të pasur liberalizim të vizave në shoqërinë kosovare do të duhej të ekzistojë entuziazmi për punë, entuziazmi për të jetuar në këtë vend dhe në atë moment që BE-ja do ta vërejë këtë se kjo po ndodh, se ka një entuziazëm në Kosovë, po punohet, d.m.th. njerëzit nuk janë të interesuar në masë që të largohen nga Kosova, atëherë edhe do të ndodhë liberalizimi i vizave. Por nëse në një mënyrë apo tjetër BE-ja do të perceptonte gabueshëm dhe do t'i liberalizonte vizat, unë mendoj se ky nuk është interes i Kosovës tani për tani, sepse do të zbrazej Kosova dhe më tepër se gjysma e popullsisë veç do të avulloheshin", është shprehur analisti Spahiu. Analisti Ilir Fetahu ka nënvizuar se zhvillimet në Kosovë janë faktorë të rëndësishëm për integrimin evropian, në radhë të parë zhvillimi ekonomik, sundimi i ligjit, si dhe përmbushja e kritereve të cilat janë nga Komisioni Evropian. Sipas tij, fajtorë kryesorë për mosliberalizimin e vizave janë kriteret e veçanta për Kosovën që i ka bërë BE-ja dhe që kjo lidhet për shkak të frikës së migrimit të numrit të madh të qytetarëve të Kosovës nëse eventualisht ndodh liberalizimi i vizave së shpejti. "Pavarësisht kësaj, përgjegjësinë duhet ta marrin edhe liderët dhe politika kosovare, sepse mbi të gjitha duhet të ndodhë zhvillimi ekonomik, i cili nënkupton që qytetari kosovar është i interesuar të punojë dhe të veprojë në Kosovë, por edhe të rrijë në Kosovë dhe e kundërta, nëse vazhdon një gjë e tillë dhe Kosova mbetet e pazhvilluar, siç është tani, fatkeqë- sisht synimi i shumicës absolute të njerëzve është që fatin e vet ta gjejnë jashtë Kosovës. Fetahu thotë se kjo është shumë e dhimbshme.

Image

 

(Kosova Sot)