Djali që kurrë nuk qan!

  • 21 August 2017 - 20:52
Djali që kurrë nuk qan!

Dexter Cahill nuk është në gjendje që ta përjetojë dhembjen

Në shikim të parë duket se kemi të bëjmë me fëmijën të cilin do ta dëshironte çdo prind - një djalë i shpërdhitë, i cili kurrë nuk qan, as kur rrëzohet dhe lëndohet. Por, jeta e vogëlushit trevjeçar, Dexter Cahill, dhe ajo e prindërve të tij, Lindsay dhe Tom, nuk është aspak e rehatshme dhe e qetë. Për shkak se vuan nga një çrregullim i rrallë gjenetik, djali nuk përjeton dhembje as me rastin e lëndimeve serioze. Dexter, i cili pas pak ditësh do të mbush katër vjet, deri më tani ka thyer eshtrat disa herë. Ai ka thyer një gisht dhe njërën dorë, si dhe një asht të këmbës, tri javë më parë. E, në të shumtën e rasteve, prindërit e tij as nuk e kishin idenë se si kishte ardhur deri te lëndimi i djalit. 

Nuk i dhanë ilaçe kundër dhimbjes

Tash vonë, derisa ishin duke recituar një vjershë në shkollë, kur kishin arritur te shkronja D, Dexter kishte reaguar me entuziazëm të tepruar, me ç'rast kishte kërcyer dhe e kishte thyer pjesën e nëngjurit. Djali nuk kishte nxjerrë asnjë lot, por e ëma e tij, Lindsay, që është mjeke, thotë se pasi që e kishin thirrur nga shkolla dhe i kishin treguar për lëndimin, ajo kishte qarë gjatë tërë rrugës deri atje. Kur kishte arritur, kishte gjetur të birin të rrethuar nga mjekët, pa shqetësimin më të vogël. Mjekëve nuk iu desh që atij t'i jepnin ilaçe kundër dhembjes. Ia vunë ashtin në vend dhe ia vunë gjipsin, derisa e tëra që donte Dexter ishte një lëpizë.

"Njerëzit mendojnë se Dexter është superhero"

Gjendja e djaloshit në mjekësi njihet me emrin neuropatia trashëguese sensorike autonome e tipit të katërt. Në mënyrë që një fëmijë të lindë me këtë çrregullim, duhet që të dy prindërit e tij të jenë bartës të gjenit të ndryshuar. Lindsay thotë: "Njerëzit mendojnë se Dexter është superhero. Por, ai është shumë i brishtë. Një ditë mund të ketë apendicit dhe të mos e dijë këtë fare, meqë nuk ndien dhembje". Prindërit e djalit kanë qenë të detyruar që ta ndërronin vendbanimin, duke u vendosur në një vend me më pak mundësi për lëndime. E ëma e djalit shpreson që, duke u rritur, Dexter do të mësohet si ta mbrojë veten nga lëndimet. 

(Kosova Sot)