Mehmeti: Nga paslufta, politikanët kishin qëllimin si të falimentojnë Kosovën

  • 21 August 2017 - 22:17
Mehmeti: Nga paslufta, politikanët kishin qëllimin si të falimentojnë Kosovën

Analisti Faton Mehmeti, për gazetën "Kosova Sot", theksoi se tanimë dihet se Kosova është e kapur nga krimi ekonomik, njerëz të lidhur me politikën, që kanë arritur dhe po arrijnë që t'i realizojnë synimet e tyre të pasurimit. Ai vlerëson se që nga paslufta politikanët kishin veç një qëllim, se si të falimentojnë Kosovën."Këtë e filluan me procesin e privatizimit, një proces që në vend se të rifunksionalizonte fabrikat ato veç sa u shkatërruan. Disa që u privatizuan u bënë me marrëveshje të ndarjes së fitimit, pastaj haraçi i largoi biznesmenët seriozë. Në Kosovë u ngjallën bizneset e pandershme, të lidhura me krimin, nëntoka kriminale kontrolloi çdo gjë, duke u hapur dyert biznesit të tyre. Krimi bëri të veten, duke frikësuar bizneset serioze e te pambrojtura", u shpreh ai. Mehmeti vlerësoi se tenderomania, si dukuri që pasuronte edhe politikanët dhe favorizonte oligarkët e tyre, u shndërrua në kancer të zhvillimit ekonomik. "Kjo dukuri edhe sot vazhdon dhe si e tillë ka tkurrur mundësitë e konkurrimit të ndershëm dhe hapjen e vendeve të reja të punës. Kjo po shkakton dëme të mëdha në ekonomi, e cila është kapur në duart e disa individëve të paskrupullt. Ekonomia e Kosovës është në duart e mafisë, sepse ajo kontrollon çdo gjë dhe po i mbyt idetë për biznes të njerëzve të ndershëm", është shprehur ai.

(Kosova Sot)