Kauboji i VV-së, më i dobëti në historinë e Prishtinës

  • 22 August 2017 - 07:43
Kauboji i VV-së, më i dobëti në historinë e Prishtinës

Qytetarët e komunës së Prishtinës dhe analistët e cilësojnë kryetarin Shpend Ahmeti si më i të dobëtin, të padijshëm, mashtrues, por edhe më gënjeshtarin, duke vlerësuar se ai në vazhdimësi vetëm mashtron, nuk bën asgjë të vlefshme dhe se nuk e ka fare problem t'i hajë fjalët. Qytetarët dhe analistët po ankohen se, edhe pse ai është zgjedhur dhe paguhet nga taksapaguesit Shpend Ahmeti, në vend se të ishte në krye të detyrës dhe të punojë, ai shëtitet me jahtet e Devollëve, ose gjate ditëve të punës shkon edhe deri në Milano për të shikuar ndeshje futbolli. Qytetarët dhe analistët po pyesin se përse Shpend Ahmeti, deri më sot nuk e shpjegoi se kush ia bleu biletën e aeroplanit për Milano dhe a e ka paguar Komuna këtë biletë apo ndoshta financuesit e tij -kriminelë me jahte. Analistët ankohen se kur në mediet e huaja vendore u raportua se ishte arrestuar në Milano, Shpend Ahmeti nisi menjëherë me metodologjinë perfide të jahtit: Jo, nuk kam qenë. Jo, kam qenë, duke përmendur këtë radhë "Maltretime të Shengenit", si zakonisht një tjetër gënjeshtër, sepse, sipas asaj që vetë ai e tha pastaj, ai nuk është ndalur për verifikim vize, por për verifikim identiteti nga Interpoli. Qytetarët dhe analistët thonë se qeverisja e Prishtinës,me në krye me Shpend Ahmetin, është një qeverisje Haxhi Qamiliste, që nuk punon për interesa të qytetarëve,përkundrazi ai ata i urren nëse nuk e joshin me para "haram", ndërsa punon vetëm për interesa personale dhe puro-korruptive e kriminale të shefave të VV-së. Ka dyshime se kjo u garantohet nga Devollët dhe nga të tjerët nga shitja e lejeve të ndërtimit. Sipas qytetarëve dhe analistëve, qytetarët e Prishtinës e kanë fituar prej afro 4 vjetësh një pushtet prej "kaubojsh, kërcënues e të neveritshëm" në kryeqytet. Ata thonë se dyshohet tani para zgjedhjeve lokale Shpendi, dhe dy Dardanët e VV-së, për klientelën e tyre kriminale dhe për "myshteri e pagues të rregullt të ryshfetit" kanë zbritur çmimin e nivelit të "mitës e ryshfetit" si në "aksham pazari", ngase po u duhen paratë për të blerë sërish votën nga qytetarët e varfër dhe të nëpërkëmbur për 4 vjet rresht në kryeqytet nga ata vetë. Edhe përkundër pyetjeve drejtuar Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, si zakonisht, nuk kthen përgjigje në pyetjet e dërguara nga gazetari.

Image

 

Mashtrimi i të rinjve

Safet Kamberaj (50), banor në lagjen "Dardania", në Prishtinë, thotë për " Kosova Sot",se në saje të programit të tij të gënjeshtrave, Shpend Ahmeti arriti që të mashtrojë dhe të marrë votat e të rinjve tanë. "Ai këtë e arriti falë taktikave politike përmes organizmit të " Parkut të Dashurisë ", manifestimit " Birra Fest Prishtina", si dhe marrja me problematikat e pushtetit qendror, duke e lënë anash punën me Komunën e Prishtinës. Lirshëm mund të themi se në saje të postit që e mbajti dhe keqpërdorimeve të bëra si kryetar i Komunë së Prishtinës, Shpend Ahmeti është njeriu më i korruptuar dhe njeriu më i pasur në tërë qytetin e Prishtinës. Për të gjitha këto punë të pista, Shpend Ahmeti tashmë për katër vjet të sundimit të tij me Prishtinën nga qytetarët dhe banorët e Prishtinës i ka 15 Kallëzime Penale, që janë të deponuara në Prokurorinë e Shtetit, e cila po i hesht këto raste", ka thënë ai. "Për këto veprime të kryetarit Shpend Ahmeti nuk duhet që të çuditem fare, sepse është pikërisht ai që edhe në kohën derisa gjatë viteve të 90-ta ka studiuar në Bullgari, në Universitetin Amerikan, gjatë kësaj kohe Shpend Ahmeti është shquar për dallavere, sepse është marrë me falsifikimin e pasaportave të ndryshme, duke siguruar të ardhura të majme me këto punë të pista", vijoi më tutje Kamberaj.

Image

 

Projektet u zvarritën

Banorja tjetër e lagjes "Dardania", qytetarja Fatime Ahmeti (67) tha për gazetën"Kosova Sot" se me siguri se të gjithë qytetarët e kësaj lagje janë të zhgënjyer nga premtimet e rrejshme elektorale të Shpend Ahmetit, i cili gjatë kësaj kohe asnjëherë nuk i ka vizituar. "Shpend Ahmeti nuk ka bërë asgjë për lagjen tonë, ndonëse kemi shumë nevojë edhe për dy objekte të shkollave fillore dhe një të mesme, pastaj për një çerdhe fëmijësh dhe një shtëpi për pleq ", u shpreh ajo. "Që e keqja të jetë më e madhe, Shpend Ahmeti, ndonëse pati premtuar se do të lirojë hapësirat publike të uzurpuara nga bizneset dhe qytetarët tanë, ai nuk e bëri këtë dhe madje gjatë kësaj kohe uzurpimi i këtyre hapësirave vetëm sa është shtuar që kur me Komunën po udhëheq Shpend Ahmeti". Sipas saj, e veçanta e punës së Shpend Ahmeti janë zvarritja 3-vjeçare e punimeve mbi Platonë e Kurrizit, që zgjatën madje 3 vjet dhe për këtë u nevojitën të shpallen 3 tenderë të ndarë për të ardhur këtu ku jemi, ndonëse punët janë ende larg përfundimit dhe me një cilësi shumë të dobët, sepse uji sërish pikon në lokalet poshtë dhe nën tunel. " E meta më e madhe e këtyre pushtetarëve ka qenë keqpërdorimi i nxënësve të shkollës fillore, nga klasa e pestë e deri në të nëntën, për protesta dhe demonstrata që e kanë bërë Shpend Ahmeti dhe Lëvizja " Vetëvendosje", tha ajo. Sipas Ahmetit, të gjitha këto lëshime, që janë bërë në këtë lagje nga ana e Shpend Ahmetit, por edhe në pjesët e tjera të kryeqendrës kanë bërë që qytetarët të zhgënjehen me qeverisjen e tij. Gënjeshtrat e fushatës Qytetari Reshat Salihu (55), banor në lagjen " Emshiri "i Prishtinës, tha për gazetën"Kosova Sot"se pa asnjë fije dyshimi, Shpend Ahmeti është kryetari më i dobët në historinë e kryeqendrës sonë,"ndonëse personalisht e kam votuar katër vjet më parë". Ai thotë se Shpend Ahmeti është një njeri që i do vetëm antivlerat dhe nuk i çmon fare vlerat e asnjë fushe. "Ai gjatë fushatës ka premtuar shumë dhe nuk ka bërë asgjë. Si shembull të keqqeverisjes së Ahmetit po e marr vetëm rastin se ai i maltreton qytetarët në Komunën që ai e sundon dhe kjo është e turpshme", u shpreh ai. Salihu vlerëson se për mënyrën se si ka punuar Shpend Ahmeti duhet shikuar vetëm Platonë që gjendet para Komune, tek përmendorja që po i ngjan një ferri, kurse para ndërtesave të komunave të kryeqendrave të rajonit kudo është parajsë, kurse tek ne në Prishtinë është ferr. Si shembull tjetër të keqqeverisjes së Shpend Ahmetit, qytetari Salihu e mori rastin kur ai pa fije turpi i largoi me polici banorët që kanë jetuar tash e 17 vjet në ndërtesat prapa PTK-së në lagjen "Dardania" . "Udhëtimin e Shpend Ahmetit për në Milano dihet se ia paguan Devollët, të cilët dihet botërisht se si janë pasuruar, se ata kanë bërë shumë dallavere me pushtetarët e pasluftës, sikurse që ka qenë afera me 'Z-Mobile'", ka theksuar Salihu.

Image

 

Qytetarët nuk e merituan këtë degradim

Analisti Ragip Guraziu tha për" Kosova Sot " se Prishtina është një pushtet i udhëhequr nga ''kaubojt'' me Shpend Ahmetin në krye."Komuna e Prishtinës që prejse Shpend Ahmeti po qeveris me këtë Komunë, asnjëherë qytetarët e Prishtinës nuk kanë qenë më me siklet, kur kemi parasysh se kjo Komunë qeveriset nga një grup kaubojsh të prirë nga kryetari Shpend Ahmeti", u shpreh ai. "Qytetari i Prishtinës fare nuk e ka merituar dhe as që e meriton një qeverisje dështuese të këtyre kaubojve, që ende nuk dinë çka dhe si duhet qeverisur një komunë, ku Komunën e kryeqendrës, Prishtinën pra, e kanë futur me një qorrsokak që nuk ka kush ta nxjerrë, me këta kauboj jo se jo, ama këtu duhet dikush nga këta kauboj të jetë mbrapa grilave", vijoi më tutje ai. "Të gjitha të këqijat që po i përjeton Komuna e Prishtinës dhe qytetarët e saj në këtë kohë, do t'i kujtojnë jo vetëm qytetarët e Prishtinës, por edhe ne të gjithë, dhe do të shkruhet se në cilën udhëheqje dhe viti e data Prishtina u degradua dhe u tmerrua nga qeverisja e kaubojve të Lëvizjes 'Vetëvendosje', pra nga Shpend Ahmeti, Dardan Sejdiu etj.", tha Guraziu

Në kurthin e oligarkëve mafiozë

Ekonomisti Dardan Grapci tha për " Kosova Sot", se Shpend Ahmeti ka ndryshuar strategji të punës që nga momenti kur ka kaluar nga FER-i në Lëvizjen"Vetëvendosje", dhe kjo strategji si duket nuk po i shkon mirë, për shkak se VV-ja dhe Devollët janë duke ia mbushur fytin me para, saqë në njëfarë mënyre qytetarët e Prishtinës i ka lënë në fund të pusit. "Shpend Ahmeti shumë rrugë i ka lënë pa rregulluar në Prishtinë, sidomos ujërat e zeza dhe kanalizimet, siç ka ndodhur para disa ditëve,kur ra një shi i vogël në Prishtine dhe e gjithë Prishtina u bllokuar, ngase kanalizimet ose kanë qenë të bllokuara nga mbeturinat, ose në ato pjesë nuk ka fare kanalizime", u shpreh ai. " Shpendi, si duket, nuk e ka problem gënjeshtrën, si duket atë e ka si bukën e gojës, ku çdo të dytën fjalë mendoj që e ka gënjeshtër, se po të ishte real që nga fillimi qytetarët nuk do e kishin sharë, por do ta kishin lavdëruar për punën ", vlerëson Grapci. Ndërsa, analisti Faton Mehmeti tha për "Kosova Sot', se këtu nuk bëhet fjalë për emra të përveçëm, por për një sistem të korruptuar, i cili të gjithë kryetarët e komunave i fut në kurth të oligarkëve dhe bandave kriminale. "Çdo kryetar komune ka pas vetes një bandë të pasur kriminale e veshur nën këmishën e biznesmenit, e që kontrollon çdo gjë që bëhet brenda komunës së tyre. Ngase, çdo leje që jepet jo vetëm në Prishtinë, por kudo në Kosovë, jepet me përqindje të fitimit që e marrin si haraç bandat e lidhura me pushtetin", theksoi ai.

(Kosova Sot)