Kompanitë e sigurimeve zhvatin qytetarët

  • 22 August 2017 - 08:06
Kompanitë e sigurimeve zhvatin qytetarët

Që nga paslufta e deri më sot, kompanitë e sigurimeve, shumica e të cilave janë me kapital të huaj, në disa raste dyshohet se po e prishin tregun e brendshëm, duke e arritur këtë përmes kompanive të oligarkëve. Analistët dhe specialistët e kësaj fushe thotë se kompanitë e sigurimeve po e bëjnë këtë me qëllim monopolizimi dhe përfitimi të kundërligjshëm, duke vazhduar që me marrëveshje të fshehta të fiksimit të çmimeve dhe përmes monopolit t'i mbajnë çmimet e larta në tregun e sigurimeve, duke i dëmtuar kështu rëndë qytetarët e vendit. Analistët me të drejtë pyesin se përse BQK-ja si përgjigje nuk po bën licencimin edhe të operatorëve të tjerë si kundërpërgjigje dhe balancim e vetërregullim të tregut. Analistët dhe specialistët e kësaj fushe i akuzojnë drejtuesit e rinj të Autoritetit Kosovar të Konkurrencës se ata nuk kanë bërë asgjë për të ndalur monopolin në tregun e sigurimeve. Por, me gjithë pyetjet e dërguara në adresë të Autoritetit Kosovar të Konkurrencës dhe zyrtarëve të BQKsë, se çfarë thonë ata për këto akuza në adresë të tyre, zyrtarët e tyre nuk kanë dhënë përgjigje. Analistët ndërkaq vlerësojnë se kompanitë e sigurimeve në vendin tonë për shërbimet e veta janë më të shtrenjtat në rajon dhe janë më të dobëtat në afrimin e shërbimeve.

Image

 

Faji kërkohet te Autoriteti Kosovar i Konkurrencës

Eksperti i ekonomisë, Florim Rrudhani, tha për "Kosova Sot" se konkurrenca në tregun tonë është e dëmtuar në masë të madhe edhe te shumë veprimtari të tjera, si shërbimet e sigurimeve, atyre bankare, të avokaturës, të mjekësisë, të telefonisë, energjisë dhe shumë e shumë shkelje të konkurrencës në treg. "Te kompanitë e sigurimeve po e bëjnë këtë me qëllim monopolizimi dhe përfitimi të kundërligjshëm, duke vazhduar që me marrëveshje të fshehta të fiksimit të çmimeve dhe përmes monopolit t'i mbajnë çmimet e larta në tregun e sigurimeve, duke i dëmtuar kështu rëndë qytetarët e vendit ", është shprehur ai. Rrudhani thotë se i tërë faji për këtë gjendje është tek Banka Qendrore e Kosovës, që nuk po bën licencimin edhe të operatorëve të tjerë, me qëllim të liberalizimit të mëtejmë të tregut, por edhe ky reagim i BQK-së do të ishte si një kundërpërgjigje dhe balancim e vetërregullim të tregut pa hipokrizi. Ndërkaq, për këtë situatë të brishtë në tregun e kompanive të sigurimeve, analisti Florim Rrudhani tha se fajtorë janë drejtuesit e rinj të Autoritetit Kosovar të Konkurrencës, se ata nuk kanë bërë asgjë për të ndalur monopolin në tregun e sigurimeve.

Image

 

Çmimet në Kosovë më të shtrenjtat në rajon

Ish-deputeti Xhevdet Neziraj tha për "Kosova Sot" se kompanitë e sigurimeve në vendin tonë për shërbimet e veta janë më të shtrenjtat në rajon dhe janë më të dobëtat në afrimin e shërbimeve."Këto kompani, të cilat veprojnë në vendin tonë e që udhëhiqen nga disa biznesmenë të fuqishëm të vendit tonë dhe në disa fusha të sigurimeve dhe shërbimeve që ofrojnë kanë edhe monopole të caktuara", u shpreh Neziraj. Ai thotë se në këtë drejtim Autoriteti Kosovar i Konkurrencës ka bërë shumë pak ose lirisht me thënë asgjë në ndërhyrjet e tyre për të ndaluar çmimet e larta për disa shërbime, por edhe për të kontribuar që të ketë një liberalizim më të madh në këtë fushë "me qëllim që të afrojnë shërbime më të lira në shërbim të qytetarëve një përgjegjësi në këto kompani për këto shërbime të larta që i kemi ka përgjegjësi edhe Banka Qendrore e Kosovës". Analisti Neziraj vlerëson se sa u përket shërbimeve dhe realizimin e parave si kompensim që duhen të marrin qytetarët tanë kur kanë të bëjnë me dëmshpërblime shpesh ngjan që duhet me vite të tëra të vrapojnë pas këtyre kompensimeve të kompanive të sigurimeve për t'i marrë të hollat, ndërsa kur është fjala te inkasimi ato merren shumë lehtë dhe me procedura të shpejta e të thjeshta.

Image

 

Mbikëqyrja e Bankës Qendrore, e pamjaftueshme

Njohës i fushës së sigurimeve, profesori në Universitetin e "Haxhi Zeka" në Pejë, Ibish Mazreku, i cili për një kohë ka punuar në Sektorin e sigurimeve në Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës, pohon për "Kosova Sot" se kjo çështje është e rregulluar me bazë ligjore. Ai është i mendimit se tregu në Kosovë është i liberalizuar dhe nuk ka monopole, sepse të hollat nga kjo fushë menaxhohen nga BQK-ja. "Ato mjete nuk kanë mundësi të derdhen në buxhet, sepse ky është biznes privat", ka thënë Mazreku. Bankieri Milazim Abazi tha se nuk mendon që Kosova ka çmime të larta të sigurimeve dhe pozita monopoliste të kompanive të sigurimeve."Konkurrenca tek kompanitë e sigurimeve është shumë më e fuqishme sesa tek bankat". Ai thotë se janë dobësi të tjera me të cilat po ballafaqohen kompanitë e sigurimeve, siç janë: mbikëqyrja e pamjaftueshme dhe joprofesionale nga BQK-ja, rregullativa jo shumë cilësore dhe konfliktuoze me sistemin gjyqësor, ngarendje e pakontrolluar në shpërblimin e agjentëve të sigurimit", është shprehur ai. Bankieri Abazi thotë se, për shkak të këtyre dobësive, kompanitë e sigurimeve vitin e kaluar e kanë mbyllur me humbje prej mbi 21 milionë euro, ndërsa bankat me fitime prej më shumë se 75 milionë euro. Ai tha se për ta rregulluar më mirë çështjen e tregut të sigurimeve Kosova duhet të krijojë ent të veçantë për licencimin dhe mbikëqyrjen e kompanive të sigurimeve, ndërsa BQK-ja të lirohet nga kjo detyrë.

(Kosova Sot)