A do t'ua heqë Haradinaj monopolet Devollëve të inkriminuar?!

  • 13 September 2017 - 09:06
A do t'ua heqë Haradinaj monopolet Devollëve të inkriminuar?!

Pushteti duhet të jetë në shërbim të qytetarëve dhe jo të mafio-oligarkëve

Nisja energjike e mandatit të ri si kryeministër, nga Ramush Haradinaj, po i bën bizneset të presin ndonjë zhvillim pozitiv edhe në favorin e tyre. Ata presin, që kjo qeveri më në fund do të garantojnë tregun e lirë, duke ndërprerë menjëherë monopolet kriminale dhe të paligjshme, që nga paslufta janë bërë nëpërmes krimit të organizuar. Por, ka edhe analistë të tillë, që janë skeptikë se edhe kjo qeveri mund, që të dështojë sikurse edhe të gjitha qeveritë e tjera paraprake, që kanë dështuar që të garantojnë tregun e lirë dhe konkurrencën e ndershme, dhe mund që të ndodhë, që edhe kjo qeveri të nënshtrohet para mafio-oligarkëve të inkriminuar, që kanë kapur institucionet e shtetit që nga Presidenca, Qeveria, Kuvendi etj. Analistët pyesin, nëse do të guxojë Ramush Haradinaj që ta ndërpresë kontratën monopoliste dhe të jashtëligjshme të Shkëlqim Devollit për homologim të makinave, por edhe të tjerat monopole që i ka ai. Analistët dyshojnë se Devollët ua kanë mbyllur gojën me para të gjitha partive politike, qofshin ato nga tabori i pozitës apo edhe atyre të opozitës, si edhe çdo institucioni, çdo medie e portali, vetëm e vetëm që të shpëtojnë pa asnjë therrë në këmbë për dyshimet, nëse kanë bërë krime dhe zhvatje të qindra milionave të qytetarëve tanë prej vitit 2008 e deri më sot.

Të nxirren vendime ligjore

Nënkryetari i Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës, Ramadan Maloku, tha për "Kosova Sot" se shoqata ka shpresa të mëdha se kryeministri i ri i vendit ka qëllime shumë të mira dhe mendje të shëndoshë, me synimin e vetëm që të luftojë dhe të ndërpresë çdo punë të pistë, që është bërë nga ana e mafio-bizneseve të pista dhe të një kategorie të politikanëve të involvuar në krime që dyshohet se i kanë bërë Kosovën e pasluftës. "Kjo nënkupton se pritet që kryeministri Haradinaj do të luftojë edhe korrupsionin edhe monopolet në ekonomi, që kanë zënë rrënjë në shumë fusha", potencoi ai. "Shprehja luftimi i të gjitha dukurive negative nënkupton se nga kryeministri Haradinaj presim se do të luftojë edhe të gjitha llojet e monopoleve dhe kësisoj nga ky politikan presim se më në fund do ta liberalizojë tregun e Kosovës, që po mbahet peng, që nga paslufta nga disa biznese, duke ofruar kësisoj mundësi të barabarta për të gjitha bizneset dhe duke ofruar një konkurrencë të lirë në tregun vendorë", u shpreh Maloku. "Shpresojmë se kryeministri Haradinaj do të bëjë këto ndryshime shumë shpejt, duke e bërë këtë përmes mekanizmave ligjorë, që ai i ka në dispozicion, qoftë nëpërmes Udhëzimeve Administrative apo duke vepruar konform dispozitave të tjera, që janë në fuqi dhe që i ka në dispozicion", deklaroi më tutje ai.

Ekonomia e sunduar nga grupe kriminale

Analisti Faton Mehmeti tha për "Kosova Sot" se është shumë e vështirë ta besosh se qeveria e re e Ramush Haradinajt do të ketë guximin që të rikthejë konkurrencën e lirë të tregut, duke pasur parasysh se është monopolizuar çdo gjë në këtë vend". Por, ai vlerëson se goditja ndaj grupeve të mëdha kriminale në krye me Devollët, do të ishte sinjal i mirë për të gjitha klanet, që e kanë monopolizuar tregun se kështu më nuk shkon, gjithsesi se është pak e besueshme se një gjë e tillë do të ndodhë. "Kjo për faktin se Devollët janë një grupacion i madh jo vetëm ekonomik, por edhe politik dhe me fuqi të madhe në tregun ekonomik. Me paratë e tyre të pista ata kanë arritur që të korruptojnë të gjithë aktorët kryesorë të partive politike, të cilët nuk kanë guximin dhe të drejtën më që t'i ndalojnë monopolizimet e Devollëve, pasi ata hanë nga pjatat e tyre", u shpreh ai. Analisti Mehmeti thotë se pa u çliruar ekonomia nga monopolistët, që të marrë frymë lirshëm, nuk ka këtu zhvillim ekonomik, as liri të tregut dhe shtim të konkurrencës. Ai është i mendimit se pa i goditur këto banda, asnjë qeveri nuk do të ketë suksese në përmirësimin e tregut, rrjedhimisht në hapjen e vendeve të reja të punës. "Kosova më shumë se kurrë ka nevojë për një dorë të fortë të së drejtës, që shton vetëbesimin tek sipërmarrësit e pavarur dhe të ndershëm, duke dëshmuar, që edhe këtu në Kosovë mund të bëhet biznes pa pasur nevojë që të jesh bandë, oligark apo të korruptosh dikë në qeveri. Ndaj, nëse kryeministri i ri Ramush Haradinaj nuk i godet fort Devollët me dorën e drejtë të shtetit do të dështojë, sikur të tjerët. Edhe pse kjo duket pak e besueshme, pasi Devollët kanë futur në dorë të gjitha partitë politike, rrjedhimisht liderët e tyre", potencoi ai. 

Mafio-oligarkët mund të vihen në pozitë të vështirë

Ndërsa ekonomisti Dardan Grapci tha për "Kosova Sot" se Qeveria me Ramush Haradinaj, kryeministër i Kosovës, mund ta garantojnë tregun e lirë, duke filluar nga viti i dytë i mandatit në qeverisje. "Kjo, ngase qeveria e tij duhet njëherë të bëjnë hetime të thella se kush është dhe kush nuk është i involvuar në monopolet kriminale dhe krime të organizuara, andaj vetëm në këtë mënyrë qeveria në krye me Haradinajn mund të dijë se çka të bëjnë vitin e dytë", theksoi ai. "Mafiooligarkët qysh tani janë në hall, duke menduar se çka të bëjnë duke e parë se Haradinaj, tani është kryeministër dhe kjo mund t'u nxjerrë telashe. Andaj, mendoj se mafio-oligarkët duhet të vetëdorëzohen dhe t'i pranojnë fajet dhe skandalet që i kanë bërë", u shpreh më tutje Grapci. Ai është i mendimit se vetëm kryeministri Ramush Haradinaj e ka guximin që ta ndërpresë kontratën monopoliste dhe të jashtëligjshme të homologimit të automjeteve, që e ka përfituar afaristi Shkëlqim Devolli. 

Liberalizimi i tregut, sinjali i shumëpritur

Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Xhevden Neziraj, për "Kosova Sot" tha se me liberalizimin e tregjeve të vendit, duke përfshirë edhe Ndërmarrjet Publike dhe luftën kundër monopoleve, qeveria 'Haradinaj' do të dërgonte sinjal të mirë tek investitorët e huaj dhe vendorë se Republika e Kosovës është duke lëvizur në drejtim të duhur kah një ekonomi dhe treg liberal, ashtu siç është e shkruar në Kushtetutën e vendit dhe në ligjet e vendit. "Personi më adekuat që t'i luftojë këto të këqija në vendin tonë si korrupsioni, krimin e organizuar, monopolet nga biznesmenë të caktuar është Haradinaj, pasi ai ka qenë në gjendje që të sakrifikojë edhe familjen dhe e vetmja shpresë gjatë luftës për ne qytetarët e Dukagjinit ka qenë Haradinaj. Atëherë nuk duhet që të dyshohet fare se ai ka aftësi dhe guxim që t'i shpallë luftë krimit të organizuar, korrupsionit dhe monopoleve dhe të dërgojë sinjale të qarta për të gjithë ata, që dëshirojnë që të investojnë në Kosovë se edhe këtu do të ketë siguri të plotë, dhe se askush nuk do të jetë mbi ligjin", u shpreh ai. "Duke njohur energjinë që e ka Haradinaj për të luftuar për të mirën e të gjithë qytetarëve të Kosovës, unë besoj se qeveria e udhëhequr nga ai do të arrijë rezultate të kënaqshme edhe në sferën e ekonomisë dhe gjatë qeverisjes së Haradinajt do të kemi edhe liberalizim tregu, por edhe liberalizim të vizave për qytetarët tanë", tha më tej Neziraj. "Haradinaj është fituesi i shumë betejave edhe më të vështira se kjo, por për këtë na duhet pak kohë që të presim rezultatet e para të kësaj qeverie. E them këtë, sepse Haradinaj e di se qytetari i Kosovës është lodhur nga korrupsioni, varfëria e skajshme, krimi i organizuar, papunësia në shkallë të lartë, arsim i dobët, shëndetësi më të keqen në rajon, pra e di që qytetarët e kanë humbur shpresën për të jetuar në këtë vend e besoj se ai do të ketë energji që me punën e tij të kthejë shpresën tek qytetarët e vendit", ka potencuar ai. 

Pa ndryshime të kuadrove, nuk hapet rruga për biznesin

Eksperti i financave, Xhevat Meha, për gazetën "Kosova Sot" tha se pret veprime konkrete në këto drejtime, ngase gjendja e tashme është e tillë, ku krerët e Prokurorisë, Gjyqësisë, Hetuesisë e Policisë janë të lidhur përmes krimit me kreun e politikës dhe kjo lidhje është tepër e fortë dhe është bërë përmes shërbimit sekret serb. "Vetëm një njeri me karakter të fortë sikurse që është Haradinaj, mund që të shërbejë për ndërrimin e këtyre personaliteteve dhe njerëzve nga këto poste. Ndaj realisht në momentin e duhur dhe në kohën e duhur ai do të marrë vendime të duhura për ndryshimin e këtyre njerëzve nga këto pozita dhe që janë kompetentë për zbatim të ligjit ", ka theksuar ai. Sipas Mehës, vetëm pas këtyre ndryshimeve në mënyrë të drejtpërdrejtë do të ndikojnë në të gjitha segmentet e zbatimit të ligjit në Kosovë. "Ngase vetëm atëherë mund të presim se do të ndikojë në thyerje të monopoleve dhe vetëm nëse bëhen ndërrime në krerët e institucioneve të drejtësisë, atëherë mund që të hapet rruga për zbatimin e ligjeve edhe në fushën e ekonomisë dhe konkurrencës së lirë dhe thyerjes së monopoleve", u shpreh Meha. Ndërsa përfaqësuesi i shoqërisë civile, Selatin Kaçaniku ('Konsumatori'), tha për "Kosova Sot" se Kosova për 18 vite të pasluftës nuk ka mundur të krijojë treg të brendshëm, ekonomi të lirë, ndaj nuk ka as strategji të zhvillimit ekonomik". Ai pyet se si do të krijohen të gjithat me njerëz të njëjtë, me 'formula' të njëjta me të njëjtin 40-përqindëshin ligjesh në zbatim dhe me të njëjtën logjikë e mendësi mashtrimi të elektoratit dhe të qytetarit konsumator taksapagues.

(Kosova Sot)