Dosjet u rrinë mbi kokë politikanëve të shantazhuar

  • 13 September 2017 - 09:03
Dosjet u rrinë mbi kokë politikanëve të shantazhuar

KUR DREJTËSIA PËRDORET PËR QËLLIME KRIMINALE

"Një është e sigurt, kurrë nuk ka pasur dhe me këta njerëz as nuk do të ketë aktakuza për personat që janë aktivë në skenën politike. Tani m'u kujtuan dy raste, kur u paraburgosën dy titullarë të institucioneve ( për padëgjueshmëri) dhe u zëvendësuan me të tjerët, e që këta pas disa ditësh në paraburgim u liruan dhe nuk u dënuan kurrë", u shpreh Hasan Preteni nga Qendra për etikë, transparencë dhe integritet

Mafio-politika dirigjon gjykatat dhe prokuroritë

Analistët dhe njohësit e fushës së drejtësisë thonë se nuk është aspak jokorrekte kur thuhet se drejtësia e Kosovës dhe sidomos gjyqësia jonë është e kapur nga nëntoka politike apo nga klanet e parasistemeve politike, që janë instaluar në partitë politike dhe që e mbrojnë interesin ekonomiko- financiar të disa liderëve dhe klanit të tyre, si dhe janë lidhur edhe me njerëz nga jashtë institucioneve, të ashtuquajtur biznesmenë dhe sekserë të ndërsjellë. Sipas tyre, nuk mungojnë dosjet në prokuroritë e Kosovës, porse është shumë problematike trajtimi i tyre, ku disa vjetërsohen dhe parashkruhen, kurse disa rrinë pezull duke ruajtur mundësinë që të aktivizohen sipas nevojave të politikës ditore, derisa, siç thonë, se një është e sigurt, që kurrë nuk ka pasur dhe me këta njerëz as nuk do të ketë aktakuza për personat që janë aktivë në skenën politike. Ndaj, ata kanë shtuar edhe çështjen se si po i shantazhon nëntoka kosovare politikanët në Kosovë me aktivizimin e dosjeve " të fjetura" në prokuroritë e Kosovës, dhe si po rrinë këto dosje të ish-ministrave dhe ishkryetarëve, si dhe ministrave e kryetarëve aktualë të komunave nëpër sirtarët e prokurorive dhe po presin urdhrin se kur të aktivizohen në momentin që nëntokës kosovare i duhet ta shantazhojë e ta dëmtojë cilindo prej tyre. Porse, a flet edhe kjo se drejtësia në Kosovë, në fakt, është në duart e mafisë kriminale në organet e shtetit dhe jashtë saj, flet shkrimi në vijim.

Amnistimi i politikanëve 

Hasan Preteni, nga Qendra për etikë, transparencë dhe integritet, në një prononcim për gazetën "Kosova Sot", ka thënë se plotësisht pajtohet se nuk mungojnë dosjet në prokuroritë e Kosovës, porse është shumë problematike trajtimi i tyre, ku disa vjetërsohen dhe parashkruhen, kurse disa rrinë pezull duke ruajtur mundësinë që të aktivizohen sipas nevojave të politikës ditore. " Një është e sigurt, se kurrë nuk ka pasur dhe me këta njerëz as nuk do të ketë aktakuza për personat që janë aktivë në skenën politike. Tani m'u kujtuan dy raste, kur u paraburgosën dy titullarë të institucioneve ( për padëgjueshmëri) dhe u zëvendësuan me të tjerët, e që këta pas disa ditësh në paraburgim u liruan dhe nuk u dënuan kurrë", u shpreh Hasan Preteni nga Qendra për etikë, transparencë dhe integritet. Profesori i së drejtës, Riza Smaka thotë se në popull thuhet se peshku prishet së pari në kokë, dhe kjo prishja e madhe apo korrupsioni i madh bëhet në kokë, d.m.th në Qeveri, ku atje janë korrupsionet e formateve dhe dimensioneve të mëdha, dhe gradualisht edhe nëpër institucione, ku edhe ato janë korrupsione, por që janë pak a shumë më të durueshme dhe të përballueshme. "Por, tash te ne është një paradoks i madh, i cili reflektohet edhe në këtë pikëpamje, se kemi raste jo të pakta dhe jo të rralla që funksionarë e qeveritarë të caktuar janë të akuzuar, që kundër tyre ka denoncime penale, mirëpo procedimi nuk është zhvilluar dot edhe është droja që të parashkruhen, të vjetërsohen, apo të zhduken fizikisht, duke lënë kështu pasoja", theksoi për gazetën "Kosova Sot" Profesori i së drejtës Riza Smaka. 

Duhet reformë e mirëfilltë

Profesori universitar Mazllum Baraliu ka nënvizuar se njëri nga problemet, sa i përket efikasitetit dhe aktakuzave të pushtetit dhe në përgjithësi atyre institucionale, siç tha, është problemi që nuk ka sa duhet gjyqtarë dhe prokurorë, pastaj që ka jo sa duhet iniciativë të lirë dhe hapësirë profesionale të mjaftueshme që në mënyrë të pavarur dhe efikase të punojnë njerëzit e gjyqësorit dhe të drejtësisë dhe t'i kryejnë detyrat dhe përgjegjësitë e tyre. Pastaj, ai thotë se në këtë drejtim kushtet e punës nuk janë të mira, mungon efikasiteti, po ashtu gjithsesi kujdesi nuk është i mjaftueshëm, buxheti po ashtu nuk është i mjaftueshëm, pastaj edhe siguria nuk është në nivelin e duhur. " Prandaj, janë shumë faktorë që ndikojnë që, përkundër dëshirës dhe përparimit që është bërë, sipas deklarimit të kryeprokurorit, sa i përket prokurorive të shtetit që kanë marrë numër të caktuar lëndësh, por kanë kryer më shumë sesa që kanë marrë dhe se ka një efikasitet të duhur, mirëpo që ka shumë lëndë të grumbulluara", u shpreh ai. "Janë shumë faktorë që do të duhej të ndryshojnë dhe Qeveria e re dhe Parlamenti do të duhej që të krijojnë kushte, me një fjalë shoqëria kosovare të krijojë kushte më të mira dhe duke filluar nga përmirësimi i buxhetit dhe pastaj sigurisë, pavarësisë etj., në mënyrë që të kemi një avancim dhe një reformë të mirëfilltë dhe efikasitet në kryerjen e obligimeve të bartësve, por edhe mos zhagitje të aktakuzave eventualisht, të cilat ndaj eksponentëve të caktuar të pushtetit ngritën, kalojnë afatet ligjore, parashkruhen, dhe mbesin në sirtarët e institucioneve", deklaroi për gazetën "Kosova Sot" profesori universitar Mazllum Baraliu. 

Klanet e kapën sistemin

Analisti Naim Miftari ka veçuar se nuk është aspak jokorrekte kur thuhet se drejtësia e Kosovës dhe sidomos gjyqësia jonë është e kapur nga nëntoka politike apo nga klanet e parasistemeve politike, që janë instaluar në partitë politike dhe që e mbrojnë interesin ekonomiko- financiar të disa liderëve politikë dhe klanit të tyre dhe të cilët janë lidhur edhe me njerëz nga jashtë institucioneve, të ashtuquajtur biznesmenë dhe sekserë të ndërsjellë. " Nuk është sekret se këta njerëz mbrojnë interesin edhe të tyre, por faktikisht janë lodra në duar të politikanëve dhe zyrtarëve shtetërorë, gjersa edhe kur zbulohen aferat apo keqpërdorimet milionëshe këto para bëjnë punën e tyre duke ndikuar edhe në drejtësi, e cila nuk ka as guxim që të dënojë njerëzit nga politika, duke i ngadalësuar apo edhe duke i humbur rastet krejtësisht, dhe duke i lënë që të vjetrohen e të shpallen të pavlefshme", vlerësoi ai. "Sidomos lufta kryesore bëhet jashtë gjyqit kundër dëshmitarëve të ndryshëm të mundshëm, dëshmitarë që së pari dekonspirohen pastaj etiketohen, kërcënohen, blihen me para ose edhe rrihen, etj", spikati për gazetën "Kosova Sot" analisti Naim Miftari.

(Kosova Sot)