Specialja godet 'peshqit e vegjël'

  • 14 September 2017 - 07:50
Specialja godet 'peshqit e vegjël'

NË PRITJE TË PUBLIKIMIT TË AKTAKUZAVE TË PARA PËR KRIME LUFTE

Mafio-politikanët duhet t'i luftojë drejtësia në Kosovë

"Çdo Gjykatë ndërkombëtare është pazar dhe marrëveshje politike, dhe kjo Gjykatë nuk do të dënojë tipat, si: Hashim Thaçi apo Kadri Veseli, por do të merret me disa figura të tjera të parëndësishme, njerëz që kanë qenë nën urdhrat e Thaçit, Veselit, Halitit e Grabovcit. Njerëzit që do të shkojnë në Hagë janë të tipit, si: Geci, Dobruna, Syla, Tahiri, Çeku, Buja, Haradinaj ...... e disa komandantë të brigadave, por edhe komandantë zonash", tha Naim Miftari

Tani që Kosova më në fund arriti ta bëjë konsolidimin e institucioneve të reja pas zgjedhjeve të qershorit, mungesa e të cilave ka pasur edhe një lloj refleksioni në fillimin më intensiv të punës së Gjykatës Speciale, njohësit e fushës së drejtësisë dhe analistët presin që fillimi i vitit 2018 të shënojë edhe aktivitetet e para konkrete të punës intensive të Dhomave të specializuara, që mund të rezultojë me ngritjen zyrtare të aktakuzave dhe arrestimeve të para. Sado që do të jetë një proces i rëndë dhe me efekte tronditëse për skenën politike të vendit, analistët dhe ekspertët e së drejtës konsiderojnë se nuk ka alternativë për shmange nga veprimi i këtij institucioni të drejtësisë ndërkombëtare, ngase nuk mund të ketë hapje të rrugës për integrime evropiane për Kosovën pa futur në burg "njerëzit e fortë" të politikës dhe të biznesit të inkriminuar mafio-oligarkikë, të cilët po e mbajnë këtë vend peng të zhvillimit ekonomik, demokratizimit dhe të sundimit të ligjit. Prof. i së drejtës, Muhamet Kelmendi, duke u bazuar në një dinamikë të ngadalshme të veprimit të kësaj Gjykate, puna e së cilës ishte paralajmëruar të fillojë shumë më herët me veprimet konkrete në terren, beson se tani, pasi janë krijuar edhe institucionet e reja të shtetit dhe ka një stabilitet institucional edhe Gjykata Speciale, gjithnjë sipas parashikimeve, do të mund të fillojë nga puna nga fundi i këtij viti, apo fillimi i vitit të ardhshëm, pra në vitin 2018.

Kuvendi mund ta rishqyrtojë mandatin e Gjykatës

Sipas Kelmendit, mbetet një çështje e panjohur akoma se kush do të jenë të akuzuarit dhe të arrestuarit e parë, që do të shpallen nga kjo Gjykatë. "Përfundimisht nuk dihet se kush dhe cilët, apo në cilën radhë, do të fillojë paraqitja e akuzave. Në informimin e kësaj Gjykate, përkatë- sisht të prokurorisë së saj, nuk dalin emrat e atyre që do të akuzohen nga kjo Gjykatë, lidhur gjoja me dhunën dhe terrorin e UÇK-së ndaj popullsisë civile dhe asaj serbe", tha Muhamet Kelmendi. Pavarësisht fillimit dhe epilogut të saj, Kelmendi thotë se mënyra se si e ka pranuar Kosova një institucion të tillë është mjaft e dëmshme dhe e turpshme, prandaj ai ndan mendimin se duhet rishikuar mandati i saj akoma pa filluar nga puna. "Turpi i Kuvendit të Kosovës është rënia nën presion të Hashim Thaçit, e ai nën presion të BE-së dhe të tjerëve, që kjo Gjykatë të themelohet. Mendoj se Kuvendi i Kosovës e ka për detyrë urgjente ta rishqyrtojë vendimin e vet mbi formimin e Gjykatës dhe të marrë vendim kundër saj. Le të formohet kjo Gjykatë nga çdokush tjetër, por jo nga vetvetja, sepse atëherë nuk ke edhe ndaj kujt të ankohesh, apo të luftosh. Në këtë anë, duhet të anulohet vendimi i vitit 2105 mbi formimin e Gjykatës Speciale të Kuvendit të Kosovës dhe të kërkohet ridefinimi dhe moslejimi i kësaj pune. Kjo do të çonte vendin në KS të OKB-së dhe atje e ka mundësinë përfaqësuesi i Kosovës të kërkoje formimin e një Gjykate të tillë për dhunën e terrorin, për krimet dhe për gjenocidin e shtetit serb, të shtetit të Maqedonisë, madje edhe për Bosnjë- Hercegovinë. Kjo është më e drejtë", tha Muhamet Kelmendi. Sipas tij, lejimi i veprimit në kornizat e tanishme ligjore mund të jetë me pasoja për vendin dhe shumë njerëz të politikës. "Po duke vepruar kështu , kemi mundësi të kemi burgosje të mëdha dhe shumë të rënda, madje ndoshta edhe të njerëzve me influencë në skenën politike. Po nuk mendoj se do të kemi çrregullime në vend. Nuk kam mendim se populli ynë dëmton shtetin e vet. Ai do të protestojë dhe kundërshtojë, por nuk do të kryejë veprimtari shkatërrimtare ndaj shtetit. Dhe, kjo është e drejtë", tha Kelmendi për "Kosova Sot". Ai thotë se po ashtu duket përmendur edhe faktin, që në anën tjetër kjo Gjykatë nuk i lufton kriminelët ekonomikooligarko-financiare në shtetin e Kosovës, prandaj as që pritet të ketë efekt në këtë fushë.

Detyrim i pashmangshëm ndërkombëtar

Veprim të shpejtë, por pa datë të caktuar pret për Gjykatën Speciale edhe Blerim Burjani. Sipas tij, vonesa në fillimin e punës së këtij institucioni ka ardhur pikërisht nga shkaku i veprimeve dhe krijimit të situatave politike në vend me kriza e zbrazësi institucionale. "Gjykata Speciale mund të veprojë tash shumë shpejt, edhe ashtu kjo Gjykatë duket të jetë vonuar, por arsye mund të ishte jostabiliteti i shtetit të Kosovës, për shkak të një skene politike të papërgjegjshme. Sidoqoftë, pritet të jetë mjaft e vështire puna e kësaj Gjykate dhe rastet, të cilat do t'i ndjekë, edhe nga natyrat e veprave penale të dyshuara që janë kryer", u shpreh ai. "Do të ketë një mandat të paqartë kjo Gjykata, ngase tash thuhet se të nga gjithë ata që do të akuzohen nga kjo Gjykatë, është një numër i madh i politikanëve të shtetit të Kosovës të dyshuar për vepra penale të krimeve të luftës. Deri tash, shumë pak ka pasur informata nga kjo Gjykatë, por ka pasur dhe ka në Kosovë edhe spekulime të shumta, se kush krejt do të akuzohet nga kjo Gjykatë. Sidoqoftë, tani Kosova e ka marrë obligim dhe e ka për detyrim, që të bashkëpunojë me këtë Gjykatë", tha Blerim Burjani.

Partitë do të preken nga arrestimet

As politologu Gurakuq Kuqi nuk i sheh veprimet konkrete me arrestime të para të Gjykatës Speciale gjatë këtij viti, pasi, sipas tij, duhet pritur edhe kalimin e zgjedhjeve lokale. "Dyshoj që edhe këtë vit do fillojë punën Gjykata Speciale, pasi akoma jemi në kohë elektorale të zgjedhjeve lokale dhe posa kemi kaluar krizën institucionale qendrore dhe besoj se punën mund ta nisë në fillim të vitit 2018. Skenën politike, nëse flasim për të pozicionuarit në qeveri, nuk do ta tronditë, pasi disa prej tyre janë shpallur të pafajshëm nga Gjykata e Hagës dhe nuk ka në poste njerëz, që mund të preken. Por, nga partitë politike do ketë njerëz, që do t'i marrin, por edhe jashtë skenës politike", theksoi ai. "Gjithsesi Gjykata Speciale do të mundësojë freskimin e partive politike dhe çlirimin e tyre nga oligarkët e nëntokës, sepse pa demokratizimin e partive politike nuk do të demokratizohet as vendi. Pra, politika vuan shumë nga njerëzit e "nëntokës" dhe heqja e tyre do jetë rruga për integrime evropiane", tha Kuqi për "Kosova Sot".

Kupola mund të mbetet e paprekshme

Edhe njohësi i kësaj fushe, Naim Miftari, nuk pret që veprimi operativ dhe arrestimet e para të fillojnë gjatë këtij viti. Edhe Miftari është skeptik që kjo Gjykatë do të arrijë të merret me të ashtuquajturit 'peshq të mëdhenj', por se do të merret vetëm me ndonjë figurë të parëndësishme, dirsa kryekapot do të mbeten të lirë. "Sipas mendimit tim, arrestimet mund të priten në janar të vitit të ardhshëm, por mendoj se nuk do jenë spektakulare, pasi nuk do të ketë arrestime me peshë të lartë, pasi nuk do të preket kupola e Rognerit apo klanit 'Pronto', pos ndoshta Azem Sylës. Pritshmëria dhe rezultati i kësaj Gjykate do të jetë minimal dhe zhgënjyes, pasi kryesisht kjo Gjykatë është e padrejtë ndaj nesh, ku merret me ndjekjen e viktimave të luftës, duke lënë anash kriminelin kryesor, Serbinë jashtë këtij procesi", u shpreh ai. "Kjo Gjykatë nuk do të na pastrojë shtetin tonë nga mafia dhe nga kriminelët e korruptuar të pushtetit. Mendimi se Gjykata ndërkombëtare do jetë fshesë për ta shpëtuar popullin tonë është i gabuar, përkundrazi kjo Gjykatë do t'i forcojë njerëzit, që e kanë kapur shtetin dhe neve popullin, që nën këmbë na kanë futur si një leckë. E them këtë, sepse çdo Gjykatë ndërkombëtare është pazar dhe marrëveshje politike, dhe kjo Gjykatë nuk do të dënojë tipat, si: Hashim Thaçi apo Kadri Veseli, por do të merret me disa figura të tjera të parëndësishme, njerëz që kanë qenë nën urdhrat e Thaçit, Veselit, Halitit e Grabovcit. Njerëzit që do të shkojnë në Hagë janë të tipit, si: Geci, Dobruna, Syla, Tahiri, Çeku, Buja Haradinaj ...... e disa komandantë të brigadave, por edhe komandantë zonash. Janë qindra targete, por diku afërsisht 10-15 persona do të dënohen", tha Naim Miftari. Ai ndan mendimin se kjo Gjykatë ndërkombëtare është e padrejtë kundër vendit tonë, sidomos kundër UÇK-së, e cila nuk ka krime masive, por se të tillat i ka bërë shteti kriminel serb mu në qendër të Ballkanit, që vrau 14.000 shqiptarë, ndër ta mijëra fëmijë, dhjetëra mijëra dhunime, pastrim etnik, gjenocid.

Mungojnë konfirmimet zyrtare të aktakuzave

Edhe pse të kontaktuar nga gazeta, zyrtarët e Dhomave të specializuara të Gjykatës Speciale nuk kanë dhënë ndonjë përgjigje shumë konkrete sa i takon fillimit operativ të punës. Nga zyra e Komunikimit Publik të Gjykatës Speciale i është thënë gazetës se kapacitetet e veprimit janë të nivelit ndërkombëtar dhe mjaft professional, se në bazë të ligjit, gjykatësit kanë kompetencë të dëshmuar në të drejtën dhe procedurën penale, të drejtën ndërkombëtare dhe sipas nevojës të drejtën kushtetuese dhe kanë përvojë të gjerë si gjykatës, prokurorë ose mbrojtës në procese penale ndërkombëtare ose në vendet e tyre. Mirëpo, data e veprimit konkret, ngritja e aktakuzave dhe arrestimeve, nuk është temë që zbulohet. "Ne që punojmë për Dhomat e Specializuara mund të themi vetëm se çfarëdo informacioni publik në lidhje me parashtrimet, që do të bëhet i njohur kur të jetë e përshtatshme", thuhet në përgjigjen e tyre. Madje, tash për tash nga Zyra e Komunikimit Publik të Gjykatës Speciale nuk tregojnë as për kohëzgjatjen e mundshme të procedurave në këtë Gjykatë. Krejt ajo që sigurohet tash nga Gjykata Speciale, është se gjykimi do të jetë i drejtë për të akuzuarit, që do të nxirren para këtij institucioni dhe të dënuarit eventual do të mbahen në shtet të caktuara sipas vendimit përkatës.

(Kosova Sot)