Njerëzit e politikës në drejtësi HARTOJNË AKTAKUZA TË DOBËT

  • 14 September 2017 - 08:03
Njerëzit e politikës në drejtësi HARTOJNË AKTAKUZA TË DOBËT

DEPOLITIZIMI I GJYKATAVE DHE PROKURORIVE, I DOMOSDOSHËM

"Duhet të bëhet një analizë se cilit prokuror sa raste po i kalojnë dhe sa po përfundojnë me aktgjykim. Nëse bëhet kjo, atëherë do të dihet se cila është performanca e secilit prej tyre, pasi nëse nuk ka llogaridhënie, nuk ka as rezultate. Po kush po shqetësohet për këtë, kur krimi i organizuar po vazhdon pa u penguar", theksoi për gazetën "Kosova Sot" Hasan Preteni nga Qendra për Etikë, Transparencë dhe Integritet

Shumë raste hidhen poshtë ose zvarriten në pafundësi e parashkruhen

Analistët dhe njohësit e fushës së drejtësisë thonë se është fakt i pamohueshëm se që nga paslufta një kastë politike për interesa të veta apo me ndikimin e kësaj kaste politikanësh të inkriminuar e të lidhur ngushtësisht me mafio-oligarkët dhe nëntokën e krimit të organizuar në sistemin e drejtësisë e kanë instaluar po ashtu një kastë të gjyqtarëve e të prokurorëve, të cilët japin përgjegjësi vetëm para mafio-oligarkëve të pushtetit dhe fatkeqësisht asnjëherë para ligjit e Kushtetutës së vendit. Veç kësaj, sipas tyre, sigurisht se janë evidente dhe të njohura dështimet në organin e akuzës pa lënë anash edhe gjykatat që ndoshta dhe mund të jenë të korruptuara, duke i rrëzuar shumë shpesh disa nga aktakuzat e ngritura që përbëjnë ndoshta raste potenciale të veprave të ndryshme për t'u gjykuar, apo mbase fajtor mund të jetë edhe niveli i dobët profesional i prokurorëve të shtetit për dështimet që ndodhin në organin e akuzës, apo qëllimshëm me urdhër të mafio-oligarkëve të politikës dhe nëntokës kriminale bëhen aktakuzat e dobëta. Ndaj ata kanë shtruar edhe çështjen se a po tregohen qëllimisht Prokuroria Speciale dhe ato themelore si joprofesionale në hartimin e plotë të aktakuzave, të cilat gjykatat kryesisht i rrëzojnë shumë shpesh. Për këtë dhe atë se pse është bërë pothuajse MISION I PAMUNDUR lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit në Kosovë flet shkrimi në vijim.

Të shtohet kontrolli

Profesori i së drejtës, Riza Smaka, ka veçuar se në parim një aktakuzë mund të pranohet për trajtim të mëtejshëm, mund të plaket që në start."Por, tash pse mund të ndodhë plakja po e zëmë, ajo mund të ndodhë për shkak të defekteve juridike formale, siç mund të jetë mungesa totale e provave të besueshme ose aspekti formal juridik, ose mungesa e autorizimit për ngritjen e aktakuzës. Kjo është e para, ndërsa mund të ndodhë edhe për qëllime korruptive, d.m.th. nga motiveve korruptive abuzive që e hedh kinse për disa defekte juridike formale, duke e kthyer në rishikim dhe më pastaj edhe atje në instancën prej nga është nisur vonohet, zvarritet, ose harrohet, ose zhduket fizikisht apo parashkruhet, e kështu me radhë, dhe të gjitha këto janë hipoteza të ekzistimit të formave më se të ndryshme të korrupsionit në procedura të ngritjes së aktakuzave. Më pastaj shpeshherë ndodh që nuk ngrihen aktakuza fare, shqyrtohet bie fjala me njëfarë neglizhence, zvarritet në afate edhe kinse nuk ka prova etj., d.m.th. të shumta janë format e korrupsionit mjerisht", ka vijuar ai. Ndërsa sa i përket asaj se si mund të evitohen këto forma të korrupsionit, Smaka thotë se këto mund të evitohen nëpërmjet kontrollit instancial të akteve dhe kur do të konstatohej, qoftë një rast, do të hapeshin procedura juridike penale kundër prokurorit të caktuar, kundër policisë në etapën e parë që nga denoncimi e tutje dhe eventualisht kundër gjykatësit apo kolegjit të caktuar. "Pra, pa kontrollim nuk mund të sigurohet funksionimi i drejtë, i dëshirueshëm e i dizajnueshëm i proceduarve juridike penale dhe kontrollimi i mirëfilltë është parakusht dhe ky kontrollim duhet të jetë jo 'ad hock', por i rregullt, dhe ai bëhet në njëfarë mënyre edhe me mjetet juridike që janë të rregullta dhe të jashtëzakonshme, që janë ordinere dhe ekstra ordinere, që është ankesa dhe kërkesa për përsëritjen e procedurës, kërkesa për rishikimin e jashtëzakonshëm të çështjes, etj.", spikati për gazetën "Kosova Sot" profesori i së drejtës, Riza Smaka. 

Kapacitetet njerëzore, të pamjaftueshme

Avokati Skënder Musa ka nënvizuar se në sistemin e drejtësisë ka nevojë që të bëhen reforma edhe në nivel të prokurorisë, por edhe të gjykatave, ka nevojë të ngrihen kapacitetet humane, d.m.th. të forcohen edhe prokuroria, por edhe gjykata me prokurorë dhe gjyqtarë të rinj e profesionalë, në të gjitha nivelet. Ndërsa sa i përket Prokurorisë Speciale të Kosovës, Musa thotë se reforma duhet fillohet, sidomos në atë që gjykata duhet të ngrihet në nivelin në departamentin e krimeve të rënda, për shkak se këtu nuk ekziston harmonizim në mes të Prokurorisë Speciale, e cila ngrit akuza ekskluzivisht për lëndë të rënda të krimit të organizuar dhe ato që kanë të bëjnë me korrupsion dhe shpërdorim të detyrës zyrtare dhe në anën tjetër gjykatat themelore të Kosovës i shqyrtojnë lëndët e Prokurorisë Speciale gjyqtarët e krimeve të rënda."Këtu duhet të bëhet një reformë, ose të themelohet një departament për krime të rënda që ekskluzivisht merret me lëndët e Prokurorisë Speciale ose të shtohet numri i gjyqtarëve të krimeve të rënda dhe pagesa t'u rritet në nivelin e rrogave që i kanë prokurorët specialë, ngase në këtë formë që është tash konsideroj se është gabim, pasi përderisa një prokuror i Prokurorisë Speciale paguhet me dyfishin e rrogës së një gjyqtari që i shqyrton lëndët e Prokurorisë Speciale atëherë edhe në aspektin material ka diskriminim në raport me gjyqtarët", potencoi ai."Unë konsideroj se me vetë faktin se Prokuroria Speciale i ka lëndët e veçanta që të merret gjithsesi duhet të bëhet një departament në krime të rënda nëpër gjykatat themelore, e në mënyrë të veçantë në atë të Prishtinës, që duhet ta ketë ekskluzivisht për detyrë që të merret me lëndët e krimit të organizuar, me lëndë të nivelit të personave që konsiderohen të fuqishëm apo të nivelit të lartë qeverisës dhe politik", deklaroi për gazetën "Kosova Sot" avokati Skënder Musa.

KUR NUK KA LLOGARIDHËNIE, NUK KA REZULTATE

Ndërsa, Hasan Preteni nga Qendra për Etikë, Transparencë dhe Integritet thotë se asnjë prokuror nuk duhet të ngritë aktakuzë nëse nuk është i sigurt se do ta fitojë rastin dhe që ky është standard, por siç tha tek ne një prokuror e fillon, tjetri shkon në gjykim pa pasur njohuri për lëndën. "Andaj duhet të bëhet një analizë se cilit prokuror sa raste po i kalojnë dhe sa po përfundojnë me aktgjykim. Nëse bëhet kjo, atëherë do të dihet se cila është performanca e secilit prej tyre, pasi nëse nuk ka llogaridhënie nuk ka as rezultate. Po kush po shqetësohet për këtë, kur krimi i organizuar po vazhdon pa u penguar", theksoi për gazetën "Kosova Sot" Hasan Preteni nga Qendra për Etikë, Transparencë dhe Integritet.

POLITIKA INSTALOI STRUKTURA TË INKRIMINUARA NË SISTEMIN E DREJTËSISË

Analisti Naim Kelmendi, në një prononcim për gazetën "Kosova Sot", ka thënë se është fakt i pamohueshëm se që nga paslufta një kastë politike për interesa të veta apo me ndikimin e kësaj kaste politikanësh të inkriminuar e të lidhur ngushtësisht me mafio-oligarkët dhe nëntokën e krimit të organizuar në sistemin e drejtësisë kanë instaluar po ashtu një kastë të gjyqtarëve e të prokurorëve, të cilët japin përgjegjësi vetëm para mafio- oligarkëve të pushtetit dhe fatkeqësisht asnjëherë para ligjit e Kushtetutës së vendit."Kjo ka bërë që këta të mos mund ta luftojnë krimin e organizuar dhe korrupsionin në Kosovë dhe në njëfarë forme kjo luftë është bërë mision i pamundur tash për tash në Kosovë, ngase kjo drejtësi fatkeqësisht nuk i shërben ligjit dhe së drejtës, por me të tillë gjyqtarë e prokurorë ka lejuar që të sfidohet nga krimi i organizuar dhe bosët e inkriminuar të nivelit të lartë të pushtetit", theksoi ai."Prandaj, sigurisht se janë evidente dhe të njohura dështimet në organin e akuzës, pa lënë anash edhe gjykatat, që ndoshta dhe mund të jenë të korruptuara, duke i rrëzuar shumë shpesh disa nga aktakuzat e ngritura që përbëjnë ndoshta raste potenciale të veprave të ndryshme për t'u gjykuar", u shpreh analisti Naim Kelmendi.

(Kosova Sot)